Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: 23 mars 1941 lindi poeti Genc Leka

 

Genc Leka lindi në Bërzeshtë më  23 mars 1941. Babai i tij u arratis jashtë atdheut dhe u shpall tradhtar, armik i popullit, kur Genci ishte nëntë vjeç. Nënën ia internuan. Genci u rrit me të keq: u rrit jetim me prindër gjallë, me babanë të shpallur zyrtarisht armik i shtetit, me nënën në internim.

Prapë Genci vazhdoi shkollën në fshat e mandej shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan.

Ca kohë punoi mësues. E përjashtuan nga arsimi atë, gruan e tij dhe të motrën. Pas kësaj ai punoi në fermë.

Shkroi poezi, mblodhi lëndë gjuhësore, bëri studime etnografike. E deshi jetën dhe ashtu bujk në fermë, ia arriti që të pajtohej edhe me fatin, me nëpërkëmbjen, me dhunën. Me një fat që nuk e meritonte.

Shteti komunist ishte në armiqësi të shpallur me shkrimtarët dhe poetët se ata, për një urdhër që vjen nga instinkti i racës së tyre, janë për korrigjimin dhe deri për ndryshimin e botës përreth tyre. Ata dyshojnë te realiteti i ditës. Por për komunistët, dyshimi, pakënaqësia ndaj realitetit të tyre “të përjetshëm”, ishte i barabartë me vdekjen. Hëm, dyshuakeni ju tek ne, domethënë, dashkeni vdekjen tonë ju? Ha, ha, ha… pa bjereni këtu atë kokën tuaj që kërren vjersha, ta vëmë në cung dhe ta këpusim një herë e mirë, t’i japim fund dyshimit tuaj. Qenkeni të pakënaqur ju? Ejani se ua tregojmë ne se si të kënaqeni, do t’iu kënaqim me burg… me litar.

Të gjitha këto më lart dihen. Në rastin e Genc Lekës dhe të Vilson Blloshmit ato dalin në shesh me gjithë shëmtinë e tyre. Dalin lakuriq duart e përgjakura të një shteti që vret shtetasit e vet.

Të dy poetët u pushkatuan me një akuzë të sajuar e të rreme, me akuzën e sabotimit në ekonominë bujqësore të fshatit. Po të hetosh për dje dhe për sot në fshatin Bërzeshtë, në fshatin ku lindën dhe jetuan Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, nuk ka ndodhur kurrën e kurrës ndonjë sabotim. Akuza e sabotimit u shpik në zyrën e shefit të partisë së Librazhdit dhe iu dha për zbatim gjykatës së Librazhdit. Komunistët dështimet e tyre të njëpasnjëshme në ekonomi, i shisnin në publik si sabotime të armiqve. Armiqtë sabotonin në kënetën e Maliqit, armiqtë sabotonin në nxjerrjen e naftës, armiqtë sabotonin në bujqësi, në ushtri, në kulturë… Në rastin e poetëve të Bërzeshtës, hetuesia me torturë i detyroi disa nga të arrestuarit që ta pranonin krimin që nuk e kishin bërë: që janë sabotatorë, që janë grup sabotatorësh për të dobësuar ekonominë bujqësore të fshatit Bërzeshtë, dhe krerët e këtij “grupi”, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, u pushkatuan.

 Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,

Mos m’u sos jeta dhe unë nuk e di?

Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar,

Dhe pse po shkruaj të fundmen poezi.

Shuhet dhe mashkulli i fundit i derës Bardho Lekës

 

Petrika Leka lindi në vitin 1963 në fshatin Zdanjsh të Librazhdit ku ishte mësues Genci prej 4-5 vitesh. Në 1966 Genci shkon të kryejë shërbimin ushtarak. Petrika u rrit nën presion, frikë e varfëri më keq se babai i tij Genc Leka dhe motrat e tij. Gjiska u internua për shkakun e arratisjes së të shoqit të saj Bradho Leka. Genci u rropat nëpër balta dhe shi për disa vjet derisa arrestuan dhe e pushkatuan. Petrika mbeti jetim bashkë me motrën. Mbas vrasjes së Gencit, Zhuli bashkë me dy fëmijët u zhduk dhe nuk u kthye kurrë më në Bërzeshtë. Kur unë u lirova nga burgu në vitin 1991, meqënëse gjëndja politike nuk ndryshoi pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991 dhe unë emigrova në Greqi. Atje rastësisht, njoha Petrikën midis një grumbulli emigratësh që s’dinin nga vinin e ku ishin. Me Tikën punova për një farë periudhe në punë të rënda në Athinë derisa ai vendosi të ikë në Kretë.

Në Korçë, Petrika krijoi familjen e tij dhe pati dy vajza. Gjendja e tij ekonomike nuk ndryshoi dhe iu nënshtrua vazhdimësisë të fatit të keq. Për fat të keq, Petrika preket nga virusi Covid-19 të cilin e kaloi më vështirësi. Ai tregoi në një status në Facebook, se personeli i shërbimit të Spitalit të Korçës iu përgjigj me gjuhë brutale dhe nuk i shërbeu. Baballarët e sundimtarëve të sotëm i vranë me plumba babanë, Tikës me akuza të stisura.

Tika u bashkua me prindërit e tij tashmë i qetë sesa ishte në këtë botë të ndyrë persekutimesh…

Tika, pushofsh në paqe midis prindërve, pa u trazuar nga askush…

Lamtumirë…

Bedri Blloshmi, 23 Mars 2021.

 

Status i datës 19 shkurt 2021 në Facebook-un personal të Petrikës.

Shkova ne urgjence. Prita ne fund te rradhes. Isha I PAPUNE, i pasiguruar. Bera nje skaner per mushkerine dhe dola i demtuar ne mushkeri me graden 2. Mjekja e urgjences, specialistja e linjes Kovid, tha: “Ketij, po te dua i jap recete, ndryshe si jap! Dhe nuk me dha… Edi Rama…

Please follow and like us: