Albspirit

Media/News/Publishing

Hapja e rrugës drejt zhvillimit të gjelbër ekonomik në Deltën e Bunës

Buna river-Velipoje Protected Landscape

IUCN-i dhe partnerët e Living Buna (Jetesa në Bunë) po nxisin zhvillimin e qëndrueshëm socio-
ekonomik në veri të Shqipërisë, duke u përqendruar në restaurimin e ekosistemeve dhe
habitateve përmes veprimeve të bazuara tek komuniteti, në një sipërfaqe prej 23,000 ha të Deltës
së Bunës.
Delta e Bunës, e pozicionuar në Mesdheun Lindor, është një ligatinë me rëndësi në shumë
aspekte për komunitetin lokal dhe natyrën të cilën ajo mbron. Ajo është streha e shumë llojeve të
rrezikuara, të tilla si karabullaku i vogël, lundërza, çakalli dhe blini. Ligatinat e saj të shëndetshme
mbështesin prodhimin bujqësor dhe blegtoral, peshkimin dhe turizmin përreth Lumit Buna, një
burim të ardhurash për afërsisht 36,000 banorë.
Megjithatë, Delta e Bunës ndeshet shpesh me trysni të ndryshme, të cilat variojnë që nga
bujqësia dhe peshkimi i paqëndrueshëm, shpërdorimi dhe ndotja e ujit, e deri tek shkatërrimi i
habitateve bregdetare të shkaktuara nga zhvillimi infrastrukturor dhe turizmi masiv.
Me qëllim ndryshimin e kësaj prirjeje dhe ndërtimin e aftësisë ripërtëritëse si të komuniteteve
ashtu edhe të ekosistemeve në të cilat ato mbështeten, skema e granteve ‘Action for Buna’
(Veprimi për Bunën) ka ndihmuar të materializohen 15 ide të propozuara, me anë të mbështetjes
së Fondacionit MAVA.
Tema gjithëpërfshirëse e të gjitha veprimeve ishte rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë dhe
vlerën e ligatinave të Deltës së Bunës për jetesën e komunitetit lokal dhe zbatimin e planit të tij të
menaxhimit. Shumica e përfituesve të grantit u përqendruan në shndërrimin e praktikave turistike
në praktika më të qëndrueshme, për shembull duke angazhuar komunitetin lokal të peshkimit për
të nxitur peshkimin e ekoturizmit apo për të fuqizuar mundësinë e ekoturizmit në zonën e Dajçit në
Baks-Rrjoll. Paketa të shumta turistike të cilat u hodhën në treg në Lumin Buna, Plazhin e
Velipojës dhe në lagunën e Vilunit, tashmë kanë integruar veprimtari të pastra sportive.
Kur bëhet fjalë për restaurimin e habitateve bregdetare, përfituesit e granteve investuan përpjekjet
e tyre për restaurimin e dunave bregdetare, dhe habitateve natyrore pyjore duke mbjellë lloje
vendase të plepit dhe ahut në Bashkinë e Shkodrës.
Një numër veprimesh u përqendruan në promovimin e produkteve bujqësore në zonën e Anës së
Malit, si edhe në zhvillimin e modelit agro-turistik i cili përfshiu veprimtari të tilla si përmirësimi i
sistemit të kanalizimeve, dhe menaxhimi i mbetjeve të kafshëve për fermat e përzgjedhura.
Në përfundim, grupi i fundit i veprimeve të bazuara në zonë mbështeti kalimin në energjinë e
pastër të siguruar nga panelet diellore apo zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër, duke përfshirë
instalimin e sistemeve më efikase të ujitjes, dhe përmirësimin e praktikave bujqësore dhe
përdorimit të ujit në familjet individuale.
Duke qenë tërësisht i harmonizuar me Planin e Menaxhimit të Deltës së Bunës, veprimtaritë e
mbështetura kontribuojnë drejtpërdrejt ndaj përmbushjes së Objektivit Aichi 11 të Konventës për
Diversitetin Biologjik, si edhe ndaj një numri të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, të tilla si
OZHQ 11: Qytetet dhe Komunitetet e Qëndrueshme, OZHQ 14: Jeta Nën Ujë, dhe OZHQ 17:
Energjia e Përballueshme dhe e Pastër. Skema e granteve ‘Action for Buna’ (Veprimi për Bunën)
do të ketë fazën e tij të dytë në pranverë të vitit 2021.

Për më shumë informacion për projektin ADAPT në Ballkanin Perëndimor, ju lutemi
kontaktoni: Vesna Bjedov, Zyra Rajonale për Europën Lindore dhe Azinë Qëndrore (ECARO) e
IUCN-it – Tel: + 381 63 358 345, Email: vesna.bjedov@iucn.org

About IUCN
IUCN-i është Unioni i cili në përbërjen e tij unike përmban anëtarësimin e organizatave qeveritare
dhe të shoqërisë civile. Përmes tij organizatat publike, private dhe jo-qeveritare arrijnë të përftojnë
njohuri dhe mjete, të cilat bëjnë të mundur realizimin e përbashkët të progresit të njeriut, zhvillimit
ekonomik dhe ruajtjes së natyrës. IUCN-i u krijua më 1948 dhe tashmë është rrjeti më i madh dhe
më i larmishëm në rang botëror për mjedisin, i cili përdor njohuritë, burimet dhe kapacitetet e më
shumë se 1, 400 organizatave anëtare dhe afërsisht 15, 000 ekspertëve. Përmes tij ofrohen në
mënyrë ekskluzive të dhënat, vlerësimet dhe analizimet për ruajtjen. Anëtarësia e tij e madhe i jep
mundësinë IUCN-it të kryejë rolin e inkubatorit dhe depozituesit më të besuar të praktikave më të
mira, mjeteve dhe standarteve ndërkombëtare.
IUCN-i siguron një hapësirë neutrale në të cilën aktorë të ndryshëm përfshirë qeveritë, OJQ-të,
shkencëtarët, bizneset, komunitetet lokale, organizatat e popujve autoktonë dhe të tjerë mund të
punojnë së bashku, për të krijuar dhe zbatuar zgjidhjet ndaj sfidave mjedisore dhe për të arritur
zhvillimin e qëndrueshëm. Duke punuar me shumë partnerë dhe mbështetës, IUCN-i zbaton një
paketë të gjerë e të larmishme të projekteve për ruajtjen në mbarë botën. Duke kombinuar
shkencën e fundit me njohuritë tradicionale të komuniteteve lokale, këto projekte punojnë në
drejtim të shmangies së humbjes së habitateve, restaurimit të ekosistemeve dhe përmirësimit të
mirëqenies së njerëzve.
Zyra Rajonale për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore (IUCN ECARO) e IUCN-it u krijua më
2015 me idenë për të mbështetur qëndrueshmërinë e IUCN-it dhe për të zbatuar Programin e
IUCN-it në shumicën e vendeve të Rajonit të njohur me Statut nga IUCN-i të Europës Lindore,
Azisë Veriore dhe Qendrore. Në përpjekje për të kontribuar ndaj një të ardhmeje më të
qëndrueshme për këtë rajon, IUCN ECARO ka përqendruar punën e tij në qeverisjen e mirë,
mbrojtjen afatgjatë të biodiversitetit dhe përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore. Zyra
është e bazuar në Beograd, Serbi, dhe u krijua fillimisht si Zyra e Programit të IUCN-it për
Europën Jug-Lindore (IUCN SEE) më 2004.
www.iucn.org
www.iucn.org/ecaro

Buna river-Velipoje Protected Landscape
Buna river-Velipoje Protected Landscape
Buna river-Velipoje Protected Landscape
Please follow and like us: