Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Anila Karapidou

Pritja e gjatë…
Sa shumë më lodh pritja e gjatë,
Ngjan me histori romani të ngjeshur fletë-fletë.
Shpirti im, si gajde e çobanit,
Muzikën e dhembjes e shpreh me bejte.
Nga pritja e gjatë vrapin do marr,
Malit t’i ngjitem, në shtegun e ngushtë.
Në majë të arrij, me diellin do të flas,
T’i rrëfehem se pritja më lodhi shumë.
Fushës do të zbres me ngjyra pranvere,
Shpirtin në parajsë të prehet qetë do ta lë.
E në djall të vejë pritja nuk ka vlerë,
Më shumë se të presësh, shpirtin të lirë do ta lë.
Jam e vërtetë…
Unë e di veten time,
Jam e vërtetë,
Jam e vërtetë qysh nga çasti,
Kur nëna më lindi qenie njerëzore.
Qava vërtet dhe nëna u lumturua
Që erdha në këtë jetë.
Por nuk e di vërtet, në qava pse…
Më sollën padashje në këtë mizore.
Jam vetvetja, kur mbi laps mbështes
Mollëzat e gishtërinjve të mi.
Dhe me vërtetësi nis e shkruaj vargun tim,
Që më buron nga shpirti i ndezur.
Mollëzat më skuqen, më nxihen
Se gjaku im i kuq vërshon nën lëkurë.
Gërmat mbi letër janë vërtetësia
E mendimit tim të lirë, e ndjenjës që buçet.
Jam e vërtetë kur më godasin,
E tinëzisht rreken të më lëndojnë.
Unë jam e vërtetë që nga momenti
Kur nëna më lindi qenie njerëzore.
Ne bëmë dashuri ashtu në heshtje
Ne bëmë dashuri ashtu në heshtje,
Në atë dhomë të ftohtë, të pangrohur mirë.
E ftohtë ndjenja, e ftohtë dhe dëshira,
Dy trupat s’u ngjizën, mbetën nderë në hapësirë.
Ajri i nxehtë epshor që doli nga shpirtrat,
U tret në ajrin e ftohtë atë mbrëmje të shkrehtë.
Si një pikturë e pa jetë u var në këndin e dhomës,
Mbeti kujtim i hidhur i një nate endacake.
Ekuacioni i ndjenjës nuk gjeti zgjidhje,
Fjalët u mbyllën poshtë gjuhës me frikë.
Të jetë dashuria e ftohtë si copë akulli?…
Breenda zemrës tkurret gjak që rrjedh damarëve me furi.
Dashuria nuk është re që lëshohet kuturu,
Dashuria është një ndjenjë që mes gjoksit tretet dhimbshëm
Dhe frymëmarrjen ta pret si një thikë me melhem,
Ndjenja tërbon zemrën dhe fluturon parajsës magjishëm.
Ne bëmë dashuri ashtu në heshtje.
Me këpucët e kuqe dashuruar
Dje në mbrëmje vajza ime qeshi me mua,
Më pa tek përkëdhelja këpucën mbi faqe.
Dhe pyeti ashtu e ëmbël me kërshëri,
” Mama je dashuruar me këpucët e kuqe me taka”!.
“E dashur” ia ktheva unë me të qeshur,
Dhe këpucët duan t’ju japësh dashuri.
Kur në këmbë e vesh të përkëdhel lëkurën,
Këpucën po s’e deshe të vret, të nxin.
Kur ec të godet e shpirti të dhëmb,
Me kallo të bën e këmbën të lëndon.
Prandaj dashuri i jap këpucës,
Dhe ai që e krijoi dashuri i dha.
Ngjyrat në këpucë kanë ngjyrat e jetës,
Rrugën e jetës me këpucë e kalojmë.
Se, kot nuk thonë me këmbë në tokë të ecësh,
Po s’pate këpucë me këmbë në tokë s’ecën dot.
Zemër e vogël ti
Kam një zemër të vogël brënda zemrës time,
Si një perlë deti në guackë fshehur.
Notoj bashkë me të nën ujëra të kripura,
Si sirenë mbi valët dal e shijoj diellin.
Me gjak e ushqej të rritet pranë meje,
E kam ndjenjë të fortë thellë nën lëkurë.
Rreh zemra e vogël brenda zemrës time,
Jetoj bashkë me të të njëjtën torturë.
Të dua zemra ime e vogël të them,
Të dua zemra ime edhe ti më thua.
Dhe shpirti më tkurret, tkurresh edhe ti,
Ndjehem kaq e lumtur se të mbaj në gji.
/albspirit.com
Please follow and like us: