Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Ndryshimi në Shqipëri nis nga femrat me personalitet

Ndryshimi në Shqipëri do të fillojë nga gratë. Ky rast vjen një herë në katër vjet, me zgjedhje të përgjithshme parlamentare ose në ato vendore. Vendi ynë ka bërë hapa para në përfaqësimin e grave në vendimmarrje, po për fat të keq shumë prej tyre, ndryshe nga mençuria dhe delikatesa femërore, janë sjellur si burrat, pa integritet dhe nën urdhrat e kryetarëve të partisë që i kanë kthyer forcat politike në çeta të bindura e të verbra, pa zgjedhje e demokraci të brendshme, pa konkurencë dhe me një varg problemesh të tjera.

Votueset gra në Shqipëri janë më konseguentet dhe ato e kanë në dorë të sjellin sa më shumë femra dinjitoze, profesioniste, nga pjesa më elitare e saj. Rotacioni politik i bën mirë edhe shoqërive me standarde të përparuara demokratike, ndërsa në Shqipëri është mëse i domosdoshëm.

Është në dorë të grave për të mos votuar kandidatë me më shumë se 2 mandate dhe është po në dorë të femrave për të ndërmarrë ligjin e parë në kuvendin e ri për kufizim mandatesh. Është në dorë të kësaj shtrese votuese për të mos votuar politikanë të korruptuar ku vila e ish-udhëheqësit të diktaturës duket si një pikë uji në lumin e madh të grabitjeve shtetërore. Është në dorë të tyre të bëjnë një listë tjetër fituesish, kryesisht me gra të shkoĺluara dhe inteligjente.

Koha është tani, pra në 25 prill dhe jo më pas; shqiptarët e majtë apo të djathtë kanë nevojë për një pushtet me fytyrë njerëzore. Koha është për personalitete të spikatur në pozitë dhe në opozitë dhe këtë më mirë se kushdo mund ta bëjë votuesi.

Vota e çdo gruaje dhe femre është e vlefshme kur voton një parti politike dhe një kandidat të kësaj force politike.

Lista e kandidatëve tashmë nuk është më në dorë të kryetarëve të partive, por të sovranit dhe kryesovranes, gruas që është votuesi më masiv në Shqipëri.

Ka pak rëndësi se si janë renditur emrat në listat e partive kryesore, listën e vërtetë e vendos votuesi, sidomos ai femëror, që mund t’u japë një mësim të madh partive shpk të tri dekadave të fundit.

Në listat e dy partive kryesore shikoni të vendosen në vende të sigurta kryecipëplasur të partive aleate që sërish duan përfaqësimin e vetvetes së tyre dhe jo personalitete të tjera dhe alternativën e partisë që përfaqësojnë dhe me këtë rast është momenti i duhur për të mos i votuar, për t’i përbuzur, për t’i nënçmuar si vemje që nuk i ndahen politikës.

Koha është tani, koha është në 25 prill, më pas bëhuni gati ose të emigroni ose të hidheni nga një kat i spitalit ‘Shefqet Ndroqi”!

 

Please follow and like us: