Albspirit

Media/News/Publishing

MISTERI I VERËS GREKE: SI VDIQ NË EGJÊ HEROI QË SFIDOI KOLONELËT?

Nga PAOLO VALENTINO

Është kthyer në misterin e verës greke. Vdekja, në dukje aksidentale, e një ish ministri socialist, pak jashtë portit të Eretrias, n’ishullin e Eubesë, Negroponti i lashtë venedikas, është një mister I pazgjidhur që prej muajsh rrëmben dhe ndan Vendin. Pak ditë më parë, edhe vetë ish Kryeministri Jorgos Papandreu e ndjeu për detyrëtë ndërhynte në Parliament, përballë mospranimit të autoriteteve hetues për të filluar hulumtime të reja në të gjithë drejtimet, në vënd që të këmbëngulnin për të mbrojturtezën e pagjasë të një krize të papritur, të kundërshtuar nga shumë dëshmi.

Sifis Valirakis, 77 vjeç, ishte nisur vetëm mbi një gomone të vogël për të peshkuar, në mesditën e një të djele të fundit të janarit. Trupi i tij u gjënd nga roja e bregut pak mbas orës tetë të mbrëmjes, dy kilometra larg varkës me motorrin ende të ndezur, mbasi që gruaja kishte dhënë alarmin, duke mos e parë që të kthehej. Kishte plagë të thella në fytyrë e në kokë. Një gisht i ishte prerë. Hamëndja e parë e besuar nga policia qe se Valirakis kishte patur një infarkt e kishte rënë n’ujë, ku ishte goditur nga elika. Autopsia përgënjeshtroi shpejt krizën e zemrës, duke përfunduar se ish ministri ishte mbytur si pasojë e plagëve. Si kishte rënë në det nuk u sqarua kurrë.

Qe gruaja, piktorja e njohur Mina Papatheodorou, që drejtoi gishtin kundër një grupi peshkatarësh kundërvajtës që ishin gjendur me varka të ndryshme në zonën ku lundronte Valirakis në çastin e fatkeqësisë. E veja sillte dëshmira të njerëzve të bashkësisë së vogël të Eretrias, simbas të cilave,varka të ndryshme kishin rrethuar gomonen e tij, duke e kërcënuar e duke ngritur valë të larta për t’a detyruar të ikte. Ish ministri kishte humbur barazpeshimin , duke rënë në det pa u ndihmuar nga njeri. “Hipoteza e një vrasjeje me dashje është e sigurtë. Në të vërtetë Sifis është goditur edhe me një shtizë, siç ka thënë njëri prej dëshmitarëve. E kanë goditur” thotë në telefon nga Athina zonja Papatheodorou. Një tjetër dëshmitar ka thënë në një tv lokale se peshkatarët kanë patur një zënie të tërbuar me Valikaris para aksidentit. Por dëshmitë e tyre, të dhëna vetëm pak orë mbas faktit nuk kanë patur asnjë pasojë.

Tetë muaj më vonë rasti Valirakis është në hava: “Nuk kanë dashur të bëjnë hetime serioze – thotë zonja Papatheodorou – kanë dëgjuar fajtorët vetëm javën e shkuar, por nuk i kanë paditur as në gjëndje të lirë. Ka qënë një veprim mbulimi nga ana e Rojes Bregdetare që ndihmon peshkatarët kundravajtës.Është shkandullore që nuk hidhet dritë mbi vdekjen e një heroi kombëtar si Sifis”.

Në të vërtetë Sifis Valirakis nuk ishte vetëm një drejtues historik i Pasokut, lëvizja socialiste panhelenike e themeluar nga Andreas Papandreu, ku kishte hyrë fshehtas, pa mbushur ende tridhjetë vjeç, gjatë diktaturës ushtarake. Ishte një legjendë e vërtetë e qëndresës ndaj regjimit fashist të kolonelëve. Kishte qënë edhe stërvitur në një kamp të Organizatës për çlirimin e Palestinës dhe kishte marrë pjesë në shumë atentate eksplozive kundër regjimit, ku nuk pati kurrë viktima. Shok i Alekos Panagulis, poet e mik i Oriana Fallaçit, edhe ai i vdekur në një aksident të pa sqaruar kurrë, Valirakis u arrestua dhe u torturua më 1971, arriti të ikte nga qelia duke sharruar hekurat e dritares e duke shkaktua një prerje të korrentit, nëpërmjet një lidhjeje të shkurtër. U kap n’afërsi të kufirit me Jugosllavinë dhe u soll në një burg të Korfuzit, por iku përsëri, këtë herë nëpër det duke notuar për kilometra të tëra deri në brigjet shqiptare. Nuk qe me fat, sepse regjimi komunist i Tiranëse arrestoi si spiun, duke e dënuar me tre vjet punë të detyruar. Qe Andreas Papandreu, nëpërmjet një ndërmjetësimi të qeverisë kineze, që arriti të nxjerrë lirimin e tij.

Kur më 1981, mbas kthimit të demokracisë, Papandreu arriti në pushtet, Valirakis që nga fillimi qe njëri ndër ministrat më të besuar: u muar me Trasportet, me Komunikacionet, me Sport deri në postin qëndror të Rendit Publik, përgjegjës edhe i shërbimeve të fshehta e të inteligjencës, detyrë që e mbajti deri në vitin 1996, kur u tërhoq për arsye shëndeti. Por mbeti deputet i Pasokut, i zgjedhur në ishullin e Kretës, deri më 2012.

Në vitet e fundit, ish ministri, ishte tepër i angazhuar të padiste peshkimin ilegal dhe rrënimin mjedisor që po shkakton n’arqipelagun e Detit Egjé. Simbas një gazetari grek, Dimos Verykios, ai i Valirakisit mund të ketë qënë “krimi i parë me sfond ekologjik në Greqi”

“Corriere della Sera”, 7 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Please follow and like us: