Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Fotiadhi: In memoriam, Kiço Fotiadhi

Kiço FOTIADHI-KARIZMATIKU FRYMËZUES ME ZËRIN HYJNOR BRILANT, QË MBETET I PAHARRUESHËM E S’DO TË SHUHET KURRË!

 

Portret i paautorizuar për gazetarin magjik, zëhyjnorin e ekranit dhe mikrofonit, Kiço Fotiadhi, që «pushtoi» dhe «fitoi» zemrat e njerëzve të thjeshtë!

 

 

 Në vend të prologut…

 

Të gjithë individët e ardhur në jetë krijojnë një histori reale njerëzore. Një histori që natyrisht ia vlen të rrëfehet e memorizohet, një histori që mbart vlera të vërteta frymëzuese dhe të jashtëzakonshme, për të sotmen por veçanërisht për të ardhmen.

Kurrësesi nuk mund të jetë e lehtë të portretizosh një personalitet si ai i Kiço Fotiadhit. Ai ishte, në thelb, pjesëz e një plejade idelistësh mendjehapur, me një personalitet të shumëanshëm, kompleks, tepër kërkues, por edhe i drejtë dhe i lidhur pazgjishmërisht me traditat e hershme.

Aradha me sensin e privilegjit për të nderuar kujtimin e Kiço Fotiadhit, si një prej njerëzve më të dashur, pasionant dhe kërkues në ravijëzimin dhe krijimin e individualitetit që ai mishëronte në ekran dhe mikrofon, vizionari i guximshëm me ide origjinale, i cili me një përkushtim krejt të pazakontë, u angazhua dhe i shërbeu artit që ai ëndërronte ekranit dhe mikrofonit.

Aktiv dhe i pranishëm në jetën tonë të përditshme përmes ekranit televiziv si edhe mikrofonit radiofonik, për afro 4 dekada, me virtuozitetin e elokuencës dhe zërin e tij potencial,me shqiptimin e shkëlqyer të fjalës së tij,duke promovuar vlerat e patjetërsueshme të gjuhës letrare.

17 Shtator 2014, Kiço Fotiadhi, magjia e fjalës publike informative, zëri më i ëmbël dhe potencial i ekranit dhe mikrofonit shqiptar për afro 4 dekada, personaliteti pasionant, një prej portreteve mbresëlënës që frymoi dhe jetoi për madhështinë e fjalës, me një karrierë të shumëanshme sharmante dhe plot gjallëri, entuziazëm e jetë, kaloi në Përjetësi.

Kiço Fotiadhi, ikona e gazetarit të ekranit me integritet , vullnet, dinjitet dhe frymëzim, që prej vitit 1959 dhe deri në vitin 2000,bashkërrugëtoi në ekran dhe mikrofon, duke u shndërruar në një figurë thelbësore aq të dashur mitike për të gjithë neve, bashkëkohësit e tij,

Me optimizmin, profesionalizmin, ndërgjegjen dhe mjeshtërinë e zërit të tij,ai asnjëherë nuk u step apo frikësua prej vështirësive dhe të gjitha llojet e pengesave që u përball. Me performancën e tij, me mirësinë e karakterit të tij si një njeri i mrekullueshem dhe stoik, me mendjemprehtësinë e tij,vijoi me kryelartësi angazhimin e tij misionar plot vlera rrezatuese. Duke fituar kësisoj mirënjohjen e jashtëzakonshme dhe respektin pikësëpari të audiencës televizive dhe radiofonike të njerëzve të thjeshtë, brenda e jashtë kufijve shqiptarë si edhe të kolegëve të tij të RTSH-së.

 

«Ju flet Tirana»

 

«Mirëmëngjesi» ose «Mirëmbrëma». «Mirësevini në Revistën televizive të mbrëmjes»,-ishte starti plot ëmbëlsi dhe ngrohtësi i këtij emisari të sprovuar, teksa Kiçoja, startonte udhëtimin e tij të përditshëm në valët e radios dhe televizionit shqiptar.

Kiço Fotiadhi ishte një personalitet dhe një njeri inteligjent, që përmes zërit të tij të mrekullueshëm dhe edicioneve pasionante, i ofruan indiciet e një ndikimi të madh në mbarë opinionin publik shqiptar.

Pasioni jetësor i ngjizur me një vullnet të jashtëzakonshëm i Kiço Fotiadhit, me magjinë e ekranit si edhe mikrofonin e radios, sendërtonte simbiozën e një raporti idilik dhe një marrëdhënie autentike më të thellë e gjithësesi paksa mitike dhe të fshehtë.I cili ndikoi thellësisht në shpirtin e tij ekzistencial duke u shndërruar në një udhërrëfyes në jetën dhe rrugëtimin e tij të suksesshëm profesional.

Si një prej korifejve të ekranit, si një personalitet i përkushtuar, i drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirës dhe tepër i rëndësishëm i gazetarisë televizive dhe radiofonike shqiptare, me përkushtimin dhe punën e tij sistematike dhe të pandërprerë, me seriozitetin dhe performancën e tij admiruese, kontribuoi gjallërisht në themelimin dhe promovimin e rubrikës së revistës informative televizive, përçdoditë dhe sistematikisht për afro 4 dekada rradhazi. Njëherazi ai u shërbeu me një temperament dhe një zell misionar dhe profesionalizëm të lartë duke afirmuar dhe lartësuar reputacionin e Institucioneve të Radio-Televizionit shqiptar, në rrugëtimin historik kombëtar

Edhe pse u largua herët prej jetës, emri i tij, imazhi, personaliteti, zëri hyjnor krejt i veçantë, që emociononte miliona bashkëpatriotë brenda e jashtë kufijve të vendit, do të mbetet në memorien tonë, duke qenë i lidhur pashmangshmërisht dhe përgjithmonë me ekranin dhe mikrofonin.

 

 Rrugëtimi jetësor dhe profesional…

 

Si një personalitet emblematik i gazetarisë televizive, Kiço Fotiadhi, ravijëzon një karrierë unike të spikatur,s i një prej korifejve të Radiotelevizionit shqiptar, si nismëtar dhe themelues i Revistës Informative, duke u shquar dhe spikatur për elokuencën, për nivelin e jashtëzakonshëm në kulturën e komunikimit dhe të shprehurit duke formësuar një impakt dhe identitet të papërsëritshëm.

Kiço Fotiadhi, i cili u përkushtua me mënyrën e tij origjinale të frymëzuar në konceptin e pasionit dhe mjeshtërisë në ekran dhe mikrofon, erdhi në jetë një ditë të nxehtë Gushti të vitit 1940, teksa kalendari shënonte datën 18, në Dhërmi. Si pinjoll i katërt në familjen e kulturuar dhe arsimdashëse plot virtyte të Mësuesit të nderuar Piro Fotiadhi dhe bashkëshortes së tij dhërmiase Theano Muço. Ati i tij kishte studiuar në shkollën Pedagogjike të «Rezarios» në Korfuz, ndër të spikaturat dhe me emër në atë periudhë kohore, e për pak kohë në vijimësi edhe në Janinë, që përpos me shkollimin jashtë atdheut, u ngjiz dhe u pajis me dije dhe me kulturë bashkëkohore Perëndimore.

Si mysafir i jetës,pinjoll i lindur në Dhërmi, në atë vend realisht të bekuar e qëndrestar, sa të bukur po aq edhe tërheqës, në atë vend të mrekullueshëm të dritës,prej atij dheu që ngjiz dhe lind heronj, poetë, mendimtarë, artistë, intelektualë, piktorë, edukatorë, gazetarë, heroizma dhe histori legjendare.

Një vendi stoik tepër të adhuruar dhe krenar,i mbrujtur me virtyte e fisnikëri, por veçanërisht me traditën e lirisë Hyjnore,duke ditur prej mijërave vjetëve të ekzistencës së tij, të sfidojë stuhitë dhe rrebeshet e historisë.

Vitet e para të fëmijërisë së tij përkojnë me periudhën tejet të vështirë të viteve të Luftës Nacionalçlirimtare, i kalon në Dhërmi, mandej në Dukat e në vijimësi në qytetin e Lezhës. Me humbjen e parakohshme të atit të tij, jetoi në në Shtëpinë e Fëmijës në qytetin e Vlorës.

Ëndrra, pasioni dhe dëshira e tij ishte t’i përkushtohej rrugës së teatrit, të cilën e përmbush në vitin 1958 duke konkuruar dhe u shpallur si fitues,për të ndjekur Liceun Artistik në Tiranë, në degën e Teatrit.

Nën përkujdesin dhe vizionin e pedagogëve të afirmuar të kohës, si Sandër Prosi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Prokop Mima, Mihallaq Luarasi etj,ai ngjizet dhe brumoset me nivelin më të përparuar artistik, me parimet më virtuoze të artit botëror dhe atij të artit shqiptar, duke u udhëhequr nga profesorë emërmëdhenj si Myzafer Xhaxhiu në letërsinë antike greke apo profesori Xhemal Broja me teatrin e lashtë grek.

Pas përfundimit të Liceut Artistik me rezultate shumë të larta, Kiço Fotiadhi konkuron dhe fiton të drejtën e studimeve universitare pranë Institutit të Lartë Dramaturgjik «Aleksandër Moisiu», sot Akademia e Arteve, që funksiononte në mjediset e studiot e Teatrit Popullor, duke pasur si bashkëstudentë Serafin Fankon, Agim Shuke, Piro Sava, Timo Flloko, Haxhi Rama, Elez Kadria, Petraq Marjani e Tonin Ujkaj. E përfundon me rezultate të shkëlqyera, duke u diplomuar si aktor e menjëherë emërohet si Spikeri kryesor në Radio Televizionin Shqiptar.

Asfare rastësore nuk mund të ishte prezenca e Kiço Fotiadhit në mjediset e Radio Televizionit Shqiptar, sepse në këto momente starton karriera magjike me vështirësitë dhe peripecitë e panumërta, të mbrujtura njëherazi me një pasion dhe dashuri krejt të veçantë për misionin informativ dhe rolin e tij, në mikrofon dhe në ekran.

Pa u ndjerë dhe me një pasion e seriozitet krejt të papërsëritshëm, Kiço Fotiadhi si një prej figurave më impresionuese dhe interesante,m es brengave të heshtura, largohej prej teatrit dhe aktrimit, drejt ëndrrës së madhe, gazetarisë televizive.

Edhe pse vetëm 23 vjeçar, me një përkushtim madhështor, starton bashkëpunimin me Radio Televizionin Shqiptar, fillesa e të cilës nis qysh në vitin 1959, duke transmetuar me orë të reduktuara prej orës 06-08 të mëngjesit dhe 12.00-18-00 dhe në vijimësi prej orës 20.00-22.00 të mbrëmjes, duke u përzgjedhur për veçantinë e zërit dhe diksionin perfekt dhe u angazhuar paraprakisht në emisionin e fëmijëve të ideuar nga shkrimtari Kostandin Leli, «Χhaxhi korrespondenti», përkrah gazetarit të ri Alfons Gurashi,i cili në atë periudhë drejtonte emisionin e Enciklopedisë së Radios.Për të vijuar mandej me rubrikat dhe emisionet e kulturës, me emisione letrare, me emisionin «Universiteti Popullor» në radio. Përpos tyre duke përgatitur emisione të veçanta për figura të shquara të muzikës klasike dhe asaj botërore, «Rubrikën e prindit», ajo e «Tryezës familjare». Ndërkohë në vitin 1964, bashkëpunon në emisionin që titullohej «Shqiptarët në mërgim», ku nëpërmjet mikrofonit, mundësoheshin kontaktet dhe komunikimi me mërgimtarët shqiptarë jashtë atdheut.

Ndërkohë që qysh në vitin 1960,kishte startuar programi i televizionit eksperimental shqiptar, dy herë në javë nga një orë dhe në vijimësi 3 herë në javë, program me një orë, me një shtrirje krejt të vogël, eskluzivisht për kryeqytetin e Tiranës, në të cilin prezantonte redaktorja e emisioneve të fëmijëve dhe atyre të rinisë, Stoli Beli.

Më 13 Mars 1963, me sugjerimin e koleges Stoli Beli, e cila kryente njëherazi edhe rolin e redaktores si edhe të regjisores, pa asnjë mundësi kontakti apo komunikimi me regjinë, Kiço Fotiadhi starton dhe për herë të parë, paraqet Edicionin e Lajmeve kryesore, në studion e parë televizive shqiptare, në një periudhë kohore, që në Tiranë, numëroheshin jo më tepër se 20-30 aparate televizioni bardh e zi. Nën mbështetjen dhe ndihmesën e stafit teknik të përbërë prej Inxhinier Saliut, Lulzim Tomçiut, Jani Meles, Gëzim Hoxhës, si themelues të Televizionit shqiptar.

Duke ecur në gjurmët e paraardhësve të tij, siç shquheshin mjeshtërit e folësve në mikrofon, si Haki Bejleri, Vera Zheji, Feride Konomi, fjalëpak dhe punëshumë, pasionant dhe shpërthyes, emocionues dhe tepër serioz, Kiço Fotiadhi burrërohet duke skalitur një karrierë madhore si personalitet i mediave vizive shqiptare.

Mjeshtëria dhe erudicioni i padiskutueshëm i personalitetit të Kiço Fotiadhit, spikat dhe dëshmohet jo vetëm në promovimin e përçdoditshëm në ekran të Edicionit Qëndror të Lajmeve, por njëherazi edhe në ciklin e veçantë të Emisionit Historik për Etnogjenezën shqiptare, «Udhëtim nëpër Shqipëri», me detaje dhe element të rëndësishëm historike, kulturore dhe shkencore, i pari emision në historinë e Televizionit Shqiptar, që u realizua pa prezencën e tekstit të shkruar, duke promovuar me një bukuri e thjeshtësi, me një sens impresionues dhe freski, si edhe me një nivel të lartë artistik dhe shkencor, 26 edicione emisionesh me metrazh të gjatë me kohëzgjatje prej 3 orësh secili, për të gjitha rrethet e Shqipërisë, nën regjinë e Dhimitër Pecanit, duke pasur si operator Fatmir Lelën.

Kiço Fotiadhi, si një prej ikonave simbolike të përkushtimit dhe etikës, në ekran dhe në mikrofon, duke u ngjitur në majat dhe në lartësitë e suksesit, me një merak dhe meritë të jashtëzakonshme, u përkushtua seriozisht dhe dinamikisht edhe në proceset e përzgjedhjes dhe formimit të brezave pasardhës të folësve të ekranit dhe mikrofonit. Prej konkurseve dhe me nxitjen e tij, u shfaqën talentet e reja të ekranit, si Çlirim Poro, Afërdita Averi, Ismail Shara, Zerina Kuke, Meropi Xhai, Vladimir Grillo, Elsa Xhai, Viron Noti, Tefta Radi, Agim Xheka, Shpresa Ukcama, Amali Çali, Dhimitër Gjoka, Vjollca Vokshi, Roland Roshi, etj.

Kiço Fotiadhi, për figurën dhe rolin e tij delikat, i përkiste atyre të paktëve intelektualë që survejoheshin në heshtje dhe përndiqeshin nga Sigurimi famëkeq i asaj periudhe, duke dëshmuar kësisoj një lloj disidence dhe rezistence krejt të heshtur. Kurrësesi nuk mund të anashkalohen apo harrohen intrigat e hijenave të kuqe, të cilët të inspiruar prej Revolucionit Kulturor kinez, krejt pa asnjë motiv dhe shkak, në emër të luftës vëllavrasëse të klasave, e imponojnë dhe e largojnë dhunshëm nga Radio Televizioni. Së bashku me figura qëndrore drejtuese si Todi Lubonjën, apo Nefo Myftiu, në emër të dënimeve kapitale të pasojave të Festivalit të 11-të dhe spastrimeve radikale që diktonte Plenumi i 4-ët, duke u besuar shpifjeve monstruoze të anonimatëve të territ dhe llumit dhërmias, duke e çuar si punëtor ferme së bashku me bashkëshorten e tij krejt të pafajshme.

Shpërthimi i ngjarjeve të dhunshme dhe demonstrative në pranverën e vitit 1981 në Kosovë, të cilët kërkonin Pavarësinë e kësisoj politika aktuale shqiptare u pozicionua duke shprehur dukshëm qëndrimet e saj zyrtare përmes disa artikujve publicistikë tepër intrigues e të fuqishëm. Një prej atyre artikujve me përmbajtje historike-shkencore-politike-ideologjike në Marsin e vitit 1981, me titullin «Kush e nxiti armiqësinë midis popullit të Jugosllavisë», u lexua nga një prej spikerëve në Radio-Tirana, por që nuk u pëlqye dhe miratua nga ana e udhëheqjes së lartë partiake të kohës. U kërkua që ky artikull të lexohej nga gazetari Kiço Fotiadhi, i cili realizoi me një mjeshtëri magjike, me një dinamikë, impulsitet dhe emocion, një lexim të jashtëzakonshëm artistik të përkryer, duke startuar njëherazi edhe rehabilitimin e plotë të tij e duke u kthyer sërish pranë ekranit televiziv dhe mikrofonit.

Μagjishprehësi zëbilbil, talenti gazetar Kiço Fotiadhi, ndonëse një prej kolosëve më të sukseshëm dhe specialistëve të mirëfilltë, të së folurës shqipe, promovuesi dhe krijuesi dhe themeluesi i shkollës së të folurit të ekranit televiziv shqiptar, në proceset e vrullshme të demokratizimit të jetës së vendit, në vitin1992, rishtaz kryqëzohet. Çuditërisht dhe paradoksalisht, krejt pa asnjë lloj motivacioni, nga ana e vrastarëve lapanjozë, prapanicëlëpirësve të neveritshëm militantë të paskrupullt, largohet dhe dëbohet edhe për një here tjetër nga ekrani dhe mikrofoni.

Në aspektin e dimensioneve të komunikimit, pa mëdyshje shpërfaqi një mrekulli mbresëlënëse. Dëshmoi dhe ofroi një kulturë elitare, harmonizuar me dinamikën dhe vazhdimësinë e kumtit të nivelit gjuhësor që përcolli. Me një ndikim të madh në temperamentin dhe shpirtin njerëzor të qytetarëve, duke sfiduar dhe krijuar risi e madje duke thyer barrierat dhe pengesat e stereotipeve klishe të kohës.

Ai me skrupulozitetin dhe qartësinë e shqiptimit të çdo fjale apo shprehjeje, me meritë në mënyrën e vet e shndërroi dhe e perfeksionoi të folurin gjuhësor të ekranit, në një etikë dhe gjuhë qytetare komunikimi me vlera të jashtëzakonshme.

Kiço Fotiadhi, si një misionar i rrallë, si një person optimist, modest, fisnik dhe i pëlqyeshëm, kurrësesi nuk e kishte asfare të domosdoshme promovimin, rekomandimin apo reklamën. Aftësitë e tij të padiskutueshme, pasioni dhe përkushtimi i tij në ekran dhe mikrofon, si një arketip dhe legjendë e ekspresivitetit të fjalës dhe e kumtit, dëshmonte se zhvlerësonte çdo ambicie të zakonshme letrare për përshkrim apo analizë.

Për të gjitha dhuntitë, talentin, kontributdhënien dhe meritat e padiskutueshme, gazetari dhe legjenda e ekranit televiziv, Kiço Fotiadhi është LAURUAR nga Presidenti Bamir Topi me Urdhërin «Naim Frashëri» i Artë, me motivacionin si «Protagonist i shquar i ekranit televiziv, promovues i eventeve me rëndësi kombëtare, gazetar i njohur novator», ashtu sikundër edhe nga Presidenti Ilir Meta, si Personalitet i Shquar.

Heshtja dhe mungesa e tij, krijon padyshim imazhet se një pjesëz e rëndësishme e jetës sonë si bashkëkohës, grimca të përballjes me kulturën dhe civilizimin tonë shpirtëror, gjurmët e thella të atij zëri shpërthyes, të përkorë e aq hyjnor, janë larguar dhe tanimë i përkasin analeve të historisë.

Kiço Fotiadhi -një princ i vërtetë madhështor, një artist i një kalibri të madh, që rrezatoi dhe shkëlqeu me origjinalitetin, me talentin e tij të jashtëzakonshëm, me kohezionin dhe etikën e tij. Të cilin enigmat e pashpjegueshme të jetës, ndonëse fizikisht e prehin në Altarin e paqtë të Përjetësisë, mjeshtëria, virtuoziteti dhe zëri i tij legjendar, janë gdhendur për të mos u shuar kurrë përjetësisht.

Një prej thesareve të kohës, talenti si edhe tipologjia e zërit mjeshtëror me një tingull plot ëmbëlsi e protagonistit të ekranit dhe mikrofonit, Kiço Fotiadhi. Një simbol i gjallë i lindur me aq shumë dritë dhe talent, një krijues dhe interpretues i një arti fisnik, me një ndjenjë të thellë të detyrës së informimit të publikut,që zbukuroi dhe hijeshoi jetët tona me prezencën dhe angazhimin e tij.

Në rrugëtimin e tij të gjatë e të stërmunduar, të mbushur me sfida dhe barriera skeptike të aventurierëve çensorë të kohës,me prezencën dhe fjalën e tij, përmes zërit të adhurueshëm Hyjnor, ai mundi të krijonte imazhin e një embleme thelbësore, duke prekur botën dhe shpirtrat e njerëzve dhe qytetarëve të thjeshtë.

Virtuoziteti i zërit të tij, nuk ishte asgjë tjetër përpos një produkt impresioni natyral që u shndërrua, në talent, në impresione, në emocione, në vlera, në përvojë dhe kulturë, si një fenomen kulturor dhe artistik i përkryer.

40 vite karriere brilante dhe prezence dinjitoze me zëri i saj me një integritet të papërsëritshëm në ekran dhe mikrofon, mund të duken se janë si shumë për një individ. Ndërkohë që vlerësuar në aspektin profesional, ato natyrisht që përbëjnë një jetë të tërë aktive shumëdimensionale.

Mund të jenë natyrisht tepër të mjaftueshme afro 40 vite karriere të jashtëzakonshme dhe e lavdërueshme,për të ravijëzuar dhe shkruar suksesin e një Historie të ekranit, si rrezatimi i një shkrepëtime rrufeje në horizont.

40 vite të një kontributi madhështor të një misionari me shpirt të zjarrtë që i shërbeu artit të tij të spikatur, me talent, me seriozitet,me pasion dhe sensibilitet, janë indicia e mjaftueshme dhe e fuqishme për një individualitet dhe personalitet protagonist si Kiço Fotiadhi, duke skalitur gjurmët e një karrierë të shquar e duke ndikuar maksimalisht në angazhimet kolegjiale në Televizion dhe Radio, për të ngjitur në lartësitë e shkëlqimit institucional, një Televizion Kombëtar.

 

Në vend të epilogut…

 

Si mund të shkruhet dhe portretizohet Kiço Fotiadhi, profesionisti i përkorë,zëri magjik i ekranit shqiptar, i cili inspiroi rrezatimin e vlerave të ekranit të vogël në shërbim të informimit të qytetarëve të thjeshtë.

Në gjithë rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional, Kiço Fotiadhi ishte një pinjoll dhe bir i denjë shpirtëror i epokës që ai jetoi,një krenari e pazvetënueshme për Dhërmiun, Himarën, Vlorën dhe gjithë Shqipërinë.

Asgjë nuk iu dhurua. Madje as edhe jeta e tij biologjike. Sepse qysh në fëmijërinë e tij të brishtë u përball me hidhërimin e humbjes së atit të tij. Ende qysh prej një moshë shumë të re deri në frymëmarrjen e fundit të tij, ai luftoi si një titan i vërtetë.

Virtuoziteti i tonit të zërit të tij, që shumë shpejt u afirmua dhe u bë jo vetëm i njohur por edhe tepër i dashur nga të gjithë pa përjashtim,nëpërmjet valëve audiovizive fillimisht të Radio Tiranës e në vijimësi edhe të Televizionit Kombëtar.

Kiço Fotiadhi një intelektual karizmatik sa i zellshëm po aq edhe i ndritshëm, me një botë të pasur shpirtërore, ofroi një kontribut thelbësor dhe vendimtar në gazetarinë radiofonike dhe televizive shqiptare, të cilave u shërbeu plot me zell, përkushtim e seriozitet, deri në vitet e fundit të jetës së tij.

Një personalitet autentik krejt i veçantë, një gazetar me indicie karizmatike, mbresëlënës në pamje dhe gjithë performancën e tij, që magjepsi, emocionoi, duke lumturuar gjithë auditorin e njerëzve të thjeshtë dhe ata përreth tij.

Gjithësesi, fjalët janë të pakta, të zbehta e krejt të pamjaftueshme, për të përshkruar se sa shumë na mungon thjeshtësia, modestia dhe bujaria e admirueshme e karizmatikut të ekranit, Kiço Fotiadhi.

Madhështia e personalitetit dhe karakteri brilant i Kiço Fotiadhit, ndonëse vitet ecin me revan e faktori kohë luan rolin e vetë, edhe pse fizikisht na mungon, ai rishtaz mbetet i pranishëm mes nesh.

I tillë ishte zëri emblematik dhe imazhi fisnik i Kiço Fotiadhit ,si një personalitet i mrekullueshëm artistik modest dhe madhështor, fjalëpak dhe energjik, impresionues dhe i jashtëzakonshëm. Zëri historik i ngjizur me magjinë Hyjnore, që heshti përgjithmonë dhe u «shua» në moshën 74 vjeçare, në agimin e ditës së Mërkurë të 14 Shtatorit të vitit 2014. Duke humbur një prej talenteve më emocionues dhe sfidues të ekranit dhe mikrofonit shqiptar.

Kaloi në Përjetësi, me madhështinë e një jete perfekte, si edhe modestinë që e karakterizonte, siç ishte në çdo hap të jetës së tij. Duke u ulur sipari i një jete të vrullshme dhe një karriere brilante me sfida dhe befasi të paparashikueshme, me një histori suksesi dhe përvojë emocionuese prej gati 4 dekadash, duke lënë gjurmën e tij të pashlyeshme e mbresëlënëse si edhe një kapitull të madh të shkruar me talent, përkushtim, pasion, në «epokën e artë» të Radios dhe Televizionit shqiptar.

Kiço Fotiadhi i përket tanimë historisë dhe vlerësohet si një si një prej ikonave më të gjallë më elegante dhe dinamike që «lindi» si talent plot shkëlqim, në siparin e ekranit informativ dhe i ofroi shoqërisë mbarëshqiptare momente interesante dhe krejt të paharrueshme gjatë karrierës së tij të spikatur, në fushën e radios dhe të televizionit.

Ai ishte dhe do të mbetet në Përjetësi, si simbioza e gazetarit domethënës dhe autentik i ekranit e mikrofonit. Që me një vullnet të jashtëzakonshëm, u angazhua për lajmin dhe informacionin me një përkushtim të rrallë, qysh prej moshës 23 vjeçare e deri në fund të frymëmarrjes së tij, sistematikisht e përçdoditë.

Për të shumëtalentuarin dhe simpatik, për të frymëzuarin personalitet me virtyte të përkora, për kozmopolitin klasik, për legjendën e pazakontë të ekranit dhe mikrofonit, për mikun e vyer të përçdonatshëm të vatrave shqiptare me një frymë rinore, i cili na frymëzoi dhe ndriçoi në mikrofon dhe ekran, Kiço Fotiadhi ekziston vetëm përzemërsi, mirënjohje e jashtëzakonshme, respekt dhe dashuri të pafund.

Si një kontribut tepër minimale të njohjes dhe vlerësimit të talentit të madh, të personalitetit brilant e të rrallë, siç ishte në gjithë hapësirat e jetës së tij modeste, i shtrenjti dhe i dashuri ynë, Kiço Fotiadhi. Ndaj edhe ndihemi tepër krenarë për figurën dhe emrin e ndritur të tij.

Ndonëse vitet dhe koha kalon,ndonëse sot mbushen 7 vite prej kalimit në Amëshimin e Përjetshëm, do ta kujtojmë përgjithmonë emrin, jetën dhe veprën e ndritur të Kiço Fotiadhit, për kontributin e tij të madh plot përkushtim dhe dinjitet, në gazetarinë televizive dhe radiofonike si edhe në komunitetin tonë. Duke mos hezituar asnjëherë të nxiste dhe mbështeste karrierën e talenteve të reja në këtë fushë.

Përherë ndihemi thellësisht mirënjohës, përherë do të jetë mes nesh i pranishëm, duke e kujtuar për elokuencën, për modestinë, për optimizmin dhe buzëqeshjen e tij të ngrohtë njerëzore.

Faleminderit për gjithçka, për të gjitha momentet e jashtëzakonshme në mikrofon dhe ekran, që me aq bujari na ofrove i shtrenjti dhe i paharruari ynë Kiço Fotiadhi!

Athinë,17.09.2021.

 

Please follow and like us: