Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Boshi i pashmangshëm shpirtëror

Shpesh herë pyes veten, ç’i mungon kësaj shoqërisë tonë? Në pamje të parë duket sikur i ka të gjitha! Njeriu perëndimor ka arritur komoditetin, jeton me dinjitet, ka shtëpinë, punën, sistemin mjekësor, pensionin, pushimet. Tani spostohet më kollaj, ka edhe internetin më së fundi, për t’u ndjerë më afër njëri-tjetrit. Duket sikur, pak nga pak po shkojmë drejt “provincës tokë”, ku gjithçka, nē mënyrë të rrufeshme merret vesh gjithkund? Po shkojmë drejt një ndërgjegje globale, ku gjithçka duhet të bashkëjetojë dhe të konfrontohet, me gjithçka? Kjo mund të ketë të mirat dhe të këqijat e veta. E mira është se na ndërgjegjëson mbi gjithçka, e keqja është se na bën më delikatë, fragili, të thyeshëm. Më të ndjeshëm pra, por edhe hap arenën e konflikteve në shkallë më të gjerë. Universale. E bën problemin, faktin, ndodhinë, mendimin, modelin, universal. Ja pra se si mediat bëhen ushtarët e së ardhmes. Një ndodhi të vogël e cila ndodh në një fshat të humbur të globit, fuqija e medjave, me tam-tamin e tyre katastrofik, mund ta shndërroj atë në një ndodhi katastrofike me diapazon universal, për interesa të caktuara, lobesh, ekonomike, politike, sociale. Por, sot, doja të arsyetoja më shumë mbi një fenomen tjetër që vë re personalisht. Boshi i saj shpirtëror.
Kush është pra problemi i shoqërisë sonë? Përse njerëzit kanë humbur entuziazmin? Ç’i mundon? Humbja pjesërisht e vlerave tradicionale? Lodhja nga konsumizmi? Transformimi i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, shoqëror, politik, ekonomik? Ndoshta e ka “fajin” zhvillimi teknologjik, i cili, na “përplasi” përtokë në vetminë zezonë?! Apo ndoshta sepse veç rendim si të sëmurë, drejt krijimit të të mirave materiale? Èshtë ndoshta faji i shumë teknollogjirave, të cilat jo pak, po na hutojnë, çorjentojnë, matufepsin ndoshta? Por ne, nuk jemi veç robotë, skllevër të sistemit. Ne nuk jemi veç ingranazh i mjerë i saj. (Flas për realitetin italian ku jetoj, dhe as nuk çoj nëpër mend se bota pilotohet vetëm falë shoqërive sekrete. As dua të përkrah teoritë kospiracioniste dhe komplotiste sipas të cilëve, fshehurazi shkojmë drejt një diktature universale mbi tokë. Diktaturë ekonomike, ku armët e saj janë kontrolli i gjithçkaje, shpëlarja e truve simbas modelit të tyre dhe bindja se jemi të lirë, kur në të vërtetë nuk kemi qenë kurrë më skllevër se në këtë epokë. Nuk dua ta shoh problemin as si negacionistët. Të cilët vërtetë e ekzagjerojnë).
Njeriu i sotëm, duhet të jetë i lumtur që jeton në këtë epokë. Ka arritur disa gjëra. Dinjitet, komoditet, liri fjale, prosperitet ekonomik, jetë më të gjatë, kohë dhe kushte për studime, etj. Njeriu i sotēm bëri vaksinën në kohë rekord. Nuk është një mrekulli shkence kjo?! Por, aq sa ka mundësi dhe kushte për t’u zhvilluar, po aq njeriu i sotëm ndjehet edhe skllav i mjerë i sistemit, ku ai, ne pra duhet veç të vrapojmë, konsumojmë dhe më në fund, të ngremë patkojtë nga dielli.
Por ne jemi edhe qenie që ëndërrojmë, duam, analizojmë dukuritë! Dje gati sa nuk u përplasa me një njeri tjetër në trotuar. Që të dy ecnim duke parë Facebook-un. Do vijë një moment kur të gjithë ne, në një formë a në një tjetër, do të përplasemi me njëri-tjetrin. Kjo përplasje kulturash, mentalitetesh, ideshë, traditash, ka filluar me kohë. Spostimet e migrazioneve, shkëmbimet e materialeve dhe informacioneve, tv satelitare, Google, etj. Por edhe pse jemi në ndërgjegjen e turmës, shpesh ndjehemi më vetëm se kurrë.
Si e ka hallin kjo vetmi personale, ky izolim? Dhe sidomos, kjo heshtje shpirti? Dua të them ne kemi qenë edhe më të varfër materialisht, por nuk na ka munguar kurrë, entuziazmi. Kishim dëshirë t’i bënim gjërat.
Ndërsa tani, më duket sikur të gjithë heshtin. Tek bashkësitë e dikurshme pak naive, por më të dlira, të sinqerta, kishte ndoshta më dritë dhe frymë kolektive, për të gëzuar të gjithë bashkë?! Ky i sotmi, i konsumizmit e tjetërsoka njeriun, e bën të ndjehet si në xhunglën e materies. Të jemë apo të kemi?! Kjo është çështja. Ky është alarmi i heshtjes tragjike! Heshtin librat. Nuk ka më në Itali asnjë “caso letterario” që prej shumë vitesh. Nuk del më asnjë film i bukur. Për më tepër në Firenze, ku jetoj ishin më shumë se 30 kinema tani kanë mbetur veç nja 10-të. Filozofët heshtin, s’dinë ç’të thonë. Ata tani, veç duket sikur ngatërrohen me këmbët e tyre. Është ndoshta koha e perversionit ligj, me parlament. Ndoshta erdhi koha e mbrapshtisë kulturore?! Koha e vlerave të shëmtuara, ku e shpifura, dhe e rëna moralisht bën bujë dhe tendencë?! Është me siguri koha e kaosit dhe e Kollonave Relative. Konceptet pra, nuk janë më absolute si dikur. Kollona absolute ku mbahej një shoqëri. Fe, ligje të hekurta patriarkale brenda strukturës familjare, rregulla shekullore në sjellje, sistem të koncentruar pushteti, etj. Sot gjithkush ka të drejtë të thotë dhe të mbrojë ç’të dojë. Kaos edhe bosh më duket mua, sikur ka përreth, por edhe magmë të re mendimi, i cili, mund të fermentojë një ndërgjegje të re njerëzore. Një stad të ri emancipimi dhe kjo mund të jetë shumë frytdhënëse.
Edhe bota e artit viziv (piktorët, skulptorët) nuk e kalojnë më mirë. Bëjnë miqtë e mi ekspozita dinjitoze, me vepra dinjitoze. Bravo njëri, bravo tjetri, por në fund asgjë nuk shitet. Asnjërit nuk i ndrisin sytë nga zjarri, nga emocioni, nga flaka e entuziazmit. Është epoka kur edhe arti vetë, e ka humbur fillin dhe zanafillën, domethënjen e saj, në rolin që historikisht ka patur në shoqëri. Dhe duket fare paradoksale sepse kurrë njerëzimi nuk ka pasur kaq shumë informacion të gatshëm për të njohur gjërat. Por ahime! Mungon entuziazmi!! Përse? Njerëzit ndoshta nuk kanë më ç’të thonë? I dinë të gjitha? I kanë eksperimentuar të gjitha. Interneti është një dukuri e re shoqërore, ndaj akoma nuk njihen pasojat e tij në shoqëri. Duket sikur asgjë nuk habit më, asgjë nuk bën më bujë! Të bëjë bujë diçka, duhet ndoshta të na vijnë aljenët, si nëpër filmat amerikanë? Apo duhet të na vijë, një Krisht i ri, që të ringjallë të vdekurit dhe të shërojë të sëmurët, me një të prekur?! Atëherë, do të ishte vërtet fundi i diçkaje të madhe, dhe fillimi i një diçkaje, akoma më të madhe. Çdo rregull shoqëror, rregull social, do të prishej. Çdo ekuilibër mes popujsh, do të dëmtohej. Do të ishte fillimi i një Ndërgjegje të Re në rruzull. Rëmujrat dhe kaosi do të shtoheshin gjithkund. Njerëzit, do të ndryshonin radikalisht. Por, sot për sot… Kishat frekuentohen përgjithësisht veç nga më të moshuarit. Doemos, frika e vdekjes shtohet. Hija e saj, bëhet gjithnjë e më kërcënuese. Të rinjtë?! Ato kanë kohë të luten dhe të besojnë tek përtejjeta. Për ta, është koha e qejfit, e aventurave. Atyre u zien gjaku. Kanë kohë për brenditë fetare. Për meditimet filizofike. Për brenditë spirituale. Ato, nuk e kanë ankthin se jeta po mbaron. Se vitet po ikin. Ato kanë etje të besojnë tek jeta! Kishës jo se jo, por fare pak i besojnë edhe Krishtit vetë, si Shpëtimtar i njerëzimit.
Rinia e sotme beson gjëra të tjera. Iphone tē gjeneratës së fundit, filma abstraktë, party, festa shpesh pa lezet. I besojnë dhe ndjekin fansat e tyre moshatar, influencer nëpër platformat virtuale. Ky virtualiteti i internetit po i projekton në një botë të rreme. Botë që nuk ekziston. Plot me agresivitet, injorancë dhe xheste huliganësh, që bëjnë tendencë. Lodhet prindi i shkretë. Por fēmija rrin më tepër në tik tok e istagram, se sa duke diskutuar në familje.
Teatrot janë në krizë të thellë, përveç ndonjë koncerti Rock, ku ndoshta gjendet ndonjë grimcë entuzjazmi, asgjë tjetër, duket sikur nuk bën më përshtypje. Festivali i “San Rremo-s”, është shndërruar në reliquie të së shkuarës, kur njerëzit, vetë ne shqiptarët, entuzjazmoheshim aq shumë. Rrinim pa gjumë duke e parë me kanaçe, fshehurazi. Një melodi e thjeshtë na nxiste të ëndërronim. Si është puna? Përse kjo lodhje e njerëzve? Përse ky bosh i madh shpirtëror? Gjithkund mbizotëron dukja, fallciteti, yshtja agresive vec drejt konsumit të seksit, të emocjoneve kalimtare, sikur të ishte veç ato. Programet tv, duket sikur gati nuk kanë asgjë të vlefshme apo edukative brenda. Pa substancë, veç kotësi dhe një boshllëk pa skaj. Si filmat hollywood-janë që e mbushin ekranin me Luftëra Yjesh, pa asnjë domethënje e botë të ftohta, ku sundon veç teknollogjia. Video klipet, janë mbushur veç me dukje plot shkëlqim forme, fare pa brendi. Ku ndjehet, veç dum dumi i ritmit dhe balerinat gati pjeshkë jashtë.
Shkojmë drejt një realiteti me ritëm gjithnjë e më të shfrenuar, ku të ndalesh dhe të arsyetosh, të reflektosh, bëhet gjithnjë edhe më e vështirë.
Kush janë pra? Politikat e vëna në shënjestër nga producentët, të vendosur të ofrojnë pisllëqe, vlera – plehëra?! Apo vërtet shpirti i artistëve në çdo fushë u ka zbardhëlluar?!. U ka sterilizuar dhe nuk ndjen më asgjë?! Dhe asgjë s ka më për të thënë, asgjë për të ëndërruar??!!!
Jo, mendoj unë!. Nuk nxirren në treg vlera- plehëra, sepse ato konsumon Tregu! Tregun e pilotojnë, kush investon mbi mallin e pregatitur për treg. Nëse unë producenti, ofroj mediokritete pa mesazhe, pa domerthënje, don të thotë, që jam unë përgjegjësi, ai që pilotoj tendencën. Bashkë me zabuninë e kritikëve, gazetave dhe publicitetit. Jam unē përgjegjësi i katrahurës, jam unë mëkatari i Boshit. Kështu ndodh në çdo fushë të artit. Libra, art, muzikë, teatër, filma, etj.
Të gjithë ç bëjmë? Ecim ëndërr vrarë? Ëndërr vjedhur nga epoka shterpë, kurvë, pa dinjitet? Është vallë një epokë pa dinjitet. Një Mesjetë Bashkëkohore?!!
Nuk ka më asnjë dëshirë analitike, as kureshtje, njerëzit nuk duan më ta lodhin trurin fare. Ç’është ky mjerim i pamasë njerëzor? Thua njerëzit janë lodhur nga e bukura? Dikur shpirti entuziazmohej, ndërsa tani veç konsumon. Konsumon sepse duhet konsumuar. Konsumon në veshje të shtrejta, bukurinë e vet estetikën, makinë të bukur, restorante, pushime. Nuk them që nuk duhen, ne për të jetuar sa më mirë e bukur mundohemi, por esencjalja është fare larg. Fare e pakapshme.
Njerëzit sipas hulumtimit tim personal nuk Besojnë më tek gjërat. Dikur shoqëria, familja ishte e strukturuar ndryshe. Tani ka humbur Besimi tek gjërat. Tani veç jetohet, ecet nga na thonë të ecim. Dikur kishte një besim politik, një ide, një platformë filozofike, një model, sidomos kishte një Ideal për tu ndjekur. Tani duket sikur nuk ka asgjë.
Zjarri i Shenjtë Brenda Nesh. Ai Mungon. Njeriu duket sikur është mbushur me gjithcka! Ai i bombarduar orë e çast me mesazhe është ngopur! Ndaj, më duket mua, (dhe shpresoj pafundësisht ta kem gabim), ai pra, njeriu rrin si i ftohtë, si i mpirë dhe indiferent, prej gjithçkaje të bukur përreth. Kalon kohën në kotësinë e platformave përmbys mbi celularë, pa emocjon. Si të hashishosurit kinezë, të cilët ranë prehë e dredhisë angleze, për të fituar luftën ndaj tyre. I droguan kinezët, i futën vesin e hashishit, dhe mbretëria angleze e Fitoi Luftën kundër popullit kinez.
Gjithçka tashmë duket fare Pa interes! Boshi total!
Kjo është sipas mendimit tim, një krizë e thellë shpirtërore, e cila nuk e ka njohur kurrë një mjerim të tillë. Kaq të thellë dhe kaq tragjik. Një mjerim i vetë sistemit Konsumist, kapitalist, o të ekonomisë së tregut, i cili mbasi e ka kryer ecurinë e vet, sidomos në botën Perëndimore, që prej viteve 1960 e tutje, tani po përjeton Veç rënjen e saj. Njeriu po përparon për sa i përket të drejtave të tij, por thellë thellë duket sikur ai po varfërohet gjithnjë e më shumë shpirtërisht. Po bjen. Një rënje drejt degjenerimit, shthurjes së vlerave të baballarëve, apatisë, indiferencës, vetmisë, shkatërrimit të tij spiritual. Duket sikur asgjë nuk bën më bujë. Asgjë nuk e ngre më shpirtin, në majat më të larta. Heshtje! Heshtje! Heshtje! Nuk është ndjerë kaq shumë heshte as edhe gjatë epokës së luftrave botërore. Edhe pse personalisht, preferoj mijra herë këtë paqe shurdhe dhe pa entuzjazëm shpirti, sesa tmerrin dhe tragjedinë e luftërave shkatërruese. Ç’duhet të bëjmë atëhere? Të prishim prap, për ta filluar nga e para? Apo të përkrahim moton e Futuristëve: La guerra è l’unica igiene del mondo”! Kurrë më me tmerret e luftës. Mendoj dhe shpresoj se njeriu bashkëkohorë, i ka vënë dy para mënd në kokë dhe do ta ruaj paqen në Perëndim të paktën. Përndryshe, historia nuk do të kishte asnjë vlerë mësimi. Njeriu besoj, ka mësuar diçka nga gabimet e tij në të shkuarën , bashkë me diktaturat e vuajtura mbi shpatulla. Tani sfidat janë me natyrën, janë ekologjike dhe mbi mbijetesën vetë të specjes. Mbas bombës atomike!. Njeriu! Kjo qenje komplekse dhe egoiste. Cinike por edhe ëndërrimtare, e cila etikën dhe moralin po e hedh tej për pak komoditet… Njeriu është bërë pak më dinak. Mundohet të bëjë luftë mbi platforma virtuale tregu dhe valutash. Jo më me tanke, mina dhe bombardime. Jo më mish për top. Të paktën në botën e zhvilluar. Ushtarët e sotëm janë mediat. Sot lufta bëhet me poshtërime në tv. Me manipilimin e informacjonit. Ato janë mercenarët e së ardhmes. Sahanlëpirësit e shitur të gazetave që mbrojnë lobe dhe interesa miljonerësh. Lufta është ekonomike, financiare. Me poshtërime dhe baltë internazionale. Njeriu ka evoluar?
Please follow and like us: