Albspirit

Media/News/Publishing

LETRA E PRESIDENTIT BIDEN PËR NJOHJE TË NDËRSJELLTË SERBI-KOSOVË PËRBALLË KOKËFORTËSISË SË VUÇIÇIT PËR MOSNJOHJE

NGA DALIP GRECA
Letra e Presidentit Joesph Biden drejtuar Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç më 5 shkurt 2021, me rastin e ditës së Pavarësisë, është një lajm i mirë për Kosovën, ndërsa reagimi i pritur i Vuçiçit, tregon se ky vazhdon të jetë i përkëdheluri i BE-së dhe i Rusisë dhe këmbëngul për mosnjohje të Kosovës, ndërsa për vazhdimin e dialogut kërkon sërish ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
E dërguar pak ditë pas fjalimit të parë të Presidentit të 46 amerikan për vizionin e ri në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë mandatit të tij, për rikthim të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, letra vjen si sinjal i fortë i mosndryshimit të kursit në Bllkan në përshtatje me strategjinë e rikthimit të SHBA në politikën botërore, ku diplomacia do të jetë instrumenti bazik.
Në mënyrë diplomatike presidenti Biden i shkroi Vuçiçit se Amerika do ta mbështesë integrimin europian të Serbisë, por këmbëngul në thellimin e reformave dhe e inkurajon që të ndërmarrë hapa të fortë për të ecur përpara me qëllimin final arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe normalizimin e marrdhënieve me Kosovën dhe njohjen e ndërsjelltë mes tyre.
E shkruar me gjuhë diplomatike letra presidenciale merr një përgjigje jo diplomatike prej Vuçiçit. Edhe pse janë vetëm dy rreshta në letrën prej 15 radhësh, që i referohen reformave dhe normalizimit të marrdhënieve me Kosovën, Vuçiçit duket se i ka djegë fortë, tek ka komentuar për mediat, jo pa nervozizëm. Ai pranon urimin e presidentit amerikan, por kundërshton thirrjen për njohjen e ndërsjelltë të Kosovës. Përpjekja e sforcuar për ta shitur këtë qëndrim si detyrë kushtetuse të tij në mbrojtje të interesave të Serbisë, e le të varur në pafundësi zgjidhjen e çështjes së njohjes dhe e zvarrit dialogun në pafundsi.Vuçiçi duhet të pajtohet me të vërtetën, që tashmë është aksiomë dhe s’pranon vërtetim; Kosova nuk ka kthim pas si shtet i pavarur, e njeh apo jo ai dhe Serbia!
Presidenti i serbëve harron një fakt në parashtrimet e tij; harron faktin se ai përfaqëson një shtet agresor që ushtroi genocid ndaj popullit të pambrojtur të Kosovës dhe në këto kushte , jo vetëm duhet ta njohë, por edhe të kryej detyrimin njerëzor për t’i kërkuar falje shqiptarëve të Kosovës, të ndjejë përgjegjësinë për ta zhdëmtuar Kosovën për dëmet e luftës, të ndihmojë për të gjetur të zhdukurit nga makina shfarosëse serbe, të njohë botërisht krimet e kryera nga idhulli i tij Millosheviçi. Tendenca e Beogradit prej kohësh ka qenë dhe mbetet barazimi i viktimës me agresorin; gjë që nuk ka për të ndodhur dhe vetë Evropa nuk duhet ta lejojë si kujtesë kundër genocidit.
Vuçiç po bën të fortin tek deklaron për të disatën herë se po i kërkojnë që t’ia imponojnë njohjen e ndërsjelltë të Kosovës, por ai nuk do ta bëjë këtë. Madje po krekoset si shumë, kur thotë se ua kam thënë në fytyrë (amerikanëve) se nuk do të ketë njohje! Kjo është më shumë se krekosje, edhe pse është e lexueshme se është e destinuar për tregun e brendshëm elektoral serb, ku nacionalizmi vazhdon të jetë i ulur këmbëkryq.
Presidenti serb nuk është i sinqertë me veten kur deklaron se kjo (imponimi i njohjes së ndërsjelltë) është politikë e re e Washingtonit; në fakt Washingtoni ka qenë shumë i qartë që me ndërhyrjen e armatosur të NATO-s, bombardimet (24 mars 1999-10 Qershor) për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga katastrofa humanitare që i kërcënonte, në kohën kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Bill Klinton; ka vijuar me njohen e Pavarësisë së Kovës në kohën e Presidentit George W. Bush(2001-2009), për të ardhur tek ruajtja e statukuosë në kohën e presidentit Barak Obama(2009-2017), deri tek shtytja që i dha në fundin e mandatit të tij Presidenti Donald Trump(2017-2021) me marrëveshjen e 4 shtatorit 2020, ku uli përballë njeri tjetrit në Shtëpinë e Bardhë Presidentin Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti. Në këtë vijimësi, letra e Presidentit Biden dhe thirrja e tij për njohje të ndërsjelltë, s’është gjë tjetër veçse finalizim i kërkesave amerikane për njohjen e Kosovës prej Serbisë. Atëherë përse i duket qëndrim i ri Serbisë kërkesa amerikane për njohje të ndërsjelltë?
Është e lexueshme në dekleratat e bëra me këtë rast se qëllimi i Vuçiçit është mosnjohja e Kosovës dhe vazhdimi formal i bisedimeve Serbi-Kosovë, për të shtyrë kohën. Tek komentoi thirrjen e presidentit amerikan Joseph Biden ai u zotua se shteti i tij ishte i gatshëm të vazhdonte bisedimet me Kosovën, por….të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian….Përse po kërkon vetëm ndërmjetësim të Bashkimit Europian Beogradi? Natyrisht se është i kurajuar edhe nga kritikat e Bashkimit Evropian adresuar Kosovës për vendimin e saj për çeljen e ambasadës kosovare në Jeruzalem, veprim që është konsideruar si largim i Kosovës nga Evropa!
Presidenti serb kërkon ndërmjetësinë e Brukselit sepse është i bindur se vetë Europa nuk e ka seriozisht zgjidhjen e afërt të çështjes së Kosovës, njohjen e saj prej Serbisë, përderisa pesë shtete të Bashkimit Europian ende nuk e kanë miratuar pavarësinë; nuk do ta kenë seriozisht përderisa në krye të politikës së jashtme të BE-së të jetë Josep Borrell, shteti i të cilit, është një nga më të mëdhenjtë e Bashkimit Evropian, që nuk ka ndërmend të njohë Kosovën; përderisa ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun mes shqiptarëve dhe serbëve të jetë sllovaku Miroslav Lajçak, shteti i të cilit po ashtu nuk e ka njohur Kosovën si shtet i pavarur!
U bënë 9 vjet (2011) që vazhdojnë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës nën kujdestarinë dhe ndërmjetësinë e Bashkimit Europian, por asgjë nuk kanë nxjerrë në dritë përveç shtërngimit të duarëve para kamerave.
Në këto kushte presidenti Serb, duke pasur avokate diplomacinë ruse, ndjehet i sigurtë dhe bën të fortin përballë kërkesave amerikane. Ai ka thënë se “edhe në Uashington ka pasur përpjekje që “njohja e ndërsjellë” të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por është detyrim i tij(Vuçeviçit) të “mbrojë interesat serbe dhe se Dita e Shtetësisë është më e rëndësishme sesa dëshirat e shqiptarëve dhe amerikanëve”.
Shqiptarët e Kosovës duhet të ndjehen mirë që Vuçiçi i vendos në të njëjtin krah me amerikanët,(pasi vetë është në krahun e aleatëve tradicionalë, rusëve) por udhëheqësit kosovarë duhet t’i bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë që Kosova të ecë përpara dhe me ndihmën amerikane të arrijë qëllimin final.
Prova e radhës për ta janë zgjedhjet e 14 shkurtit.
(Për më shumë analiza, kronika, komente, intervista
Dhe ngjarje mund të na ndiqni në gazetën Dielli në adresën www.gazetadielli.com), ndërkohë mund të bashkëpunoni me në emialin gazetadielli@gmail.com)
Please follow and like us: