Albspirit

Media/News/Publishing

Eqrem ÇABEJ: ZAKONE DHE DOKE TË SHQIPTARËVE

Familja dhe organizimi shoqnor
Familja shqiptare kà ruejtun me besnikí, në përgjithsin e vet, gjendjen e vjetër, indogermane. Endè sot qëndron në Shqipní Familja e madhe agnate me patria potestas. Baba âsht zoti i pa-kundërshtuem i shtëpís, aji jep mendim dhe vendim mbi të gjitha çâshtjet mâ me rândësi qi i përkasin familjes. Âsht në natyrë të njij familjeje së madhe, qi djelmt edhe mbas martesës të qëndrojnë në shtëpín atnore. Nusja kundrohet si pjestare e familjes së burrit të saj. Simbas kuptimit të Agnacjonit, në viset malore si p.sh. të Pukës endè sot farëfisi i grues mbahet dhe quhet mik. Shum êmna farëfisnorë gjinden endè sot me rrâjë indogermane-shqiptare, si b.f. baba, nâna, vllau, motra, gjyshi, gjyshja, nipi, etj.
Nji bashkim familjesh, të cilat kanë nji burim të përbashkët, përbân fisin. Misat e njij të tillë bashkimi nuk mund të marrin as të japin grà ndërmjet tyne; në malci janë të detyruem për gjakmarrje të përbashkët, ashtu edhe tokat e bashtinat i kanë të përbashkëta. Mbas mendimit t’êm, prej kësaj gjendjeje e kà pasë burimin dhe themelimin e vet katundi shqiptar, i cili në fillim âsht nji katund fisnuer dhe qi edhe sot i ka të përbashkëta kullosat dhe vijat e ujit; kjo gjâ ka nji rândsi edhe në krijimin e në formimin e êmnavet shqip të katundevet shqiptare. Endè sot banorët e maleve shqiptare kanë nji organizim të fortë fisi; ndoshta përpara pak qindvjetave, sikur besoj unë, edhe Labërija në jugun e Shqipnis bashkë me Himarën do t’a ket pasun nji të tillë organizim. Sikurse veriu ka nji ligjë zakonesh, Kanuni i Lek Dukagjinit, ashtu gjêjmë edhe në Kurvelesh gjurmat e tij, sidomos për rregullimin e gjakmarrjes dhe për ndëshkimin e thyemjes së kunorës. Në Pogradec vjedhjet kuvendohen në mbledhjet popullore.
Lindja
Në Shqipni dëshirohet nji lindje e shumët fmijsh; nji martesë pà fmij kundrohet e pà-fate. Populli përdorë mjete të ndryshme mjeksore të vendit kundër shterpësís së gravet. Grueja me shtat-zânë lirohet prej çdo pune së rândë; ajo në Mirditë e në rrethet e Elbasanit nuk guxon të shkojë në treg n’atë gjêndje. Në Shqipni familjet gzohen, sikurse edhe në krejt Balkanin, mâ tepër për lindjen e njij djali si vijues i brêzit dhe si nji zbatues eventual i gjakmarrjes. Prandej në Mirditë e në Malsí lindja e nji djali lajmohet me të shtime pushkësh. Përpara ishte zakon në verín e Shqipnís qi nji grue për martesë të mos mund të paraqitej n’elterin e kunorëzimit përpara se të kishte bâ nji djàl. Kësaj pune i japin nji randsí të madhe, dhe kur afrohet koha e lindjes, hjedhin nji plumb pushke në zjarrm dhe si pas trajtës qi merr plumbi mbasi të shkrihet, parashofin lindjen e njij djali a po të njij vajze. Në Gjinokastër vajtimi i hutînit mbi pullazin e shtëpís paralajmon lindjen e njij djali, përkundrazi aji i kukuvajkës lindjen e njij vajze. Gjithashtu edhe ndër viset slave vajtimi i kukuvajkës tregon nji lindje fatlume. Lindja në Shqipni mbahet sa mâ tepër e mshefët sikurse pr’anë Boshnjakve dhe Rumenve të Macedonis, për të mos t’a kuptue shpirtënt e këqij e mos të pêngojnë lindjen. Posa të lejë fëmija lahet; n’Elbasan qesin edhe krypë n’uj qi të dalë i kandshëm dhe i dashtun.
Në natën e tretë mbas lindjes bâhet kremtja e familjes qi quhet poganiqe; në kët rasë piqet nji bukë, e cila thehet mbi djepin e fëmís. Besohet se atë natë vijnë tri grà të padukëshme pr’anë djepit të posa-të-lindunit dhe kto i caktojnë fatin e jetës. Kto tri hije janë Moirat (Parkat) e Grekve të vjetër, të cilat kanë qênë në besim edhe pr’anë Slavëvet ndër kohë të vjetra (Sudiçky). Në Shqipni kto grà quhen Fatet prej fjalës latinisht fatum; në verin e Shqipnis e bâjnë kët detyrë Orët. Mbas kësaj ceremonije, pr’anë të krishtênvet i vihet êmni fëmijës. Mbas nji bestytnije së vjetër, nâna edhe foshnja nuk mund të dalin nga shtëpija për 40 ditë rresht prej frige se mos të ndeshin ndër shtriga.
Përveç këtyne zakonevet, po përmendim edhe këto: Kur nji grue i jep gji nji foshnjeje së huej bashkë me foshnjën e vet, këta kur të rriten nuk mund të martohen njâni me tjetrin, pse kundrohen si farë e fis; ky zakon âsht edhe në Serbi. Gjithashtu âsht keq me kapërcyem fëmín, sikurse në Bosnjë dhe në Syrí; në qoftë se ngjan ky rrezik, atëherë duhet të rikapërcehet. Mâ në fund, në qoftë se foshnja ka pasun punheren (epilepsie), i vihet një êmën i ri; këjo gjâ ngjan ndër muhamedanë të Shqipnís, sikurse në Syrí.
Në Malsí, Gjakovë, Kosovë, Tiranë, Kurvelesh dhe gjetiu, ashtu edhe pr’anë muhamedanve shqiptarë t’Ohrit e pr’anë muhamedanvet të Bosnjës âsht zakoni qi nji mik i shtëpís ase nji njeri me rândsí t’i marri flokët foshnjës. Ky zâkon âsht nji symbol i cili tregon se foshnja hiqet nga dora e s’âmës dhe i mbështetet t’et. Marrja e flokëve në Hot bâhet tre vjetë mbas lindjes, por mosha e marrjes së flokëvet ndryshon si mbas vendevet të ndryshme.
Martesa dhe jeta bashkëshortore
Vajza e ré dallohet shum nga grueja e martueme në trajtën e jashtëme dhe në mveshje. E ka të ndalueme me u lye; përkundrazi pr’anë Shqiptarve t’Italis keza dhe brêzi janë shêjet e dallimit për gruen e martueme, ndoshta brêzi âsht nji kujtim i vjetër i brêzit të Hyjneshës Afërdita.
Djelmt e rij dhe vajzat e reja, kur mrrijnë në moshën e martesës, prindët përpiqen qi t’i martojnë. Përgjithësisht banori i katundevet martohet mâ parë se qytetari për arsye se grueja mirret edhe si krah pune. Gjithashtu âsht zakoni qi mâ parë të martohet motra, ndonse mosha e saj mund të jét mâ e vogël se e vllaut. Qëndrimi për gjithnjí pa u martue nuk shifet me sŷ të mirë; po endé ngjanë qi nji burrë ose grue e pamartueme e qi vdes para martesës, martohet mbas vdekjes. Shqiptarët, si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, kur vdes ndonji djalë i ri ose ndonji vajzë e ré, i mveshin me rrobet mâ të bukura të martesës dhe në këtë mënyrë i vorrojnë. N’ Elbasan, të vdekunit të pamartuem i vên në krye nji kunorë dhe në gisht unazën e fejesës; përkundrazi të vdekunve të martuem u hiqet prej gishtit unaza e martesës. Edhe në kët qytet âsht nji zakon i përgjithshëm qi vajzave edhe nusevet të vdekuna u lyejnë majet e gishtavet me kanà.
Mbas zakonit shqiptar, vajza nuk e kërkon burrin vetë, por i a kërkojnë dhe i a gjêjnë prindët ose farë e fisi. Ceremonija e fejesës bâhet sikurse edhe pranë Tyrqvet, tue ndrrue nji shêj anasjelltas.
Pr’anë popujvet të vjetër indo-germanë ishte zakoni të rrëmbehej ase të blihej vajza. Gjurmët e nji të tillë fejese gjinden edhe sot në malet e Shqipnís. Rrëmbimin e nuses na e tregojnë sot edhe zakonet e martesës së Shqiptarvet të Kalabrís, ku dhandri me miq t’armatosun futet në shtëpín e nuses dhe aty rrëmben kinsé me përdhuni fatin e vet.
Blemja e grues me të holla ekziston edhe sot në Mirditë në Verín e Shqipnis, ashtu edhe në Riça e në rrethe të Tepelenës, në Jugun e Shqipnís, ashtu edhe në mâ të shumat vise malsore të vendit. Kët zakon e gjêjmë edhe në Maina (Morea), qi âsht nji krahinë, e cila – mbas mêndimit t’êm – ka shum zakone të përbashkëta me Shqipnín nga shkaku i kolonizimit shqiptar.
Prika pr’anë Muhamedanve qëndron në të pajosunit e nuses me veshë-mbathje dhe në dhuratat qi i bâhen dhândrit dhe farë-e-fisit të këtij. Pr’anë të Krishtênvet shqiptarë ka hŷm zakoni i huej qi me i dhânë bijs edhe të holla si prikë.
Në Shqipní, sikurse edhe në Rumaní, zakonisht martesa bâhet në verë ase në vjeshtë, atëherë kur ka marrë fund stina bujqsore. Për ditën e martesës, âsht e nevojshme qi kjo të caktohet në kohën e hânës së plotë. Hâna e ré dhe hâna e plotë kanë qênë kundruem edhe pr’ anë popujve të tjerë indo-germanë si të dobishme e me fat për pasunín toksore. Dikur, vetëm kur ishte hâna e ré dhe e plotë, këta popuj bâjshin lufta dhe kremtojshin festa. Edhe sot n’Elbasan lindja para kohe i mvishet kohës së pa hânë.
Nusja zakonisht dërgohet në shtëpin e prindvet të burrit; zakoni i shpeshët qi âsht edhe sot në Greqi për të mârrë burrin në shtëpi të vajzës, në Shqipni âsht shum i rráll. Prap nji zakon tjetër i vjetër âsht, sikurse pr’anë popujve të tjerë indo-germanë, qi nusja të mbajë nji vel si pr’anë Muhamedanve ashtu edhe pr’anë Katholikve.
Fjala shqipe për të tregue verbin “me martue” vjen prej fjalës marr; martoj vjen prej latinishtes maritare; fjalën dasëm dhe darsëm albanologu Holger Pedersen e lidhë me fjalën e vjetër greke gamos dhe, me sa besoj un, rrjedh nga fjala shqipe dorë, kshtu qi në fillim ka shënuem dorzim ase zotnim.
Përpara se të vêjë kâmbën në shtëpin e ré, në Gjinokastër i ati dhe farë e fisi i dhândrit i hjedhin nuses mbi kokë nji palaré (pjatë-çeni) plot me oriz e me të holla. Kjo gjâ bâhet për t’u uruem qi nusja të két pjellë të mbarë dhe të shumët. Në Hot në vênd t’orizit ase në vênd të grunit hidhet mbi kokën e nuses nji mollë. Molla përgjithsisht ka nji rândsi të madhe e nji kuptim të veçantë në zakonet e martesave të Ballkanit. Kshtu për shêmbull Kucovllahët kanë zakon me futë në mollë mbrênda të holla argjanti ase ari si mbas gjêndjes financjare të familjes. Në Serbi dhândri shkon në mëngjesin para fejesës ke e fejuemja e vet dhe i jep jabuke-n, qi âsht nji mollë e stolisun me të holla t’arta.
Përpara prakut të shtëpís, në Gjinokastër nusja e futë gishtin në mjaltë dhe me tê lyen bérin (qemerin) e portës së hŷmjes së shtëpis, për të treguem se ajo dëshiron të sjelli n’atë shtëpi paqin dhe të mbarën. Kur hŷn në shtëpi nuk duhet qi të shkelë me kâmbë prakun, por lypset qi t’a kapërcejë ase të mbartet prej të tjervet. Kët zakon e gjêjmë edhe pr’anë Rromakvet të vjetër dhe pr’anë popujvet të tjerë indo-germanë.
Po sa të mrrijë në shtëpi, nusja në Hot dhe në katundet e Elbasanit duhet t’i sillet tri herë për rreth votrës, e cila gjindet në mjedisin e odës. Kët zakon e shofim edhe pr’anë Sllavëvet dhe Lithuanvet. Në pikëpamje të karakterit konservativ të zakonevet shqiptare në rasa martese, ashtu edhe të zakoneve të tjera përgjithsisht, zakoni i naltpërmêndun nuk duhet kundruem si influencë slave, por si doke e përgjithshme pr’anë të gjith popujve indo-germanë të veriut.
Gjith’ ashtu edhe vajtimet shqiptare në rasë vdekjeje, sikurse na tregon Norbert Jokl, kanë nji afërsi të çuditshme me ato të Lithuanasvet. Mâ në fund âsht për t’u shênuem se edhe gjuha shqipe bân pjesë mâ tepër në grumbullin e gjuhve balto-slave se sa me ndonji gjuhë tjetër indo-germane.
Në natën e parë të martesës, pr’anë Muhamedanvet të Gjinokastrës dhândri hŷn n’odë ku gjindet nusja, për t’a pá e për të kërcyem me té. Dhândri bân kinse nuk don të hŷjë, prandej shokët e miqt e shtŷjnë me përdhuni tue e rrahë me shputa. Ky zakon na kujton nji tepricë të natës Polter të popujvet të vjetër indo-germanë.
Nata e parë e dasmës kalon me kërcime e kângë nga ana e burrave dhe e gravet, tue pi e tue bâ gjithfarë lojnash. Akti gjinuer bâhet, në Gjinokastrë, në të dytën natë. Të nesërmen e dasmës, në Riçë (Jug i Shqipnís) ashtu edhe pr’anë Shqiptarvet t’Italís, nusja shkon ke kroni për të mbushë új.
Zjarmi dhe uji losin nji rol të rândsishëm ndër lindje dhe ndër dasma, si elemente jetsore. Në kët mënyrë edhe në Greqi âsht zakoni qi farë e fisi fêmnuer i nuses shkon dhe e merr këtê për t’a çue ke kroni. Ky zakon gjindet edhe pr’anë Bulgarvet dhe Arumunvet.
Si pr’anë Shqiptarvet ashtu edhe pr’anë shum popujve të tjerë të vjetër dhe të rij të Balkanit dhe të Lindjes, âsht zakon qi mbas aktit të parë gjinuer të kontrolohet kmisha e nuses ose çarçafi i shtrojës. Ky veprim bâhet si nji provë e pastrís së nuses, pse virgjinís së vajzës së pamartueme i jepet nji rândsí e jashtëzakonshme. Në qoftë se nusja nuk ka qênë virgjin, ngján shpesh herë qi të kthehet në gjiní.
Shtërngesa e moralit të gravet përpara martesës [megjithatë] nuk ka nji rândsí të konsiderueshme: dashunija dhe marrëdhanja gjinore e gravet përpara martesës nuk âsht nji gjâ e rrallë ndër fiset e malevet shqiptare. Në kët mënyrë vijohet zakoni shum i vjetër i Ilirvet, pr’anë të cilëvet grát gzojshin po këtê liri përpara martesës; po ket zakon na e kallzon edhe Herodoti për fiset e Thrakasvet. Gjithnji ky zakon eksistonte edhe pr’anë Slavëvet të vjetër dhe popujvet indo-germanë të tjerë.
Por përgjithsisht besnikija e Shqiptares âsht e madhe dhe thyemja e kunorës shikohet me sy shum të keq. Âsht për t’u shënuem, se Malcija ruen edhe sot gjurmët e përdalsís (prostitucjonit) miksore: këtu ngjanë shpesh herë qi i zoti i shtëpís e pyet mikun si në tallje se me cilën grue të shtëpis don të flêjë, me të shoqen, me të motrën, apo me të bijën.
Përgjithsisht në Shqipní mbretnon monogamija; por në disa krahina malcore eksiston në rasa të veçanta edhe polygamija. Kjo konsiderohet prej Norbert Jokl si nji zakon shum i vjetër dhe nuk âsht për t’i u mveshun influencës orientale islamike. Dikur kjo ka pasë lulzue pranë shumicës së popujvet indo-germanë, ke Trakasit, ke Mbretënt dhe bujarët e Ilirís së vjetër, pranë Hindasvet, Persasvet, Slavëvet dhe Prusjanvet të vjetër. Gjithashtu eksiston endè sot në disa vise të largta malcore monogamija me grá shêmbra, d.m.th. konkubinati. Në Mirditë në rasë se martesa e parë ka ngelë pa fmijë ase në rasë të ndonji tjetër pêngimi të martesës, mirret nji grue e dytë pa kunorë. Kët zakon e gjêjmë edhe në Shqipnín e mesme; dikur eksistonte edhe në Berishë, në veriun e Shqipnís.
Tue marrë parasysh gjêndjen e familjes shqiptare, grueja në Shqipní ka nji pozitë shum mâ t’ulët se atê të burrit. Në viset malcore dhe katundare drekat dhe darkat bahen ndamas, burrat më njênën anë dhe grát në tjetrën. Gjithashtu nuk eksiston trashigimija e grues. Por grueja mbas martesës shkon shpesh në gjiní si mike dhe merr prej vllazënvet të vet shpesh herë dhântina gjithfarësh. Në shtëpín e burrit nuses i duhet të punojë shum dhe të sillet me nji njerzí të posaçme e me nji dashuní të veçantë kundrejt pjestarvet të familjes, por sidomos kundrejt vjehrrës. Mbas disa vjetvet, kur t’i két lé djali i parë, bâhet zoja e shtëpís. Ajo âsht shoqja besnike e burrit në punët e ndryshme dhe në rasë nevoje lufton bashkë me tê. Në disa vise të veriut të Shqipnís gjinden amazona moderne, d.m.th. grá t’armatosuna e të mveshuna me petka burrash. Zakonisht këto nuk martohen, marrin pjesë ndër mbledhje të burravet dhe kundrohen si të tillë. Këtu lypset të theksohet se në Shkodër shum vajza rrijnë pa u martue e bâhen murgesha shtëpije. Mâ në fund, në Dibër dhe në disa krahina të tjera âsht zakoni qi e veja të marrë për búrr vllán e burrit të vdekun.
Âsht nevoja të shënohet, se zakonet e përshkrueme këtu mâ sipër janë tue u zhdukun nga shkaku i hŷmjes në fuqi të Kodit penal dhe se janë tue u zâvendsuem me zakonet moderne: kso dore âsht zhdukun poligamija dhe konkubinati ashtu edhe ka hŷ në veprim e drejta e trashigimís së grues.
Vdekja
Po sa të vdesë ndonji njeri, mâ së pari i’a mbyllin sŷt. Pastaj grát i a nisin nji vaji me zâ të naltë dhe të tmershëm. Kufoma, në qoftë se âsht mashkull, lahet prej hoxhës (pranë muhamedanve) dhe në qoftë se âsht fêmen lahet prej nji grueje. Me nji herë oda e të vdekunit mbushet me miq dhe me pjesëtarët e farë-e-fisit të të vdekunit. Kufoma futet në nji arkivol dhe çohet në vorr. Në Dukagjin e mveshin të vdekunin me petkat e tija mâ të mirat dhe me këtê mënyrë e shtijnë n’arkë. Në Gjinokastrë mbi arkivolin e grave të reja vihen petka të qindisuna me ár. Në verín e Shqipnís âsht zakon me e rrue të vdekunin, me i përdredhë mustakët, me i vû në dorë nji pushkë të gjatë, me e ulë ndêjun në tokë kinse me pritë ngushullimet e atyne qi vijnë për krye-shndosh. Në Dibër, po të kalojë njerzija me nji të vdekun afër shtëpís, âsht zakon qi të zbrazen të gjitha ênët qi ndodhen plot. Gjithashtu në nji rasë të tillë edhe në Rumani mbulohen të gjitha ênët e ujit, pse besohet qi shpirti i të vdekunit, i cili âsht shum etshëm, mund të bijë në ndonji ênë të mbushun me új dhe mbytet mbrendë. Ashtu edhe në Stirín e poshtëme dhe në Krain derdhen të gjitha ênët e ujit pse për ndryshej Smrt-i (Vdekja) mundet me i pi.
Mbasi të futet i vdekuni në vorr, secili hjedh përmbi tê nji grusht dhé. I jepet edhe nji pare (monedhë) me vehte për të kalue në jetën e përtejme. Në Shna Vlash afër Durrsit i shtihet në gojë një monedhë argjanti, kurse në Malcí kjo i vehet në dorë. Ky zakon u ka ardhë Shqiptarvet prej Grekve të vjetër. Hyni dikur edhe pranë Slavëvet të vjetër, dhe sot eksiston në shum vise greke. Pikën mâ të rândsishme të kremtimit të të vdekunit e formojnë vajtimet. Këto shpesh herë kanë me të vërtetë nji bukurí dhe nji tríll poetik të madhënueshëm, sidomos pranë banorve të maleve dhe Shqiptarvet t’Italís. Në rasë të vdekjes së ndonji burri, thirret me êmën dhe lutet qi të ngrihet nga vorri, pse e kërkojnë shpata e tij, kali, grigja (kopeja) dhe miqt e tij.
Edhe në Shqipní, sikurse pr’anë popujve të tjerë indo-germanë, eksiston vajtimi në kór, ku nji grue kndon dy vjerrsha, të cilat pastaj përsëriten prap në kór prej grave të tjera. Âsht zakoni kur vdes ndonji burr i përmendun, qi të thirren grá vajtojse me pagesë si mbas zakonit të vjetër indo-german. Për kêt qëllim dikur në Gjinokastër thirreshin kore të posaçme grásh vajtojse prej katundeve t’afërme greke.
Shqiptarët dhe Indo-germanët e tjerë kanë zakonin e përbashkët qi në ditë zije të japin nji drekë për nderin e të vdekunit. Ky zakon e kâ burimin e vet n’at besim qi thotë se shpirti i të vdekunit merr pjesë në këtê drekë. Dita e vdekjes në Gjinokastrë dhe në Tiranë përsëritet tri, shtatë dhe katërdhjetë ditë, pastaj gjashtë muej dhe mâ në fund nji vjet mbas vdekjes. Këto afate i gjêjmë shpesh herë si ditë vdekjeje. Zakonet e përbashkëta, qi gjinden ndër Tzakonët e Morés janë për t’i u mveshun kolonistëvet Shqiptarë. Përveç kësaj, grueja muhamedane e qán të vdekunin e vet edhe çdo të premte. Nëpër male grát kanë zakon me i pré flokët si në shêj dhimbjeje. Burrat e lanë mjekrën me u rritë sikurse Romakët e vjetër. Mâ në fund âsht për t’u theksue ndiesija e gjallë atdhetare e Shqiptarit, i cili e bân kremtimin e të vdekunit sikurse t’ishte pr’anë, ndonse vdekja dhe vorrimi i tij âsht bâm në nji vend të huej.
Demonologi primitive dhe bestytni
Me vdekjen jeta e njeriut nuk ka mbarue. Në Shqipni âsht i përhapun shum besimi në pávdeksín e shpirtit. N’Elbasan, bje fjala, besohet se shpirti i njeriut kthen në shtëpí në formë fluture; në Gjinokastrë në rasën e festës së Bajramit nuk guxojnë me u rá lodërtîjave të zakonshme afër vorrezave, pse të vdekunit mund t’i ndigjojnë dhe t’u vinte keq se nuk mund të marrin pjesë. Në rasë se në kët qytet vdes ndonji búrr dhe grueja e tij martohet mâ vonë, atëherë në natën e martesës derdhet új mbi vorrin e tij për me i shue zjarmin e zilís. N’Elbasan të vdekunit i mvishen këpucët, në mënyrë qi të mundet me e bâ rrugën e gjatë të jetës s’andejshme.
Kryetari i nji familjes së madhe jeton edhe mbas vdekjes si shpírt-mbrojtës i shtëpís. Ky besim e gjênë shpjegimin e vet symbolik n’at zakon, qi eksiston në Shqipni ashtû edhe në Greqín e vjetër edhe të rén, qi me i a ngjitë êmnin e gjyshit nipit mâ të parë, i cili edhe nderohet në tallje si i tillë.
Âsht nji besim i përgjithshëm i popujve të Balkanit, qi të vdekunit jetojnë mbas vdekjes si hije: prej kndej fjalët hije (shqip), qi ká kuptimin edhe të shpirtit, iskjotikos ose iskjos (greqisht) qi d.m.th. shpírt mbrojtës ase genius, sënishte ase sënka (bulgarisht), sjen (sërbohr.), aumbros (aromunisht) qi kanë të gjitha nji kuptim.
Në besimin e vampirave Shqiptarët dhe Grekët e rij janë t’influencuem prej slavëvet. Fjalët shqipe vurkollák, vurvollák, greke brikolakas, burbulakas, aromanisht vorkolak, virkulak, vurkolak, rumanisht vârcolac, rrjedhin të gjitha prej slavishtes vlëkodlak. Gjithashtu edhe êmni i vampirit qi përdoret në verín e Shqipnís e qi âsht lugati, rrjedh nga slavishtja. Vampiri pr’anë Shqiptarve dhe Grekvet âsht aji i vdekun i cili nuk kalbet. 40 ditë mbas vdekjes ngrihet nga vorri dhe del e siellet andej-kndej.
Lugati – pr’anë Sërbvet dhe Bulgarvet – shkon te e veja e vet dhe e bân me shtat-zânë. N’Elbasan quhet Luvgat: lugetnit janë kufoma turke d.m.th. muhamedane, me thoj shum të gjatë, të cilët, të mbuluem me çarçafin e vdekjes, dalin e shetisin dhe përpijnë çdogjâ qi gjêjnë; ashtu edhe mbysin njerz. Në verín e Shqipnís i a mveshin lugatit zânjen e hânës: lugetent e hanë hânën dhe prandej malcorët shtijnë pushkë në tê kúr ajo zêhet. Po ky besim gjindet edhe pr’anë Slavëvet të Balkanit, pr’ anë Rusvet dhe Germanvet të veriut, ku hâna sulmohet prej dy luajvet. Për me e shdukë lugatin, âsht zakon në Shqipní me e nxjerrë kufomën prej vorrit dhe me e djegë. Âsht për t’u shênue, se besimi në lugetën pr’anë Shqiptarvet të jugut âsht i njinjishëm me atê të Grekvet; gjithashtu edhe mënyra për t’a bâm me u shdukë âsht po ajo në të dy vendet. Përkundrazi Shqiptarët dhe Slavët kanë nji besim të përbashkët për sá i përket paraqitjes së lugatit, të cilin e bashkojnë me shpirtent e ajrit.
Në Shqipní dhe në kolonitë shqiptare të Kalabrís sillet trupi i Karkangjollit (Verwolf). Në Greqí quhet kalikancaros dhe bredh andej kndej në kohën e dymbëdhjetë netvet të shêjtnueme të Kshndellevet deri ke festa e Theophanís.
Rradha e formavet të bestytnivet shqiptare âsht e ndryshme ashtu edhe êmnat e tyne janë euphemistikë. Shka âsht éjlli i rojës për të krishtênin dhe për muhamedanin, ashtu âsht ora për malcorin e çdo besimi. Ora e përsjell dhe e mbron malcorin në çdo kohë të jetës së tij. Emnin e zânës së Shqiptarvet të veriut, qi âsht mbrojtësja e fatosavet në luftë, e gjêjmë edhe pr’anë Aromunvet me êmnin dzinele. Janë për t’u përmendun edhe shtojzovallet ashtu edhe gogoli, tmera e fëmijvet. Forma e të bukurave të nëndheut (e bukura e dheut) gjindet edhe në Greqí me êmnin hé pentamorfé, pr’anë Aromunvet me êmnin musata loklui, ashtu edhe pr’anë Tyrqve, Kyrdvet, Sirjanvet dhe n’Italí. Profesori i Universitetit të Vjenës Paul Kretschmer, tue bâm krahasimet gjuhsore, i bjen si t’ardhuna nga Arabija. Nji tjetër bestytní shqiptare âsht edhe besimi në Xhind: këta jetojnë nepër male, por naten zbresin nepër banesa të njerzvet, ku marrin vajza dhe djelm të bukur dhe kërcejnë me ’ta. Në rasë se trazohen në festimet e tyne, trazuesit i bjen pika.
Besimin në shtriga ashtu edhe êmnin e këtyne i kanë Shqiptarët të përbashkët me Arumunët dhe Grekët e rij: shqip shtrigë, arumunisht striglà dhe greqisht strigla. Në verín e Shqipnís shtrigat janë hije fêmnore, të cilat i mbysin njerzit tue u thithë gjakun ase tue u a hângër mushkënít. Shtriga, me êmnin Lubia, në Gjinokastër mëmë lubia han me ândje mishin e fmijvet të vegjël. Shpirti i keq i ujit i besimit populluer shqiptár âsht kulshedra. Kjo e trândë tokën, bân qi të shtrrasin burimet, shngulë me rrâjë pemët dhe u kërcnohet njerzvet. Vetëm drangojt, me fuqín e vet mbí-njerzore, munden me luftue kundër kulshedravet dhe me i mbytë. Stihí, stihjó përfytyrohet si nji drangue qi vjell zjarm prej goje, me flatra e me fytyrzime njerzore. Pr’anë Shqiptarvet të Sicilís me fjalën stihí, sikurse mujta me konstatue unë vetë, kuptojnë drangonin, kurse pr’anë gegvet me fjalën stuhi kuptohet era me rrëmbim. Emni stuhí si mbas Jokl-it ká ardhë prej greqishtes stoiheia, i marrun prej Shqiptarvet të veriut, dhe prej këtyne u âsht dhânë sërbo-kroatvet (zduhovi, zduhaçi).
Mâ në fund edhe gjarpni lot nji rol të rândsishëm në besimin e popullit. Ky kundrohet në verín e Shqipnís si mprojtës i visarevet. Në Tiranë lëkura e gjarpnit vlen si mjet kundra punherës (ajo e tokës, épilepsie). Për veç kësaj, çdo shtëpí shqiptare ká nji shpírt mprojtës të vetin nën trajtën e nji gjarpni të trashë me lëkurë të shum-ngjyrëshme të quejtun vitore. Ky gjarpën i votrës shtëpijake largohet për gjithmonë nga shtëpija kúr vdes mbrenda i zoti i shtëpís. Nderimi i gjarpnit shifet shpesh edhe pr’anë popujvet të tjerë. Gjarpij shtëpijakë dhe pala gjarpnore ndodhen edhe në bestytnít germane, ashtú edhe pr’anë çifutënvet të Mesjetës. Në qytetin e vjetër Pompei (Italí) gjarpni kundrohej si genius patris familias (mprojtës i të zotit të shtëpís). Edhe në Valahín e vogël eksiston sherpi de casa. Bulgarët e quejnë gjarpnin shtëpijak zmij dhe Serbët e thrasin zmija.
Besimi në synin e keq âsht i përhapun në krejt Shqipnín ashtu edhe në jug-lindjen e Europës. Sidomos njerzit me sŷ të kaltërt kanë fuqín e synit të keq në nji masë të madhe në Shqipní e në Palestinë. Mbas besimit shqiptár dhe grek syni i keq bjen mbí njerzit, kualët e bukur dhe pelat. Prandej âsht zakoni qi në këto dy vênde të pshtyhen fëmijt e bukur për mos me i pá syni i keq; Shqiptari përveç kësaj pshtynë edhe thojt e gishtave. Gjithashtu âsht zakoni qi t’u mvaren fëmijve të vogjël në qafë kocka breshkash dhe në djep eshtna iriqi, kurse pr’anë Grekovllahvet rreth e për qark Monastirit u mvaren kâmbë urithi. Si mprojtje kundra synit të keq vlejnë edhe nuska trikândëshe, sikurse bâhet n’Orjent. Por mjeti mâ i miri kundra tij âsht hudra. Hudrën e kanë përdorë për kët qëllim të gjith popujt e Orjentit, Grekët dhe Romakët, si edhe Shqiptarët, Sërbët, Grekët, në Palestinë, n’Arabí dhe përgjithsisht krejt Orjenti. Kúr ndonjêni ká marrë më sŷsh, në Gjinokastër shërohet me ndihmën e nji rrashte (kafke) qêni dhe me fjalë magjistare.
Zakone dhe doke të tjera
Gjakmarrja në viset malore shqiptare, si nji zakon i vjetër indo-german, ekziston edhe sot, por âsht tue u zhdukë nën influencën e ligjve të reja ndeshkimore. Âsht nji nderim i posaçëm kúr ndonjêni âsht në gjêndje të vrasë mâ trimin dhe mâ të rândësishmin prej fisit të vrasësit. Por ekziston endè, sikurse pr’anë popujve të tjerë indo-germanë, zakoni i të vramit me të holla (me pare). Familjet në gjak mund të pajtohen mbasi të jenë sakrifikue disá jeta njerzish. Vrasësi, i përcjellun prej njênit të gjinís së vet, shkon në shtëpín e të vramit me sy të mbyllun dhe me nji litár në qafë, në të cilin mvaret nji tagan. Mbas lutjeve të përsërituna të njênës anë dhe mbas kundërshtimit t’anës tjetër, bâhet pajtimi. Âsht për t’u vrejtë, se pranija e miqve e mpron të zotin e shtëpís nga gjakmarrja; kjo gjâ ngjanë në Shalë dhe në Pult, pse mikpritja âsht nji gjâ e shêjtë për Shqiptarin. Në rasë se plagoset ase vritet miku, mikpritsi bjen në gjak. Mirditasi e përshndetë me të shtime pushkësh mikun kúr i afrohet shtëpís dhe kúr largohet prej andej, dhe ky shnderohet po s’i-u përgjegj po ashtu. Mikut i shtrohet gjella mâ e mira. Zakonisht, për nderim të tij, mbytet nji kingj, dhe në verín e Shqipnís (Mat, Malcí dhe Bushàt) mikut i ofrohet kryet e kingjit. Përkundrazi në jugun e Shqipnis, në Shpat, Vlonë dhe Labëri, kam pá me syt e mij se mikut, për t’a nderuem mâ tepër, i ofrohet bishti i berrit. Për sá i përket zakonevet të tjera, âsht për t’u përmendë se në Tiranë dhe Elbasan për nderim të mikut shtihen gjelat me u hangër dhe dilet për gjah falkojsh (sokolash).
Përmbledhje
Zakonet dhe doket e Shqiptarvet nuk përbâjnë nji tânësi të njajtë. Këto janë nji përmbledhje institucjonesh vêndase të ndryshme ndërmjet vedit. Jam i sigurtë se kjo gjâ ngjanë nga gjêndja e posaçme geografike e Shqipnis, mbasi vendi ká qênë urë përshkimi i popujvet të ndryshëm, të cilët kanë lânë influenca në mënyrën e jetesës së popullit Shqiptár. N’anë tjetër Shqipnija, nga shkaku i pozitës së vet, ká qênë nji votër prej së cilës janë shpërndám rrezet e vetinave të posaçme balkanike, kshtu qi shum prej këtyne kanë marrë edhe popujt të tjerë. Ksodore zakonet e Shqipnís na paraqesin po atë fytyrë sikurse na e paraqet edhe gjuha e saj.
Në zakonet dhe doket e Shqiptarvet mund të dallojmë faza të ndryshme: a) nji para-indo-germane, b) nji indo-germane), c) nji greke të vjetër, d) nji romake, e) nji balkanike, dhe f) fazë osmane.
a) Të parët indogermanë të Shqiptarvet gjeten në Gadishullin e Balkanit, sikurse Grekët në Hellas, nji popullsí paraindogermane me nji kulturë të trashigueme, zakonet e të cilvet i muerën pushtuesit. Kshtu Dr. Karl Patsch na tregon se fisi ilir i Ardjanvet sundohej prej Mbretneshave, gjithashtu na kalzon se në fisin tjetër ilir të Liburnve ekzistonte në nji mënyrë të gjânë polyandrija e gravet. Nji tepricë e kësaj kulture para-indogermane gjindet, si mbas Jokl-it, edhe sot në Shqipni. Ky zakon i couvade-s (bashkëjetesë me disá burra) shifet në Belsh të krahinës Dumré, në Shqipnín e mesme. Mbas ktij zakoni, burri, kúr grueja lindë fëmín, lot rolin e lehonës, bjen në shtrat dhe pret miqt.
b) Por, baza e zakoneve dhe e dokevet, të cilat e përcjellin Shqiptarin prej djepit deri në vorr (lindje, martesë, jetesë bashkëshortore dhe vdekje) âsht sigurisht prej të parvet të tij indogermanë: këtë gjâ na e dishmojnë krahasimet me zakonet e popujvet të tjerë indogermanë. Kisha e Krishtenë në Shqipni, sikurse edhe gjetiu, âsht përpjekë të zhduki këto zakone pagane. Por, nuk âsht qênë e mundun zhdukja e plotë e tyne, pse edhe sot shifen aty-ktu nën petkun dhe nën êmnin e Krishtênë. Edhè sot ekziston në Shqipní nji besim primitiv me perendí të ndryshëm, të cilët populli i nderon nën trajtën e shêjtënve të Krishtenë. Mbi marrëdhânjet e ktij besimi me besimin e Ilirvet dhe të Thrakasvet janë bâ supozime të ndryshme. Nji materjal shum i rândsishëm mbi këte pikë gjindet në poezín dhe prrallat popullore, në demonologín primitive dhe në zakonet dhe doket e tjera. Dy vllazënt legendarë Muji dhe Halili (veprat e të cilvet kndohen në Malcí dhe qi mbas mendimit t’im janë marrë prej poezís popullore sërbe me trohét pesëkambëshe) janë ndoshta përgjasimi shqiptár i vllazënve hyjnorë të Grekvet (Dioskurët), të Hindasvet (Asvinët), të Germanvet dhe të Keltvet. Nji pikë mbështetjeje të rândsishme na e jep në këtë pikëpamje edhe kalendari shqiptár i kremteve: për shembull e kremta e Shën Kollit (6 Dhetuer), e cila kremtohet si prej të Krishtenve ashtu edhe prej Muhamedanvet, âsht për t’u kundrue, si ç’thotë edhe Lambertz, si nji festë shpirtnore pagane. Këshndellat në fillim kanë qênë nji kremte e vjetër dimnore e Indogermanvet, Julfeier-i i Germanvet: prandej në katundín Riça nata e 23 deri 24 Dhetorit kalohet rreth e për qark zjarmit. Âsht zakoni qi në kët zjarm të futen tri degë qershije, të cilat, mbasi të digjen pakëz, hiqen dhe ruhen.
Në Mirditë kremtohet festa e Kshndellavet me buzmin (nji trung i trashë qi vazhdon të digjet gjith natën) dhe me ceremonít e pjellshmenís së tokës. Në Selitë, kur sillet buzmi n’odë, ngrihen të gjith në kâmbë, sikurse na kallzon Hahn, dhe thrrasin: “mirëseardhësh o buzm’i dashtun, digjù në zjarm”. Buzmit i bâhen nderime të posaçme, tue hjedhë mbi ’tê nga pak prej të gjitha gjellvet dhe pijevet. Ketë zakon, ndonse misjonarët janë përpjekë t’a zhdukin, e vijojnë edhe sot. Edhe natën e Motit të rí dhe t’Ujit të bekuem (6 Kallnduer) – i cili në Labërí kremtohet edhe prej Muslimanvet – duhet të mbahet zjarmi gjith natën ndezë. Në disá vise të jugut të Shqipnís, kremtohet e para ditë e Marsit si kryevit, si pas kalendarit të vjetër rromak: në ketë ditë në mëngjes rrihen njerzit dhe kafshët e shtëpís me nji degë qershije për të përfytyrue fuqín dhe shndetin. Gjithashtu fëmijvet u lidhet në krah dhe në qafë nga nji pê tri ngjyrash (pêni i Marsit) për t’i mprojtun nga smundjet e diellit. Ket pê e përdorin edhe greko-vllahët e Macedonís.
Nji e kremte e vjetër prendverore âsht, mbas mêndimit t’êm, edhe dita e Shën Gjergjit më 23 Prill të kalendarit të vjetër, e cila ká vijue në të gjitha besimet e Shqipnís dhe qi kremtohet prej të gjithve pá përjashtim deri prej jevgjvet. Në ketë ditë âsht zakon në verín e Shqipnís dhe në Maqedoní me përdorë Helleborus odorosus, qi shqip quhet shpêndër, shpëntër dhe në greqishten e ré skarfé. Edhe pr’anë Aromunvet kjo ditë âsht nji e kremte gzimi për ringjalljen e natyrës. Muslimanët e lindjes në ketë ditë kremtojnë Babà Edrelén.
Në viset malcore Shqiptare, zakonet e vjetra janë ruejtun mâ së miri. Katundi Zavalín në Shpat (Prefekturë e Elbasanit), kremton me 20 Korrik pajtorin e vet Shën Illín. Ky përftyrohet i hypun në nji kál të bardhë në qiell dhe lshon rrufé mbi kulshedrën. Në fillim zbriste nga qielli nji kapruell si flî; tash i flijohet Shêjtit nji ká. Edhe në Sërbín lindore dhe në Bulgarí Shën Illija kundrohet si lshuesi i bumbullimës. Zoti i stuhivet, në verín e Shqipnís, âsht Shurdhi, të cilin Baron Nopcsa e lidhë me pjesën e dytë t’êmnit thrak të Perendís së stuhivet Zibelthiurdos. Kso dore jeton endé sot në Shqipní Perendija indogermane i bumbullimës dhe i vetimës. Edhe fjala shqipe Perendí i përket gjinís s’êmnavet indo-germanë të perendivet të stuhivet; në hindishten e vjetër quhet parjangas, lituanisht perkunas, galisht cernunnos, slavishte e vjetër perunë, greqisht keraunos.
Pjesa katholike e veriut të Shqipnís dhe Valishi në Shpat kremtojnë më 29 Korrik Shëna Prêndën. Si pas Lambertz-it kjo âsht Zoja e bukurís. Në ketë ditë grát shqiptare të veriut lyhen e zbukurohen, dhe secila merr nji havan dhe e vên në krye. Kto zakone ashtu edhe êmni i kësaj dite e Premte ase e Prênde, na tregojnë ketë Zojë si Perendeshën e vjetër pagane të bukuris. Në Seltë (Shpat) âsht zakoni me i bâ fli Shën Marís më 15 Gusht nji lopë. Në Kavajë dhe në Tiranë grát e shtërpa të çdo besimi kanë zakon me shkue me u lá në bregun e detit të Durrsit. Në qoftë se tallazi bjen mbi ’to, atëherë ata bâhen të frytshme. Në ket zakon unë shof nji nderim të Perendeshës së plleshmenis dhe e lidhi Shën Marín me Zojën e vjetër lindore të plleshmenís dhe të dashunís. Të bâmunit e frytmenís me ânën e tallazevet të detit na kujton lindjen e Afërditës nga shkumba e detit. Në Pastresh (Shpat) kremtohet Shën Martini si mprojtës i barijvet dhe i grigjës kundër ujqvet. Në Llëngë (afër Pogradecit) nderohet pr’anë Shqiptarvet dhe Aromunvet Shën Marena, e cila kur âsht hâna e plotë duket me flokë deri në fund të kâmbvet. Ksodore ruhet besimi i vjetër pagan i mshefun në nderimin e Shêjtënvet dhe të Pajtorvet të ndryshëm. Në të tilla ditë bâhen flij të ndryshme edhe prej Priftënvet. Në Shqipní nderohen dhe kremtohen shêjtën gjithfarësh për çdo rasë dhe për çdo nevojë jetese, për lindje, për martesë dhe për vdekje; katundari qi të nxjerri bekimin e korrës dhe bariu atê të grigjës. Sigurisht këto janë kujtime shum të vjetra, pse vetëm zakonet dhe doket janë ato qi zgjatin mâ tepër se çdogjâ.
c) Sikurse gjuha, ashtu edhe folklora e Shqipnís ka pasë nji influencë nga Greqija e vjetër. Me anën e kësaj njisije balkanike, e cila âsht shum e vjetër, Shqiptarët kanë marrë zakonin e trí gravet të fatit në lindje, ashtu edhe monedhat e vorrevet. Djali, i cili në Shqipnin e mesme i del përpara nuses kur shkon me mbushun új, na kujton Heros-in e Grekvet. Cerberi jeton ende sot në prrallat shqiptare si nji qên me tri koka, i cili nuk flênë kurr dhe ruen Perendeshën e nëntokës, të Bukurën e dheut. Në këto prralla paraqitet edhe si syqenësa me katër sy, dy përpara dhe dy përmbrapa kokës. Polyfemi jeton në Shalë dhe në Kelmênd si lugat me nji sy në báll dhe qi hà njerzit, i cili quhet katallâ si mbas mercenarvet të Katalonís së kohës së mesme. Perendija e ernavet, qi fryjnë prej detit, quhet Talas dhe ky êmën âsht marrë prej greqishtes ase paragreqishtes falassa. Mauthija, qi âsht nji zâne e veshun me ar dhe qi nderohet n’Elbasan, âsht ndoshta Amalfeja e Grekvet të vjetër, qi nderohej në Dodonë. Kulshedra, gjarpën me shtatë krena, në Tiranë, më kujton Hydren e Grekvet. Gjithashtu edhe legenda e Perseut dhe e Andhromedës jeton sot në Shqipní.
d) Influenca e madhe e gjuhës latine shtrihet mbi gjuhën shqipe në fushën e zakonevet dhe të dokevet. Vijimi i kalendarit të vjetër rromak eksiston edhe sot në popullin shqiptár, sikurse theksuem mâ nalt. Përveç kësaj nji numër i madh i bestytnive popullore shqiptare âsht i marrun nga latinishtja, si p.sh. fjalët fat, kulshedër, drangue, orë, shtrigë, dhe ndoshta edhe êmni zânë. Por duhet theksue, si ç’besoj unë, se këto bestytní janë qênsí mythologike paralatine; vetëm êmni i tyne âsht mâ i rí, i cili doemos i ka edhe modifikue. Nji fakt i rândsishëm âsht edhe [që] Krishtênimi, i cili si në çdo vênd tjetër ashtu edhe në Shqipní ka hapë nji perjudhë të ré kulture, ka qênë sjellë n’Iliri nga Italija. Në ketë mënyrë kanë hŷm prej andej ceremoni dhe zakone të reja të krishtêna dhe parakrishtêna nën mveshjen Kristjane-latine. Këso dore shpjegohet fakti qi në pagzim, në kumari të lindjes dhe në martesë, në kunorën e nuses, shum êmna farë-e-fisnije dhe sidomos terminologija kishtare e Katholikve dhe e Orthodhoskvet, gjinden êmna latine.
e) Nji element i randsishëm i zakoneve dhe i dokevet të Shqiptarvet âsht njisija balkanike. Kjo qëndron n’influencën e ndryshme të popujvet të Balkanit. Këto influenca janë ma të mdhaja atje, ku mënyra e jetesës së dy popujvet âsht e njinjishme. Kshtu barijt Aromunë të Shqipnís dhe t’Epirit dhe sidomos Frashërotët kanë marrë shum gjâna prej Shqiptarvet. Pr’anë këtyne na gjejmë zakone të njinjishme sofre, martese, êmna rrobesh dhe frisure: kshtu barijt e të dy popujvet kanë zakon me i pré flokët në trajtë kunore, si ç’kam muejtë me i vû ré vetë në jugun e Shqipnis. Nji krahasim populluer kujtoj unë se mund të bâhet ndërmjet fjalës shqipe të bardhat me aromunishten albile (albus latinisht do me thânë i bardhë). Zakoni i vllazënve kryq (frati di kruci) eksiston dhe ushtrohet prej Aromunvet ndërmjet vedit ase edhe me Shqiptarë të Krishtenë apo edhe me Muslimanë. Ket zakon e shof edhe pr’anë Grekvet të rij me të njajtin formim gjuhe: stavradelfos dhe adelfopojetos. Në jugun e Shqipnís vllau-kryq quhet vëllam; dhe në Gjinokastrë ka edhe motër-kryq dhe quhet motërm. Në verín e Shqipnís vllau-kryq quhet probatín qi âsht fjalë slavishte. Ceremonija e ktij zakoni qëndron në të pimunit e gjakut ndërmjet shoqi-shoqit. Këtu vlla-kryqsija báhet edhe ndërmjet Katholikve dhe Muslimanvet, ndonse âsht e ndalueme nga Kisha. Vlla-kryqët nuk mund të vrasin njani tjetrin edhe në rasë se njani prej tyne ka shnderue gruen e tjetrit. Poendé (bilé) në verín e Shqipnís probatini ka detyrë me marrë gjakun e probatinit të vet.
Këtu duhet të theksojmë edhe disa zakone baritore të përbashkëta të popujve të Balkanit. Shqiptarët, Aromunët e Shqipnís dhe t’Olympit, ashtu edhe Bosnjakët dhe Hercegovinasit kanë nji zakon të përbashkët paralajmimi i ngjarjevet t’ardhëshme tue shikue shporin e qingjit apo të pulës. Në ket zakon, mbas mendimit t’im, ká nji lidhje genetike: ndoshta ky zakon barituer âsht trashigue nga popujt e vjetër të Gadishullit Balkan. Po kjo gjâ âsht për t’u theksue edhe në lojën e eshtnave pr’anë Rumenvet, Slavëvet dhe Shqiptarvet; kta të fundit në jug e quejnë këtê lojë kokalli. Arti i tatuazhit âsht i përbashkët ndërmjet të Shqiptarve, Arumunvet dhe Katholikvet të Bosnës; ky zakon ká qenë edhe pr’anë Thrakasvet.
Slavët i kanë dhânë Balkanit êmnat e bestytnís së vampirit, qi sot eksitojnë në gjuhët e ndryshme balkanase: êmnat shqip vurvollàk, vurkollàk, lubí, lugat, luvgat dhe gogol janë slavisht; gjithashtu edhe fjalët thovçit ose thopërçit për të shênue xhuxhimaxhuxhin. Po kso dore gjinden edhe teprica t’influencës slave në kalendarin e të kremteve shqiptare; kshtu dita përpara Kshndellavet quhet dita e kolendrave (kullanave – në Shkoder) prej fjalës slavishte kalendra. Shqiptarët dhe Arumunët e Elbasanit e përshndesin vjetin e vjetër me fjalën sara godina. N’anë tjetër Malazezët, të cilët, sikurse dihet, pjesërisht janë prej origine shqiptare, kanë nji gjasim shum të madh zakonesh me malcorët e veriut të Shqipnís, si për shembull organizimin e fisit me bajraktarë, gjakmarrjen me të holla dhe pajtimin, gratë luftëtare, etj.
Shqiptarët kanë marrë shum bestytnina popullore prej Byzantit dhe prej Grekvet të mesjetës dhe të kohës së ré. Sidomos besimi i lamís në jugun e Shqipnís: kjo âsht nji përbindësh në gjasim të gjarpnit, mprojtëse e virgjineshave të rrëmbyeme në legjendën e Andhromedës. Po ashtu dreqi i quejtun kukúdhi âsht greqisht. Të mirat, grá qi sjellin fat, në Shqipnín e jugut dhe pr’anë Shqiptarve t’Atikës, rrjedhin nga fjala greqishte moira. – Laura, nji përbindësh grueje në Tiranë, kujtoj se rrjedh nga greqishtja laura. Po nga këto mjete të njinjishme gjuhsore janë të formueme edhe êmnat nuset e malit dhe oreadet greke, shqip të jáshtësmet dhe greqishte e ré eksohika. Nji pjesë e Shqiptarvet t’Italis t’emigruem nga Greqija, kanë sjellë në Kalabrí zakonin e hudhjes së dhiskut. Unë në ket zakon shof nji influencë greke, sikurse edhe në përdorimin e êmnavet tallës pr’anë Shqiptarvet të Sicilís në Horë t’Arbëreshvet. Në tjetrën anë kam mujtë me vërtetue me veshët dhe sŷt e mij, se Grekët e Epirit kanë marrë shum zakone në mënyrën e jetesës dhe në melodín e kangvet popullore nga Shqiptarët e jugut. Kshtu eksistojnë pr’anë tyne vallet shqiptare arvanitiko dhe tsamiko.
E njinjishme âsht edhe bestytnija e popujvet të Balkanit për sa i përket besimit qi kanë e qi i përsjellë në veprimet e përditëshme. Nji element i rândsishëm i njisís balkanike janë edhe trajtat e njinjishme, motivet dhe formët e poezís popullore të popujvet të Balkanit. Legenda e ndërtimit të fortesës së Shkodrës, besimi në qerosin i cili shifet edhe në legendat arabe dhe indiane, përkime në legendën e Lenores dhe balada e Kostantinit të vogël janë të kësaj njisije. Flîja e qingjit dhe e gjelit në themelet e shtëpís së ré bâhet edhe sot në Shqipní. Në kângët e darsmavet të ktyne popujvet shpesh herë dhândri krahasohet me nji falkue, kurse nusja me nji kulumbrí. Krahasimet në përshkrimet e vizimeve (tipareve) fyzike të gravet janë shum herë të njinjishme. Njisija balkanike disá herë eksiston edhe n’Italín e poshtëme dhe në Sicilí, gjithashtu edhe në Lindjen e afërme, në Syrí dhe në Palestinë. Këto të fundit janë nji rrjedhim i sundimit tyrk, por ndoshta mund të kenë lidhje shum të vjetra.
f) Nji gjurmë të përbashkët të fundit kanë edhe zakonet, mënyra e jetesës dhe gjuhët e popujvet të Balkanit, e cila gjurmë âsht mbajtë nga ana e sundimit osman. Islami tyrk ká sjell me vehte qi ceremonija në dhânjen e êmnit të fmis të jét e njinjishme pr’anë Muhamedanvet të Balkanit. Ndërmjet lindjes dhe martesës ka hŷ zakoni i synetit si nji zakon i rí me nji ceremoní të përbashkët të posaçme. Synetsija bâhet në Shqipní si edhe pr’anë Tyrqvet shpesh herë në nji kohë me nji martesë në shtëpí. Nji influencë islamike âsht edhe mbulesa e grues ndër qytete, por jo ndër katunde dhe malcina. Në jetën intime dhe në kosmetikun e gravet muhamedane të Balkanit, shof gjurmë të kjarta të përbashkëta të Lindjes islamike. Kshtu bâhet nata e kená-it në rasën e martesës së Shqiptares muhamedane, dhe âsht nji përputhje e natës lelet el henè n’Egypt. Zakone të përbashkëta gjinden edhe në të kremtet besimtare të Muhamedanvet të Balkanit. Nji influencë shum e madhe e fatalizmit muhamedan âsht e përhapun në Shqipní, qi mson të merren punët si të drejtueme prej fatit. Por do të dishrojshe me theksue, se në Shqipní nuk ká muejtë të hýj kjo influencë në shpirtin e popullit. Përveç kësaj islami ká influencue për formimin e njij ideologije së përbashkët pr’anë të gjith Muhamedanvet, tue lanë gjurmë të dukëshme shoqnore. Nga kjo gjâ shpjegohet vrejtja e ême, se Muhamedanët Shqiptarë të veriut kanë shum pika të përbashkëta të botkuptimit, zakone dhe deri në mënyrë të ndërtimit të shtëpijavet, me bashk-fetarët e vet të Malit të Zí, të Hercegovinës dhe të Bosnës. N’anën tjetër duhet të shênohet, se edhe pr’anë të Krishtenvet të jugut të Shqipnís shifet gjithkahë nji influencë greke e shkaktueme nga Kisha helene.
Mâ në fund eksistojnë edhe sot në Shqipni gjurmë të bestytnive tyrke: kshtu kemi në Shqipní, Sërbí dhe Bulgarí divin, nji qênje me nji fuqí mbinjerzore; kjo fjalë rrjedh nga tyrqishtja div qi do me thânë djáll, shpirt, përbindsh. Emni shqip i ujkut mprojtës karkanxhol, greqishte e ré kalikancaros, âsht tyrqishtja kara-koncolos. Tyrqisht janë edhe perrít, shpirtna mashkullorë malesh në verín e Shqipnís ashtu edhe fjala xhuxhimaxhúxh. Pr’anë të gjith popujvet të Balkanit eksiston edhe Nasredin Hoxha ashtu edhe pralla e arapit. Përmbi xhindët kemi folë mâ përpara./albspirit.com
Please follow and like us: