Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Udhërrëfyesi i së mirës, që ndryshoi jetën time!

Historia e një studenti, rrëfyer nga vetë ai.
Ishte hera e parë që po jepte mësim në atë klasë dhe gjatë orës së mësimit, i drejtoi një pyetje njërit prej nxënësve.
E gjitha klasa shpërtheu në të qeshura.
Ajo u çudit shumë nga reagimi, pasi nuk kishte asnjë arsye për të qeshur.
Falë vështrimeve të nxënësve, kuptoi se kishte pyetur nxënësin më të dobët në klasë.
Pasi nxënësit dolën, mësuesja i kërkoi nxënësit që vlerësohej i dobët që të qëndrojë me të. Ajo i shkroi një poezi në një letër dhe duke ia zgjatur i tha: ”Dua që këto vargje t’i mësosh njëlloj siç ke mësuar emrin tënd dhe të mos i tregosh askujt për këtë! Mirë”?
Nxënësi pohoi me kokë, mori letrën dhe u largua i habitur.
Të nesërmen, mësuesja e re shkroi vargjet në dërrasë dhe pasi i analizoi, i fshiu. Pastaj, i pyeti nxënësit: ”Kush e mësoi poezinë përmendësh nga dërrasa e zezë të ngrejë dorën”!
Askush nuk e ngriti dorën, përveç nxënësit që konsiderohej i dobët. Ai e ngriti dorën gjithë frikë e hezitim. Mësuesja, duke i buzëqeshur i tha: ”Po, na e recito”!
Me fjalë që mezi i dilnin nga goja, ai e recitoi të gjithë poezinë që e kishte mësuar paraprakisht. Mësuesja e vlerësoi dhe i tha fjalë motivuese para të gjithë nxënësve, madje i kërkoi klasës që ta duartrokasin.
Nxënësit të shushatur nga ajo që kishte ndodhur, e duartrokitën dhe e përgëzuan.
E njëjta gjë u përsërit disa herë gjatë javës, por me forma të ndryshme, e sigurisht, u përsëritën dhe fjalët e mira, konsideratat, vlerësimet por edhe duartrokitjet e nxënësve të klasës.
U afrua data e provimeve përfundimtare, lexoi, mësoi çdo ditë dhe i mori të gjitha lëndët.
Hyri në shkollë të mesme gjithë zell dhe vullnet. Çdo vit i përmirësoi rezultatet!
Arriti mesataren për të ndjekur studimet universitare dhe e mbylli me rezultate të larta.
Studioi master e mbrojti doktoraturën.
Njerëzit janë dy llojesh:
Çelës i së mirës dhe kyç i së keqes: duke nxitur, motivuar, zgjatur dorën, mbushur me shpresë, duke të dhënë optimizëm.
Ose kyç i së mirës dhe çelës i të keqes, demoralizues, pengues, vënës shkopinjsh nën rrota, tallës, ironizues, fajsues…!
Nxënësi i mësipërm ishte viktimë e llojit të dytë, por në një moment të jetës, u gjend përballë një njeriu nga lloji i parë i cili i ndryshoi jetën.
Please follow and like us: