Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: A do ta lejojnë shqiptarët t’i sundojnë antishqiptarët?

Antishqiptarizmi është i pranishëm në shumë vende, qarqe e nivele. Në mediset e huaja e gjejmë më të fortë e më kriminal në vendet fqinje, më të fortë se kudo tjetër në Serbi. Dhe kjo ka arsye të të qarta. Shteti serb, që në fillimin e krijimit të tij, pati si objektiv të zgjeronte territorin e tij në kurriz të teritoreve shqiptare. Këtij synimi të “lartë patriotik” i bëheshin pengesë shqiptarët, thjesht për faktin që ata ekzistonin, thjesht për faktin që ata ishin gjallë e jetonin në shtëpitë e tyre, në tokat e tyre, në territoret që i kishin trashëguar nga të parët. Për këtë arsye patriotizmi e atdhedashuria serbe për “Serbinë e madhe” u themelua mbi ide e parime si: “vetëm një shqiptar i vdekur është një shqiptar i mirë”, u formua mbi thirrrjet e mbretërve serbë “sa më shumë shqiptarë të vrisni e të shpërngulni, aq më të mëdha janë meritat tuaja ndaj atdheut”.

Që nga krijimi i shtetit serb e deri në sot këto ide kanë qënë dhe mbeten idetë themelore të patriotizmit serb. Patriot serb është ai që vret, persekuton e shpërngul shqiptarët. Nuk ka patur asnjë qeveri në historinë e Serbisë që të ketë lejuar qoftë dhe shfaqen e dyshimit, sado të vogël ndaj këtyre ideve. Kur dikush guxonte të botonte ndonjë libër historik që sado indirekt të vinte në dyshim vërtetësinë e moralin e këtyre ideve raciste, kushdo që guxonte të botonte libra që thjesht pasqyronin faktet historike dhe jo versionin e transformuar të saj, sipas interesave të shovinizmit serbomadh menjëherë konsiderohej “mashtrues”, “tradhëtar” e luftohej me të gjithë forcën e aparatit shtetëror të Serbisë. Kjo gjë ndodh me të njëjtin fanatizëm, me të njëjtin intensitet edhe sot në Serbi, në regjimin e neo-Millosheviçit, Vuçiç. Shteti sërb, që në fillimet e tij, për të mbjellë dhe ushqyer antishqiptarizmin ka vënë në shërbim të gjitha levat e mekanizmat e tij: shkencën, artin, fenë, etj. Pothuaj të gjithë personalitetet në fushën e shkencës e të kulturës në Serbi për breza me radhë megjithë zemër dhe me një pathos që ata e quanin patriotik, vinin gjithë talentin, reputacionin e gjithçka që kishin në shërbim të idesë së Serbisë së Madhe. Për vite e dekada shkencëtarët serbë mundoheshin të “bindnin me argumenta shkencore”, si popullin e tyre ashtu edhe gjithë botën, se shqiptarët ishin një racë e ulët, tranzitore, shumë më afër majmunit se sa njeriut modern”. Këto teori mësoheshin zyrtarisht në shkollat në Serbi dhe deklaroheshin hapur në të gjitha konferencat e takimet ndërkombëtare, për sa kohë që e lejonin kushtet historike. Sot përsëri futen në tekstet shkollore në rrugë të tërthorta. Akdemia e Historisë Serbe, në bashkëpunim me Akademinë e Historisë Ruse e akademi historie në vende të tjera vazhdojnë punën e tyre për fshehjen e falsifikimin e fakteve historike në shërbim të ideve ekspansioniste të shovinizmit serbomadh. Po ashtu edhe arti, letërsia, muzika etj që në fillim janë vënë në shërbim të idesë të antishqiparizmit secila duke përdorur mjetet e armët e veta. Arti, letërsia, shkenca e muzika gjithmonë janë përdorur nga shteti për të bindur popullin serb për vërtetësinë e idealeve të tyre serbomadhe, për t’i bërë të gjithë serbët ushtarë të përkushtuar ndaj ideve të antishqiptarizmit.

Në asnjë mënyrë nuk duhet të harrojmë kishën serbe e cila në fakt e meriton të jetë në krye të kësaj liste. Që në fillim të krijimit të shtetit serb e deri në sot kisha serbe nën emrin e Jezu Krishtit predikon “Sërbinë e madhe”. Ndërsa Bibla, Dhjata e Re na thotë se falja e mëkateve na vjen nga sakrifica e gjaku i Jezu Krishtit, ndërsa Bibla na thotë se ata që besojnë Jezu Krishtit marrin jetën e përjetshme e shkojnë në Parajsë, bëhen qytetarë të përjetshëm të Jerusalemit Qiellor; kisha zyrtare serbe predikon Ungjillin e Serbisë së madhe.

Kisha Shtetërore Sërbe quan Kosovën “Jerusalemi i Serbisë”. Po ashtu i mëson besimtarët se rruga e serbëve për në Parajsë është të luftojnë për t’i aneksuar Serbisë sa më shume toka, sa më shumë territore, sidomos “Jerusalemin e saj” Kosovën. Kush derdh gjak për këtë qëllim, cilido qoftë mbret, vojvodë serb apo edhe renegat e tradhëtar shqiptar si Esad Pashë Toptani nderohet brez pas brezi në Serbi, deri në pikën sa të quhet shenjtor. Kushdo që lufton për Serbinë e madhe e ka të garantuar një vend në “Parajsën e Serbisë”. Apostulli Pal shkruan në letrën e tij drejtuar Galateasve 1:

  1. Çuditëm që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër,
  2. i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrëmbërojnë ungjillin e Krishtit.
  3. Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar.
  4. Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.
  5. Sepse unë tani vallë kërkoj të fitoj miratimin e njerëzve apo të Perëndisë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse, po të kërkoja t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.

Kisha zyrtare e Serbisë që në fillimin e krijimit të shtetit serb zgjodhi të mohonte Jezu Krishtin e vërtetë dhe u vu në shërbim të njerëzve, u vu në shërbim të lakmisë ekspansioniste të monarive të Serbisë e Rusisë. Kështu, sipas Biblës, ajo u bë një kishë e mallkuar që në vend t’i transmetojë popullit serb dritën e Jezu Krishtit i transmeton verbërinë e shovinizmit. Në vend ta ushqejë popullin serb me dashurinë e Jezu Krishtit e helmon me urrejtjen e Antikrishtit, në vend të transmetojë shpirtin e Jetës e të Ringjalljes transmeton shpirtin e vdekjes dhe të vrasjes. Fatkeqësisht ky opjum religjioz ka aftësinë të verbojë e indoktrinojë edhe personat me mendje më të ndritur, personat e artistët më të talentuar. Ky opium religjioz ka potencialin të verbojë ndërgjegjen njerëzore deri në atë shkallë sa të quajnë të mirën të keqe dhe të keqen të mirë. Ky opjum religjioz, që Bibla e quan shpirti i Antikrishtit, me ndihmën e kishës gjermane dhe të Martin Luterit pati potencialin të shndërrojë nëpunës, persona të talentuar të shoqërisë gjermane në përbindësha të Kampeve të Shfarrosjes së Hitlerit. Ata vrisnin pa patur probleme të ndërgjegjjes, përkundrazi kur dolën para Gjyqit të Nurembergut pyesnin me sinqeritet: “Përse na akuzoni? Përse doni të na dënononi? Ne i shërbyem një kauze të drejtë në shërbim të njerëzimit”!

Kjo është dhe arsyeja që krimineli Radovan Karaxhiç, pasi kreu krimet e tij kërkonte të futej në manastir e të bëhej murg. Sipas tij ai tashmë kish kryer një vepër të shenjtë, ish bërë shenjtor dhe si i tillë e kish vendin në manastir. Çfarë e pengon Goran Brgovoçin të dalë hapur e të dënojë krimet e përbindshme në Bosnje e Kosovë? Me siguri ai i njihte personalisht shumë nga viktimat! Na thonë: Po Goran Bregoviçi është i talentuar! Po a nuk ish inteligjent dhe i talentuar edhe Radovan Karaxhiçi? A nuk shkroi edhe ai tekstin e muzikën e këngëve si “Ludo koplje” (shtizë e çmendur)  këngë që janë shumë të ngjashme me këngët e Goran Bregoviçit?

Populli serb është një popull i zakonshëm si të gjithë të tjerët, ashtu si dhe populli gjerman dhe të gjithë popujt në botë. Problemi me popullin serb, ashtu siç ish dhe problemi me popullin gjerman në vitet ‘30, është se populli serb që nga koha që krijoi shtetin e pavarur, ka pirë ujë nga një burim i helmuar. Populli serb është ushqyer nga helmi i shovinizmit e antishqiptarizmit për pothuaj dy shekuj me radhë sistematikisht nga shkolla zyrtare, nga shkencëtarët, artistët. Ky helm u është mëkuar fëmijëve serbë nga nëna e babai, nga mësuesi në shkollë, nga prifti në kishë. Ky helm gjendej në romanet e autorëve serbë, në filmat në komentet  e çdo niveli. Fryt i tyre është se edhe sot një skuadër shqiptare nuk ka mundësi të zhvillojë një ndeshje futbolli në Beograd. Shqiptarët në Shqipëri e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë realitet pasi në Shqipëri, ku kemi patur shumë të meta e shumë halle, kurrë nuk kemi patur një propagandë të organizuar që në mënyrë kaq sistematike të propagandonte urrejtjen racore në të gjitha nivelet, madje ta bënte urrejtjen ndaj një kombi e race pjesë të fesë kombëtare. Do të ish shumë naive të besonim se kjo urrejtje e përbuzje racore që është mbjellë në zemrat e mendjet e sërbëve sistematikisht, për shekuj me radhë, do të zhdukej për hir të përqafimeve të Edi Ramës me Vuçiçin, do të zhdukej me nënëshkrimin e “Ballkanit të hapur”. Jo, kosovarët nuk po na bëhen pengesë ne shqiptarëve të Shqipërisë të bëjmë paqe me Serbinë e serbët. Ata po na ndihmojnë të na hapen sytë të shohim realitetin e urrejtjes antishqiptare, urrejtjen tërësore që serbët kanë kundër shqiptarëve, po na paralajmërojnë që ne të mos bëhemi viktima të kësaj urrejtje. Le të mos harrojmë se propaganda serbe ka ushqyer urrejtjen ndaj të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, jo vetëm kundër shqiptarëve të Kosovës. Deri sot nuk ka mundur të krijohen marrëdhënie normale (aq më pak vllazërim) midis shqiptarëve e sërbëve që jetojnë për më tepër se dy breza në Gjermani e kudo në Evropë. Kurrë serbët që jetojnë në SHBA nuk shkojnë të hanë në piceritë e restorantet e shqiptarëve.

Fatkeqësisht antishqiptarizmi ka një element shpitëror. Shumë nuk duan ta përmendin faktin se antishqiptarizmi në Serbi është pjesë e fesë shtetërore. Bibla e quan këtë shpirt shpirti i Antikrishtit. Ndërsa Shpirti i Jezu Krishtit të vërtetë, Shprti i Shenjtë i jep fuqinë njeriut të dojë armiqtë, shpirti i Antikrishtit i jep personit që pushtohet prej tij urrejtje për vëllezërit e motrat e tij. Po ta analizojmë me imtësi konstatojmë se antishqiptarizmi i Serbisë është demoniak në origjinë dhe ka aftësinë të shpërndahet si një virus ngjitës, ka aftësinë të infektojë dhe shqiptarët vetë. Shumë shqiptarë janë ndikuar e ndikohen nga ky virus në shumë raste pa qenë fare të ndërgjegjshëm. Historia na tregon se shqiptarët e infektuar nga viruesi i antishqiptarizmit kanë janë treguar më mizorë me shqiptarët se sa serbët vetë. Një nga këta është padyshim Enver Hoxha e cili e filloi karrierën e tij si mik e aleat i serbëve Dushan Mogusha e Miladin Popoviç gjithmonë i gatshëm të plotësonte çdo dëshirë të tyre duke e çuar pa ngurim popullin e vet në vëllavrasje. Një shoku im i vjetër në vitet 1990-1991 në kohën kur filloi lëvizja demokratike argumentonte: “Shqipëria gjatë historisë ka qënë e pushtuar nga Turqia, nga forcat greke, serbe e bullgare. Të gjitha këto forca, për periudha të caktuara kanë pushtuar zona të tëra të Shqipërisë po asnjë nga këto qeveri nuk vendosi një terror të atillë përçarës e vëllavrasës sa ai i “luftës së klasave”. Asnjë qeveri nuk shkoi deri aty sa ti merrte bagëtinë fshatarit, madje të mos i lejonte të mbante edhe pula duke vendosur një terror të tillë saqë të propagandonte: “Kush mban në shtëpi një bagëti të fshehur, mban një diversant!” Shqiptarët në Kosovë e Sërbi patën periudha të tmerrshme raprezaljesh e gjenocidi, por po të krahasojmë periudhat e qetësisë të shqiptarëve të Kosovës dhe ti krahasojmë këto periudha të qetësisë të shqiptarëve të Kosovës me jetën e shqiptarëve të Shqipërisë mund të themi pa ngurrim se shqiptarët e Kososvës dhe të gjithë ish-Jugosllavisë kishin shumë më tepër liri, shumë më tepër të drejta e begati se sa shqiptarët në Shqipëri. Kur filluan protestat studentore dhe lindi lëvizja demokratike pinjollët e “Bllokut të Udhëheqësave” flisnin me përbuzje: “U zgjuan kafshët”!

Të njëjtën gjuhë të njëjtën përbuzje e shohim sot në deklaratat e Nënkryetares së Bashkisë së Korçës, Benila Terova. në një prononcim për Gazetën Express tha se gjithçka është e mbyllur dhe Goran Bregoviq do të performojë në Festën së Birrës në Korçë. Terova tha po ashtu se këngëtari serb ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe do të këndojë në ditën e fundit të festivalit më 22 gusht. Ajo tha se këngëtarë nga Kosova kanë anuluar pjesëmarrjen shkaku i kërcënimeve të siç i ka quajtur ajo nga grupe nacionaliste. (Një deklaratë kjo sipas zemrës së propagandës neo-Millosheviçjane të Beogradit, nuk na thotë zonja se nga e ka këtë informacion). Pastaj më vonë na pretendon se bashkia e Korçës me ftesën e Goran Bregoviçit “qëllimi i Bashkisë së Korçës jashtë politikës”. Më vonë ajo bën deklaratën që ju përgjigjet gjithë atyre që i kanë bërë kërkesa Bashkisë së Korçës për të mos lejuar Goran Bregoviçin të merrte pjesë në Korçë. Këtu natyrisht përfshihet edhe grupi i familjeve të viktimave të krimeve sërbe që ende nuk i kanë marrë eshtrat e pjestarëve të familjeve të tyre nga Sërbia. Pra për të gjithë ata që kanë bërë kërkesa kundër vizitës të Bregoviçit këto janë fjalët e zonjës Benila Terova:” Mu kujtua ajo shprehja që nuk e di se cili nga patriotët shqiptarë që nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjëve dhe budallenjëve dhe domethënë asnjë qëndrim në ekstrem nuk i bën mirë asnjë populli dhe asnjë kombi.”

Pasi i lan hesapet me shqiptarët e Kosovës tani na flet për shqiptarët e Shqipërisë, duke përfshirë dhe korçarët:

“Nuk mendoj që do të ketë ekcese, shqiptarët po të ishin kaq trima, në llafe dhe Facebook janë shumë, po në situatën e zjarreve që po e përfshinë Shqipërinë dhe që po i vënë vetë këta me dorën e tyre, nuk kanë forcën që të shuajnë zjarrin e shtëpisë nuk i bashkohen aty siç po bashkohen shumë artistë dhe individë zjarrfiksëve që po fikin zjarret në tërë Shqipërinë, plus do të ketë prezencë të madhe policore…”.

Pasi lexova këtë intervistë mendova: Po të mos ishte shënuar emri i zonjës Benila Terova do të mendoja se këto fjalë do t’i kish shkruar e bija e Sllobodan Millosheviçit. Revoltimi që shkaktojnë këto fjalë buron si një vullkan po unë vendosa ta shpreh me fjalët: “Zoti ta dhëntë përgjigjen, zonja Benila Terova! Zoti ta dhëntë përgjigjen ty, kryetari i bashkisë së Korçës, zoti Sotiraq Filo! Zoti ta dhëntë përgjigjen ty Edi Rama ty dhe gjithë klanit të oloigarkëve që fshihen pas teje”!

Një gjë është e sigurt: Sot nuk ka fare rëndësi përkatësia në parti politike. Çështja qëndron nëse pushtetarët do të jenë shqiptarë apo antishqiptarë. Shqiptarët kurrë nuk mund të përparojnë po të sundohen nga antishqiptarët. Nuk ka rëndësi nëse antishqiptarët janë serbë apo shqiptarë. Historia ka treguar se antishqiptarët shqiptarë janë më të egër!

Please follow and like us: