Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Palushi: Letërsia e bukur e Vath Koreshit

(Në 15-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të njohur)

Plotnia e veprës letrare të një shkrimtari, më saktë, letërsia e vetvetishme, ka të bëjë me shumë përbërës, të cilët e prezantojnë atë para lexuesit si mëvetësi krijuese.

Vepra e Koreshit është njëra prej mëvetësive të dallueshme të rrëfimit në fushën e letrave shqipe.

E komunikueshme, si një letërsi jashtë bërtitjeve, me një dendësi kuptimore-stilistike, shpesh të metaforizuar, dhe e pajisur me një fiction të çuditshëm, thuajse ëndërrimtar, dhe, ndërkaq, e paraparë nga shkrimtari si një letërsi me të cilën duhet operuar vazhdimisht me seriozitetin më të epërm, ajo vazhdon të komunikojë me lexuesin vetëm si letërsi e mëvetësisë së rrëfimit. Brenda kësaj mëvetësie të dukshme rrëfimore, realizohet mjeshtërisht përthyerja e realitetit në kompleksin njerëzor dhe njëkohësisht formësohet edhe procesi i trandjes ekzistenciale të individit. Tek një letërsi e kësillojtë, të një teksti shumëpërmasor, me frazë të limuar në trajtën më të ndjeshme, me gjërësi dhe thellësi lënde si dhe me segmente të shumtë kuptimorë e stilistikë, ndodh që personazhet të marrin frymë, dritë dhe natyrshmëri sipas një parimi se ato “duhet të përngjasojnë me vetveten” (M. Jacob), dhe, pikërisht për këtë, autori e ka pasur të lehtë të ndërhyjë në zona të kompleksit njerëzor, mu në zonat më të ndjeshme dhe të pandriçuara.

Shkrimtari Vath Koreshi ka pasuruar së shumti natyrën e zhanrit, veçori jo e paktë për t’u dëshmuar si një individualitet i spikatur në letrat shqipe.

Prandaj, ka shumë arsye të thuhet se vepra letrare e Vath Koreshit ekziston si plotni, ku funksionon dhe modelohet qartas sistemi vetjak i stilit, ku rrëfimi është i natyrës së ndjeshmërisë së lartë dhe shpalohet si shfaqje e dukshme moderniteti; kësisoj një letërsi e mëvetësishme mund të kundrohet dhe duhet kuptuar vetëm si letërsi e rendit të parë.

Domosdoja e ridimensionimit të letërsisë

Me rënien e sistemit komunist në Shqipëri, qe e natyrshme se duhej riparë edhe ajo çka u krijua n’atë kohë në letërsi. Një gjë e tillë e solli domosdonë e ridimensionimit të letërsisë, të shihej më me vëmendje se çfarë i kishte shpëtuar valës shkretuese të soc-realizmit dhe letërsia serioze të vijonte komunikimin; pjesa më e madhe e letërsisë së krijuar n’atë kohë, nuk plotësonte as kushtet më minimale për të vijuar komunikimin, ndërsa një pjesë e paktë, e pati të çeltë vetvetishëm atë rrugë mu për praninë e vlerave estetike.

Rifutja në komunikim e letërsisë së ndaluar për arsye jashtëletrare, qoftë e traditës, qoftë ajo bashkëkohore, këqyrja e letërsisë vetëm si tekst dhe jo si jashtëtekst (shpërfillje e tekstit), nisi të krijonte vetvetishëm një panoramë tjetër të letrave shqipe, ose së paku, u vu re një dëshirë për të realizuar një gjë të tillë. Gjithsesi, u trand ndjeshëm hierarkia e vlerave letrare të paracaktuara dhe të parapara deri atëherë, çka do të thotë se nisën të qortoheshin shumë vlera jo të përnjëmendta letrare, të cilat, qenë marrë si të tilla (vlera), vetëm për arsye jashtëletrare.

Qyshdoqoftë, procesi letrar nisi të funksionojë sipas një këndvështrimi tjetër vlerësimi dhe që kish të bënte veçanërisht me përpjekjen për të nxjerrë në reliev ato vlera estetike të qenësishme, pavarësisht nga ngadalësia, keqkuptimet e kohëmbaskohshme apo dhe shpesh nga ngurrimet e pashpjegueshme.

Kohezioni i veprës letrare

 Letërsia e V. Koreshit e krijuar më herët, e cila ka funksionuar vetëm si letërsi dhe që iu shmang ndjeshëm ideologjizimit, vijoi të komunikonte me lexuesin në postdiktaturë me një lloj komoditeti që ka fatin ta ketë në vetvete letërsia e pakkujt dhe që përmban fuqinë estetike të fjalës, pavarësisht nga koha kur është krijuar. Kjo do të thotë se vepra letrare e Vath Koreshit nuk u refuzua, siç u refuzua pjesa më e madhe e letërsisë së krijuar n’atë kohë.

Me të drejtë është shkruar për këtë autor se : “I vlerësuar nga lexuesit dhe nga kolegët, ai ka qëndruar në kushtet e vështira të diktaturës, në kufijtë e një letërsie të ndershme” (I. Kadare). E parë si krijimtari në vijueshmëri, letërsia e Koreshit do të shënonte në vitet e mëpastajme vlera të tjera përnjëmendta dhe të naltësuara në të gjithë përbërësit që parasheh një vepër letrare, e parametrave të tillë sa lexuesi tashmë s’mund të vendosë mure ndarëse ndërmjet kohëve fizike të krijimit të veprës. Një gjë e tillë ka të bëjë me kohezionin e veprës, me një kohë të pakohë, ose me ekzistencën e një lirie të padukshme, por të gjithëfuqishme në qenien e shkrimtarit dhe që frymon dhe materializohet në krejt veprën e tij letrare. Tashmë lexuesi s’mund të shënojë kufi ndarës për kohën (fizike) kur u krijuan veprat “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos” apo “Konomea”, “Ulku dhe Uilli” dhe “Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s”. Kjo vjen për shkak se letërsia e Koreshit është formësuar vetëm si letërsi në kuptimin më të parë të fjalës, me një funksion të dallueshëm estetik, çka e bën atë të shihet vetëm si e tillë dhe të funksionalizohet në komunikim me lexuesin vetëm kësisoj. “Haxhiu i Frakullës”, për shembull, nuk përmblidhte as temën historike, as temën e Luftës së Dytë Botërore, as atë të ndërtimit socialist të vendit, siç thuhej rëndom n’atë kohë, pra krejt jashtë asaj tematologjie që i shkonte për shtat kritikës soc-realiste, por qe një vepër antikonformiste, kurrsesi një vepër e socrealizmit dhe konformizmi i asaj flame shkretuese qe i huaj për vepra të formatit të tillë. Është afërmendsh që një vepër e tillë të tingëllojë sot krejt natyrshëm si shfaqje e një vlere estetike dhe me atë privilegj që e gëzojnë vetëm vepra të modelit të tillë.

Pamje të kompleksit narrativ

Vepra letrare e Koreshit është e shprehje e ndjeshmërisë së ekzistencës së individit (personazhit), është mishërim i trandjes njerëzore deri në skajet më të epërme, ku individi është në përballje të paprajshme me mungesën e elementëve më të dukshëm të ekzistencës. Individi kësisoj gjen strehë vetëm tek vetvetja dhe jo tjetërkund. Në këtë mjedis përpëlitjesh, hamendjesh, stërvuajtjesh, thyerjesh dhe ringritjesh morale, individi (personazh) nuk jepet si personazh skematik, si personazh kukull, por me një natyrshmëri të spikatur dhe formësohet në specifikën e tij çka e bën të dallueshëm si individ, që ka frymën dhe vetjakësinë e tij, që sillet brenda një rrethi të mbyllur përpëlitjesh dhe dramash ekzistenciale. Formësimi i individit dhe, në të shumtën e rasteve, vetëm si i tillë, i ka dhënë letërsisë së Koreshit kuptueshmërinë e prezentimit të fatit të individit në rrjedhën e tij të natyrshme. Një fat specifik i secilit personazh, i pangjashëm nga njëri-tjetri, në opusin e krijimtarisë rrëfimore i ka dhënë kësaj letërsie dimensionin e një letërsie të realizimit të fateve të trazuara.

Situatat ekzistenciale natyralizohen, bëhen të besueshme, të përnjëmendta dhe kësisoj merr frymë kompleksi narrativ në tërësi, d.m.th., funksionon natyrshëm si një mëvetësi narrative.

Trazimet e personazhit vijnë nga trandja ekzistenciale dhe përfshihen n’atë rrjedhë që mund të quhet drojë ekzistenciale; ato nuk shfaqen që në krye të rrëfimit, por janë të lehta, krejt të pandjeshme dhe nisin e dendësohen mbasi bien në kontakt me një katrahurë që as u kishte shkuar ndër mend se do t’u shfaqej para syve. Personazhet rendin marramendshëm nëpër odisejadën e ëndrrës së tyre dhe motivohen pikërisht nga funksionimi i një dëshire për të kapërcyer të zakonshmen e pazakonshme, një lloj përditshmërie acaruese për ta. Në këtë rast motivohet edhe dëshira e ethshme e tyre. Krejt papritmas, ndodh të realizohet në formën më të përkryer parimi i kthesës virtuale (dukuri kjo e përdorur me mjaft sukses në letërsi, p.sh., tek “Komisioni i festës”, I. Kadare). Në dukuri të tilla prishet njëtrajtshmëria e rrëfimit, thellohet misteri dhe, gjithsesi, teksti letrar e provokon lexuesin për një përqendrim maksimal. Lexuesi, pra, s’është parapërgatitur se do të ndodhë e papritura e këndshme, në rrafshin veprues dhe atë estetik, prandaj nis të shohë përnjëmend trandjen që vjen nga deformimi i ëndrrës, i dëshirës së tejdukshme të personazhit. Ëndërrimi i vrullshëm si dhe dëshira po e vrullshme, nuk ndryshojnë gjë në fatin e protagonistëve, prandaj edhe në këtë pamje të re të rrëfimit, personazhet dalin prapë të motivuar, pikërisht për shkak të thyerjes së ëndrrës apo dëshirës së tyre të shfaqur më herët (personazhe si Sako, Haxhiu i Frakullës, etj.).

Në prozën e Koreshit, ndodh të realizohet procesi i anatomisë së vetmisë së personazheve, si një lloj reagimi ndaj formës së jetesës, moralit etj., si një lloj lirimi prej pezmit të përditshmërisë, ku personazhi gjithashtu kthjellton më tepër vetveten. Thënë pak më ndryshe, një vetmi e tillë merr formën e një vetmie reaguese. Pothuajse të gjithë personazhet që dalin më në reliev, pra personazhet parësorë, janë të prirur për kah një vetmi e tejskajshme. Kjo mund të shpjegohet edhe me atë që thotë autori se : “Në përgjithësi njeriu jeton vetëm, ose jeton vetëm pjesën më esenciale të tij, botën e shpirtit. Ka atje ca pasqyrëza, ku njeriu ballafaqohet me vetveten, drita aty i vjen pa filtër dhe ai e sheh gjendjen e tij reale”.

Në letërsinë e Koreshit individi del si qenie, si ekzistencë, si rebelim, si mbijetesë, sa mund të thuhet se, në një farë forme, del kthjelltimi i vetvetes; individi ka kodin moral dhe etik dhe shfaqet me profilin shpirtëror, në larminë e vet meditative.

E rëndësishme është se Koreshi di të rrëfejë bukur, ia mbërrin të krijojë një tekst të përshtatshëm artistik përmes një teknike vetjake rrëfimore me ato elementë të qenësishëm që i zotëron në vetvete vetëm letërsia e bukur; gjithsesi pamja letrare në krejt rrjedhën e rrëfimit është e ndjeshme, fine, e pangjashme me letërsinë e autorëve të tjerë dhe tejet kumtuese. Kumti i veprës letrare ka të bëjë më së shumti me dritën e arsyes njerëzore në shpirtin e personazheve, me reflektimin si qenie, me rendjen pas asaj çka është më e hapësirshme dhe më dinjitoze.

Venerime të kritikës letrare

 Ia vlen të thuhet se kritika letrare si në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht pas botimit të romanit “Ulku dhe Uilli”, ka shkruar me të njëjtën peshë dhe përgjegjësi për kumtin e veprës së Koreshit; në shtypin letrar të Tiranës, Prishtinës dhe të Shkupit, mund të gjesh venerime të hollësishme pothuajse mbi atë që përbën emblemën artistike të shkrimtarit (“Konomea”, “Ulku dhe Uilli”, “Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s”, “Requiem për grua”, “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, etj.).

Kjo do të thotë se letërsia e Koreshit është një letërsi në vëmendje.

Dhe, pothuajse të gjithë kritikët letrarë apo dhe shkrimtarët që janë marrë me veprën e këtij shkrimtari, si për çudi, pa kurrfarë droje kanë pikëzuar në venerimet e tyre se dy veprat më cilësore të tij janë “Konomea” dhe “Ulku dhe Uilli”, si vepra tepër të organizuara dhe profesionale, dhe, si të thuash, vepra që formësojnë një lloj kurore artistike nga më të veçantat në letrat shqipe.

Kundrimet e shumta rreth veprës së shkrimtarit pikëzohen aty ku vlerat e kësaj vepre janë më të mëdha, duke u marrë me elementë formësues të saj. Këtu do përmendur ai kundrim i shumanshëm nga shumë autorë (një pamje shumëzanore), rreth një letërsie profesionale që ka tërhequr vëmendjen, pikërisht edhe në ditët e sotme, në rrëmujën e ekspozimit të vlerave dhe të antivlerave letrare, dhe ka të bëjë me ekzistencën tek letërsia e Koreshit të një vizioni koherent mbi botën, ku moderniteti i rrëfimit materializohet përmes një racionaliteti, ku përkujdesja për gjuhën dhe tekstin në tërësi shkon deri në skajshmëri dhe kthehet në natyrshmëri të prozës së shkrimtarit.

Në fillim të vitit 2005, “Koha ditore” nisi të realizojë projektin e vet në bashkëpunim me shtëpinë botuese spanjolle “Mediaset”. Në kolanën prej 20 romanesh u përfshinë edhe veprat përfaqësuese të katër shkrimtarëve shqiptarë: Vath Koreshi, Fatos Kongoli, Zija Çela, Ismail Kadare.

Në kolanën e sipërcituar, Vath Koreshi u përfshi me romanin “Ulku dhe Uilli”; në përcjelljen që i bëhej romanit, ndër të tjerash, shënohej: “Në periudhën e pashpresë të tranzicionit, Vath Koreshi i solli letërsisë shqiptare një roman mbi luftën mes mëkatit dhe mirësisë – mbështetur në jetën shqiptare. Me të drejtë romani “Ulku dhe Uilli” është krahasuar me vepra të mëdha të Ismail Kadaresë si “Ura me tri harqe”, Prilli i thyer”, Dosja H”. Ndonëse kapërcen pak më shumë se 100 faqe, autori përmbledh me mjeshtri dhe gjetje gjuhësore konfliktin e fshehtë mes moralit fetar dhe mëkatit njerëzor, gjurmon mbi dëshirën e njeriut për të kërkuar diçka, përshkruan dramën dhe ndjenjën e njeriut të braktisur, të harruar, numëron sfidat e jetës, ndriçon fatalitetin në jetën e njeriut dhe paralajmëron ngjalljen shpirtërore. Koreshi është një njohës brilant i gjuhës shqipe”.

Mundësitë ndërkomunikuese të letërsisë

 Është folur më herët se letërsia shqipe vazhdon të diskriminohet shpesh nëpër botë nga shija e përkthyesve mediokër; janë përcjellë tek lexuesi i huaj shpesh vepra letrare me vlera të dyshimta, të pakonfirmuara si duhet. Jo më kot, lexuesi i huaj i sheh vepra të tilla si anemike, pa dritë, pa shpirt dhe pa kurrfarë autoktonie, thënë pak më ndryshe, vazhdon t’i refuzojë e t’i refuzojë. Edhe kur vepra është e arrirë në shqip, ndodh shpesh që kumti i veprës nuk përcillet si duhet në gjuhë të huaj dhe, afërmendsh, teksti nuk tingëllon natyrshëm. Kjo mund të shpjegohet se përkthimit i mungon fryma, i mungon fuqia interpretuese. S’është e tepërt të shënohet këtu atë çka vërente virtuozi i poezisë shqipe, Ndre Mjedja: “Të thonë shka të duen bota: përkthimi âsht nji nder arte letrare mâ të vshtira, pse s’mbaston vullëndesa me dashtë; prei gjith’ asò vshtirsinash, ka’i herë të pàkapërcyeshme, në të cilat ndeshë përkthyesi, shum kush pá e dijtë ai vet, ndë vênd se përkthyes ká dalë përgënjyes; prej ka fjala e urtë italishte: traduttore, traditore”.

Për romanin “Ulku dhe Uilli” është vënë në dukje se “… kjo prozë, po të ishte në një gjuhë të madhe, mbase do të mund të shpallej libri më i lexuar” (A. Aliu). Natyrisht, këtu kemi të bëjmë me një venerim të imët tek vepra e Koreshit të një teksti letrar me parametra cilësorë, por, në anën tjetër, edhe dëshirën e studiuesit për një hapësi më të madhe komunikuese të veprës së cituar; në rast se do shprehnim të njëjtën gjë edhe për novelën “Konomea”, ose për disa nga veprat më shënuese të autorëve të tjerë, atëherë, pa frikë do të thuhej se letrat shqipe kanë mundësi më të mëdha të prezentimit të vetvetes, pikërisht me pjesën më vitale të saj. S’është e tepërt të thuhet gjithashtu se duhen gjetur mënyrat më të efektshme që një letërsi e formatit të tillë t’i përcillet lexuesit të huaj, çka do të rriste më tepër mundësitë ndërkomunikuese. /Gazeta Liberale

Please follow and like us: