Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Aromë gruaje…

Gratë kanë strija, gratë kanë rrudha, gratë kanë thinja, përse janë kaq të bukura?
Gratë, janë kaq të bukura, kaq të ngjashme dhe kaq të ndryshme nga njëra-tjetra.
Ketu qëndron edhe esenca e tyre e bukurise, këtu qëndron eleganca dhe sekreti i aromës së tyre të pazëvendësueshme.
Gratë janë të guximshme po aq të buta, lozonjare, të ëmbla, luftarake, të paqta.
Gratë janë të bukura.
Bukuria e tyre nuk ka kornizë, është krijuar për të qëndruar jashtë çdo kornize, shumë dimensionale, shumë afër perfeksionit, shumë larg të zakonshmes.
Gratë e ujdisin çdo ditë bukurinë, me përsonalitet, me ndjeshmëri, me guxim, me buzëqeshje, me stolinë e krenarisë, vetëbesimit, dinjitetit…
Gratë janë të pabesueshme, ato ringrihen pas çdo rrëzimi, gratë qajnë dhe qeshin po aq fort me lot gëzimi.
Aroma e tyre dehëse është parfum i marrë nga mrekullitë e tokës dhe bukuritë përkëdhelëse të natyrës.
Zemra e tyre është një oqean dhembshurie, ndërsa mëndja urtësi dhe qetësi e pafund… sa bukur të lundrosh në të!
Gratë janë oaz, janë paqe, janë poezi, mrekulli.
Lum kush di t’i lexojë!
Gratë janë të befasishme, si shiu i vrullshëm në gusht, si ylberi pas stuhive… por gratë janë të vërteta në çdo natë pa hënë, errësirë apo tragjedi.
Janë supi më i fortë ku burrat mund të mbështeten, janë e shkuara dhe e ardhmja…
Gratë mbajnë jetën!
︎Për gruan…
Sa dua ta pikturoj një grua,
në bojëra vaji të shkrihet
siluetë e saj,
në penelata të ngrohta
brendì e saj,
shikimi,
aroma dhe gjithçka.
Sytë oqeanikë t’ia ngjyros në blu,
të zi si nata
flokun e mëndafshtë,
vetullat e ngrysura,
si anijet në stuhi
e dallgët rebele
në ngjyrë gri.
Çfarë tjetër fle
në shpirtin e pa faj?
A njihet vallë një grua,
skaj deri më skaj?
Mëkat që puth freskët,
më e hekurt se një burrë,
qan edhe qielli,
gratë s’qajnë kurrë.
Please follow and like us: