Albspirit

Media/News/Publishing

Charles A.Kupchan: Biden kishte të drejtë

Të shikoje talebanët të vërshonin lehtësisht përmes Afganistanit, duke zhbërë për disa muaj dy dekada përpjekje të afganëve dhe komunitetit ndërkombëtar për të ndërtuar një shtet të denjë, të sigurt dhe funksional, ishte torturuese. Talebanët e përmbyllën me efektivitet pushtimin tronditës të vendit të dielën, kur hynë në Kabul dhe detyruan presidentin Ashraf Ghani të arratiset.

Pushtimi, virtualisht i pa penguar i Afganistanit, ngriti pikëpyetje mbi mençurinë e vendimit të Presidentit të SHBA Joe Biden për të tërhequr trupat e SHBA dhe koalicionit nga vendi. Por paradoksalisht, shpejtësia dhe lehtësia me të cilën talebanët avancuan, vetëm se konfirmon që Biden ndërmori vendimin e duhur dhe që nuk duhet të ndryshojë kurs.

Kolapsi dhe paefektshmëria e ushtrisë dhe institucioneve qeverisëse të Afganistanit vërteton në pjesën më të madhe skepticizmin e Biden, se përpjekjet e udhëhequra nga SHBA nuk do ia dilnin të mundësoni një qeveri në Kabul që qëndron mbi këmbët e veta.

Komuniteti ndërkombëtar ka shpenzuar rreth 20 vjet, mijëra jetë dhe triliona dollarë për të ndihmuar Afganistanin, duke mposhtur al-Qaedan; mundur talebanët; mbështetur, këshilluar, trajnuar ushtrinë Afgane; fuqizuar institucionet dhe investuar në shoqërinë civile të vendit.

Progresi ishte i dukshëm, por jo i mjaftueshëm. Ashtu siç dëshmoi avancimi i shpejtë i talebanëve, dy dekadat e mbështetjes së qëndrueshme dështuan të krijonin institucione të afta të qëndronin me këmbët e tyre.

Kjo ndodhi sepse misioni fuste ujë që prej fillimit. Ishte një budallallëk përpjekja për të kthyer Afganistanin në një shtet unitar të centralizuar. Topografia e vështirë e vendit, kompleksiteti etnik, tribalizmi dhe besnikëritë lokale prodhuan fragmentim politik të fortë. Fqinjët e trazuar dhe armiqësia ndaj ndërhyrjeve nga jashtë e bënë ndërhyrjen ndërkombëtare të rrezikshme.

Këto kushte, të cilave nuk u ikje dot, bënë që çdo përpjekje për të bërë Afganistain një shtet modern do të dështonte. Biden mori vendimin e vështirë dhe të drejtë kur zgjodhi të tërhiqej dhe ti jepte fund përpjekjeve të kota në kërkim të një qëllimi të paarritshëm.

Argumentet për tërheqjen përforcohen edhe prej realitetit, se ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dështuar në frontin e shtet ndërtimit, kanë arritur ndërkohë qëllimin parësorë strategjik: kanë parandaluar sulmet e ardhshme ndaj Amerikës apo aleatëve të saj prej territorit afgan. SHBA dhe koalicioni kanë shkatërruar al-Qaedën në  Afganistan dhe Pakistan. Të njëjtën gjë bënë edhe më degën afgane të Shtetit Islamik (ISIS), i cili siç është dëshmuar nuk ka aftësi të kryej sulme ndërkombëtare nga Afganistani.

Në të njëjtën kohë, SHBA-të kanë ndërtuar një rrjet global partnerësh për të luftuar terrorizmin në të gjithë botën, ndarë informacion inteligjent  dhe përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve terroriste. SHBA-të dhe aleatët e tyre janë sot shënjestra mjaft më të vështira se sa ishin në 11 shtator 2001. Al-Qaeda nuk ka qenë në gjendje të kryej asnjë sulm të madh jashtë Afganistanit që prej bombave në Londër në vitin 2005.

Sigurisht nuk ka asnjë garanci që Talebanët nuk do të ofrojnë sërish një port të sigurt për al-Qaedën apo grupe të ngjashme. Por gjasat që kjo të ndodhë janë mjaft të vogla. Talebanët po ja dalin mirë vetëm dhe kanë pak arsye të ringjallin bashkëpunime me al-Qaedan apo të ngjashmit e saj. Talebanët po ashtu do të duan të kenë një farë njohje dhe mbështetje ndërkombëtare, dhe me shumë mundësi të do shtypin çdo tundim për tu mirëpritur grupe që kërkojnë të organizojnë sulme terroriste ndaj fuqive të huaja. Për më shumë, këto grupe nuk kanë më interes të rigrupohen në Afganistan, kur mund ta bëjnë këtë lehtësisht diku tjetër.

Biden po ashtu ka të drejtë që po i qëndron vendimit për të përfunduar misionin ushtarak në Afganistan, sepse kjo është ajo që do edhe elektorati amerikan.

Shumica e publikut në SHBA, demokratë dhe republikanë njëlloj, kanë humbur durimin me “luftërat pa fund” në Lindjen e Mesme. Populizmi joliberal që çoi në zgjedhjen e Donald Trump (dhe gati në rizgjedhje) u zhvillua pjesërisht edhe si përgjigje e perceptimit se SHBA-të e kishin tepruar në Lindjen e Mesme.

Me pakënaqësisë ekonomike midis punëtorëve amerikanë që vijon prej dekadash, të përkeqësuar kohët e fundit nga ndikimi shkatërrues i pandemisë, votuesit duan që dollarët prej taksave të tyre të shkojnë në Kansas, jo në Kandahar.

Suksesi i përpjekjes së Biden për të riparuar demokracinë amerikane varet kryesisht në përmbushjen e investimeve të brendshme, infrastruktura dhe legjislacioni mbi politikat sociale që po kalon në Kongres janë hapat kritike në drejtimin e duhur. Politika e jashtme gjithashtu është e rëndësishme. Biden ka premtuar se do të ndjekë një “politikë të jashtme për shtresën e mesme,” ai duhet të mbajë premtimin duke ndjekur model të punëve që ka mbështetje të publikut amerikan.

Afganistani meriton mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar në të ardhmen e afërt, por misioni ushtarak i drejtuar nga SHBA e ka mbaruar punën e tij. Fatkeqësisht ajo që komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë tani për tani është të ndihmojë në lehtësimin e vuajtjeve njerëzore dhe të shtyjë afganët të kërkojnë zgjidhje të diplomacia, kompromisi dhe të përmbahen ndërsa vendi i tyre është në kërkim të një ekuilibri politik paqësore e të qëndrueshëm./Project Syndicate. 

 

Please follow and like us: