Albspirit

Media/News/Publishing

Shtypi bullgar/Letërsia shqipe ka autorë fantastikë, rasti i Ndue Ukaj

Prof. Ukaj, ju jeni shkrimtar dhe studiues në fushën e letërsisë. Cilat janë motivet kryesore në krijimtarinë tuaj?
Ndue Ukaj: Në fushën e krijimtarisë imagjinare, unë shkruaj poezi dhe prozë. Deri me tani, kam botuar disa libra me poezi dhe këto ditë një përmbledhje me tregime. Letërsia ime lidhet me temat ekzistenciale të njeriut, ato temat e mëdha e të përhershme, siç janë dashuria dhe urrejtja, jeta dhe vdekja, liria dhe robëria, me një fjalë drita dhe errësira. Në këtë univers të gjerë, liria e njeriut, ëndrrat dhe dëshirat e tij, herë të ndërgjegjshme e herë të pandërgjegjshme, janë bërë tema të përhershme letrare. Në një rrafsh tjetër, krijimtaria ime shtrat ka temat kombëtare, humusin shqiptar, me gjithë peizazhin historik dhe kjo më lidh me traditat, kulturën, historinë dhe trashëgiminë shpirtërore të kombit tim fisnik që ka dhënë personalitete madhështore si Gjergj Kastriotit dhe Nënë Tereza.
Pashmangshmërisht për një shkrimtar shqiptar, temat e politikës bëhen pothuajse të pashmangshme, sepse janë të lidhura me historinë shqiptare dhe në një rrafsh tjetër më universal, me ontologjinë e artit, të Estetikës përballë Politikës. Edhe këto tema i kam trajtuar në poezi dhe veçmas në tregimet e mia.
Unë i përkas atij brezi të Kosovës që rininë e ka kaluar nën terror, dhunë dhe luftë, në vitet dramatike të ’90-tave, në ato vite kur bota filloi të frymojë lirshëm ngaqë ra Muri i Berlinit dhe u krijua një paqe e mahnitshme, të cilën ne s’e përjetuam. Atëbotë, mbi ne, shqiptarët e Kosovës, ra robëria dhe në ato vite përbrenda shtetit hegjemonist serb, ne krijuam shtetin tonë paralel, në krye me Ibrahim Rugovën dhe kështu e fituam njëfarë liri të brendshme. Ato vite ishin të rënda apo siç thoshte Rugova jeta ishte e vdekur dhe si kohë kanë lënë gjurmë në krijimtarinë time dhe të brezit tim. Pikërisht atë kohë dhe realitetet dramatike të saj, si kujtesë dhe si realitet, përpiqem t’i transmetoj në letërsi, me besimin se nga to mund të mësojë brezi i ri dhe të tjerët që mund të kenë interes për çështjen e Kosovës.
Unë i përkas asaj kategorie të shkrimtarëve që besojnë se letërsia me mjetet e saj, ka gjithmonë çka t’i ofrojë njerëzimit, sepse e ushqen më ndjenjën e lirisë dhe të imagjinatës, që janë vlera tepër të rëndësishme për ekzistencën tonë humane dhe për t’i ruajtur këto vlera që ç’është e vërteta, atakohen vazhdimisht.
Nëse duam të kemi shoqëri më të mirë dhe më humane, atëherë njerëzimin duhet ta ushqejmë sa më shumë me letërsi, sepse kjo përbën një pasuri të pakrahasueshme shpirtërore.
Ndërkaq, në fushën e studimeve letrare, jam marrë me raportet ndërmjet letërsisë shqipe me Biblën dhe me identitetin, meqë, siç është e njohur, letërsia shqipe në zanafillën e saj është ngjizë në raport me këtë vepër universale dhe ka përfituar shumë prej saj, në fushën stilistike, të temave, motiveve dhe në kulturën estetike në përgjithësi.
Letërsia shqipe ka autorë fantastikë dhe që shquhen për vlera të shumëfishta estetike e tematike, siç janë patriarku Pjetër Bogdani, pastaj poeti kombëtar Gjergj Fishta, një figurë madhore që komunistët e urryen edhe për së vdekuri, pastaj shkrimtarët Ernest Koliqi, Faik Konica, Mitrush Kuteli, Martin Camaj, Azem Shkreli, Anton Pashku, Ibrahim Rugova e Ismail Kadare, At Zef Pllimi dhe shumë e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë në mua dhe formimin tim kulturor.
Kam botuar një libër për Ismail Kadarenë, meqë e vlerësoj si autorin përfaqësues të letërsisë shqipe, që i ka bërë vend letërsisë sonë në panteoni e vlerave më të fisme botërore. Për mendimin tim dhe duke u bazuar te shumë vlerësime që janë bërë e bëhen anë e kënd botës, Kadareja sot është njëri nga shkrimtarët më të mirë planetar, vepra e të cilit përbën një pasuri të jashtëzakonshme për kulturën shqiptar dhe atë botërore, prandaj ai duhet të njihet, të interpretohet dhe të shpërndahet sa më shumë, sepse është ushqim shpirtëror dhe estetik frytdhënës.
Më 14 shkurt në Kosovë do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndoshta fituesi është i qartë, por a janë të mundshme befasi në rezultate dhe çfarë dominon në fushatën parazgjedhore – beteja e ideve apo përplasjet personale?
Ndue Ukaj: Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe vijnë pas një viti përplot drama politike, për shkak të një partie të papjekur politike që krijoi tensione të panevojshme me aleatët tanë kryesorë, specifikisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tani këto zgjedhje po zhvillohen në një situatë aspak të favorshme, për shkak të pandemisë dhe problemeve të mëdha që ka shkaktuar ajo në botë.
S’pritet të ketë befasi të mëdha dhe duket se përsëri qeverisja e ardhshme do të varet nga koalicionet ndërmjet partive, por kësaj here konsensusi politik kërkohet edhe për zgjedhjen e presidentit dhe kjo mund t’i vështirësojë punët.
Është hera e parë që në fushata elektorale debatohet shumë për tema ideologjike dhe për natyrën ideologjike të partive pretenduese për të fituar pushtetin. Temat tjera lidhen me natyrën e shtetit tonë, domosdoshmërinë që t’i kultivojmë vlerat e demokracisë perëndimore dhe së bashkë me aleatët tanë euro-atlantikë ta përmbyllim temën e raporteve me Serbinë, temë kjo që duhet të mbyllet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, me çka rajoni mund të hapë horizonte të reja, për paqe të qëndrueshme dhe rrjedhimisht për progres ekonomik.
Akuzat e para të Gjykatës Speciale shkaktuan ndryshime të mëdha në skenën e politikës kosovare. Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli, si edhe politikanë të tjerë me peshë në Kosovë aktualisht ndodhen në Hagë duke i pritur proceset gjyqësore. Si mendoni, puna e këtij organi a mund të sjellë destabilizim të Kosovës dhe a janë bërë veprimet e duhura për mbrojtjen e këtyre liderëve?
Ndue Ukaj: Institucionet e Kosovës tashmë kanë krijuar një kulturë solide të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, ndryshe nga Serbia dhe s’ka mundësi që të ketë kurrfarë destabilizimi. Sepse, institucionet dhe qytetarët e Kosovës besojnë se lufta e jonë ishte e drejtë, ishte luftë për liri dhe çlirimtare, dhe presin që kjo të konfirmohet nga institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.
Ajo që s’duhet të lejojmë dhe që është e padrejtë është që të mos etiketohet lufta jonë për liri dhe për këtë si shtet duhet të bëjmë më shumë, që të demaskojmë çdo tendencë qëllimkeqe.
Negociatat me Serbinë vazhdojnë kryesisht për tema “teknike” ndonëse bëhet fjalë për çështje shumë të rënda siç është fati i personave të pagjetur. A mund të parashikohet ecja e këtyre negociatave sidomos kur pala serbe insiston për kompetenca tepër të gjera për Asociacionin e komunave serbe?
Ndue Ukaj: Në politikë ose në raportet ndërmjet shteteve, unë besoj se çdo temë, pavarësisht si emërtohet, ka karakter politik dhe bisedat teknike, në esencë janë biseda politike.
Serbët e Kosovë janë qytetarë të Kosovës dhe gëzojnë të gjitha të drejtat dhe për nga ana e përfaqësimit politik, administrativ, mund të thuhet se vendi ynë është shembull jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Përpjekja për të krijuar mjegull rreth komunitetit serb në Kosovë në fakt është përpjekje politike e Serbisë për të fituar terren në arenën ndërkombëtare, duke keqpërdorë këtë komunitet, ndonëse ajo e di mirë se serbët e Kosovës gëzojnë të gjitha të drejtat e barabarta me shqiptarët, një gjë që s’mund të thuhet ta zëmë për shqiptarët në Serbi.
Kosova ka demonstruar se është e gatshme të çojë përpara të gjitha obligimet të dala nga bisedimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, por këto të gjitha kanë kuptim vetëm nëse Serbia në fund e njeh realitetin politik, Kosovën e pavarur. Pa këtë njohje, s’do të mund të ketë paqe pozitive dhe stabilitet politik, rrjedhimisht as progres ekonomik.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës ndodhen nën presionin e vazhdueshëm të Serbisë. A po ndarmarrin masa adekuate institucionet në Shqipëri dhe në Serbi për mbrojtjen e të drejtave të tyre?
Ndue Ukaj: Pa dyshim, dy shtetet tona kanë për detyrë të kujdesën për këtë komunitet dhe kohëve të fundit ka pasë disa përpjekje serioze që t’u ofrohet ndihmë konkrete.
Serbia duhet të çlirohet nga makthi që ka në raport me shqiptarët dhe shqiptarët atje duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, ashtu siç i gëzojnë serbët në Kosovë. Është e turpshme dhe njëherësh e pa tolerueshme që në Europë, në shekullin XXI, pas gjithë atyre vuajtjeve dhe terrorit të gjatë, popujt të mos kenë mësuar nga historia. E Serbia duhet të mësojë nga e kaluara dhe ligësia e saj në raport me shqiptarët.
Prof. Ukaj, gjithashtu jeni edhe ekspert në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nga përvoja juaj profesionale dhe shkencore si i vlerësoni marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe ku i shihni mundësitë për zhvillimin e tyre?
Ndue Ukaj: Unë besoj se raporte tona janë shumë pozitive. Bullgaria ka njohur realitetin tonë politik dhe për këtë jemi shumë falënderues. Jam i bindur se njohja e njëri-tjetrit, sidomos nëpërmjet mundësive që jep kultura, shërben për t’i forcuar këto raporte dhe për t’iu dhënë më shumë përmbajtje.
Në vitin 2016, isha në Sofie së bashku me ministrin e atëhershëm të Kulturës, Kujtim Shala (poet dhe studiues), me ç’rast u nënshkrua një marrëveshje për bashkëpunim kulturor ndërmjet dy vendeve dhe kjo u vlerësua lart si një mundësi për t’i thelluar këto raporte dhe për t’i zhvilluar më tej me plane dhe veprime konkrete ndërmjet institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës dhe atyre të Bullgarisë, sidomos për të shkëmbyer përvojat në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe njohja e bashkëpunimi e pasurojnë qytetërimin tonë.
Dhe në fund, si e vlerësoni politikën e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ku duhet, sipas jush, të përqendrohen përpjekjet kryesore të institucioneve të BE-së për zhvillimin e rajonit?
Ndue Ukaj: Bashkimi Europian në mënyrë konstante i ka qëndruar afër popullit të Kosovës dhe përmes shumë projekteve e ka ndihmuar vendin tonë të gjallërohet. Këto përpjekje po vazhdojnë edhe tani në këtë krizë të pandemisë. Prandaj, ne jemi falënderues për gjithçka që kanë bërë për ne, prej kur përqafuan kauzën tonë, na ndihmuan të çlirohemi dhe pastaj të pavarësohemi.
Ka një pezmatim të arsyeshëm në Kosovë lidhur me mosliberalizmin e vizave dhe në këtë fushë, Bashkimi Europian duhet të ndjehet i turpëruar, sepse qytetarët e vendit tim janë të vetmit në kontinent që s’ mund të lëvizin lirshëm, ndonëse ne kemi një nga popullsitë, të themi, më eurocentriste në rajon e më gjerë.
Por ekziston edhe një problem i njohur në raportet tona dhe ai lidhet me faktin se pesë shtete anëtare të këtij institucioni s’e kanë njohur ende realitetin politik të Kosovës, pavarësinë e vendit tonë. Ky është problem serioz dhe krijon herë pas here tensione. Por në fushat tjera, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian ka harmonizim të plotë, për shembull në politikat legjislative. Ne të gjithë duam që shpejt të bëhemi anëtar të kësaj familje të madhe politike.
Duhet theksuar se populli i Kosovë dhe institucionet e vendit, çështjen e integrimeve euro-atlantike e konsiderojnë si jetike dhe kjo ndoshta është pika më bashkuese në vend.
Please follow and like us: