Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: PËR HERONJTË E LIRISË

E kam menduar dhe stërmenduar, shumë shpesh, pse e kam të vështirë të shkruaj për ju shokët e mi të fëmijërisë, heronjtë e Kosovës: Bedrush, Mensur dhe Feim. Pse sa herë që përpiqesha të thosha diçka për juve, fjala nyjëzohej dhe nuk mund të shkruaja një fjali të vetme? Nuk kam guxuar të shkruaj asgjë për heroizmin tuaj, jo sepse nuk di, por sepse gjithmonë jam ndier i vogël të flas për këtë. Doja të shkruaja për diçka tjetër, për fëmijërinë, rininë tonë, ëndrrat tona të përbashkëta, librat që kemi lexuar dhe shkëmbyer shpesh, dhe shumë e shumë gjëra të thjeshta, gjëra krejt të vogla dhe njerëzore.
Mosguximi im buron nga disa arsye. Por arsyeja kryesore ka të bëjë me faktin se ish-shokët tuaj, të gjithë ne të gjallët, jemi zhytur në batakun e hipokrizisë, demagogjisë, llafazanomanisë, thashethemeve, epshit për pushtet, nepsit për zhvatje materiale. Ne të gjallët nuk po lëmë asnjë gur pa lëvizur për të siguruar një pozitë që ka pushtet dhe para, për të shfrytëzuar lidhjet tona dhe për t’i dhënë secilit anëtar të familjes një diplomë akademike edhe pse e dimë që ata do të mbeten të diplomuar injorantë. Po e hamë turpin me bukë, por turp nuk kemi.
Nëse ju, shokët e mi të fëmijërisë dhe rinisë, do të më pyesnit nëse po jetojmë në liri, do të thoja po, sot kemi liri me bollëk, por nuk po dimë dhe nuk po duam ta kufizojmë lirinë. Ende nuk kemi institucione, nuk kemi shtet që të na garantojë lirinë për të cilën keni derdh gjak.
Po e mbyll shkrimin duke parafrazuar një fjalim të Presidentit amerikan Abraham Lincoln për luftëtarët dhe të rënët për liri: “çdo fjalë e shqiptuar këtu nuk ka asnjë vlerë përpara trimërisë dhe guximit të heronjve që dhanë jetën e tyre për lirinë e atdheut… Është detyrë për ne të gjallët, t’i përkushtohemi punës… të nderojmë sakrificën e tyre për liri dhe të kuptojmë se ata nuk kanë vdekur kot – se ky komb, me emër të zotit, duhet të ketë lindje të re të lirisë…”.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i tre heronjve: Bedrush Gashi, Mensur Zyberaj dhe Feim Gashi!
Drenovc, 14 qershor, 2021
Please follow and like us: