Albspirit

Media/News/Publishing

Tërboi ekranet me moralitet, bie në pranga zëvendësministrja

Dalin në dritë të tjera detaje nga arrestimi i ish-zv.ministres së Brendshme Rovena Voda. Ajo akuzohet nga SPAK se ka marrë ryshfet për punësimin e dy grave në institucione publike. Mësohet se hetimi i SPAK po zhvillohej për një çështje tjetër, por rastësisht ka dalë në përgjime Voda që premtonte punësimin në shtet për 2 të njohurat e saj Majlinda Hasani dhe Florinda Beu. Për të treja gjykata e Posaçme ka vendosur masën e “arrestit shtëpiak” për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Të njëjtat burime thanë se SPAK ka siguruar prova korrekte nga të cilat janë krijuar dyshime se Voda ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale të padrejta nga Hasani dhe Beu. Voda kishte pranuar që të favorizonte Beun nëpërmjet njohjeve të saj, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse e shërbimit civil në kategorinë ekzekutive. Dyshohet se nga ky hetim ka edhe të tjerë zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive. Kjo është goditja e dytë që bëhet në pak ditë nga SPAK në ministrinë e brendshme. Pak ditë më parë u arrestuan 9 zyrtarë të saj në lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit.

NJOFTIMI I SPAK

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal që bën fjalë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e zëvendës ministres në Ministrinë e Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetasja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtës shtetasen Florida Beu në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civile në kategorinë ekzekutive. Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 57, datë 13.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë është vendosur:

Caktimi ndaj shtetases Rovena Voda të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, si e dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Po kështu arrest shtëpie është vendosur dhe për shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani, si të dyshuara për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot masën e sigurimit personal të vendosur ndaj Vodës, Hasanit dhe Beut. Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.”

Please follow and like us: