Albspirit

Media/News/Publishing

Blerim Shala: Rrëfimi i pakryer për Kosovën

E vërteta e Parë: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Shteti i Kosovës është i  përjetshëm.

E vërteta e Dytë: Shteti i Kosovës nuk ka arritë ende ta përmbyllë kontestin njëshekullor  (dhe pak më të gjatë), me Serbinë, që ka nisur në vjeshtën e vitit 1912, me okupimin e  Kosovës nga forcat e Mbretërisë së Serbisë. Njëkohësisht, shteti i Kosovës nuk është  pranuar si i tillë nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (dihet që Spanja,  Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës). Më në  fund, Kosova nuk është anëtarësuar në OKB, me ç’gjë do të bëhej ai certifikimi final i  pavarësisë së Kosovës, me ngritjen e flamurit të East River, në selinë e OKB-së.

E vërteta e Tretë: Rrëfimi për Kosovën, në vijim të këtyre dy të vërtetave të para, sa e ka  të konfirnuar atë dimensionin final të përcaktimit përfundimtar të fatit të vet, poashtu bartë  në vete paqartësinë për sigurimin e qëndrueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës.  Aktualisht, ta zëmë, jo vetëm që nuk e di kush se kur dhe si Kosova mund të bëhet shtet  anëtar i OKB-së, por për më shumë, i njejti konkludim shfaqet edhe kur bëhet fjalë për atë  perspektivën reale dhe formale të anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike (në  Paktin NATO), dhe në Bashkimin Evropian.

E vërteta e katërt: Zhbërja e këtij vendnumërimi ndërkombëtar të Kosovës, në synimet  tona për tu anëtarësuar në OKB (në OSBE, pastaj), në NATO dhe në BE, në masë të madhe  varet nga rezultati i dialogut të Brukselit, në mes të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe  Serbisë, të cilat janë autorizuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (në shtator, të  vitit 2010), me lehtësimin e BE-së.

Natyrisht, ky dialog ka pasë prej fillimit synimin e rregullimit të statusit të marrëdhënieve  në mes të Kosovës dhe Serbisë, e jo të trajtimit të statusit të Kosovës, siç pretendojnë  instancat më të larta të Beogradit.

Normalizimi i këtyre marrëdhënieve ka pasë mbështetjen formale edhe të Vendimit të ICJ së (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, korrik, 2010), dhe të CSP-së (Propozimit  Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, mars 2007).

Në këtë kontekst pra, tema e statusit të Kosovës është llogaritur si çështje e kryer, e vulosur  edhe me këtë Vendimin e ICJ-së. Kush më nuk ka pasë dyshime se çka është Kosova, apo,  a është Kosova shtet i pavarur apo jo.

Por, në anën tjetër, janë bërë 13 vjet e pak më shumë që prej se Kuvendi i Kosovës ka  shpallur Aktin e pavarësisë së Kosovës.

Në anën tjetër, kanë kaluar 11 vjet nga Vendimi i ICJ-së për legalitetin e shpalljes së  pavarësisë së Kosovës.

Poaq janë bërë (11 vjet), prej se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i ka dhënë detyrë  BE-së që ta përmbyllë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe  Serbisë.

Sivjet janë bërë dhjetë vjet të plota që prej se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po  bisedojnë në Bruksel. Ngritjet dhe rëniet e këtij dialogu janë të njohura për të gjithë.

Ky dialog mund të ndahet, parimisht, në dy periudha: Në atë të viteve 2011-2015, kur u  shfaqën shenja shpresëdhënëse që mund të ndodhë edhe Marrëveshja Gjithpërfshirëse në  mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën një herë e përgjithmonë do të përmbyllej kapitulli  i një historie tragjike në Kosovë, të shkaktuar nga okupimi 87 vjeçar i Kosovës nga Serbia

(1912-1999). Dhe në atë të viteve 2016-2021, i cili shquhet me një ngecje evidente si në  përmbajtjen e dialogut, në rrjedhën e tij, dhe në disa përpjekje të pasuksesshme për tu  përqëndruar në atë kryetemën e bisedimeve, apo, në vetë thelbin e këtij dialogu, i cili në  mungesë të qartësisë nga vet lehtësuesit e tij (BE-ja), u përmbush me prononcimet  kategorike të Presidentëve të SHBA-së, Donald Trump dhe Joseph Biden (në vitet 2018- 2021), që fokusi i dialogut në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit  është njohja reciproke në mes të dy shteteve.

Historia e re e Kosovës, në këtë kapitullin final të saj, me 2 korrik të këtij viti i ka bërë 31  vjet të një rrjedhe intensive.

Me 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës shpalli Republikën e Kosovës,  si entitet të barabartë në Federatën apo Konfederatën e Jugosllavisë së atëhershme. Në shtatorin e vitit 1991, do të mbahet Referendumi për pavarësinë e Kosovës. Në qershorin e vitit 1999, Kosova do të çlirohej nga Serbia, me luftën e UÇK-së dhe me  intervenimin ushtarak të Paktit NATO.

Në shkurtin e vitit 2008, Kosova do të shpallej shtet i pavarur.

Është pra kjo një histori shumë e gjatë (kemi hyrë në dekadën e katërt), të këtij rrëfimi të  papërfunduar për Kosovën, në këtë segmentin ndërkombëtarë.

Askush këndejpari, por poashtu mund të thuhet që pakkush në qarqet më të larta  ndërkombëtare, nuk ka besuar, në atë pasditen e ftohtë të 17 shkurtit, (të vitit 2008), që  brenda një periudhe jo më të gjatë se disavjeçare, Kosova nuk do të arrijë ta kryejë punën  me Serbinë, (me arritjen e një Marrëveshjeje të mirëfilltë për normalizimin e  marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve), nuk do të bëhet shtet anëtar i OKB-së, dhe  nuk do të krijojë raporte të mirëfillta formale me BE-në dhe Aleancën Veri-Atlantike.

E vërteta e pestë: Në rekapitulim të këtyre katër të vërtetave të cilat vështirë që mund të  mëdyshen prej atyre që kanë një njohuri për zhvillimet politike dhe historike në këtë pjesë  të Ballkanit, mund të konstatohet që rrëfimi për Kosovën, në këtë dimensionin  ndërkombëtarë, është i pakryer dhe i papërfunduar.

Më nuk mund dhe nuk do të duhej të zvarritej përmbyllja e këtij aspekti të çështjes së  Kosovës.

Please follow and like us: