Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bledar Koçi

PËRMES QYTETIT TIM
Ja, erdha prapë si miturak
Të zbraz një shpirt plot mallëngjim,
Ku udhët vijnë e mblidhen qark
Si dej përmes qytetit tim.
Në gurë gdhendur dy sorkadhe,
Më presin gjithë dashuri!..
Nga ç’pyje zbritën vallë, nga ç’male
Syngrirat nëpër gurët gri.
Më josh një qoshk në trotuar
Të prek kujtimet një nga një,
Më tej një pishë halash tharë
Më zë përdore e s’më lë.
Mbi gjarpërushen, tek dihas,
Një shkallëz shkëmbi gjer mbi re,
Patjetër nis me një parajsë
Qytezë, shpezë në fole.
Përtej gjallon i qetë një lumë
Që s’vjen e s’rrjedh si gjithë të tjerë,
I vetëm, shekujsh gdhend me zhurmë,
Të tijin shtrat nëpër humnerë.
…..
Si miturak, ja erdha prapë
Të zbraz një shpirt plot mallëngjim
Ku udhët vijnë e mblidhen qark,
Si dej përmes qytetit tim.
Çorovodë, 2019.
SHKËMBI I SHERRIT
Gjigand.
Hijerëndë…
Nën supet ngrehur
Ti vetëm hedh vallen i ngrysur
Se s’flet me askënd.
Në sherr me erën?
Me shiun?
Me Zotat?
Me njerëzit?
…Currila argjend të rrjedhin
mbi gjoksin e heshtur.
Vigan.
Misterioz..
Në shekuj sherrxhi.
Fustanellës së gurtë,
veç gurët të flasin.
Me gjurmë stuhish.
Që përplasen me klithma,
dhe vdesin të ngrira
Tek ti.
AROMË MALLI
Dhè i Atit tim
Dhimbje pa shërim.
Baltën, ëmbëlmjalta,
Botës, zemrës mbajta.
Dhè i Mëmës time
Ç’më nise me dhimbje
Ik bir ik.
Kur tê kaptosh male
Amanet të lë;
Merr njê torbë me dhè
Lule mbill në të
A njê trëndafil
Kur të jesh atje,
Aromë të të sjellë
Mall prej gjirit tim.
NOSTALGJI…
Më prekin çaste nostalgjie
Si zogj të ardhur larg,
Me nanurisje vegjëlie
Ndër shpëndra varg e varg.
…Tek shkoj përtej në një djerrinë,
Ku ngre aromë tërfili,
Djersitur, buzët i lëpijnë
Limoni dhe Kazili.
Të dy të mprehur në parmendë
Qaforesh me tevligë,
Çajnë poshtë brezares rëndë-rëndë,
Përfund një arre-bigë.
Nën zgjedhë ofshajnë turfulluar
Selishtës tejmatanë,
E unë gëzoja i harbuar,
Hipur përmbi branë.
Si këngë më dukej dërrm’ e plisit
Fluturza vinin pas,
E pas Limonit e Kazilit
Më hapej një parajsë.
…Kaq herë atje bulon pranvera
Brezares, jonxhës, misrash.
Mëngjesesh vesën përshkund era
E brana u kalb plisash.
Veç arra-bigë mbet’ në djerrinë…
Dhe shpirtin ma besoni;
Aty ma prekin vegjëlinë,
Kazili dhe Limoni.
VAJZA ARVANITE
Më derdhte qepallës
Vështrimin prej drite
Atje në ugare
Një vajzë arvanite.
Trup-vogla zeshkane
Avitej si ngjalë
Me buzë çuçuriste
“Ç’u bëshe vre djalë?
E unë kuqëloja
Në faqet si zjarri,
Ashtu si shalqijtë
Sërë-sërë te ugari.
Ajo, dhelpërushe,
Rrëshqanas mbi dhè,
Rrëzë veshit më fliste
“Sa vitra i ke?
Çalltisur mendoja
E druaja një frike
Si puthej, s’e dija..
Një vajzë arvanite.
Ç’të bëja, ç’ti thosha,
Se s’doja gjë tjetër.
Veç puthjes tek rendja
I verdhur si pjepër.
Dhe ika me vjeshtën
Ugarit, kaq vite
Me pengun që s’putha
Një vajzë arvanite.
———
* Ç’u bëshe – Ç’u bëre
Sa vitra – Sa vite
LISI ZGËRBONJË
Flinte lisi zgërbonjë.
M’u duk i vogël tek kotej më këmbë mbështetur hijes së tij.
E pushtova me duar lëkurës së rreshkur, dhe pse duhej një shkrepëtimë për ta zgjuar..
Rritur rrufeve lisi zgërbonjë…
Pranë tij, dhe unë.
Dikur, fëmijë, si trimosh luaja shpatash me të siç luftonte me shpata vetëtimash stuhish e krenohej krah shokësh..
S’e zgjova lisin zgërbonjë.
E lashë të flinte hijes së tij të vogël teksa madhështohej kujtimeve të mia.
MJEKU I TRI KONTINENTEVE
“…Pak gjak o njeri”
U dëgjua një zë-ngjirur.
Dhe brofi..
Mjeku i tri kontinenteve.
E shtrydhi rrëkezë gjakun nga një e prerë në krah, mbi një gavetë lufte.
Dëgjoheshin sërish britma të mbytura llogoresh.
U ngjeth në mish e në shpirt.
Ai…
Kur ato çaste mblidhte cifla kockash e ndërtonte këmbët e copëtuara… njësoj si ato të diellit që thyheshin e binin muzgjeve mbi fushëbetejë.
“…Pak jetë o njeri”
Të dhimbsura thirrjet!
E mjeku i tri kontinenteve kullonte rrëkezën e tij… teksa kish hedhur një zemër tryezës së drunjtë dhe gatiste me thonj të gjakosur tjetër jetë.
T’a hidhte ndër luftra të reja…
“…Pak fryme o njeri”
Britmës së një tjetër shekulli
Po ngrihet Shpirt, Ai.
Please follow and like us: