Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: Kosova dhe idealet e Lidhjes së Prizrenit

Lidhja e Prizrenit konsiderohet si lëvizja e parë nacionale shqiptare, me program relativisht të qartë politik. E formuar në Prizren më 10 qershor të vitit 1878, tri ditë para Kongresin e Berlinit, për qëllim kishte kundërshtimi e zyrtarizimit të ndarjes së tokave shqiptare nga Fuqitë e Mëdha – në dobi të malazezëve, serbëve, grekëve dhe bullgarëve – sipas të ashtuquajturës Paqe e Shën Stefanit. Meqë kërkesat e tyre hasën në veshin e shurdhër, atëherë nis rezistenca e armatosur shqiptare për mbrojtje të tokave të tyre.

Rezultatet e rezistencës së Lidhjes së Prizrenit të gjithë i dimë. Edhe humbjet e tokave fal intervenimit të sulltanit osman që kishte dërguar një ushtri të madhe me qëllim që t’i vinte fundi rezistencës ushtarake dhe idealeve të Lidhjes për autonomi politike, ekonomike dhe kulturore të katër vilajeteve shqiptare (si një njësi).

Mirëpo, pavarësisht nga disfata, Lidhja Shqiptare e Prizrenit kishte arritur të prodhojë diçka të jashtëzakonshme: aktivitetet patriotike të viteve 1878-1881 shpërfaqën një lëvizje të mirëfilltë nacionaliste shqiptare, por gjithashtu nxitën lëvizjet tjera politike të shekullit XX. Është pikërisht vetëdija e krijuar nga kjo Lidhje që në vitin 1912 çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Përpjekjet për liri dhe shtet të përbashkët për të gjithë shqiptarët në Ballkan nuk kanë pushuar asnjëherë. Lidhja e Prizrenit është guri i parë themeltar i çdo lëvizjeje kombëtare, sidomos në Kosovë, gjatë tërë shekullit XX. Këto lëvizje kulmuan me deklaratën e 2 korrikut të vitit 1992, me çlirimin e Kosovës në vitin 1999 dhe me shpalljen e pavarësisë se Kosovës në vitin 2008. Mirëpo, siç e dimë, projekti mbarëkombëtar i Lidhjes nuk është i përmbyllur akoma. Ne kemi dy shtete, por Kosova akoma është projekt i lënë në gjysmë. Përderisa Kosova nuk bëhet anëtare e institucioneve ndërkombëtare me të drejta të barabarta me të tjerët, nuk do jetë shtet normal. E, pa qenë shtet normal, nuk mund të pretendohet prosperiteti politik, ushtarak, diplomatik, arsimor etj.

Barriera kryesore e përmbylljes se shtetësisë së Kosovës është marrëveshja me Serbinë. E, siç po zhvillohen gjerat, për marrëveshje kërkohen koncesione. Koncesionet nuk i kërkohen Serbisë, por Kosovës. Kjo duhet thënë hapur dhe drejtë. Dy janë koncesionet e mundshme: entitet politik serb brenda ligjit tonë ose ripërkufizim të kufirit. Personalisht nuk kam asnjë dilemë: krijimi i një entiteti politik brenda trupit tonë nënkupton vazhdim të agonisë. Kjo i konvenon edhe Serbisë dhe shteteve që nuk duan një Kosovë të fortë. Kosovës dhe shqiptarëve i duhet një zgjidhje e qartë politike, ndërkaq zgjidhje më e mirë e më pak e dhimbshme është riperkufizimi i kufirit me fqinjin tonë verior.

Realiteti i sotëm e zhbën realizimin e ëndrrës për bashkim të katër vilajeteve shqiptare. Por, një Kosovë stabile e përforcon pozitën e çdo shqiptari në Ballkan. Madje edhe të atij në Shqipëri. Një projeksion i tillë nuk është larg as idealeve të Lidhjes së Prizrenit./telegrafi.com

https://telegrafi.com/kosova-dhe-idealet-e-lidhjes-se-prizrenit/

Please follow and like us: