Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: KUR MË NDAU NJË ATLANTIK

Lexoj lotë mbi dy gisht letër,
Që më nis i vjetri mik.
“S’jam më unë, ndihem tjetër
Kur më ndau një Atlantik”.
S’i gjej më as miq e shokë.
Netët po më ndjellin frikë.
Peshoj mall e brengë me okë,
Tej për tej mbi Atlantik.
Pres një lajm e si me ngutje
Telefonin më s’e fik.
Tek im atë la një lutje:
“Mos u hidh mbi Atlantik”.
Zogjtë, ndryshe nga ç’kam parë.
Njerëz bosh, të veshur shik.
Qiej pa ngjyrë e vetmitarë
Tjetrit breg në Atlantik.
Përmes syve baret nëna,
Fjalë e saj më ngulet thikë.
“Jam me ty, ku të rreh zemra
Tutje, përmbi Atlantik”.
“Rri”, një zë më thotë përbrenda.
Tjetër zë: “Ngrihu e ik”!
Mbetën varur shpresë e brenga
Pezull përmbi Atlantik.
Please follow and like us: