Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare merr urimin e veçantë për ditëlindje, nga ambasadorja e SHBA: Letërsia e tij është pa moshë e përtej kufijve

Kolosi i letërisë shqipe Ismail Kadare, feston sot 85 vjetorin e lindjes. Veç shumë mesazheve që ka marrë sot, nga politikanë e aktorë të jetës publike, një mesazh të veçantë urimi për të ka dhe ambasadorja Yuri Kim. Diplomatja e SHBA publikon një foto krah Kadaresë, ndërsa thotë se për të është nder që t’i urojë ditëlindjen. “Është një nder t’i urojmë ditëlindjen Ismail Kadaresë, kontributi i të cilit në letërsi është pa moshë dhe përtej kufijve”, shkruan Kim dhe ndan foton e mëposhtme.

 

Akademia e Shkencave ripropozon Kadarenë për çmimin Nobel në Letërsi

Sot gjeniu i letrave shqipe, shkrimtari i shquar Ismail Kadare feston përvjetorin e 85-të, ndaj në nderim të tij është mbajtur veprimtaria shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”. “Ismail Kadare e ngriti letërsinë shqipe në nivelet më të larta të historisë së saj”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi. Më tej, akad. Vasil S. Tole, nënkryetar i ASH prezantoi kandidaturёn e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare pёr çmimin Nobel nё letёrsi. “U bënë disa vite rresht që Akademia e Shkencave e Shqipërisë propozon e ripropozon kandidaturën e shkrimtarit, akademikut Ismail Kadare pranë jurisë së çmimeve NOBEL në letërsi, e cila funksionon pranë akademisë simotër të Suedisë.”, tha akad. V.Tole, duke theksuar se vepra e Kadaresё, nga viti nё vit, shtrin gjeografinё e territorit nё tё cilin ajo shkel pёr herё tё parё nё tё gjithё botёn, njёherazi edhe gjuhёt e leximit tё saj shtohen progresivisht. Ekspozita e fotografit të njohur Roland Tasho solli për të pramishmit çaste të bukura nga jeta e shkrimtarit, si vizita në vendlindje, dhe çaste kulmore të jetës dhe karrierës së tij në Shqipëri dhe botë.

 

Albumi “Kadare dhe Gjirokastra” shkon në shtëpinë muze të autorit

Agjencia Kombëtare e Diasporës, me rastin e 85 vjetorit të shkrimtarit Ismail Kadare, dhuroi për Shtëpinë Studio “Kadare” më Tiranë disa kopje të albumit “Kadare dhe Gjirokastra”, album i realizuar nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, në bashkëpunim me artistin Roland Tasho dhe me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën. Drejtuesja Ekzekutive e Agjencisë, Znj. Sonila Hysi në takimin e mbajtur sot në shtëpinë studio theksoi se qëllimi final i punës së agjencisë për bashkëpunimin me diasporën shqiptare, është ruajtja dhe promovimi i vlerave, kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare. Këtë mision shkrimtari i jashtëzakonshëm e ka kryer më mirë se kushdo me artin e tij në gjithë këto vite duke u shndërruar në promovuesin më të mirë të Shqipërisë në diasporë dhe në arenën ndërkombëtare. Ndaj ishte privilegj që në këtë përvjetor t’i dhurohej ky album jo vetëm shkrimtarit, por edhe Shtëpisë Muze Kadare këtu në Tiranë, Shtëpisë Muze në Gjirokastër dhe institucioneve të tjera, duke dhënë një kontribut modest që publiku ta njohë këtë gjeni të letërsisë sonë edhe nëpërmjet artistëve të tjerë dhe institucioneve që krenohen me veprën e jashtëzakonshme të tij. Virtyti më i rëndësishëm njerëzor është mirënjohja dhe ky album është dhurata e Agjencisë Kombëtare të Diasporës në shenjë mirënjohje ndaj një ambasadori të veçantë të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, siç është Kadare.

Please follow and like us: