Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: Ing. Hektor PETROMILO, NJË JETË AKTIVE, MISIONARE DHE PËRKUSHTUESE NË SHËRBIM TË INXHINIERISË MEKANIKE!

 

 

Portret i paautorizuar në përvjetorin e ditëlindjes së intelektualit misionar dhe inxhinierit të shquar, Hektor Petromilo.

 

 

Në vend të prologut…

 

Askush nuk mund të kontestoj faktin se përditshmëria e jetës,na përball me imazhe, me individë e figura të njerëzve aktivë dhe të rëndësishëm. Personalitete me integritet, të mbrujtur me një shpirt bujar e plot dashuri, me potenciale të pafundme njohurish e dijesh, iniciatorë dhe të përkushtuar. Që pavarësisht rrethanave apo vështirësive jetësore, me vullnet, me kontributdhënien dhe punën e tyre, janë shndërruar në mite reale dhe inspirues admirues në rrugëtimin jetësor.

Teksa flasim për figura dhe njerëz të mrekullueshëm, në mendjen tonë ravijëzohet një imazh respektiv. Sepse në përditshmërinë e vetë jetës,nuk janë të paktë ata individë, që fokusohen dhe përpiqen seriozisht, për të realizuar më të mirën e mundshme. Duke mundësuar kësisoj të materializojnë dhe njëherazi të shndërrojnë ëndrrat e tyre, në një realitet të vërtetë. Inxhinieri Hektor Petromilo, është një prej atyre individëve, që qysh në hapat e para të moshës fëmimore, kishte piketuar pak a shumë synimet dhe qëllimin thelbësor të jetës së tij.

Të shkruash e portretizosh një figurë autentike si personaliteti i gjithanshëm i intelektualit të mirëfilltë, Ing. Hektor Petromilo, realisht është një sfidë paksa e privilegjuar, ashtu sikundër njëherazi edhe një përgjegjësi e pashmangshme.

Ing. Hektor Petromilo qysh në hapat e para të karrierës së tij profesionale, në industrinë mekanike shqiptare, rrezatonte këmbëngulje të jashtëzakonshme dhe një përkushtim, që frymëzonte për të arritur përmes punës efektive rezultatet e dëshiruara. Një figurë e sprovuar, një emër rrezatues, një njeri dinamik që dinte të pretendonte dhe drejtonte me fuqi të hekurt dhe fleksibilitet, për mbarëvajtjen dhe ecurinë efektive të uzinës mekanike të Naftës. Një misionar i palodhur dhe papërtuar, me një kontributdhënie të jashtëzakonshme, me urtësi dhe maturi, duke ndikuar në hedhjen e bazave të shëndosha të industrisë mekanike të naftës e duke lënë gjurmë të pashlyeshme në rrjedhat e kohës.

Vitet dhe kohët përkonin me sfidat e mëdha të shoqërive për t’u fokusuar në hedhjen e bazave të rëndësishme të zhvillimit të industrisë. Bazuar natyrisht në shkencat mekanike e cila shihej si domosdoshmëri imperative në proceset e evoluimeve të jetës social-shoqërore të vendit. Kësisoj vlerësohej dhe kërkoheshin inxhinjerë të përgatitur e të kualifikuar, për të mundësuar çeljen e dritareve të mëdha të perspektivave dhe mundësive të ekonomisë së brishtë të një vendi, në periudhën e pasluftës e rindërtimit, për të kryer një hop cilësor. Sepse shkencat inxhinjerike ashtu sikundër edhe specialistët e saj motivues,mund të ofronin hapësirën e duhur si edhe potencialin e njohurive të nevojshme dhe themelore për premisat e zhvillimit. Sikurse edhe një mendësi dhe mënyrë unike të të menduarit, të kompozimit, por edhe të analizës dhe trajtimit të çdo lloj problemi me natyrë teknike.

Sepse shkenca e Inxhinierisë Mekanike dhe misioni i saj, konsistonte në thelbin e funksionimit të inxhinierisë në impaktin dhe mundësitë e zgjidhjes së problematikave komplekse por njëherazi edhe të ndërtimit të mekanizmave të integruar. Vlerësuar natyrisht që hapësirat e zbatimeve praktike të fushës së shkencave të Inxhinierisë, ishin realisht të pashtershme dhe çdo zbulim i ri, çdo synim dhe hap përpara, krijonte edhe më shumë sfida në çeljen e rrugëve të reja për eksplorim dhe veprim.

Si një njeri dhe specialist parimor dhe tepër i përpiktë, Ing. Hektor Petromilo spikaste dhe karakterizohej nga dashuria për specialitetin dhe punën e tij,duke siguruar njëherazi një bashkëpunim të përkryer me gjithë kolegët, me eprorët dhe gjithë bashkëpunëtorët e punonjësit e tij.

Ing. Hektor Petromilo rradhitet dhe i përket atij grupi fillestar që spikati si një student aktiv dhe ambicioz në auditorët e universitetit ku studioi. Duke vlerësuar dhe u përkushtuar në studime të thelluara në shkencën inxhinierike që e tërhoqi si një magnet, për të mundësuar zotërimin e horizonteve dhe perspektivave të ndritura, si mundësi potenciale për të në rolin protagonist të inxhinjerit. Vetë rastësia e fatit ndikoi dhe dëshmoi që Ing. Hektor Petromilo duket se kishte lindur për t’i shërbyer si një emisar i vyer, shkencave inxhinierike mekanike. Ai e kishte të mbrujtur në gjakun e tij, fillimisht duke rënë në dashuri e mandej me një pasion admirues, të fokusohej dhe jepej me shpirt dhe trup pas evoluimeve dhe zhvillimeve të saj. Dhe si një njeri me virtyte dhe një luftëtar për progresin,vetë rezultatet, puna e tij, e tregonte më së miri këtë aksiomë kaq harmonike.

 

Rrugëtimi jetësor dhe ai profesional…

 

 

Vetë jeta dhe rrugëtimi i cilitdo individi, përbën një sprovë, një sfidë dhe shembull sakrifice, për të realizuar synimet dhe ambiciet por edhe për të arritur më të mirën e mundshme,si në aspektin vetiak po ashtu edhe për atë familjare ashtu sikundër edhe për komunitetin dhe mbarë shoqërinë. Pak a shumë e tillë ravijëzohet edhe jeta e Ing. Hektor Petromilos, që erdhi në jetë një ditë të ngrohtë vere, që përkonte me datën kalendarike të 23 Qershorit të vitit 1940,në fshatin e Palasës në Himarë, si pinjoll dhe gëzimi i birit të parë, në familjen e Aleks Petromilos. Familja e tij i përkiste një fisi të njohur, me merita dhe me tradita të hershme në Palasë e më gjerë në trevën e Himarës. Një fisi unik, me cilësi dhe virtyte të pakrahasueshme, me një etje pasionante për dijet, me dashurinë për punën dhe respektin e thellë për njerëzit.

Ati i tij, Aleks Petromilo,emërnjohur në trevën e Himarës e atë të Vlorës,si një ndër mekanikët teknikë novator dhe me aftësi krejt të veçanta. Duarart e mendjempreht, që përmes një ndjenje të lartë përgjegjësie dhe serioziteti, për më tepër se tre dekada, ofroi kontributin e tij të paçmuar në ndërtimin dhe montimin e veprave më të rëndësishme industriale në rrethin e Vlorës. Njëherazi nuk ishte asfare i rastësishëm fakti ogurmirë, që falë aftësive dhe përpjekjeve dinamike të Aleks Petromilos,u mundësua që vendlindja e tij Palasa, të mund të prodhonte energji elektrike për nevojat e veta. Duke u ravijëzuar qysh në vitin 1955, si fshati i parë në trevën e Himarës, që përmes një hidrocentrali të vogël, të siguronte njëherazi ndriçimin e gjithë familjeve të fshatit.

Gjithësesi, Hektor Petromilo vitet e fëmijërisë së brishtë i kalon në vendlindjen e tij në Palasë, pranë vatrës familjare. Madje aty starton edhe mësimet fillestare duke vijuar shkollën,si nxënës i mësuesit të spikatur qeparotas, Kleanth Lani. Ndërkohë që kushtet e jetesës familjare, diktonin që ati i tij të transferohej dhe zhvendosej aty ku e thërriste detyra, në veprat e mëdha e të rëndësishme që realizoheshin në ato vite në hedhjen e bazave të rëndësishme të industrializimit të vendit. Kësisoj edhe Hektori vijon klasën e parë të startuar në Palasë, fillimisht në qytezën e Kuçovës dhe mandej në Vlorë. Odiseja e ndjekjes së mësimeve respektive, vijonte me të papriturat dhe entuziazmin e saj, duke ndikuar që Hektori tremujorin e parë të klasës së katërt ta mbyllte në Vlorë, ndërsa vijimin dhe përfundimin e saj, e kryen në vendlindjen e tij në shkollën e Palasës.

Mandej Hektori ndjek mësimet për dy vite rradhazi në qytetin e Vlorës, duke përfunduar respektivisht klasën e pestë dhe të gjashtë,ndërsa klasën e shtatë e starton dhe e përfundon pranë shkollës shtatëvjeçare të fshatit Dhërmi, ku në krye të saj qëndronte si Drejtor, Mësuesi Nako Koka e përkrah tij, mësuesit e respektuar si Marko Goreci, Kozma Kocani etj.

Ndonëse rritej me vështirësitë e pashmangshme të kohës, dëshira dhe pasioni për dijen dhe arsimimin, ishin simbioza mbizotëruese jetësore për Hektor Petromilon. Kësisoj, me përfundimin e shkollës 7 vjeçare, në vitin 1954, ai vijon shkollën e mesme pranë Politeknikumit në Tiranë, duke preferuar dhe ndjekur degën mekanike. Shquhet dhe spikat për arritjen e rezultateve të larta në mësime dhe në vitin1958 përfundon me rezultate të larta ciklin e mësimeve, duke u diplomuar si Mekanik i mesëm.

Në vjeshtën e vitit 1958, falë rezultateve të larta, Hektorit i akordohet e drejta e studimit universitar, në universitetin shtetëror të Ruses të Republikës së Bullgarisë, në fakultetin e Inxhinjerisë Mekanike. Ndjek dhe përfundon me sukses 4 vite rradhazi, teksa ndërpret brutalisht studimet e vitit të fundit, për shkak të prishjes së marrdhënieve miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë. Për rrjedhojë transferohet dhe vijon vitin e fundit të studimeve pranë Universitetit Shtetëor të Tiranës, ku përfundon me sukses ciklin e studimeve duke u vlerësuar për formimin dhe përgatitjen e lartë në çdo lëndë mësimore dhe në vitin 1963 diplomohet si «Inxhinjer Mekanik».

Me përfundimin e studimeve universitare,më 8 Gusht të vitit 1963, Hektor Petromilo emërohet dhe starton karrierën e tij profesionale si inxhinjer mekanik pranë Uzinës mekanike në qytezën e Kuçovës. Vite të mbushura me pasione rinore dhe të përballjes me sfida jetësore. Vitet e para u përkasin jo vetëm të ambjentimit me realitetin e ri, por njëherazi edhe në grumbullimin e përvojës si Përgjegjës i Repartit Mekanik të Uzinës dhe në vijimësi, si Kryeteknolog.

Si një inxhinjer specialist dhe intelektual shumëdimensional, me etikë shoqërore dhe profesionale, rreptësisht i përkushtuar ndaj novacioneve dhe faktorëve zhvillues, Ing. Hektor Petromilo fokusohej dhe tregohej tepër i kujdesshëm në përgjegjësitë dhe gjithë nivelin e shërbimeve dhe punëve që i besoheshin.

Si një hero i padukshëm dhe modest, Ing. Hektor Petromilo u përkiste atyre njerëzve që besonin se puna këmbëngulëse dhe vullneti ishte thelbi i suksesit dhe çdo arritjeje. Pasi asgjë e rëndësishme,asnjë lloj detaji, asnjë lloj sfide nuk mund të kurorëzohej me sukses, pa mundësimin e bashkëpunimit të ngushtë, pa kolegjialitetin respektiv dhe harmonizimin ndërdisiplinar.

Falë një mënyre krejt unike të të menduarit, të kompozimit, por edhe të analizës dhe trajtimit të çdo lloj problemi teknik, me largpamësinë që e mbisundonte, me korrektësinë, me meritë gëzonte respektin dhe mirënjohjen e gjithë asaj armate punonjësish të Uzinës Mekanike të Naftës, në Kuçovë. Ku për afro 17 vite rradhazi, nga pozicione të ndryshme, herë si inxhinier reparti e në vijimësi si Kryeteknolog e Kryeinxhinjer, e mandej si Drejtues i uzinës, patën fatin dhe nderin të bashkëpunonin ngushtë dhe me një mënyrë efektive me Ing. Hektor Petromilo.

Me punën metodike, misionare përkushtuese por edhe rezultative,me performancën e tij admiruese, Ing. Hektor Petromilo e shndërroi Uzinën Mekanike të Kuçovës, në promotore të aplikimeve dhe realizimeve shkencore dhe atyre teknike,disa prej të cilave edhe në ditët e sotme, kanë mbetur si unikale dhe të papërsëritshme për mundësitë dhe kapacitetet prodhuese dhe teknike të vendit. Si të tilla mund të veçojmë proceset e realizimit të prodhimit të gizës me grafit sferik, që u përdor për prodhimin e kollodokëve, këmishave të cilindrit për motorrat V2-300/500 Kf që përdoreshin gjërësisht prej industrisë prodhuese të naftës. Ashtu sikundër edhe aplikimi i procesit kimiko – termik, që lidhej me nitriçimentimin në detale shumë të rëndësishme të pompave të thellësisë, që përdoreshin efektivisht për nxjerrjen e naftës nga nëntoka deri në thellësitë 2500 m. Mandej u vijua në përdorimin e stampimit të pistonave nga alumini në gjendje gjysëm të lëngët, duke arritur kulmin e saj prodhues dhe zbatues, me prodhimin e tre sondave për shpimin e puseve për naftë dhe gaz deri në thellësi 1600 m, si edhe të një sonde shpimi për puse për naftë dhe gaz deri në thellësi 5000 m. Arritje thelbësore dhe rezultative për kohën, ku sugjerimet dhe këshillat e urta thelbësore të inteligjencës së jashtëzakonshme të Ing. Hektor Petromilos kanë luajtur një rol prioritar dhe vendimtar.

Duke vlerësuar me seriozitet shkallën e arritjeve, në Janar të vitit 1980, Ing. Hektor Petromilo transferohet familjarisht në Tiranë, teksa emërohet dhe angazhohet fillimisht në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave, si specialist dhe drejtues. Mandej me krijimin e Ministrisë së Energjitikës, angazhohet në rolin e specialistit pranë kësaj ministrie. Nevojat e kërkojnë që të transferohet e të angazhohet pranë Komisionit të Planit të Shtetit dhe në vijimësi në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, ku përfundon me sukses të plotë veprimtarinë aktive, në fund të vitit 1993, duke dalë në pension.

Për Ing. Hektor Petromilon, përpos angazhimeve të tij të shumta,një kontributdhënie modeste dhe e suksesshme, vlerësohet edhe në aspektin e prezencës aktive në botimin me përmbajtje teknike ashtu sikundër edhe tekniko-shkencore. Kolana e tij botuese përmban shtatë libra dhe tekste mësimore si edhe tekste shkollore, të cilat kanë shërbyer si manuale udhërrëfyese por edhe si tekste për shkollat e ulëta profesionale, për shkollat e mesme që përgatisnin teknikë të mesëm mekanikë, për ndërmarrjet e shpimit dhe nxjerrjes së naftës. Madje edhe për kategoritë e studentëve të Fakultetit të Gjologjisë dhe Minierave, që përgatiste inxhinjerë për shpimin e puseve për naftë dhe gaz, dhe për inxhinierë për nxjerrjen e naftës dhe gazit nga nëntoka. Një aspekt i vyer i botimeve të tij shkencore, dëshmohet edhe tek librat dhe botimet që lidhen me specialistët mekanikë që angazhoheshin dhe punonin në ndërmarrjet e industrisë së naftës, nga ku mund të veçohen librat «Mekaniku i Naftës», si edhe «Mirëmbajtja dhe riparimi i makinerive dhe pajisjeve të industrisë së naftës».

Νuk janë të pakta në këtë qasje edhe botimet e panumërta të artikujve shkencorë në revistat teknike dhe tekniko-shkencore të kohës. Ashtu sikundër edhe me qindra referate dhe kumtesa shkencore të referuara në veprimtari dhe aktivitete shkencore të vendit.

Si një personalitet i shquar Ing. Hektor Petromilo,përpos veprimtarisë aktive të tij misionare,ishte edhe një familjar i mrekullueshëm dhe një prind i kujdesshëm. Duke pasur përkrah në jetën e tij, bashkëshorten Margarita Kureta, familja dhe 3 vajzat e tij ishin natyrisht mbështetja dhe inkurajimi në hapat e suksesshme të jetës dhe rrugëtimit të tij profesional.

Si një dëshmitar okular i ngjarjeve të asaj kohe, ashtu sikundër edhe si një motivues energjik, autoritari dhe fisniku meritplotë Ing. Hektor Petromilo mban një vend të veçantë si simboli i një historie të gjallë midis figurave emblematike të industrisë së mekanikës shqiptare. Me një formim shkencor të nivelit të lartë dhe ndërgjegje shoqërore, ndër emisarët inxhinierë më të spikatur e më të aftë të mekanikës, me njohuri të thella në të gjitha fushat e dijes. Duke kontribuar fuqimisht në arritjet dhe zhvillimet cilësore të industrisë mekanike të vendit.

Si për proceset e studimeve dhe hulumtimeve konkrete dhe të përpikta, po ashtu edhe me punën e tij përkushtuese, të zellshme, të ekuilibruar dhe shumëdimensionale në aspektet tekniko-organizative dhe drejtuese,duke arritur dhe prekur suksese inovatime të jashtëzakonshme.

Me impenjimin e një individi pasionant që si mision të përkorë synonte dhe sfidonte vetë faktorin kohë. Duke ecur me ritme krejt të pazakonta, Ing. Hektor Petromilo, me performancën e tij admiruese, me natyrën e tij të papërtueshme, mundësoi që ëndrra dhe ide krejt të parealizueshme për kohën, të sendërtoheshin dhe bëheshin konkrete. Përmes mënyrave aplikative teknologjike krejt të papërsëritshme në praktikat e industrisë mekanike të vendit.

Për gjithë meritat,veprimtarinë aktive dhe kontributdhënien e tij misionare, Bashkia e Kuçovës e ka vlerësuar Ing. Hektor Petromilo me titullin e Lartë të «Qytetarit të Nderit».

Aktualisht, Ing. Hektor Petromilo jeton në Athinë pranë familjes dhe vajzave të tij, duke ndjekur me interesim edhe zhvillimet aktuale të vendit,e veçanërisht të Kuçovës e vendlindjes së tij Palasës.

 

Në vend të epilogut…

 

Kurrësesi nuk e teprojmë të nënvizojmë se Ing. Hektor Petromilo, në gjithë rrugëtimin e tij të suksesshëm profesional, dëshmoi se ishte një specialist potencial dhe drejtues gjithë shkëlqim përmes një kontributdhënie të veçantë dhe një imagjinate dhe mendjemprehtësisë krijuese.

Ing. Hektor Petromilo me rreptësinë por edhe me shpirtin dhe zemrën e mirë të tij, dëshmoi dhe ishte një shembull i gjallë për krijesën e tij «shpirtërore» profesionale, uzinën Mekanike të Kuçovës. Si një model i përkushtimit ndaj detyrës, me një moral të lartë dhe sfidues i mendjengushtësisë dhe pasivitetit barbar. Duke spikatur dhe lartësuar me meritë në dekadën e viteve 1960 dhe 70-të, potencialet prodhuese dhe realizuese teknologjike dhe shkencore të Uzinës Mekanike të Kuçovës, duke arritur suksese të ndritura në aspektet e zhvillimeve profesionale dhe tekniko-shkencore, duke mundësuar kësisoj me një përpikmëri dhe perfeksion, prodhimin e sondave «Tomori – 50» dhe «Naftëtari -200». E duke ofruar zgjidhje racionale, ekonomike dhe funksionale për zhvillimet ekonomike të vendit,por edhe duke e shndërruar njëherazi si një qendër bashkëkohore dhe lider i padiskutueshëm i mekanikës së industrisë së naftës për kohën,drejt lartësive të suksesit dhe shkëlqimit rrezatues.

Ndonëse vitet kalojnë, rishtaz gjurmët dhe veprimtaria e suksesshme e një vizionari, njeriut me integritet të lartë moral dhe specialistit, që konceptoi ide të guximshme dhe i zbatoi ato, Ing. Hektor Petromilo ende mbetet tepër i nderuar në qytezën e Kuçovës. Jo vetëm për thjeshtësinë dhe popullaritetin e tij të madh, si inxhinjer dhe drejtues i Uzinës Mekanike të Naftës, por edhe për gjithçka që bëri për atë qytezë dhe banorët e saj, duke përmbushur natyrisht më së miri, vizionin e tij jetësor.

Për njeriun e mrekullueshëm,për specialistin dhe inxhinjerin misionar, Ing. Hektor Petromilo, rëndësi thelbësore përbën fakti, se ai ka ravijëzuar një profil dhe trashëgimi të paçmuar me ngjyrat që shoqërojnë emrin dhe personalitetin e tij, si një model i ndriçuar, që gjithsesi duhet ndjekur nga gjeneratat e reja.

Me veprën e punën e tij vetëmohuese, me kontributin e madh, për më tepër se katër dekada rradhazi, Ing. Hektor Petromilo, si një simbol udhërrëfyes, përfshihet në aradhat e misionarëve të ndritur, të ikonave rrezatuese që i përkasin panteonit të figurave dhe personaliteteve brilante të komunitetit të inxhinjerëve të mekanikës shqiptare.

Në gjithë rrugëtimin e tij jetësor të deritanishëm, Ing.Hektor Petromilo, përpos karakterit dhe shpirtit njerëzor, përpos marrëdhënieve korrekte si një nëpunës i administratës shtetërore, konsiston me shkëlqimin e një individualiteti dhe profesionisti të pakrahasueshëm në fushën e industrisë mekanike.

Ing.Hektor Petromilo, me potencialin e veprës së tij të shquar, ka zënë vendin e tij të nderuar në panteonin e ndritur të misionarëve të industrisë mekanike shqiptare.Jo vetëm për karrierën dhe rrugën e tij të shkëlqyer shkencore aplikative, por edhe për përkushtimin e jetës së tij në fushën e drejtimit, të kërkimeve dhe progresit vizionar. Ashtu sikundër edhe për meritën e madhe, se me përvojën e tij,mundësoi trajnimin dhe kualifikimin e një sërë kuadrove të tjerë të gjeneratave pasardhëse, në fushën e inxhinjerisë mekanike.

Në këtë ditë festive të Përvjetorit të Ditëlindjes, si bashkëkohës,m e mirënjohje dhe respekt i urojmë Ing.Hektor Petromilos nga thellësia e zemrës, mirësi, gëzime, hare, harmoni dhe çdo sukses në jetën e tij personale dhe familjare.

Si një personalitet i denjë dhe i përkorë, Ing.Hektor Petromilo,sfidon moshën dhe vetë kohën, duke vijuar punën e tij krijuese, e duke u lartësuar si një model dhe shembull për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.

Faleminderit fisniku Ing.Hektor Petromilo për optimizmin, për shpresën, për enegjitë pozitive, për kreativitetin, për mendjendriçimin tuaj, për gjithë meritat dhe kontributdhënien e palodhur që na ofrove me bujari. Punët tuaja meritplota flasin dhe krenohen për juve.

Gëzuar Ditëlindjen, me shëndet, me dashuri, me optimizëm, me lumturi personale por edhe profesionale.

Gëzuar duke qenë përherë njerëzor, krijues dhe rezultativ.

GËZUAR përvjetorin e 81-të të DITËLINDJES.

 

 

 

Please follow and like us: