Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Mustafa V. Spahiu

 

 

MALLI  I  PAZBULUAR

 

 

Si qasem mallit të pazbuluar

– Droj se më mbërthen flaka!

Globi s’mbahet n’dy shuplaka;

Zgjidh enigmën pa lavdëruar!

 

Malli është një pikëllim i vjetër,

Malli shtatë fish duhet palosur;

Brengë mbi brengë – i pasosur,

Me myreqet shkruhet në letër…

 

Malli e kërkon – rrugën e mbarë!

Si kec vekërron lartë n’shkrepa.

Me monetat t’futet nëpër xhepa;

S’ngrihet n’ajër – zog shtegtarë.

 

Demede – them – plasa nga malli!

Behar degët lëvar pa kok’rra mani!

Tretur e kalbur – ç’po loton tavani;

Kërkoj yjesh – humbisin nga halli!

 

Më godet malli paç papandehur,

Në ç’guvash ka bërë kaq durim?

Zjarr’i mallit të bëhet rikallëzim –

Rrënjësh bërsheni rrin i fshehur!?

E mërkurë, 2 qershor 2021, në Dardaninë Ilire

 

 

SHKREPAT ME BAJRAQE

 

Shtigjet e gjata janë thepa-thepa,

Zëri im dëgjohet në shtrëngatë, e

Visoret e mia më presin dit’e natë,

Dua të jam alpinist nëpër shkrepa!

 

Cicërimë trishtilash pastaj ndjeva,

Gjelbëroshe e nuhata virgjërinë…

Malit gjezdisja-poshtë n’lëndinë,

Sorkadhet në vrapime i ktheva,e

 

Shkrepat vesë m’mbushën gotën,

Për dhuratë s’dija seç të dhuroja?

Dhe shkrepash këngë iu këndoja;

S’i këmbej shkrepat për tërë botën!

 

Male e shkrepa i kam t’trashëguar,

Ato imazhe sa m’janë madhështore!

Kur ndërroi hapa m’mbajnë për dore,

E trëndafilat e egër – petalegufuar…

 

Për shkëmbinj rri paq i mbështetur,

Nëpër shkrepa shëtis përngaherë.

Bajraqe kujtimesh – janë pranverë;

Mbeta nëpër shkrepa poet i thekur!

E martë, 1 qershor 2021, në Dardaninë Ilire.

 

 

NËPËR VISET DARDANE

 

Endem nëpër tëra viset dardane,

Iu përulem me pietet çdo NËNE!

Janë trimëresha mbi trimëresha,

Për atdheun digjen sikur eshka…

 

Ndizen mbi hi zjarresh – Fenikse,

Me motrat tjera janë kaq fisnike.

Sofrës t’presin me bukë melekuqe,

Stolisur me simbolin – lulëkuqe…

 

Tundin dy-tre djepash në mes are,

Urojnë foshnjet t’bëhen shkollare!

Ç’merr Anamorava deri te Kelmendi,

Me riosh t’mbushet Kosova – vendi!

 

Prillit të moshës – mrekullitë i falen,

Dardanisë rrezet – ngrohtë t’ndalen.

Kreshtëbardhës ku gjëllinë Shipoli,e

Tej thellësive ku shtrihet Konispoli…

 

Viset dardane e nderojnë njerëzinë,

Mademe të tokës e kanë dashurinë.

Gjak e qumësht ujiten viset dardane,

Zemërçelur uratë nga çdo gojë nëne.

E mërkurë, 2 qershor 2021, në Dardaninë Ilire.

 

 

Please follow and like us: