Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: Dr. VANGJELO GRILLO (VEIZI) – NJË PREJ IKONAVE TË MJEKËSISË

Dr. VANGJELO GRILLO (VEIZI) – NJË PREJ IKONAVE TË MJEKËSISË, FIGURË E SPIKATUR E PËRKUSHTIMIT DHE HUMANIZMIT!

Aradha homazhi e mirënjohjeje për mjeken, humanisten, intelektualen, misionaren brilante, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi).

Requiem

Në vend të prologut…

 

Një lajm i hidhur e tepër i trishtuar, ai i shuarjes nga jeta tokësore, e «udhëtimi» për në parajsën e përjetësisë, e njeriut të mirë, e gruas fisnike gojëmbël, e mjekes së rrallë, që gjithë jetën e saj, ia përkushtoi mjekësisë dhe pacientëve, pedagoges së aftë, familjares dhe bashkëshortes shëmbëllore, si edhe një nëne model, siç ishte në rrugëtimin e saj jetësor, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi).

Një prej ikonave të bluzave të bardha, një prej personaliteteve zëheshtur e punëshumë, një iniciuesve që lidhi emrin e saj me startuesit dhe themeluesit e shërbimit pediatrik shqiptar, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), modeli i përkushtimit dhe humanizmit, nuk do të jetë tanimë e pranishme mes nesh.

Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), simbioza e ikonës dhe mjekes model, me një kontributdhënie të vyer shkencore, profesionale dhe kombëtare, me një devotshmëri e korrektesë, e palodhur e sakrificës, komunikuese dhe tepër bashkëpunuese, me një durim të spikatur, duke mos njohur orare e zyrtarizma, por duke qenë e pranishme në frontin e përditshëm të përkujdesit jetik të shëndetit të fëmijëve dhe minorenëve.

Ajo ishte pjesëz aktive e plejadës së idealistëve,e ngjizur me parimet dhe virtytet më të çmuara, që në emër të jetës, si misionare e Shenjtë dhe e përulur e Hipokratit, rrugëtoi në gjithë ciklin e jetës së saj, me seriozitet e gjithë  profesionalizëm, me nder, mirënjohje dhe respekt.

Vangjelo (Veizi) Grillo – simbioza e një  qenieje të rrallë humane, një mjeke dobishme për të gjithë, e  ngjizur me virtytet Hyjnore me dinjitet dhe mirësi të shpirtit, me vetëmohim dhe dashuri për njerëzit. Me me karakterin e saj të çeliktë, me meritat e saj të padiskutueshme, fitoi reputacionin e një mjekeje misionare të nderuar, por edhe një personi të shkëlqyeshëm. E cila jo vetëm trajtonte, por dinte edhe të shëronte fëmijët, me fjalën e saj të ëmbël, të ngrohtë e me butësi, por veçanërisht të mbrujtur me shumë dashuri.

Një ndër simbolet dhe themelueset e Pediatrisë shqiptare, një mjeke e spikatur për autoritetin,për etikën dhe profesionalizmin e rrallë, që gjithë jetën në harkun kohor të katër dekadave karrierë të suksesshme, ia kushtoi si një sfidë të këndshme fëmijëve. Duke u shërbyer me pasion e përkushtim, me mirëbërësinë dhe sakrificat e panumërta, në dritën e vlerave dhe të parimeve, misionit dhe shkencës humane, që ajo përzgjodhi të rrugëtonte në jetën e saj.

 

Aspekte të rrugëtimit jetësor dhe profesional…

 

Në një ditë të ftohtë e të acartë dimri, starton dhe vjen në jetë në Spile të Himarës, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi). Pikërisht më 14 Dhjetor të vitit 1933, si pinjolle në një familje tepër të thjeshtë, por me vlera, parime dhe dhe tradita atdhetare. Hapat e para të fëmijërisë i kalon në vendlindjen e saj në Himarë, pranë shtëpisë prindërore, ndonëse kushtet social-shoqërore dhe ekonomike të asaj periudhe kohore, kurrësesi nuk mund të thuhet se ishin ideale. Vite të shkujdesura, vite varfërie të gjithanshme, por me bukurinë dhe gëzimin e nostalgjisë dhe lumturisë familjare të cilat natyrisht që lënë impresione dhe gjurmë të pashlyeshme qysh në fëmijërinë saj.

Po aty në Himarë, Vangjeloja starton vitet e ndjekjes së arsimimit në shkollën 7 vjeçare duke e përfunduar me rezultate shumë të mira. Me përfundimin e saj startojnë edhe ëndrrat me ambiciet rinore, për të ndjekur arsimimin e specializuar në fushën e shkencave mjekësore. Regjistrohet dhe vijon mësimet pranë Politeknikumit Mjekësor në Tiranë, të cilin e përfundon me nota të shkëlqyera, duke dëshmuar njëherazi vullnetin e saj të palodhshëm, potenciale energjie, humanizmi dhe fisnikërie.

Qysh në moshë të vogël, ëndrra dhe pasioni i saj, për të vijuar studimet universitare në mjekësi, për t’i shërbyer njeriut të zakonshëm në raste nevoje dhe emergjente, e motivojnë që t’i përkushtohet studimit sistematik, për t’u zhytur në të fshehtat e këtij profesioni misionar. Ndjek dhe vijon studimet e larta për Mjekësi, pranë Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1957, me një zell admirues, me etje për dijet shkencore dhe rezultate të larta, përfundon me sukses duke u Diplomuar si Mjeke e Përgjithshme.

Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), një figurë energjike, ku krahas mjekësisë, angazhohet edhe si volejbolliste me ekipin e femrave të «Flamurtarit» të Vlorës, dhe në vitin 1958, emërohet si mjeke, në spitalin rajonal të Himarës ku me devotshmëri dhe përgjegjësi ofroi shërbimet e saj të vyera si mjeke dhe drejtuese e këtij institucioni. Duke dëshmuar aftësi profesionale dhe drejtuese dhe duke u ndjerë e rëndësishme dhe e privilegjuar përmes asaj pune misionare me bluzën e bardhë që ajo ofroi në përkujdesjen e shëndetit deri në harkun kohor të vitit 1961.

Duke e vlerësuar si të Shenjtë dhe Hyjnor misionin e saj mirëbërës, si rojtare protagoniste e shëndetit, me sakrifica, me përkushtim, me durim, me etikë dhe buzëqeshje, falë aftësive të saj të veçanta, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), diti të përballonte me sukses sfidat momentale dhe situatat e tensionuara, në gamën e problematikave të sëmundjeve që përballej. Ndonëse terrenit të thyer e të vështirë shkëmbor dhe malor, ndonëse mungesës së rrugëve dhe mjeteve të komunikacionit, nuk hezitoi dhe nuk përtoi por  shkeli me këmbë në të gjithë fshatrat e trevës, pa pyetur nëse ishte ditë apo orë të vona nate, duke fituar  kësisoj respektin dhe simpatinë e pacientëve dhe banorëve të gjithë zonës së Bregdetit. Madje  për hir të misionit si mjeke e kujdesit parësor në ruajtje të shëndetit, duke  kapërcyer hapësirën e caqeve kufitare të Himarës, e duke qënë   përherë e gatshme në krye të detyrës dhe e pranishme në rastet emergjente në fshatin  Kuç,apo në rrethinat e fshatrave kufitare me Sarandën.

Ky model i përkushtimit maksimal të Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), në shërbim të njerëzve të thjeshtë dhe në nevojë, lidhet pazgjidhshmërisht me bashkëpunimin e ngushtë dhe funksional, me ndihmës infermierët e spitalit të Himarës e në mënyrë krejt të veçantë me të talentuarin pasionant infermierin, Kozma Nesturin, një njeri ideal dhe simbol i sakrificës, i cili vite më pas, për kontributdhënien e tij, u vlerësua dhe u laurua me titullin e lartë të «Heroit të Punës Socialiste». Αshtu sikundër edhe falë bashkëpunimit të guximshm dhe konsultave sistematike të  kësaj mjekeje misionare, me mjekë specialistë tepër të njohur të spitalit të qytetit të Vlorës si Pavli Flloko, Kostandin Kauri, Irfan Pustina, Isuf Hysenbegasi, por paralelisht edhe me figurat e spikatura siç ishin profesorët e shquar të Pediatrisë në Tiranë, si Prof. Selaudin Bekteshin dhe Prof. Hamdi Sulçebegu.

Si një vizionare, e pajisur me aftësi dhe virtyte të rralla, shpirtërore, mendore dhe morale, me humanizmin e pashterrshëm që dëshmonte në çdo hap të karrierës së saj, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), e përzgjedhur prej korifejve titullarë të asaj periudhe kohore, si Prof. Selaudin Bekteshi, Prof. Hamdi Sulçebegu, Ciril Pistoli dhe Drini Ohri, ajo emërohet në Spitalin Pediatrik të Tiranës, si Mjeke Pediatre.

Me ambicie të spikatura në shërbim të jetës njerëzore si edhe me vullnet të papërsëritshm për kualifikimin e mëtejshëm profesional, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), mirëpritet dhe bashkëpunon në mënyrë perfekte me ish bashkëstudentët e Fakultetit të Mjekësisë, tanimë si kolegë me mjekët Hrisavgji Reka, Bukurie Maci, por edhe me mjekët e njohur si Prof.Thoma Kristo, Fina Bitri, Zyhra Hajrullai, Bafturi Mati, Teuta Jovani, Kimete Nikshiqi, Dhurata Nishani, duke spikatur por duke gëzuar njëherazi dashurinë dhe respektin e tyre si kolegë.

Si mjeke shembullore dhe me vlera,përherë në vijën e parë të përballjes me problematikat e sëmundjeve dhe terapinë e tyre, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), ofron ndihmesën dhe gjithë performancën e saj, duke aplikuar dhe mundësuar harmonizimin përmes diagnostifikimit dhe mjekimit, e duke kuruar sëmundje të ndryshme, thuajse në gjithë grupmoshat, prej atyre njomëzakëve  motakë, e deri tek 14 vjeçarët.

Performanca dhe angazhimi i përkushtuar i të Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), dëshmon aftësitë e saj humanitare dhe në bashkëpunim harmonik me personalin e ndihmësmjekëve, kapërcehen barrierat dhe sfidat si edhe motivohet shërimi i fëmijëve me episode të rënda e tepër të vështira.Jo rastësisht në vitin 1967, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), emërohet si Përgjegjëse e Pavionit 6-të, të Spitalit Pediatrik, falë humanizmit të spikatur në ushtrimin e detyrës,falë bashkërendimit të shërbimeve të specializuara shëndetësore me një nivel të lartë,kordinuar me  përvojën profesionale,mundi  të shënonte dhe prekte rezultate efektive në trajtimin dhe aspektin e shërimit. Fatalisht në vitin 1978, pa asnjë motiv apo shpjegim nga autoritetet zyrtare të kohës, Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), padrejtësisht zhvendoset si mjeke e thjeshtë në Spitalin Infektiv të qytetit të Elbasanit. Por edhe aty, ndonëse në një mjedis krejt të panjohur, duke i mëshuar me seriozitetin që e karakterizonte, trajtimit shumëplanësh të pacientëve, forcimit të kontrollit periodik, ashtu sikundër edhe kujdesin e përshtatshëm, në aspektin individualizimit mjekësor por edhe atë emocional, kontribuoi në një veprimtari admiruese dhe të përkryer si në aspektin e diagnostifikimit po ashtu edhe në atë mjekues dhe shërues. Duke lexuar sistematikisht literaturë bashkëkohore dhe ofruar një përkujdes të shquar mjekësor, e duke  dëshmuar njëherazi angazhimin e saj sistematik, aftësitë  dhe nivelin e lartë profesional, patologji krejt të veçanta,  në trajtimin sa më të mirë e funksional të gjithë problematikave të zhvillimit të këtyre sëmundjeve. Duke synuar shpëtimin e jetës së shumë fëmijëve gjatë gjithë jetës së saj, dhe duke nderuar realisht betimin Hyjnor të Hipokratit.

Dr. Vangjelo Grillo (Veizi) e ngjizur dhe e lindur me ndjenjën e humanizmit, do të perfeksionohej në vijimësinë e karrierës së saj prej afro katër dekadash, si një prej emblemave të mjekësisë që rrezatojnë dhe shkëlqyen me kontributdhënien e saj në Spitalet e Himarës, Tiranës, Elbasanit e rishtaz të Tiranës,si një tribune promovuese dhe përcjellëse e vlerave të larta njerëzore dhe qytetare.

E frymëzuara dhe mendjemprehta energjike,mjekja Vangjelo Grillo (Veizi), përpos të tjerash, u angazhua dhe kontribuoi edhe si Pedagoge në Fakultetin  Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1970. Teksa emërohet si Pedagoge, fillimisht si lektore e njëherazi si e ngarkuar të mbikqyrë dhe drejtojë praktikat mësimore të studentëve.Edhe në këtë mision,ajo motivoi dhe me mjeshtëri,ofroi gjithë thesarin e performancës së saj, në aspektet e  përgatitjes dhe formimit të studentëve dhe gjeneratave të reja të Fakultetit të Mjekësisë me dije shekencore,por edhe me kulturë qytetare. Përherë e gatshme dhe e papërtuar për të ndihmuar dhe ndikuar në formimin me dije dhe etikë qytetare të një sërë brezave mjekësh. Duke ravijëzuar dhe gdhendur një shembull autentik të kontributit të saj shkencor, të qëndrimit profesional dhe jetës së një misionareje me bluzë të bardhë. Duke spikatur për një përkushtim të jashtëzakonshëm, sistematikisht për disa dekada, në aspektet e punës së saj mësimore dhe kërkimore.

Vepra me vlera  e Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), konfirmohet edhe në aspektet e punës studimore shkencore, ashtu sikundër  edhe në prfshirjen aktive të saj,në një sërë veprimtari të mirëfillta shkencore, duke referuar me sukses në sesione shkencore të fokusuara për pediatrinë, jo vetëm në Tiranë, por edhe gjetkë si në Vlorë, Durrës, Korçë, Sarandë, Shkodër, Elbasan apo Himarë.

Një mjeke misionare me integritet të lartë,me një mirësi krejt të pazakontë,me një bujari admiruese,e gatshme dhe e kudondodhur për të ndihmuar cilindo, me kontributin e saj të paçmuar në Mjekësi, në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë por edhe në mbarë shoqërinë  shqiptare, ajo ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme e të pashlyeshme.

Si një zë i fuqishëm i arsyes, moralit, dinjitetit, numërohen me mijëra pacientë të ekzaminuar, kuruar dhe trajtuar nga ana e Dr.Vangjelo Grillo (Veizi), thellësisht të prekur dhe mirënjohës nga kujdesi mjekësor, nga interesimi njerëzor e kanë fiksuar dhe do ta kujtojnë me mirënjohje për mirësinë, modestinë, vullnetin e saj, për talentin në aspektet e diagnostikimit dhe trajtimit,për dashurinë e saj për jetën por edhe për njerëzit e thjeshtë.

Me një reputacion si mjeke e pasionuar dhe përkushtuar Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), me aftësitë profesionale të saja, duke u shndërruar jo rastësisht në një pikë referimi për Pediatrinë në shkallë kombëtare, si modeli i një heroine modeste,me kompetencë dhe seriozitet, ofroi sistematikisht kontributdhënien e saj të pandërprerë në mjediset spitalore, deri në fundvitin 1989, kur del në pension.

Por për t’u mos u shkëputur deri në frymëmarrjen e saj të fundit, nga dashuria dhe pasioni i jetës së saj, Mjekësia, si një njeri i rrallë, një personalitet i shquar, një mjeke model, një patriote misionare e vërtetë.

Dr.Vangjelo Grillo (Veizi), jetoi një jetë të mrekullueshme, jo vetëm në aspektin e kohës dhe viteve, por edhe në ngjarje, në emocione, në impresione. Duke u dëshmuar një bashkëshorte e denjë dhe mburojë e jashtëzakonshme, për shkrimtarin, penëartin e letërsisë për fëmijë, Mjeshtrin e Madh, Odise Grillo. Me një dashuri të sinqertë dhe respekt të ndërsjelltë, duke përballuar dhe sfiduar edhe situatat më të vështira të jetës me maturi, guxim dhe vendosmëri. Njëherazi ajo ishte nëna e veçantë dhe rrezatuese për Kostën, komentatorin e shquar sportiv si edhe për Anin, balerinën e suksesshme. Dr.Vangjelo Grillo (Veizi), gëzoi dhe përjetoi edhe kënaqësinë e prosperimit të familjes së saj, duke shijuar nipër dhe mbesa. Realisht krenarë, të bekuar e lumturuar, që trashëgojnë emrat e mëdhenj të prindërve të tyre, Odise dhe Vangjelo Grillo.

 

Në vend të epilogut…

 

Gjithësesi, duhet pohuar se është e tepër e vështirë të mund të përmbledhësh në disa arradha përkushtimi, jetën e gjallë e të virtytshme, rrugëtimin aktiv jetësor dhe profesional të një njeriu me një kontribut kaq të konsiderueshëm dhe shumëplanësh, si figura dhe personaliteti i Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), që ofroi kontributin, përpjekjet, performancën dhe përvojën e saj të vyer, ndaj dhimbjes njerëzore, në shërbim të vetë jetës dhe njeriut.

Qenia dhe portreti i Dr. Vangjelo Grillos rrezatonte fisnikëri, mirësi e buzëqeshja e saj ishte sinjifikative për pacientët, për të njohurit e të panjohurit. Një misionare e vërtetë e Hipokratit, pasionante dhe e përkushtuar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin e saj profesional.

Si mjeke misionare dhe e përkushtuar, e cila me një vullnet të pashoq, shpërfilli gjithë jetën dhe shpirtin e saj, duke e shkrirë dhe sakrifikuar për  kurimin  njerëzve në nevojë, duke vizituar dhe organizuar konsulta sistematike për shqyrtimin e gjithë rasteve akute anekënd vendit, duke pasur si synim thelbësor, shërimin dhe normalizimin e pacientëve.

Mjekja jonë e dashur, Dr. Vangjelo (Veizi) Grillo, lë pas një trashëgimi dhe kujtime impresionuese të jashtëzakonshme. Himara, vendlindja e saj e dashur, me të drejtë krenohet për lindjen e një qenieje njerëzore sa fisnike, aq edhe modeste,sa të papërtuar po aq edhe të sakrificës,një njeri rrezatues me një bujari dhe mendjemprehtësi, një pedagogeje të spikatur e të përkushtuar.

Tek figura e saj u skalit dhe ravijëzua një misionare e palodhur, një mjeke ambicioze, një luftëtare e papërtuar në ruajtje të shëndetit, duke i shprehur mirënjohje të pakufishme, për kontributdhënien e saj të jashtëzakonshme për njeriun, për shoqërinë, për shëndetësinë dhe kauzën e humanizmit.Si një shembull real dhe frymëzues për t’u ndjekur nga brezat e rinj, të cilët do të zgjedhin t’u shërbejnë njerëzve si mjekë.

Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), si një figurë dhe personalitet i ndriçuar, me një ngrohtësi dhe rrezatim njerëzor, me idealet dhe vlerat fisnike që mishëroi si udhërrëfyese, do të mbetet një model për mbarë mjekësinë dhe shoqërinë. Si një shembull i denjë për t’u imituar dhe frymëzuar ashtu si deri më sot, plejadat e studentëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, duke vijuar të frymëzojë pareshtur edhe gjeneratat e ardhshme të bluzave të bardha.

Me bindje dhe i sigurtë se portreti i Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), do të kujtohet me dashuri dhe vlerësim admirues Kujtesa e një embleme të gjallë, me një etikë brilante mjekësore, është gdhendur dhe ngulitur thellë, në zemrat tona, ashtu sikundër edhe tek mijëra pacientë e të afërmit e tyre, me të cilët kaloi ditë dhe netë, duke u ofruar përkujdesin dhe  ndihmesën e saj të vyer.

Të gjithë ne si bashkëkohës që ju njohëm e jetuam në epokën tuaj, do t’u mbajmë gjallë në kujtesën tonë.

E vetmja betejë titanike e jetës, që u dorëzuat e shtrenjta dhe e paharruara Dr. Vangjelo Grillo (Veizi).

Por se figurat e ndritura dhe personalitet dinjitoze si Dr. Vangjelo Grillo (Veizi), që i kujtojmë me respekt dhe mirënjohje, nuk largohen kurrë.

Lutemi me përgjërim që Perëndia, të prehë shpirtin tuaj, në Parajsën e shenjtorëve misionarë.

Zoti i Gjithëmëshirshëm, le të ngushëllojë bijtë dhe gjithë të afërmit dhe të dashurit tuaj,që vajtojnë për «shuarjen» tuaj.

Qoftë i përjetshëm kujtimi juaj Dr. Vangjelo Grillo (Veizi)!

28.02.2021/albspirit.com

 

 

Please follow and like us: