Albspirit

Media/News/Publishing

Bodler: DËSHIRA PËR TË PIKTURUAR…

Fatkeq është ndoshta njeriu, por i lumtur është artisti i sfilitur nga pasioni!
Digjem nga dëshira për të pikturuar atë që më është shfaqur aq rrallë dhe që është tretur aq shpejt, si diçka e bukur e penglënëse, e mbetur pas udhëtarit që e merr nata me vete. Sa kohë ka kaluar, ndërkaq, qysh nga zhdukja e saj!
Ajo është e bukur, më tepër se e bukur; ajo është befasuese. Tek ajo mbretëron e zeza: dhe gjithçka që ajo frymëzon është e errët dhe e thellë. Sytë e saj janë dy shpella në të cilat xixëllon turbull misteri dhe vështrimi i saj ndriçon si një rrufe: është një shpërthim në mes të territ.
Do ta krahasoja me një diell të zi, në qoftë se do të ishte e mundur të përfytyrohej një yll i zi, nga i cili buron dritë e lumturi. Por ajo të sjell më tepër ndër mend hënën, që pa dyshim i ka lënë gjurmë me ndikimin e saj të frikshëm; jo atë hënën e bardhë të idileve që i shëmbëllen një nuseje të ftohtë, por një hënë ogurzezë e dehëse, të varur në thellësirat e një nate me stuhi dhe të troshitur nga retë që vrapojnë; jo atë hënën paqësore që viziton fshehtazi gjumin e njerëzve të dëlirë, por një hënë të shkulur nga qielli, të mundur e gjithë mllef, që shtrigat tesaliane e detyrojnë me forcë të vallëzojë mbi barin e tmerruar.
Në ballin e saj të vogël spikatin vullneti i patundur dhe etja për prenë. Megjithatë, në pjesën e poshtme të kësaj fytyre kaq shqetësuese, flegrat e së cilës thithin të panjohurën dhe të pamundurën, shpërthen me një hir të papërshkrueshëm e qeshura e një goje të gjerë, të kuqe e të bardhë, fort të hijshme, që i shëmbëllen mrekullisë së një luleje të mahnitshme që ka çelur mbi tokën vullkanore.
Ka disa gra që të ndjellin tundimin që t’i mposhtësh e të kënaqesh me to; ndërsa një e tillë si kjo të zgjon dëshirën që të vdesësh ngadalë nën vështrimin e saj.
Baudelaire, “Brenga e Parisit”, shqipëroi Besiana Kadare, Botimet Onufri.
Please follow and like us: