Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: VALSI I NJE DASME FANTAZMË

Mbresa

Përshëndetje miku im, Thanas,

Sa mbarova së lexuari romanin tuaj të radhës: “Valsi i një dasme fantazmë”. Ishte një befasi e bukur; u mrekullova duke ndjekur hap pas hapi fatin e personazheve që i ke lindur, vizatuar e paraqitur aq të gjallë e të prekshëm. Ky subjekt i përket një periudhe që brezi im e ka përjetuar dhimbshëm, sepse u lind, u edukua dhe punoi për një kohë të gjatë me parullën “Në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”. Kazma, kjo vegël primitive, sa vetë njerëzimi, ishte për të prodhuar bukë, (vetëm bukë, o Zot, kërkesa më minimale jetike për të mbajtur frymën gjallë), kur në botë bujqësia ishte mekanizuar, asnjë proces nuk kryhej me krahë dhe pushka për të luftuar njëri-tjetrin, jo armikun e jashtëm që nuk e diktuam gjëkundi. Njeriu për njeriun, për ato vite, ishte ujk dhe jo krijesa humane më e përsosur dhe inteligjente mbi dhé.

Jam mrekulluar duke lexuar letërsi të vërtetë nga ju, Thanas Medi, të frymëzuar, plot fanatzi dhe dramacitet. Na ke sjellë edhe njëherë përpara syve luftën e klasave, këtë shpikje marksiste djallëzore, antinjerëzore, e barabartë me thënien “njeriu për njeriun është ujk”. Ato çfarë kemi përjetuar në periudhën e luftës së egër të klasave, me në krye partinë-shtet, kush më shumë e kush më pak, (njeriu ishte ose çekiç, ose gozhdë), i ke sjellë në roman me shumë talent e frymëzim, mjeshtëri dhe art. Sa më shumë vite shkojnë duke u larguar nga ajo periudhë, ngjan sikur plaga zë kore dhe në historinë e kombit tonë nuk ka ndodhur asgjë; nuk ka pasur luftë klasash, nuk ka pasur të pushkatuar, nuk ka pasur kampe internimi, burgje e tortura të paimagjinueshme. Sot, një qytetar shqiptar, tridhjetëvjeçar, është vështirë të na besojë, por nuk mund të mos tronditet duke lexuar romanin tuaj të fundit “Valsi i një dasme fantazmë”. Aty lufta e klasave është e prekshme, e gjallë, tronditëse dhe e frikshme. Ajo ka ekzistuar edhe në një krahinë jugore, bazë e Luftës Çlirimtare kundër fashizmit, në dukje e qetë, një fermë e varfër, por kjo qetësi u minua, u prish e u shkatërrua me mbërritjen e një familjeje të internuar, (“armiq klase”), një çift me vajzën e tyre të bukur, të quajtur Markela. Ata vinin me ndëshkim nga kryeqyteti “për t’u vetpastruar e shplarë” nga ideologjia dhe gjoja veset borgjezo-revizioniste, nga “lakrat” (kështu quheshin izmat që presupozohej se kishin në kokë). Duhet të jetonin në një ahur kafshësh fshati dhe të bënin punë të rënda që nuk i kishin ëndërruar kurrë. Personazhi qendror, Markela e bukur është katalizatori, është shkaku pse griset qetësia në dukje e fshatit Rovenë dhe të shpaloset si një çarçaf i zi, tej përtej lufta e kobshme e klasave, me gjithë egërsinë e saj të pashembullt.

Kjo është merita, talenti juaj i rrallë, i dashur mik, që na kujton e bie të gjallë atë kohë. Nuk e ke lënë të harrohet e të varroset, por e ke përshkruar e sjellë të prekshme përpara lexuesve, duke iu drejtuar të dyja shtresave; atyre që e kanë përjetuar dhe atyre që e kanë me të dëgjuar. Nuk e ke lënë të harrohet. Jo vetëm i ke vënë vulën asaj periudhe të errët, por indirekt ke bërë thirrjen: kujdes, lugati mund të ringjallet e të na mbytë më keq nga çfarë na ka mbytur. Brezat e rinj, që sigurisht do të jenë shumë e më shumë, duke lexuar romanin, jo vetëm do të tronditen, por do të vënë kujen e duart në kokë; do të thonë: Si keni mundur të duroni, o njerëz, si keni vegjetuar ashtu, aq gjatë nën peshën e frikës dhe me dyfytyrësinë, të dyzuar edhe në gjënë më të bukur e të shenjtë, në dashuri?!

Mendoj se ke ndërtuar linja të sakta në gjithë romanin, duke e kompozuar preciz, si një arkitekt i dorës së parë. Trilli rrjedh natyrshëm dhe plotësisht i besueshëm. Dramaciteti, i cili vjen duke u rritur, nga kapitulli në kapitull, të rrëmben e të mban pezull. Lexuesit nuk i durohet gjersa konlfikti të gjejë një zgjidhje të arsyshme. Tre personazhet qendrorë, sipas mendimit tim; Markela e bukur perri, por e internuar, Lekoja babaxhan, i drejtë e naiv dhe Andoni i palexueshëm, janë pikturuar me ngjyra të gjalla dhe plotësisht të vërteta. Dy djemtë e dashuruar me bukuroshen e internuar, Markelën, rivalë, janë karaktere të ndryshëm, por plotësojnë njëri-tjetrin. Lekua, i çiltër, i drejpërdrejtë, guximtar, por i leshtë, pak i shëmtuar, të kujton Kuazimodon e Hygoit, ndërsa Andoni, i zgjuar, dinak dhe i palexueshëm, është tipi i të mbijetuarit në çdo rrethanë, i rrëshqitshmi, i ujshmi, por që e paguan shtrenjtë dyfytrësinë e tij duke u djegur si qiriri nga zjarri i dashurisë së fshehtë, deri duke sajuar një dasmë fantazmë. (Gjetje e goditur artistike nga ka marrë edhe titullin vepra). Djemtë, shokë vegjëlie, edhe pse rivalë në dashuri, të dy janë nën darën dhe trysninë e tokmakut të luftës së klasave, mishëruar në përsonazhin e urryer të Gafur Bishës. Ai ka hedhur rrjetën e tij të hekurt mbi gjithë fermën dhe gjindjen që gjallon aty. Syrit të tij prej sikfteri grabitqar, nuk i shpëton asgjë, as grindjet, as dashuritë, as mosmarrëveshjet. Ai është thika, shpata që u rri mbi kokë, natë ditë, gjithë banorëve të fermës, madje edhe komunistëve. Ai djeg e përvëlon lastarët e rinj e më të bukur të fshatit, Markelën, Lekon dhe Andonin. Tronditëse është skena kur babai denoncon djalin për hir të Partisë e parimeve të saj dogmatike, i rëndë arrestimi i një të riu që flet hapur, ashtu siç shikon të vërtetën, pa iu trembur syri. Mjaft e goditur është fjala “skuth” (tinzar) që tregon dhe simbolizon gjithë punën e sigurimit të shtetit që nuk u ndahet të deklasuarve, por edhe gjithë të tjerëve që kanë të bëjnë me ta. Është pikërisht aplikimi i kësaj luftë-klase që helmon, shkatërron dashuritë, rininë dhe marrëdhëniet njerëzore në fshat. Luftës së klasave jo vetëm i ke bërë autopsinë, por me këtë vepër realiste, e ke balcamosur e dërguar në muzetë historikë.

Përshkrimet e mjedisit, motit dhe vetë fshatrave, skena ku vendosen ngjarjet e shtjellohet subjekti, janë aq të bukura e poetike sa të mbetën të gjalla në kujtesë. Je njohës i shkëlqyer i jetës në fshat, i natyrës së virgjër dhe procesve të punës dhe marrëdhënive në sistemin e ashtuquajtur socialist. Duke i lexuar shumë faqe romani në formë prozë poetike, vetvetiu mendon se autori më parë, në rininë e tij, duhet të ketë shkruar poezi. Brufullojnë e zbukurojnë përmbajtjen një armatë fjalësh dialektore, nga Jugu i Shqipërisë, krahinizma të përdorura me vend dhe kursim si bran, (zvarrë) vithisej (gremisej), shastisur (hutuar), vandak (grumbull bari, sedesh), rokan (zdrukth), koroborira (shpurë), kalldisur ( kockë e lëkurë), sillois (mendoj), çallëk (mëndjelehtë), vakërroi (blegëriti), guç (kafshatë), hallushi (burri i hallës), vërvitur (vrapuar), pezule (zgrip), etj.

Faleminderit për kënaqësinë që na jep duke na kthyer pas në kohë, i dashur mik…

Urime në të tjera vepra mbreslënëse si romani “Valsi i një dasme fantazmë”!

Miqësisht,

Avdulla Kënaçi

Kanada, shkurt 2021.

Avdulla Kënaçi: THE WALTZ OF A GHOST WEDDING

Please follow and like us: