Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: KËNGA E HESHTJES

Duruam flakët që dogjën pemën,
duruam zjarrin që shembi strehën,
duruam cikmën që thau eshtrën,
duruam erën që ngjethi shpresën…
Gjymtuam ëndrrat, gjakuam vetveten,
e ribëmë të vërtetën me heshtjen…
Kurrë nuk e patëm të plotë gëzimin,
as shiun e ylbertë verës, as dimrin.
As diellin, as muzgun, as vesën e brymën,
të panginjur ëndjet, të pangrohur frymën,
përgjysmë lumturinë, mërzitjen, hidhërimin,
mësuam heshtjen, kushtin e vazhdimit…
Të vetmet që kishim në tepri të plotë,
pengimin, absurdin, kotninë e kotë,
zemërimin ndrydhur, shtrëngatën në gotë,
fajtorë dhe kur s’ishim, gjithnjë ne fajtorë,
fjalët i latuam si vetë heshtjen tonë.
Drobitur në agim, të pagjumë ndaj mesnate,
kurrizit kamzhik, drejtësi plot mëkate…
I besuam Heshtjes, mikeshës së vjetër,
heshtja kumboi më fort se çdo gjë tjetër…
Please follow and like us: