Albspirit

Media/News/Publishing

BE: Jo ‘Open Balkan’ pa përfshirjen e të gjithë rajonit

Bashkimi Evropian reagon për nismën e nisur si minishengeni ballkanik dhe tani ‘Open Balkan’ duke thënë se i mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal, por pjesëmarrja e të gjithëve është thelbësore dhe duhet të ketë prioritet tregu i përbashkët rajonal që u iniciua nga 6 vende të Ballkanit vitin e kaluar. Këtë e deklaroi sot zëdhënësja e Unionit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero e cila foli një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi se nismat si Open Balkan mund të jenë produktive vetëm nëse ka gjithëpërfshirje efektive. Pisonero ka rikujtuar gjithashtu ka rikujtuar zotimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. “Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në deklaratln e zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero që publikuan sot media në Prishtinë. Po ashtu, Pisonero është shprehur se BE është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur. “Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”.

Please follow and like us: