Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Fronti mes Tiranës dhe Prishtinës

 

Nuk dua ta besoj se gjithçka… çka është e shqiptarëve, është vënë sot poshtë nga qejfmbetjet e Edi Ramës, karshi Ramush Haradinajt apo Albin Kurtit. Kur shoh një shpurë të tërë analistash që kërkojnë të gjejnë fajtorin mes Tiranës dhe Prishtinës, duke ia adresuar sa Shqipërisë, sa Kosovës, më vjen ndoht’.

E para se, si Shqipëria si Kosova nuk janë pronë as e Edi Ramës, as e Ramush Haradinajt dhe as e Albin Kurtit.

E dyta, si shoqëri shqiptare, këtej dhe andej, duhet të kuptojmë një gjë se kur vjen puna për historinë dhe truallin asnjë qeveritar nuk e ka tagrin të veproj me kokën e vet a me një plan pa miratim të gjerë, që dmth me gjithëpërfshirje. Nuk ka ‘unë vendos dhe vulos sepse fitova me pesëdhjetë plus një, kësisoj kam të drejtën të veproj, vendos dhe vulos’. Mund të veprosh kështu për çështje të brendshme të legjislativit, të pushteve, por jo për çështjen kombëtare.

Shoh sot dy fronte që janë gati ta hanë njëri-tjetrin, ta përvëlojnë më keq se zjarret e Kalimashit. Është tashmë një praktikë e bandave frymore kjo, e blloqeve nga paradat e manifestimit, të mbrojmë me argumenta shumicë njëri apo tjetrin. Dhe po me të njëjta argumenta ta denigrojmë tjetrin, sapo të ndërrojmë pozicionet.

Si Shqipëria apo Kosova nuk janë të Edi Ramës apo Albinit, janë trualli i shqiptarëve. Edi Rama dhe Albini shkojnë e vinë, kurse Shqipëria është aty. Shikoni prirjet sociale të shqiptarëve, qoftë këtej apo andej. Jo sot, por me shekuj, ka qënë gjithmonë Perëndimi, veç qeveritë i kanë shpënë në Lindje. Shqiptarët arratisu për në Amerikë, qeveriu i vriste që t’i mbante lidhur me Lindjen, Moskën, Pekinin etj. Sinqerisht latë nam duke përmendur e ripërmendur gjakun e dëshmorëve, të mirat karshi njëri-tjetrit. Se kush ka të drejtë apo jo. Nuk e kuptoni, nga 2013-ta e këtej Shqipëria e Edi Ramës, jo e shqiptarëve, se, shqiptarët i kanë rrëzuar me kohë muret, dështoi futjen në Europë, dështoi në një qarkullim bashkëkohor të rrotacionit, zgjedhje të lira dhe të pranueshme. Madje ky dështim fillon nga brenda partive. Klanet janë kaq mizerabël e kaq të fuqishme, sa kurrë një forcë politike nuk kryen një proçes normal të qarkullimit të vlerave. Dhe kur nuk të qarkullon gjaku, dihet se çfarë ndodh, trompozë apo hemorragji cerebrale. Kështu edhe me dështimin klasik të Tiranës, me Europën. Një dështim që askush nuk do ta kuptoj por merren me të drejtën e Edi Ramës apo Albinit. Edi Rama nuk është atdhetar, është internacionalist. Dhe ka arsye. Vjen nga ajo kategori sociale. Sot është data 12 gusht, më 10 gusht 1998 u var publikisht Havzi Nela, një poet. Gjithë shoqëria jonë mbyti rrjetet sociale me dedikime. E përse? Madje i gjen tek-tuk edhe sot. Ka një gjë, o dedikohuni seriozisht, o mbylleni gojën. Nuk mund të respektosh kujtimin e Havzi Nelës, kur ke kryeministër të birin e një nga firmëtarëve të këtij akti makabër në kapërcyell të diktaturës. Jemi kthyer në grafomanë klasikë. Kësisoj edhe sot, dhjetra nga Tirana dhe po aq nga Prishtina, jo ku gabon Shqipëria dhe ku Kosova. Njëra palë shqyen Shqipërinë tjetra Kosovën.

Shqipëria dhe Kosova janë të shqiptarëve ore zotëri, nuk janë pronë e njërit apo tjetrit në qeveri. Janë trualli i krushqive, i gjakut brenda gjakut, i këngëve, i folklorit… se nuk kemi rastësisht një gjuhë. Një pesëdhjetë e kusur vjeçar, me kokën plot xhel, në Tiranë, flet gjithë mllef karshi liderit të Kosovës. Madje e quan injorant. Ndërkohë një fëmijë i vogël në Prishtinë, loton kur thotë, mos më thërrisni kosovar, por shqiptar. Vërjani veshin këtij, jo atij xhelistit. Por nuk ke çfarë i thua, në vend të poemit kosovar, të Mitrush Kutelit, ne mësuam internacionalen.

Please follow and like us: