Albspirit

Media/News/Publishing

Konferencë Online: Opozita bën thirrje për ndjekjen penale të Presidentit të Ri të Iranit, Ebrahim Raisi

Konferencë Online: Opozita Bën Thirrje për Ndjekjen Penale të Presidentit të Ri të Iranit, Ebrahim Raisi

Në një konferencë online të zhvilluar nga opozita iraniane NCRI, juristë dhe ekspertë të të drejtave njerëzore diskutuan mbi pasojat e ngritjes së Ebrahim Raisi-t në postin e presidentit të regjimit iranian.

Të enjten më 24 qershor 2021, opozita iraniane Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) zhvilloi një konferencë online ku u nënvizua domosdoshmëria për ndjekjen penale të presidentit të zgjedhur të Iranit, Ebrahim Raisi.

Në këtë event, juristë dhe ekspertë të të drejtave njerëzore diskutuan mbi pasojat e presidencës së Raisi-t dhe rolin që duhet të luajë komuniteti ndërkombëtar për t’u kërkuar llogari autoriteteve iraniane për krimet e tyre.

Raisi njihet gjithashtu për rolin e tij famëkeq të drejtpërdrejtë në vrasjet masive të të burgosurve politikë në verën e 1988-ës. Për këtë arsye, shumë të mbijetuar e familjarë të viktimave i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta ndjekë menjëherë penalisht atë.

Ndërkohë që qeveria iraniane po përballet me gjithnjë e më shumë protesta e demonstrata, përqasja e vetme e autoriteteve ndaj problemeve e kërkesave të popullit është rritja e madhe e shtypjes. Prandaj Lideri Suprem Ali Khamenei ka bërë çmos për t’i eliminuar rivalët e Raisi-t gjatë fushatës presidenciale që ia ka hapur rrugën presidencës së tij.

Ndërkohë, zgjedhjet u pritën me një apati të paprecedent nisur nga performancat katastrofike të presidentit të mëparshëm ‘të moderuar’, Hassan Rouhani, dhe të fituesit të parashikuar të zgjedhjeve, Raisi, si kryegjyqtar.

Ali Safavi

“Siç e dini tashmë, të premten, Ebrahim Raisi u instalua si presidenti i ri i regjimit iranian,” tha në fjalën e tij hyrëse Ali Safavi, anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI.

“Sigurisht, ky zhvillim u prit me zemërim ndërkombëtar. Kjo sepse, një njeri të cilin populli iranian e quan si laroja i masakrës së 1988-ës, vit kur 30,000 të burgosur politikë u ekzekutuan me varje nga komisionet e vdekjes në gjyqe që zgjasnin vetëm pak minuta, në të cilat Raisi bënte pjesë, është hedhur në postin e presidentit me anë të një procesi që nuk ishte as i drejtë, as i lirë. Me një fjalë, kjo ishte një farsë e turpshme.”

Geoffrey Robertson

“Ky ka qenë vërtet një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit, pa dyshim më i rëndi i kryer kundër të burgosurve që nga Lufta e Dytë Botërore. Këto të ashtu-quajtura gjyqe nuk ishin aspak të tilla. Raisi ishte një nga figurat kyçe të këtyre gjyqeve,” tha Geoffrey Robertson, QC, avokat për të drejtat njerëzore.

“Ai ishte 28 vjeç në atë kohë. Ishte zëvendës prokurori i Teheranit. Ishte thjesht një trup që i çonte njerëzit drejt varjes nëse nuk ishin të gatshëm ta mohonin kundërshtimin e tyre politik. Faji i Raisi-t nuk vërtetohet thjesht nga dokumentet publike. Ai e ka pranuar vetë që ka qenë anëtar i komitetit të vdekjes… Përveçse një krim kundër njerëzimit, ky mund të jetë edhe gjenocid. Një ushtrim i jashtëligjshëm i pushtetit shtetëror,” shtoi ai.

Ky është një lider që shpresoj se do të pritet ftohtë. Do të ketë një mungesë besueshmërie në çfarëdo që ai të thotë,” tha Nick Fluke, avokat.

“Kur shpalli kandidimin e tij, ai premtoi se do të luftonte kundër varfërisë, korrupsionit, diskriminimit. Si mund të pajtohet kjo me të shkuarën e tij? Ai s’mund të jetë kampion kundër korrupsionit. Është interesante që disidentët i kanë nxitur votuesit të bëjnë bojkot. Ai i fitoi zgjedhjet me një pjesëmarrje shumë të ulët votuesish,” shtoi ai.

Lincoln Bloomfield Jr.

“Çfarë çështjesh ngre presidenca Raisi për komunitetin ndërkombëtar? Çfarë politike duhet të ndjekin qeveritë tani që nuk ka më perspektivë për pajtim me mullahët? Cila duhet të jetë e ardhmja për Iranin si një shtet në komunitetin ndërkombëtar?” tha Ambasadori Lincoln Bloomfield Jr., Kryetar Emeritus në Qendrën Stimson.

“Në këto 43 vite që nga revolucioni, Khomeini e themeloi diktaturën fetare dhe pastaj ia dorëzoi vendin Ali Khamenei-t. Khamenei nuk kishte kredenciale fetare por ishte i besueshëm për ta mbajtur regjimin në pushtet. Dhe tani, Raisi është edhe më i besueshëm për të shtypur disidencën. Por që në 2017-ën, nën presidentin gjoja të moderuar Rouhani, Raisi ka futur njerëz në burgje. Roli i Raisi-t ka vazhduar që nga masakra e 1988-ës përpara syve tanë. Ky regjim po përpiqet ta ruajë pushtetin në kurriz të legjitimitetit,” shtoi ai.

Tahar Boumedra

“Tani e tutje, shtetet dhe mekanizmi për të drejtat njerëzore i OKB duhet të mos i bëjë më thirrje Iranit për të hetuar masakrën e 1988-ës. Duhet të bëjmë thirrje për një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi masakrën e 1988-ës… Kush është Ebrahim Raisi? Ai ka luajtur një rol kyç në masakrën e 1988-ës. Ai ka qenë zëvendës prokuror i përgjithshëm i Teheranit dhe anëtar i komitetit të vdekjes,” tha Tahar Boumedra, avokat ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

“Në 2017-ën, Hassan Rouhani u konfrontua me Raisi-n gjatë fushatës, dhe i tha: ‘Ti nuk di asgjë… ti di vetëm si të torturosh e të ekzekutosh.’ Në fushatën e fundit, Raisi e pohoi rolin e tij në ekzekutimet masive dhe tha se, si gjykatës e prokuror, ai është i detyruar t’i mbrojë të drejtat e shoqërisë. Kjo është një mënyrë për të justifikuar rolin e tij në masakrën e 1988-ës,” shpjegoi ai.

“Në këtë situatë, JVMI i bashkohet Amnesty International, dhe po bëjmë thirrje që Ebrahim Raisi të hetohet për rolin e tij në krime kundër njerëzimit, në të shkuarën e në të tashmen, dhe që gjykatat ndërkombëtare ta përballin atë me drejtësinë,” theksoi Boumedra.

Please follow and like us: