Albspirit

Media/News/Publishing

Maria Roces Gonzales: Dyndje kujtimesh

Mbushen, pikërisht tani, 40 vjet që kur Ismail Kadare, shkrimtari dhe Principe de Asturias (rajoni i Spanjës nga i cili jam dhe ku jetoj), hyri në jetën e Ramón Sánchez Lizarralde dhe timen, për mos të u larguar më. Ishte në Tiranë: A pret miq, o i zoti i shtëpisë?, kur lexuam, të mahnitur dhe thellësisht të prekur, romanin tonë te parë kolosal në shqip: Dimri i madh (botimi i dytë, i ripunuar i romanit Dimri i vetmisë së madhe). Atëherë Ramoni filloi të mendonte për t’u ofruar spanjishtfolësve disa nga veprat e tij, drejtpërdrejt nga shqipja, pasi më parë, në vitet 70, ishin botuar Le général de l’armée morte dhe Les tambours de la pluie të përkthyera nga frëngjishtja.

Më pas dyzet e pesë vepra të Kadaresë, nga romanet dhe novelat,  tek poemat dhe esete, të përkthyera në rastin tim, pesë prej tyre në bashkëpunim me Lizarralden dhe tri të fundit vetëm, dhe mund të thuhet se qëllimi fillestar është përmbushur  kënaqshem dhe se rezultati, po kështu, thuajse arrin veprën e Onufri-t. Kjo dëshmohet në një prej mureve të dhomës time të gjumit, e mbushur me origjinalet nga Fayard dhe Onufri dhe me botimet e ndryshme dhe të shumta në Spanjë, me kapak të fortë, me kapak të butë apo në version xhepi të shkrimtarit dhe Princi i Asturias, Ismail Kadare.

Ramón Sánchez

Për njeriun, qytetarin, personazhin Kadare kam kujtime të mjegullta të periudhës time shqiptare (1980-1984), periudhë veçanërisht problematike dhe e vështire për të: i trazuar në një darkë të shtëpisë botuese, duke biseduar me dikë në Hotel Dajti, në Durrës me Bashkim Shehun, i habitur kur pata guximin ta prezantoja me një udhëtar insistues spanjoll … dhe e shoh veten time, mbi të gjitha, duke mbrojtur pa kushte Natën me hënë. Për aktivitetin letrar të Kadaresë në Madrid nuk e di më, në këtë pikë, nëse ruaj kujtimet e mia apo i kam marrë hua nga Ramón, por ngjyrat vijnë e theksohen: ja ku është, për shembull në Círculo de Bellas Artes, i rrethuar plotësisht, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me letrat e tij. Në kthimin në Tiranë: A pret miq, o i zoti shtëpisë?, tre momente: Prill 2009, me Ramonin (udhëtimi i tij i fundit), Anila Bitrin dhe Remzi Lanin, në shtëpinë e Kadaresë, ku ngrohtësia e Helenës shkëlqen me dritën e vet. Dhe, duke imituar titullin Mëngjeset në Kafe Rostand,  Pasditet në kafen e Liqenit me Ismail Kadarenë e mbushur me zgjuarsi, pasion dhe bujari, i ndaj me Bujar Hudhrin dhe, në takimin e parë,  edhe me Anilën dhe Remziun.

Ndaj absolutisht atë që Ramón S. Lizarralde tha në 1998 dhe e përsëriti në tetor  2009 kur Kadare mori Çmimin Princi i Asturias, duke riprodhuar udhëtimin kadarean të të dyve: «Ajo që filloi si një imperativ me karakter etik: të kontribuoja këtu për të përgënjeshtruar imazhin e deformuar që ekzistonte për atë çka po ndodhte atje, përveç një lloj përmbyllje të një rrugëtimi jetësore të bëja të njohur atë që unë, dhe jo të tjerët, kisha pasur mundësinë të përjetoja personalisht, u shndërrua me kalimin e kohës në një përvojë intelektuale dhe emocionale të një lloji tjetër: duke ndjekur Kadarenë unë përshkova të njëjtën udhë si Bajroni i çalë nëpër shtigjet midis Tepelenës, Gjirokastrës dhe Janinës; kam shoqëruar korrierët e kokave nëpër rrugët që lidhnin Stambollin me Ballkanin; kam kaluar natën në Bujtinën shqetësuese të Dy Robertëve dhe kam pritur vdekjen e pashmangshme në një kullë ngujimi të alpeve shqiptare. Kam vizituar tunelet e tmerrshme të Pallatit të Ëndrrave dhe kam ndjekur në lundrimin e tyre të ethshëm nëpër viset e ashpra të Shqipërisë gjeneralët dhe priftërinjtë që ngrinin të vdekurit nga amshimi i lagësht i varreve të tyre; kam ndarë vetminë e netëve me patriotë të marrë, ushtarë të çartur dhe rapsodë të një kohe tjetër që recitojnë litaninë e tyre dramatike ndërkohë që kundrojnë me mosperfillje fytyrën e gurtë e të pandryshueshme të maleve. Kam pasur mundesinë të zbres në skëterra të tjera që nuk i njihja dhe të udhetoj hipur mbi kuaj të drejtuar nga të vdekur…».

I dashur Ismail Kadare: Jetë të gjatë, u bëfsh 100 vjec dhe marrsh nga ditët tona!/exlibris/

Përktheu në shqip: Kristina Lani Bitri

Please follow and like us: