Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: In memoriam, poeti Jamarbër Marko

Jamarbër MARKO, ΚALORËSI LIRIPRIVUES ME SHPIRT TRIUMFATOR!

Portret i paautorizuar kushtuar gazetarit dhe poetit, martirit të lirisë, vargndriturit Jamarbër Marko…

 

 

Në vend të prologut…

 

Krijuesit dhe poetët nuk shquhen apo spikasin thjesht si «personalitete», sepse në thelb, poetët janë mbi të gjitha, muza krijuese, poezia, vargjet, fjalët dhe frazat e tyre që shpërfaqin gjerësisht oazin e kumtit të tyre krijues. Sepse ligjërimet e tyre gjithsesi nuk janë përherë «të këndshme», apo vetëm «të rëndësishme», ndërkohë që ato mbartin e janë ndjesi realiste jetësore, të sendërtuara nga këndvështrimi i autorit krijues.

Ndaj vargu, fjala dhe frazat janë prekje të vetë realitetit, janë britma, janë përpos të tjerash vetë konstitucioni jetik jetësor.

Dhe për t’i prekur, për t’i përjetuar,lipset t’i artikulojmë, t’i lexojmë, t’i mendojmë, t’i recitojmë, t’i këndojmë, t’i hymnizojmë ashtu si vetë të shenjtën Jetë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një poet martir, simbol të krenarisë dhe stoicizmit, siç ishte dhe do të mbetet përjetësisht Jamarbër Marko, ose shkurt Madu siç e thërrisnin. Talenti dhe dhuntia krijuese e të cilit, brutalisht u shkatërrua mizorisht dhe u vetëvra, nga bëmat e famshme të Sigurimit të asaj kohe makabre.

Jamarbër Marko, simbioza dhe shpirti i vrarë qysh në embrion i një poeti pa kumt, pa opus krijimtarie, pa mishërimin dhe rrjedhshmërinë e ligjërimit. Ndjesi të ndrydhura, mendime të dënuara, ndjesi që makabriteti i censurës dhe trysnisë mbytëse, nuk i lejonte kurrsesi të shndërroheshin në kumte dhe vargje. Shpirt i përhumbur, por njëherazi i etur për liri, ndjesinë e parandjenjat përpëlitëse për t’u anashkaluar skemave traumatike dhe kalvarit tjetërsues të dhunës. Shpirt i zhveshur ndaj përgjumjes iluzore si edhe prej karakterit të saj hyjnor, teksa përpiqej përmes pandjeshmërisë, të rezistonte ndaj frikës hijerëndë dhe mistereve apokaliptike të befta të tutorëve ndjellakeqës. Shpirt dhe qënie me shpresa që thërrmoheshin dhe treteshin,në ato muzgje, ku edhe era që frynte, enkas përçmonte të ledhatonte fytyrën, ku syri kundronte përtej hekurave dhe tytës së bajonetave, një pjesëz qielli të cunguar, të imponuar prej simfonisë së pamëshirshme krejt të çakorduar të djajve të kuq.

Shpresa inekzistente, ndërgjegje rrebele të tejnënshtruara në heshtje, nga forca e dhunës së një pushteti gjakatar, duke sajuar batërdinë e botës së vuajtur dhe të trishtë, në një realitet imagjinar përçudnues.

Sepse vetë lumturia e shijimit të lirisë, kësaj mrekullie hyjnore universale, kurrsesi nuk mund të përshkruhet. Sepse në thelb, simbioza se liria është vetë jeta, dhe se jeta është liria, është aktuale dhe sinjifikative më tepër se kurrë, në ditët e sotme.

Madu, një identifikim i rrallë i qëndrueshmërisë shpirtërore, krenarisë, stoicizmit, seriozitetit, mirësisë mendore, forcës morale. Virtyte të qenësishme si një mekanizëm i padiskutueshëm për rrugën e përjetshme, drejt zbulimit të botës së brendshme, formatimit dhe plotësimit të personalitetit, krijues dhe individual. Imazhi real që ai gdhendi në vetëdijen e tij qysh prej adoleshencës së e hershme, si gjurmë kërkimi, hulumtimi, përsiatje me një dashuri të pakufishme për Lirinë dhe të Vërtetën. Ky lajtmotiv i jashtzakonshëm, motivoi shpërfajen e vargjeve, melodinë dhe poezinë që ai fshihte të strukur në thellësitë e shpirtit të tij të ndjeshëm. Me një forcë shpirtërore sa vitale po aq edhe pasionante, përmes një talenti sfidues për të krijuar imazhe, për gjithë misteret e jetës, me shpresën dhe besimin tek Njeriu, tek Liria.

 

Rrugëtimi jetësor…

 

Në një ditë pranvere, ku flladi i mëngjeseve përplasej me cicërimat zhurmuese të zogjve, teksa kalendari shënonte 19 Mars të vitit 1951, në Tiranë, vjen në jetë Jamarbër Marko, pinjolli dhe gëzimi i papërshkrueshëm i atit të tij, shkrimtarit Petro Marko dhe së ëmës, piktores Safo. Vitet e fëmijërisë së brishtë i kalon në vendlindjen e tij në kryeqytet, ku gradualisht starton edhe vijon aspektin e arsimimit të tij. Pas përfundimit të shkollës 8 vjeçare,vijon dhe ndjek mësimet pranë gjimnazit «Sami Frashëri», të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera. Fiton të drejtën e studimit për Gazetari, në Fakultetin Filologjik në Tiranë, të cilin e përfundon me rezultate të larta dhe në vitin 1974, diplomohet si Gazetar. Pas përfundimit të studimeve, emërohet në qytetin e Vlorës ku starton hapat e para të tija si gazetar, pranë gazetës lokale «Zëri i Vlorës». Ende pa e shfaqur gjerësisht talentin dhe pasionin e tij krijues, befasisht dhe tinëzisht, në një ditë vere përvëluese gushti, arrestohet me bujë krejt pa asnjë shkak. Përjeton kalvarin e tmerrshëm të hetimeve antinjerëzore, me akuza qesharake për shkeljen e shenjtërisë dhe përdhosjen e diktaturës së proletariatit. Pas muajve të shumtë torturash psikologjike dhe fizike, në fundvitin 1975, ndonëse nuk kishte kryer anjë lloj faji apo mëkati, dënohet me shtatë vjet heqje lirie. Starton kalvari i vuajtes së dënimit, në kampet e skëterrës famëkeqe komuniste, si ishte ai i Spaçit të Mirditës, ndonëse tërësisht realiteti dhe gjithë hapësira jetësore shqiptare, shihej qartë që ishte shndërruar në një burg. I përhumbur, duke menduar se ka humbur gjithçka, jeta e tij tanimë shndërrohet në imazhet e qelisë, prangave, zinxhirëve, dyerve të hekurta, torturave të pafunda psikologjike, përballjen dhe kërcënimin për çdo ditë me vet makabritetin e vdekjes. Pas kampit të Spaçit, vijon të vuaj dënimin në burgjet e Tepelenës dhe të Ballshit deri në vitin 1982.

Μe interesimin e vazhdueshm dhe brengave të atit të tij, krijohen premisat e zbutjes së qndrimeve të ashpra dhe në vitin 1978, lirohet me kusht duke dalë nga burgu. Pas tmerreve dhe kërbaçit të burgut, ndonëse përpiqet të ringrihet, por gjakatarët sundimtarë e lejojnë të punoj si hamall i thjeshtë në Kinostudion «Shqipëria e Re», duke mos pasur asnjë lloj tjetër alternative për të mbijetuar. Në ato kohëra të turbullta, as që mund të shpresohej ose bëhej fjalë që ai të lejohej të ushtronte profesionin e tij si gazetar.

 

Aspekte të krijimtarisë letrare…

 

Jo rastësisht, qysh në moshë të hershme rinore, Madu hodhi hapat e para në sprovat e aradhava të vargut dhe të poezisë. Bota e tij shpirtërore, një botë e furrishme e trazuar, e shpërdredhur me qasje romantike.

Autorësia e poezisë së Madut, gjithsesi nuk konfrontohej dhe as i përkiste rrymave, klisheve apo shkollave poetike të njohura të kohës. Përpos ndikimeve të kahershme, ajo pulsonte nga ndjesi të një lirizmi sipërfaqësor të patëmetë, e ashtu sikundër edhe prej sentimentalizmave ritmike muzikore. Frymëzimi ngazëllimor i shpirtit të poetit «këngëtar» Madut konsistonte në ravijëzime të nostalgjive, të eposit të një rinie të humbur, të një jete sakrilegj për hyjninë e perëndive të padukshme, të një dashurie atërore, si një peng i vetë rrjedhës së jetës.

Ashtu si pa u ndjerë, teksa era e lirisë kishte filluar të frynte tej e ndanë,në ato vite të startit të demokracisë, Jamarbër Marko fillimisht promovon vëllimin e tij të parë me poezi, të titulluar «Rastësisht me dashje», botimi i vitit 1995, e mandej në vitin 2001 të vëllimit «Pro Nobis».

Vargje dhe poezi të dala nga labirintet e kamuflimit, falë dëshirës madhore të bashkëshortes së gazetarit të njohur Xhemal Mato, për t’i ruajtur dhe përballur me vetë historinë dhe realitetin. Vargje ku me frymëzim, ndërthuren histori njerëzore të brishta, gjurmët e të cilave ndjekin si hije të padukshme dhimbjen e vazhdueshme shpirtërore, për gjithë ato thesare që shpirti fsheh në thellësitë e padukshme të labirinteve të tij. Grimca që mundojnë dhe heshturazi shkaktojnë brenga, në mungesë të idealit apo realitetit të kërkuar. Hije e ndjesi, hezitime të pashprehura, për ato fate njerëzore, që kurrsesi nuk duhej të pasonin në rrjedhën që ato ndoqën. Përsiatje brengash dhe zhgënjimesh të përçdoditshme, që fatalisht orientonin jetën drejt katakombeve të katastrofave.

Vargje të një jete pengmarrëse prej të ashtuquajturave ideologji aventureske të urryera. Vargje të një qenieje nekrofile, simbiozë e një regjimi kanibalesk e gjakatar që nuk dinte përvese të dhunonte intelektin e krijuesve si edhe t ë viktimizonte e shkatëronte ëndrrat, dëshirat dhe jetët e njerëzve krejt të pafajshëm

E përbri tyre oaze vegimesh me ëndrra të brishta, ëndrra jetësore të tejtradhtuara nga realiteti i ashpër, sa konformist po aq edhe mospajtues, të cilat çuditërisht e shndërronin jetën në skena netësh të errëta.

Apokalipsi i një logjike të zhveshur prej koracës së një ekzistence të rëndomte mjegullore, e orientuar dhe tunduar nga përkohësia dhe fataliteti absurd.

Jamarbër Marko shuhet pas lëngimit të pashpresë dhe sëmundjes së pashërueshme, më 4 Shtator të vitit 2010. Duke u larguar herët prej kësaj jete që e mundoi si askush tjetër. Krejt i braktisur nga të gjithë e duke lënë pas shumë dorëshkrime të pabotuara.

 

Në vend të epilogut…

 

 

Jamarbër Marko, simbioza e jetës që kumti i poetit e imponoi të huazonte, për ta jetuar si një ëndërr. Me forcën e talentit që posedonte, për të krijuar imazhe duke shpërfaqur vikamat dhe klithmat e atij realiteti të trishtë, që dita ditës vriste jetë njerëzore. Por që politika dhe politikanët ia shndrruan në një makabritet, mizori dhe terr, në një elegji vetëvrasëse sizifiane.

Jamarbër Marko ose Madu, njeriu dhe shpirti simbol që personifikonte çdo ditë në jetën e tij gjurmët sifiziane të një ndëshkimi krejt pa asnjë faj. Qenia që pavarësisht nga zhgënjimet dhe goditjet që ai mori në jetë, personifikoi fisnikërinë, optimizmin, mirësinë, vetë shpresën e heshtur. Deri në ditën e fundit të frymëmarrjes së tij,d uke u lartësuar si një martir ngadhnjimtar. Duke u larguar për të mos u kthyer kurrë mbrapa, ndonëse ende kishte shumë për të ofruar dhe krijuar. E të gjithë ne që e adhuruam, duke shpresuar në surprizën e zgjimit të tij, një ditë të bukur e të shndritshme pranvere.

Zëkumbuesi, poeti dhe gazetari Jamarbër Marko, një intelektual me kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e letrave, në letërsi dhe në arte. I heshtur, serioz, i paqtë dhe i pasionuar pas vargut, nuk mundej kurrë të imagjinonte, se jeta e tij do të shkrihej në kalvarin tmerrues e gjakatar, nga birbot e pashpirt të një rregjimi totalitar.

Ndofta aty ku përzgjodhe të fluturoje në atë qoshëz të praruar të parajsës së Përjetësisë, Madu ligjëron natyrshëm në vetminë e tij të panginjur. Diku aty ku i tejlodhur, tejmunduar, i braktisur, nga bota neveritëse e ndërtuar së prapthi prej hijeve vrasëse. Ndofta diku aty të priste Liria, aq shumë e kërkuar prej shpirtit tënd të përkorë e martir.D iku aty krijon krejt i pandikuar dhe papenguar nga çibanët tronditës mëkatarë, që padrejtësisht shkaktuan dhimbje, të dridhura dhe lotë edhe tek vetë Shekulli dhe Universi.

Jamarbër Marko sot do të kremtonte përvjetorin e 70-të të lindjes. Ndonëse fizikisht nuk ndodhet i pranishëm, ndonëse na mungon, ai ndodhet i pranishëm mes nesh përmes vargjeve të tij. Përmes kumteve të frymëzuara duke u përjetësuar me dhimbjen, me makabritetin e mundimit, me të parrëfyerat parathënie të frikës mizore.

Gjithsesi, edhe pse jeta e Madut ishte fatalisht tepër e shkurtër, për kujtesën tonë si bashkëkohës, figura dhe personaliteti i tij, janë gjurmëlënëse dhe mbresëlënëse.

Opusi dhe ligjërimi poetik që fokuson gjithë imazhet e krijimtarisë së tij, është fiksuar në memorien dhe zemrat tona.Jo vetëm sot por edhe për të ardhmen,duke dëshmuar kësisoj vlerat dhe jetëgjatësinë e muzës krijuese të tij,si një pasuri e thesar të vyer.

Sepse frymëzimi dhe muza e poetike e një kolosi martir, një identiteti që gjithçka e ndau me ne, me shpirtrat njerëzore mes të cilëve ai u përkiste dhe jetoi. Vokacioni i Jamarbër Markos as zvenitet dhe as harrohet, përkundrazi faktori kohë e lartëson, duke i dhënë vlera dhe një rrezatim të papërsëritshëm.

Athinë, 19 Mars 2021.

 

Jamarbër Marko: Sot është e shtunë…

 

Sot është e shtunë…
Për mua dhe për ty
Për të gjithë.
Për të gjithë ata
Që patën diçka në tokë.

Sot është e shtunë
Edhe për ata që janë mërzitur
Për ata që nuk dijnë të jetojnë.
Është e shtunë edhe për ata
Që nuk janë më.

Sot është e shtunë
Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë
Për lodrat që u luajtën
Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.

Sot është e shtunë
Edhe për ata që nuk e dijnë këtë gjë
Që vuajnë e s’janë të lumtur.
Vetëm sot është e shtunë,
E dëgjova në rrugë
Në derën e spitalit.

Sot është e shtunë
Edhe sikur askush të mos e kujtojë…
Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur,
Por për madhështinë e një dite
Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.

Është e shtunë
Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër
Si kjo e sotmja
Dhe dikush mund të thotë
Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë,
Se asnjëherë, asnjë ditë
Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh
Jetën e madhe përpara një bluze
Të thjeshtë dite
Siç është dita e shtunë.

Ditë e shtunë sot
Që u përsërit aq shumë
Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot
Me lehtësinë e atyre që jetojnë
Të mbështjellë nga e shtuna
Që si letër karamelesh
Bie mbi butësinë e vjetër.

Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër
Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo
Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër
Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi
Për t’ ua bërë më njerëzore,
Për t’ ua larguar sadopak nga pesha e kohës,
Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune
Ndaloi lozonjare dhe tha:

Sot është e shtunë
Kur filluam të kuptojmë
Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë
Për të larguar diku drejt pafundësisë
Nyjen e vërtetë,
Që lëkundet me përkëdheli
Brenda thellë së shtunës
Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve./albspirit.com

 

Please follow and like us: