Albspirit

Media/News/Publishing

23 nëntor 1923/Liceu i Gjirokastrës me drejtorin francez, Viktor Kutan

Më 23 nëntor 1923 në qytetin e Gjirokastrës u çel Liceu me drejtorin francez Viktor Kutan, Çelja e Liceut zuri faqet e para të gazetave lokale, u përshëndet edhe nga shtypi shqiptar jashtë Gjirokastrës, nga komunitetet shqiptare në vende te ndryshme.

“Çupat me çanta në duar, shkuan në lyce, shkruan në ditarin e tij demokrati patriot Jorgji Meksi -themeluan të parën lyce nacionale mikste, për gëzim të qytetarëve e për inat të miqve të pakë të errësirës medievale (mesjetare). Gjirokastra tregoi edhe një herë se është në ballë të arësimit dhe të progresit”.

 

 

Për mbarëvajtjen e Liceut, kontribut të vyer dha edhe drejtori francez Viktor Kutan, burrë me shtat mesatar, i hollë, pak i thinjur, i veshur shumë mirë, me xhaketë të zezë dhe me pantallona me vija.

Hamit Kokalari në librin e tij me kujtime thotë se drejtori Viktor Kutan ishte i pastër dhe i përpiktë, shumë i kujdeshëm për mbarëvajtjen e Liceut të Gjirokastrës, shumë punëtor megjithëse ishte shëndetlig.

Kutan, pasi shkoi në Francë, pas ca kohësh, u gjend i vdekur, ndërsa udhëtonte me tren për në qytetin e tij te lindjes. Kjo ngjarje bëri jehonë ne shtypin francez, gazetat e Parisit shkruan disa kollona, ndërsa shtypi lokal, gazeta `Demokratia` e Gjirokastrës, i kushtoi fjalë të sinqerta ngushëllimi dhe vlerësuese në kontributet e tij për shkollimin e rinisë gjirokastrite./gjirokastraonline

Please follow and like us: