Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Fotiadhi: In memoriam, inxhinieri Milto Gjikopulli!

 

 

Ing.Milto GJIKOPULLI – MADHËSHTIA E NJË INTELEKTUALI DINJITOZ, PËRHERË AKTUAL DHE I PRANISHËM,PËRMES HESHTJES SË TIJ!

 

 

 

 

Në vend të epilogut…

 

Para pak ditësh, data përkonte me 45 vjetorin, kur mbarë vendi u zgjua krejt i tronditur prej lajmit të vrasjes brutale, të shkrepjes barbare të këmbëzës nga ana e regjimit tiranik. Duke privuar fatalisht jetën krejt të pafajshme të një 38-vjeçari dhe personaliteti modest, një specialisti tepër të aftë, një qenieje fisnike dhe të talentuar, siç ishte deri në frymëmarrjen e tij të fundit, gjeologu, energjiku,eruditi universal Ing.Milto Gjikopulli. Jeta e tij si edhe e kolegut Koço Plaku, ashtu sikundër më përpara e në vitet që pasuan,nuk kishte asnjë lloj vlere për monstrat e pushtetit kriminal, që medemek përgjëroheshin për mbrojtjen e të ashtuquajturave parime.

Mjerisht, askush nuk u kujtua të artikulonte një fjalë të vetme, ose të referohej tek një figurë e tillë sa emblematike po aq edhe e spikatur të shkencës së gjeologjisë shqiptare, ashtu sikundër edhe të rezistencës kundër diktaturës së egër enverhoxhiane.

Tepër i hidhur dhe shumë i trishtë fakti që në vendlindjen e tij në Dhërmi, (mjeranë mendjecekët në aspektin e formimit dhe të dijeve, marionetat e turpshme, zagarë neveritës pa vlera, pa moral, pa identitet, pa parime, pa virtyte, kufoma të kalbura, delenxhij të shpurrës neveritëse të Goromavrisë që janë diktuar përmes shkeljeve flagrante ligjore, të ushtrojnë funksione administrative drejtuese në mbrojtje të interesave okulte e të pista të Kryeqeveritarit zullumqar e kryehajdut, pengmarrësit të një vendi dhe shoqërie të tërë),nuk posedojnë aftësi intelektuale për ceremoniale dhe kësi ngjarjesh.

Në Patos, Kuçovë apo Fier ku Ing. Milto Gjikopulli ushtroi karrierën e tij të vyer si specialist dhe dijetar, të rrekur në përgjumjen e pashpjegueshme të shpërfytyrimit të vlerave njerëzore, askush nuk denjoi apo mendoi edhe për hir të një kortezie verbale, të shprehej nëpërmjet ndonjë deklarate.

Përse vallë në ditët e sotme përjetojmë këto shëmtime dhe deformime thelbësore të papërgjegjshmërisë, të cilat dukshëm shfaqin amalgamën e rrënimit të vlerave njerëzore të një shoqërie të zhytur në fatalitet, në degradim moral dhe rrugë pa krye.

 

Rrugëtimi jetësor dhe profesional…

 

Milto Gjikopulli erdhi në jetë në vitin 1938, në Dhërmi, në një familje të thjeshtë por të nderuar dhërmiase. Vitet e fëmijërisë i kaloi pranë familjes në vendlindjen e tij, ku starton dhe përfundon ciklin e plotë të mësimeve të shkollës 7 vjeçare.

Prindërit e tij, barba Vasili, si dhe gruaja e tij e adhurueshme Jorgjia, të vetëdijshëm se përkujdesja thelbësore e familjes dhe fëmijve të tyre, ishte edukimi shkollor i tyre.

Qysh në bankat e shkollës 7 vjeçare të Dhërmiut, spikaste dhe shquhej në aspektin e përparimit dhe mësimnxënies, Miltoja, si një nxënës i shkëlqyer në mësime dhe me një mendjemprehtësi të jashtëzakonshme.

Pas përfundimit të ciklit të mësimeve në shkollën 7 vjeçare të Dhërmiut, për rezultatet e shkëlqyera në mësime, Milto Gjikopullit i akordohet bursa e studimit për të vijuar ndjekjen e Teknikumit të Mesëm të Naftës. Edhe në vijimësinë e këtij cikli mësimor, Miltoja dëshmoi seriozitetin dhe impenjimin e tij maksimal. Ashtu sikundër edhe dëshirën pasionante për dijet,duke përfituar e zgjeruar nivelin e dijeve shkencore, lidhur me Naftën e cila në vijimësi do të bëhej pjesëza e pashkëputur e jetës së tij, deri në ditën fatkeqe të natëgdhirjes së 28 Qershorit të vitit 1976, të pushkatimit mizor prej vampirëve makabër të rregjimit diktatorial.

Përfundon mësimet pranë këtij teknikumi në vitin 1955 me rezultate të shkëlqyera dhe menjëherë i akordohet e drejta e studimeve universitare në Fakultetin e Gjeologjisë, pranë Universitetit të Tiranës. Vijon ciklin e studimeve universitare, duke dëshmuar dëshirat e pasionin e tij në përvetësimin e bazave shkencore të shkencës së Gjeologjisë. Përmes një pune këmbëngulëse studimore dhe rezultateve vlerësuese, Milto Gjikopulli shfaqet një student ekselent, ku dallohet për vizionet e tij, për zgjuarsinë, si edhe për arritjen e rezultateve të shkëlqyera. Aftësitë e tij meritplota vlerësohen nga drejtuesit e katedrave shkencore, për rrjedhojë, ende si student i ofrohet e drejta për të dhënë leksione në brezat paraardhëse të studentëve të Fakultetit të Gjeologjisë. Në vitin 1959 përfundon me sukses ciklin mësimor dhe Diplomohet si Inxhinjer Gjeolog. Menjëherë fillon punën si specialist pranë zonave naftëmbajtëse, duke startuar kontributdhënien e tij të vyer nga pozitat e specialistit. Për një periudhë kohore 5 vjeçare, ai angazhohet pranë Drejtorisë së Kërkimeve të Naftës në Kuçovë ose Qyteti Stalin siç ishte emërtuar në atë periudhë kohore kjo qytezë. Mandej transferohet në qytetin e Fierit ku angazhohet si Drejtues i Departamentit të Projekteve pranë Institutit të Naftës dhe Gazit në qytetin e Fierit. Në rolin e një specialisti promotor, i ngjizur me një ndërgjegje dhe moral të lartë, me performancën e tij admiruese dhe inteligjencën e tij të dukshme, Milto Gjikopulli dëshmoi rolin misionar të një specialisti të përkushtuar. Kjo periudhë kohore, duhet nënvizuar se përkon njëherazi me një sërë arritjesh falë kontributdhënies si edhe të aftësive gjeologjike të Ing. Miltos po ashtu edhe të një sërë kolegëve të tij bashkëpunëtorë në një sërë projektesh me rëndësi jetike për ekonominë e vendit. Në vitin 1971, Ing. Milto Gjikopulli dërgohet me një grup specialistësh në Republikën e Kinës, për specializime dhe trajnime të mëtejshme ashtu sikundër edhe në përfitimin e aftësive perfeksionuese në aspektet gjeologjike të zbulimit të zonave naftëmbajtëse.

Ndonëse Ing. Milto Gjikopulli nuk posedonte asnjë detyrë administrative drejtuese, ai shquhej për largpamësinë dhe vizionin e njëherazi për seriozitetin në përmbushjen e detyrave dhe misionit të tij shkencor. Këto impakte gjithësesi ishin krejt të pamjaftueshme përpara reagimeve inatçore dhe hakmarrëse të Zeusit paranojak, për të nxitur shokët e kolegët e tij të shfrynin dhe shpreheshin zyrtarisht kundër tij, pa asnjë logjikë apo argumenta. Por specialistët dhe intelektualët hyjnorë në përballjen me regjimin e përgjakshëm komunist, ndër më të egrit në mbarë Europën Lindore, nuk kishin asnjë lloj mundësie mbrojtjeje, kësisoj fati i tyre ishte parapërgatitur për të luajtur rolin e viktimave të rradhës.

Fati i parashkruar në instancat e larta drejtuese të partisë «dashamirëse», për t’u linçuar, tanimë nisi të bëhej realitet. Befasisht më datën 25 mars 1975, të anatemuarit, Ing. Milto Gjikopullit, i hidhen prangat dhe arrestohet, së bashku me disa kolegë të tjerë të fushës së naftës. Akuzohej për sabotim ekonomik në fushën e naftës, për agjitacion dhe propagandë me qëllim rrëzimin e pushtetit popullor,akuza tepër të rënda e ndjellakeqëse për kohën.

Starton kalvari i kobshëm tronditës i dhunës dhe vuajtjeve të papërsëritshme të dhimbjes njerëzore të shkaktuara prej hetimeve dhe shantazheve, torturave agresive në qelitë e errëta të burgut 313 në Tiranë. Seanca hetimesh dhune krejt të papërfytyrueshme të poshtërsisë njerëzore, për të legjitimuar inekzistenten të ashtuquajturën tradhëti. Përmes inskenimeve ala partiake, akuzave krejt të rreme, të manipuluara që aq shumë e dëshironte Zeusi për të justifikuar gjithçka anormale, arrogante dhe barbarie që ai orientonte.Ndonëse torturohej e sfilitej në qelitë e burgut pa ajër e pa drita, Ing. Milto Gjikopulli kategorikisht refuzonte dhe nuk pranonte asnjë prej akuzave që përpiqeshin të përligjnin fajësinë e tij. Ndërkohë që me seriozitet, dinjitet, guxim e vendosmëri, përpara se të arrestohej, ai kishte deklaruar se nëse partia e vërtetonte dhe argumentonte ekzistencën e veprimtarisë armiqësore, nuk kishte arsye të merreshin në qafë njerëz krejt të pafajshëm,sepse përgjegjësia ishte drejtpërdrejt e tij.

Edhe pse në seancat gjyqësore Ing. Milto Gjikopulli refuzonte kategorikisht duke mos e pranuar as pjesërisht dhe as tërësisht, duke këmbëngulur në kryerjen e ekspertizave dhe verifikimeve respektive,për të provuar pavërtetësinë e tyre, inskenimet dhe diktimi i procesit gjyqësor, vijonte në harmoni me represivët ogurzinj, skenarët partiakë.

Uniformitetit të skajshëm të aksiomës partiake të paravendosur, për të kontrolluar, frikësuar apo nënshtruar mendjet e njerëzve, natyrisht nuk i shërbeu dhe binte ndesh me të, as qëndrimi burërror i Ing. Afrim Jupi,i cili në cilësinë e dëshmitarit dhe specialistit, argumentonte anomalitë, mungesën e bazave të vërtetësisë,si edhe pafajësinë reale të Milto Gjikopullit.

Edhe pse dihej dhe mbisundonte bindja se gjithë katakombet e akuzave që artikuloheshin, të sajuara dhe inskenuara me një pasion të shfrenuar prej mizorëve sundimtarë partiakë,nuk kishin asnjë lloj vërtetësie, Ing. Milto Gjikopulli së bashku me kolegun e tij, Ing. Koço Plaku, ndëshkohen prej brutalitetit dhe filozofisë vrastare të emisarëve të kuq,me urrejtjen patologjike krejt të papërsëritshme, bazuar në vendimin e shpallur nga ana e Gjykatës së Lartë, me dosje nr 12, të datës 16.06.1976, dënohen me vdekje, me pushkatim.

Ligësia njerëzore, u dëshmua në shkallën sipërore edhe në mbledhjen formale të rradhës të 28 Qershorit, teksa Presidiumi i Kuvendit Popullor, refuzon të falë jetët krejt të pafajshme të Milto Gjikopullit dhe Koço Plakut, duke miratuar ekzekutimin e tyre.

Në atë të nxehtë qershori të vitit 1976, fati rrokullisej kundër jetës dhe ekzistencës së një njeriu tepër të thjeshtë,një karakteri fisnik e tepër modest. I shënjestruar dhe arrestuar me urdhërin diktues të kreut të piramidës partiake e shtetërore, me akuzat qesharake vrastare krejt inekzistente të tradhëtisë ndaj atdheut,të sabotimit ekonomik në fushën e naftës,si edhe të agjitacionit dhe propagandës me qëllim rrëzimin e pushtetit. Viktimë krejt e pafajshme e terrorit,e narcizmit dhe makabritetit të inateve të një përbindëshi diktator autokrat, një karakteri konfliktual, për ta sakrifikuar çnjerëzisht shpirtin e përkorë të Ing.Milto Gjikopullit, në urraganin absurd të kasaphanës së martirëve krejt të pafajshëm.

Në mesnatën teksa 28 Qershori po i përcillte stafetën rituale të rradhës, datës 29, intelektualët brilantë,gjeologët ngadhnjimtarë, Milto Gjikopulli dhe Koço Plaku, pabesisht dhe mizorisht ekzekutohen në Malin me Gropa, në periferi të kryeqytetit të Tiranës, prej mendjes dhe dorës vrastare kriminale të rregjimit tiranik e represiv.

Tepër tronditës, i dhimbshëm dhe pikëllues e njëherazi krejt i patolerueshëm ky lajm për thërmimin e jetës së intelektualëve dinjitozë, potencialeve elitarë të vendit. Të panënshtruar prej depersonalizimit dhe makinës shfarosëse të rregjimit tiranik si edhe prej frikës makabre prej së ashtuquajturës diktaturë e proletariatit.

Mëndjendrituri gjeolog, Ing. Milto Gjikopulli, u ekzekutua me një mënyrë përbindëshe gjakatare, prej gjithë asaj shpure puthadorësh, të zhytur në iluzionet e frikshme të partisë së pagabueshme. Prej atyre intelektualëve militantë të kulluar, servilëve të suksesshëm të kastës kriminale në pushtet, ngatërrestarëve dhe intrigantëve triumfatorë krejt të paprinciptë e anormalë. Të cilët paturpësisht jargaviteshin e ndiheshin të entuziazmuar dhe të kënaqur për kanibalizmin barbar të një rregjimi aventurier, teksa me dhunë privohej shenjtëria e jetës, gjunjëzoheshin parimet, intelekti, dinjiteti, fisnikëria dhe njerëzillëku.

Prej gjithë atyre shpirtkatilëve aventurierë me ndërgjegje të tredhura, që nuk guxuan të mendojnë asnjëherë nëse e meritonin një jetë të tyre, pa ndikime dhe varësi nga «shpëtimtarët» e kamufluar partiakë. Prej gjithë atyre të trysnuar me mendime sterile, me imagjinatë shterpë, me ëndrrat e vdekura që ndonëse frymonin,i ishin dorëzuar vdekjes,përpara se sa të jetonin,pa e ditur asnjëherë se çfarë është realisht në të vërtetë, të jetosh në Liri.

Sepse gjithë performanca dhe impakti jetësor i Ing. Milto Gjikopullit, ishte simbioza e një intelektuali misionar që ndihej tepër i përgjegjshëm përpara interesave jetike të vendit, për ato ç’ka ai shprehte, duke mos qenë i përgjegjshëm për ato që ajo shpurrë mizore e tejindoktrinuar, tinëzisht dëshironte të kuptonte dhe keqinterpretonte prej kumteve të tij.

Shpirti Hyjnor i personalitetit gjithë madhështi, Ing. Milto Gjikopulli,duhet thënë se nuk u ligështua e kurrësesi nuk u lëndua prej shpimit të shënjestrës apo plumbave vrastarë. Por prej atij ose atyre mëkatarëve të papenduar,që guxuan të ngrinin dorën dhe qëllonin…drejt tij…!

Rregjimi gjakatar monist, shkrepi me barbarinë e tij proverbiale, këmbëzën duke i marrë jetën e vyer Ing. Miltos. Për të përmbushur orekset e sëmura kanibaleske të kryevrastarit që fatkeqësisht dhe çuditërisht,me paranoizmin skizofrenik, shpërthente me agresivitet ndaj jetës së individëve, duke kapërcyer edhe rolin e vetë të Madhërishmit Zot.

Sepse gjithë kolegët e tij,gjithë opinioni publik, pranuan të luanin rolin e pështirë të pontpilatëve absurdë.Disa enkas heshtën,disa si servilë të pështirë u rradhitën si mbrojtës të flaktë të politikave vrastare të rregjimit.Disa të tjerë të zhytur në turbullime shpirtërore,nuk guxuan të artikulonin as edhe një fjalë të vetme,kundër orekseve të pabesa të keqdashësve mitomanë,që urrenin patologjikisht intelektualët dhe kontributin e tyre, e kurrësesi nuk ia donin të mirën vendit dhe mbarë shoqërisë shqiptare.

 

  Në vend të epilogut…

 

Jeta e Ing.Milto Gjikopullit, befasisht dhe me një arrogancë brutale, u pre në mes dhe u shndërrua në martire. Pikërisht për fajin gjigand të HESHTJES PËRPARA INTRIGAVE DHE KURTHEVE DASHAKEQËSE, TË INDIFERENTIZMIT, TË SERVILIZMIT NEVERITËS dhe DASHAKEQËSISË MAKABRE TË PAPËRGJEGJËSISË TONË QYTETARE, PËR VETË JETËN. Për vlerësimin e një mendjeje intelektuale të përkorë dhe gjenialitetit të një shkencëtari të përkushtuar.

Të gjitha këto,krejt të pamjaftueshme përballë urraganit të vrullshëm partiak e militant, të rregjimit monist antivlerë, që vriste e priste me shtazërinë kanibaleske krejt të pashpjegueshme JETËN, INTELEKTIN dhe INTELIGJENCËN VITALE TË NJË KOMBI TË VOGËL.

Edhe sot pas 45 viteve që kanë kaluar,askush se di me saktësi dhe as mund të shprehet se përse u çua në gijotinë me një mizori e paparë dhe u ekzekutua Ing.Milto Gjikopulli.

Askush nuk është shpallur fajtor dhe askush nuk është ulur në bankën e të akuzuarve e përpara drejtësisë, për jetët e viktimizuara krejt të pafajshme të monizmit shqiptar, për krimet makabre kundër njerëzimit.

Mjerisht,askush nuk ka kumtuar një falje njerëzore për shuarjen e jetës njerëzore të Intelektualëve të spikatur, si Ing. Milto Gjikopulli.

Ndonëse kaluan 45 vite prej ekzekutimit makabër, emri i Ing,Milto Gjikopullit vijon të mbetet një legjendë e heshtur. Jo rastësisht, intelektuali Ing. Milto Gjikopulli u shënjestrua tinëzisht duke u shndërruar në një martir të lirisë, në një emblemë qëndrese ndaj barbarisë dhe dhunës së një sistemi mizor. Ashtu sikundër për t’u lartësuar në Panteonin e Lavdisë dhe Përjetësisë, si një udhërrëfyes i vyer për brezat dhe gjeneratat, që gjithë potencialin dhe aftësitë e tij profesionale, ia kushtoi me përkushtim shoqërisë, atdheut, progresit.

Prandaj, emri , jeta dhe gjithë vepra kolosale e Ing. Milto Gjikopullit, përbën realisht një sfidë të vërtetë dhe shembulli i tij,do të mbetet i skalitur me gërma të arta në historinë moderne. Me madhështinë dhe përmasat e një kolosi të heshtur, me të drejtë meriton mirënjohjen e pakufishme, respektin dhe nderimin e brezave,si një burim i pashtershëm edukimi dhe frymëzimi.

Kaluan 45 vite që Dhërmiu,gjeologjia e naftës e mbarë shoqëria shqiptare, humbi një prej intelektualëve dhe figurave dinjitoze,personalitetin e përkorë, guximtarin, të talentuarin Ing. Milto Gjikopulli.

E fatkeqësisht në këtë ditë simbolike Dhërmiu, vendlindja e këtij qëndrestari stoik e gjithë inteligjencia e saj, çuditërisht HESHT. Po ashtu, Patosi, Fieri dhe gjeneratat e aradhat e mijëra naftëtarëve, janë zhytur në letargjinë e pashpjegueshme. E për rrjedhojë HESHTIN.

Deri kur do na bashkëshoqërojnë këto HESHTJE VRASTARE, ndërkohë që lipsej të zhurmonte jehona e simbolikës së mbisundimit të vlerave integrale, BARAZISË, DREJTËSISË, INTEGRITETIT, DEMOKRACISË.

Ndonëse vitet kalojnë dhe kohërat paksa largohen, Ing.Milto Gjikopulli,do të jetë i pranishëm mes nesh duke e kujtuar si të pagjunjëzuarin martir të pavdekshëm, si personifikimin e rrallë të ndërgjegjes më sublime të sakrificës njerëzore, si një emblemë të fuqishme të rezistencës, si pjesëz të një gjenerate të individëve brilantë e shumëdimensionalë, me një integritet të papërsëritshëm.

Modeli i intelektualit të rrallë e të ndritshëm, Ing. Milto Gjikopulli, i cili për asnjë moment nuk u dyzua, nuk u përdrodh dhe as lëkund nga qëndrimet e tija parimore, do të mbetet i freskët dhe i gjallë në memorien tonë historike, si shëmbëlltyrë e papërkuljes dhe stoicizmit, për sot si edhe për të gjitha gjeneratat e ardhmërisë.

I paharruar përjetësisht kujtimi i Intelektualit dinjitoz, martirit ngadhnjimtar, Ing. Milto Gjikopullit.

 

 

 

Please follow and like us: