Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: SHIGJETA

Tregim
Atij i është mpirë krahu tek harku. Shigjeta rri palëvizur. E palëshuar. Në të vërtetë nuk e ka kuptuar se kush e ka tendosur harkun.
A është shigjeta shpëtimtare, vrasëse a bartëse e një fati të ftohtë që ruan simbolet, metaforat, analogjitë, bisqet e reja nga shermente të vjetra, ose shtëpinë e miteve, legjendave, rrëfenjave, përrallave e historive të fshehura në bërthamë të gurëve?
Ku do të mbërrijë në të vërtetë nëse lëshohet pasi trajektoria nuk është e qartë, tek mendimi i zhveshur me kuptim për të gjithë, mendimi ndjenjë, ide, ekzistencë, mendimi i lakuar ndër identitete apo mendimi që dhemb?
Rastësisht jam ndodhur udhëtar e interpret i kuptimeve në kapërcim të caqeve për të lidhur skajet e kundërta, ndërsa besoj se jam krijuar nga gjithë librat që kam lexuar.
Më ndjek pritë pas prite, në shteg askeze, sakrifice, në shmang, në ikjen e pakthyeshme për të mbërritur tek pastërti e llojit, në të vetmin liman, në gjuhën e perëndishme ku lindim e vdesim.
Nuk e di ç’ndodh me syrin e tij, por fillimisht i mjekoni krahun mos paralizohet se kam frikë që bie shigjeta përtokë e mbin topitje e mendjes.
Please follow and like us: