Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: Gerd Myler ndrroi jetë

 

E pabesueshme!…
Lojtari i pakrahasueshem i kohës së tij, Gerd Myler i Gjermanisë, dje ka ndrrue jetë në moshen 75 vjeçare, nga një smundje e randë.
Per ne që nuk mund të harrojmë asnjëherë Emnin e tij, golat e tij dhe lojen e asaj kohë, kur kenja e Tij në fushë ishte edhe një gol plus per ekipin e tij, jo vetem asht dhimbje por, gati e “pabesueshme”.., mbasi nuk mund të harrojmë kurr knaqësinë që na sillte Emni e Tij në fushë.
Futbolli gjerman dhe klubi i Bajernit sot kanë mangut një Yll Botnor!
Kanë mangut autorin e 365 golave, pra një kampion bote… E ky ishte lojtari i madh Gerd Myler, lojtari i 427 ndeshjeve të futbollit që mbeten në histori të Bundesligës nder ma të bukrat ndeshje në botë…
Gerd Myler asht quejt bomber i ekipit Gjerman! Golshënuesi ma i mirë i Europës dhe i botës, që vetëm mbas tij u rreshtuen emnat e lojtarve të ardhshëm Mesi e Ronaldo. Po, kurrë nuk mund të harrojmë emnat e asaj kohe t’ artë kur Gjermania e drejtueme nga Helmut Shën, pasohej nga i madhi Bekenbauer e vazhdonte, pa mujtë me percaktue se cili asht ma i “miri” në mes tyne, tue mrrijtë tek porta kundërshtare me Gerd Myler.
Historia e futbollit botnor e asaj kohe të shkëlqyeshme, shënon për vitet e paharrueshme të Gerd Mylerit katër herë kupën e Gjermanisë, tri herë Kupën Europiane dhe njëherë Kupën Botnore. Në vitin 1970 ka fitue “Topin e artë” dhe dy herë “këpucën e artë” në 1970 e 1972…
A e dini të nderuem lexues, se tue shkrue këta rreshta edhe na, harrojmë sesa vite kanë kalue nga ajo kohë kur nguleshim para ekraneve TV, me pa tue shënue golat e fitores të Madhin Gerd Myler nga viti 1964 deri 1979?
E pra, lavdia e asaj kohë Gjermanin Gerd Myler e bani të Përjetshëm!
Melbourne, 16 Gusht 2021.

Please follow and like us: