Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Kryegjyqtarja e Elbasanit, kur sfilata peshon më shumë se krimi

Kryegjyqtarja e Elbasanit është vënë në shënjestër të mediave. Disa video të hedhura në rrjet, s’dihet nga kush, e paraqesin tek bën sfilatë mode në zyrën e gjykatës, reklamon makinën luksoze dhe të tjera veprime të këtij lloji, që vijnë në kundërshtim me kodin e etikës së gjyqtarit.
Njoftohet gjithashtu se organet drejtuese të gjyqsorit kanë nisur procedurat për pezullimin dhe shkarkimin e kryegjyqtares që u shfaq në rrjet si adoleshente mendjelehtë dhe jo si drejtuese gjyqsori në një nga qytetet më problematike, ku krimi jo rrallë ‘gjen shesh e bën përshesh’.
Po të jesh i vëmendshëm, në periferi të këtij vërshimi mediatik mund të pikasësh edhe një fakt shumë më skandaloz se videot me sfilata. Para dy vjetësh ministrja e drejtësisë ka kërkuar verifikimin e një vendimi të dhënë nga po kjo kryegjyqtare, vendim që linte të lirë një të burgosur të dënuar me burgim të përjetshëm pasi kishte kryer dy vrasje.
Sfilatat në zyrë janë vërtet shkelje etike, por falja e një krimineli, që ka marrë jetën e dy njerëzve, është krim bërtitës. Për etikën organet drejtuese të gjyqsorit po veprojnë shpejt dhe rreptë, për atë që ndodhi dy vjet të shkuara dhe ngjan të jetë krimi bërtitës duket se nuk e vunë ujët në zjarr, thjesht e kthyen në një gër-mër burokratik.
Reforma në drejtësi po bën punën e vet, mund të thoni. Edhe kështu mund të jetë, vetëm se mbetet diçka që të vret veshin: mbulimi mediatik i këtyre dy thagmave është po aq disproporcional e alogjik. Për sfilatën shpërthen një yrrja-byrrja gati totale, për faljen e kriminelit pati pothuajse heshtje ose shumë shumë ndonjë gogësimë mediatike.
Vras mendjen dhe s’di të them nga se shkaktohet ky disproporcion vrastar. Thua të vijë nga fakti se allishverishet në drejtësi janë kaq të shpeshta saqë rrallë përbëjnë lajm? Apo vijnë nga që po bëhemi ‘modernë’ dhe po anojmë nga gjërat e lehta e argëtuese? Dhe më e vështira për t’i dhënë dum: prirjen për të folur me përparësi për gjëra të lehta, argëtuese e sensasionale na e injektojnë mediat apo e kemi vetë si shoqëri?
Please follow and like us: