Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (2)

 

Fatmire Duraku

 

Këtë shkrim të shkurtër për një veprimtari të gjatë shkrimi artistik po e nis në vitin e largët (mars 1964) me tendencë që të arrij këtu… në këtë rrjedhë artistike… me vargun që fare pa e nënshkruar autori e ka të njohur lexuesi, për hir të mënyrës së shtjellimit dhe  veçantisë që ka në vete;

Për ta lidhur këtë  mendim të prerë mjafton vetëm konstatimi i më hershëm i  drRrustem Berishës, mësues i hershëm i autorit, nga i cili poeti i ka mësuar të gjitha fshehtësitë e artit poetik. Ai do të thotë në një shkrim për nxënësin e vet, se “Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe e asnjë krijuesi tjetër”.

Një krijues i veçantë, një krijues modern, i realizuar me sukses në disa gjini të shkrimit letrar.

“në ç’derë të trokas në rizonë

ky dru e ky zog kjo kullë a është imja

ç`ka ndërruar zot udha qielli deti

***

në hotel teutas`më njeh njeri”

 

*

Me shkrime letrare NexhatHalimi nisi të merret  sa ishte në bankat e shkollës fillore, në  vitin 1964. Me këtë rast botoi dy vjersha, “Pëllumbat nuk ishin fajtorë” dhe  “Gjahu”, të cilat u botuan në “Rilindjen për Fëmijë”. Autori më vonë këto poezi  i  inkuadroi në librin e parë për fëmijë “Molla e fshehur”. Ky libër qe përgatitur dhe dërguar në Redaksinë e Botimeve të “Rilindjes”. Libri do të dorëzohet te redaktori i atëhershëm,   MehmetGjevori. Shkrimi i  Gjevori për librin qe mjaft i  vlerësuar dhe e sugjeronte  botimin brenda vitit 1968 . Për këtë libër për fëmijë të njëjtin mendim e ndante dhe recensenti- poeti i shquar RrahmanDedaj, duke i cekur disa nga vjershat, sidomos ato për muajt e vitit. Libri mbeti pa u botuar pas shkrimit të recensionit negativ, të cilin e shkroi Rexhep  Hoxha. Fati i librit kështu do të udhëtoi njëzetë vjet më vonë për t’u botuar  nën përkujdesjen e redaktorit RifatKukaj dhe me shkrimin recensional të Qerim Ujkanit. Ky libër do të ribotohet nga Shtëpia Botuese “Fad” me 2020, i cili solli në kujtesë historinë e botimit të parë, me këtë rast ShaipGrabovci tregimtar e dramaturg i njohur duke i ditur përciptit dhe historinë e botimit të parë të librit shkroi :

 

“Një libër i vonuar njëzet vjet,

 

Shtëpia Botuese “Fad” e Prishtinës para ndonjë dite ribotoi librin e parë me krijime për fëmijë “Molla e fshehur” të NexhatHalimit. Ky libër është kompozuar nga krijimet e para të autorit  në poezi, të botuara në vitet e largëta 1963, 1964 e 1967 në gazetat “Rilindja për fëmijë”, “Pionieri”,“Shëndeti”, “Flaka e vëllazërimit” etj. Libri do të dorëzohet në Shtëpinë Botuese “Rilindja”, për botim  më 1968.

Redaktori i shtëpisë botuese “Rilindja” atëherë MehmetGjevori e vlerësoi mirë librin dhe shkroi për të një recension pa asnjë vërejtje, ndërsa recensenti   RrahmanDedaj e vlerëson prurje të re që sjell risi në letërsinë për fëmijë, duke u përqendruar sidomos te poezitë për muajt e vitit. Recensenti   i dytë qe Rexhep Hoxha dhe ai e refuzoi librin me disa porosi për autorin se si duhet të shkruajë. Kjo ndikoi te redaksia që libri të mos botohej. Njëzet vjet më vonë dorëshkrimi dorëzohet për botim te e njëjta shtëpi botuese, atëherë te redaktori RifatKukaj, i cili përveç vlerësimit të mirë të poezisë vuri kusht që libri do të botohej vetëm nëse hiqet poema për  Skënderbeun. Natyrisht, libri botohet pa  atë vjershë, ose nuk do të botohej fare.

Libri “Molla e fshehur” u botua dhe u vlerësua mjaft mirë nga shumë autorë të dalluar, siç janë RamadanMusliu, Veli Veliu, Hajro Ulqinaku, RizahGrajçefci, Rrustem Berisha, RagipSyla, etj. Madje, H. Ulqinaku e radhit librin mes tre librash më të suksesshëm në poezi   te ne,  “Gjithkush mund të shkruajë për fëmijë,- thekson ai, – por të shkruajë bukur poezi, prozë nuk është aspak lehtë. Këtë  mund ta bëjnë vetëm të rrallët, vetëm poetë të rrallë.  Në letërsinë tonë për fëmijë veprat më të mira i shkruan  Adem Gajtani “Lule më lule”, Shkup 1972, Vehbi Kikaj “Shtëpia ime ka sy”, Prishtinë 1972, NexhatHalimi “Molla e fshehur”, Prishtinë 1989. Kjo vepër e  shkruar gjatë viteve të `60-ta dhe e dorëzuar për botim më 1969, do të botohet  njëzet vjet më vonë, për shkak të dorës së censurës, e cila bënte përpjekje  t`i ndalte rrjedhat më të suksesshme në krijimtarinë letrare shqiptare.  RamadanMusliu, duke analizuar librin ”Molla e fshehur” potencon se  “Te NexhatHalimi, si rrallë te ndonjë poet tjetër, mbase vetëm te Adem Gajtani, ndeshim një lirizëm të semantizuar… Pjesa më e madhe dhe më e suksesshme e poezisë janë të këtij tipi, disa prej të cilave edhe mund të sistemohen si ekzemplarë antologjik…” , ndërsa Rrustem Berisha nënvizon se “ NexhatHalimi është krijues me stil të veçantë dhe krejt origjinal për çka vepra e tij do analizë serioze. Këto vepra i shquajnë karakteristikat e tyre specifike: zgjedhja e tematikës, format e reja shprehëse, zgjedhja dhe krijimi i figurave stilistike, tërë leksiku poetik i freskuar me fjalë e krijime të reja …Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe e asnjë krijuesi tjetër”.

Botimi i librit “Molla e fshehur” i NexhatHalimit priti njëzet vjet, që ta përjetojë lexuesi dhe ta radhis ndër librat e suksesshëm te ne, ndërsa kritika dhe ata që e duan poezinë  kaq  më vonë ta thonë fjalën e tyre.

Pse kjo vonesë?

Përgjigje nuk ka.

Ja, tashmë e kemi përpara botimin e dytë, të plotësuar dhe të redaktuar. Ndoshta autori ia ka dalë të rizgjojë mozaikun e vet të hershëm me ndonjë prekje që nuk e ka lënduar librin, ngase shumë herë dora e dytë e autorit mbi librin e vet e ka dëmtuar poezinë.

…Po, megjithatë duhet nënvizuar se libri vetëm mund të vonohet, kurrë të dëmtohet më shumë. Prapë gjendet rruga të arrijë te lexuesi, siç arriti “Molla e fshehur” dhe natyrisht u pëlqye pas dy dekadash e kjo vonesë e fillimit e librit me vargje aq te bukura, vetëm shërben si një dëshmi për gjeneratat e reja, se  në një kohë ka qenë e rëndë të flasësh lirisht, ka qenë e vështirë  të jesh poet!

Tashmë libri është ribotuar dhe mund të vazhdojë jetën me ata dhe për ata për të cilën është shkruar me sakrificë dhe dashuri të paepur.

Për librin që u botua njëzetë vjet më vonë,  Ramadan Musliu kritiku i njohur i letërsisë e cilëson për prurje të re në letërsinë tonë për fëmijë, madje ai i cilëson si antologjike disa nga vjershat e librit.

Ai thekson për Mollën e fshehur, të botuar nga “Rilindja” më  1989.

Poezia për fëmijë, të shpeshtën e rasteve, i tejkalon konvencatzhanrore te poezisë për të rritur, duke i modifikuar disa tipare, mbase, margjinale dhe duke i shndërruar ato në vlera poetike. Në poezinë për fëmijë mund të konsiderohet poetike edhe forma narrative e ndërtimit të vjershës, përdorini i interpunksionit, madje edhe retorika mund të jetë e vlefshme vetëm se ato do ditur funksionalizuar. Prandaj, krijuesit që merret me krijimtarinë për fëmije i nevojitet një parakusht pikërisht për mbindërtimin që e kapërcejnë konvencënzhanrore të poezisë për të rritur, parakusht krijues, që duet të manifestohet pikërisht te ato momente që për poezinë për të rritur mund të konsiderohen si momente negative.

Në librin me vjersha për më të vegjlit «Molla e fshehur» kemi pikërisht një tendencë që vjersha të ndërtohet pa pretenciozitet dhe ngarkesa që vijnë nga intenca e autorit, kur merret me krijimtarinë për fëmije. Prandaj, në poezitë e këtij libri kemi tipare të tilla që mund të klasifikohen si retorizim i tepruar i vargut, kemi rrëfim që lidhet për ndonjë çështje e që figurën e lë anash, kemi kthim nga forma parafrazuese e shfaqjes së ideve, por mbi të gjitha një lirizëm specifik, imagjinatë dhe invencë.

Këto tiparet e fundit sikur na bëjnë me dije se në krijimin e poezisë për më të vegjlit, çështja e qëmtimit duhet të mbështetet në invencën krijuese dhe ne bazamentin e fantazisë. Kjo do të thotë se, nëse poezia ka retorizëm, ai duhet të jetë i funksionalizuar, nëse ka rrëfim dhe parafrazim, ai duhet të jetë i artikuluar artistikisht. Në këtë poezi ideja rri karshi emocionit, semantema, sa shpreh kuptimin,

aq edhe sublimatin lirik. Pikërisht kjo e dhënë dëshmon se poezia e librit «Molla e fshehur» më shumë sjell emocione, lirizëm, përjetim, imazhe sesa tema të nduarnduarta, probleme e çështje. Madje, po të vështrohet në planin tematik, kjo poezi jep shenja të një mbyllje tematike, mbyllje në një rreth të caktuar problemesh. Poezia e librit «Molla e fshehur» kryesisht përmbyllet në atë rreth tematik që në radhë të parë përmban preokupimet e autorit me natyrën, jetën e përditshme me thekse të veçanta në veçoritë ambientale, aty-këtu shtrohen çështje që i përkasin letërsisë, orale (përralla në radhë të parë) si të sferës letrare, po aq edhe të problemeve të procesit krijues. Në këtë rreth idesh pa dyshim se hyn edhe rrethi motivor dhe intencionaliteti. Në poezinë e NexhatHalimit zakonisht fëmija duket si një siluetë që me praninë e vet hetohet në çdo vjershë. Herë kjo prani është perceptimi naivist, e më shumë prani e fëmijërisë si një subjekt, të cilit i dedikohet rrethi i ideve, herë herë  merr funksion të një personazhi.

Poezia e  Nexhat Halimit, sikundër mund të shihet, trajton një sferë jo aq të gjërë problemesh, porse efektet poetike janë gjithsesi mbresëlënëse. Pse? Arsyeja kryesore qëndron te mënyra  e përpunimit të temave. Poezia e NexhatHalimit shpesh e më shpesh mbështetet në formën e krijimit të vargut përmes parafrazimit të ideve. Kjo formë parafrazimi, herë del se është një aspekt i veçantë përshkrimi, e herë se është riineterpretim i ndonjë ideje që, ose mund të huazohet nga ndonjë krijim artistik ( fjala vjen, nga përrallat tona) ose ide që është si rezultat i vrojtimit të vetë autorit nga jeta dhe proceset aktuale.  Shembull ilustrativ gjejmë te disa poezi që mbështetën në ide, ose në ndonjë motiv të  përrallave, ose në ndonjë ide të ndonjë autori që në njëfarë mënyre ka krijuar legjitimitet  filozofik. Që në vjershën e parë “Portret i mundshëm poeti” poeti shpreh synimin që ta riaktualizojë edhe njëherë konceptin naimian të poetit që krahasohet me qiririn, që, duke u djegur, i ndriçon të tjerët: “Poeti thua qiririt i ngjet./ Gjithmonë i bën dritë botës/, ndërsa digjet vetë”. (faqe 5). Koncepti iluminist i poetit më vonë shfaqët si një ide që duhet të ilustrohet me shembuj konkret. Prandaj, ideja për rolin e krijuesit, i cili merr trajta të ndryshme dhe është proviniencave  të ndryshme, është ajo më dominuesja dhe gjithsesi, kur është fjala për intencën e vjershës, e bën të mundshëm qëndrimin autorial ndaj jetës dhe çështjeve të jetës. NexhatHalimi më shumë ofron ide dhe qëndrim përmes trajtimit të temave specifike, pra zgjedhjen e tyre,  sesa qëndrime aprioristike pedagogjike. Pikërisht ato vjersha që synojnë të mbështetën në peshën e temës edhe që e plotësojnë kriterin moralizues. Pjesa tjetër e vjershave ato më së pari  mëtojnë ta manifestojnë fantazinë e bujshme dhe gjeturinë krijuese, më shumë i ofrohen artit sesa didakrizimit, dhe efekteve të tjera joartistike, porse, që janë të kërkueshme në vjersha. Nexhat Halimi sikur qëllimisht insiston të trajton tema problematike, të tilla tërheqin vëmendjen e lexuesit për aktualitetin e tyre e më pak për aktualitetin e artit. Ajo pjesë e vjershave që i falet fantazisë, spontanitetit të frymëzimit, që kryesisht mbështetën mbi një përvojë pararendëse edhe janë me arritura artistikisht. Kemi në këtë libër vjersha që në një farë mënyre mund të konsiderohen si të rralla në poezinë tonë për fëmijë. Vjersha të vlerës antologjike janë: “Dialoget me natën”, Përralla për drenin” etj.  Vjershat e këtij lloji kryesisht i kushtojnë vëmendje krijimit të atmosferës lirike dhe të fantazisë. Madje,  lirika dhe tensioni emocional edhe është  vlera kryesore e vjershave.

Vjershat disa sosh, të NxhatHalimit, kemi thënë edhe më parë, mbështetën shpesh në retorizmin dhe interpunksion të llojit të ndryshëm. Është interesant se shumë vjersha ndërtohen në forma të dialogut dhe prapë ai rrëfim, ai naracion që mëton ta shqiptojë një situatë, del edhe kuptimisht, por edhe në aspektin emocional e lirik, i fuqishëm. NexhatHalimi si rrallë ndonjë poet, mbase vetëm te vjershat e A.Gajtanit,  ndeshim një lirizëm aq të semontizuar. Më bëhet se pikërisht lirika është ajo që rrethin e ngushtë problemor e zëvendëson dhe e bën më të pandieshme.

Forma e  ndërtimit të vjershës përmes parafrazës bën të mundshme pajtimin midis narracionit  dhe figuracionit. Kemi në rrëfimin lirik të këtyre vjershave mjaftë metafora funksionale, sepse poeti aq shumë mbështetët në metaforizm, por jo të realizuara përmes togëfjalshit, por më shumë përmes frazës poetike. Për këtë arsye, narracioni është poetik, atmosfera poetike, tensioni emocional vazhdimisht repredukon lirizëm.

Atmosfera lirike dhe emocionale, perceptimin, të shumtën e herave, naiviste, mbase edhe janë vlerat qenësore të kësaj poezie.

(Rilindja,  e shtunë, 27 janar, 1990).

Nexhat Halimi, një krijues i veçantë, një krijues modern, i realizuar me sukses në disa gjini të shkrimit letrar.

Vëllimi  me poezi  “Zemra me zog” – botuar më 2015 nga SHB “Fad”, është padyshim libri më i mirë i NexhatHalimit për fëmijë. Ky libër-mozaik me tone të gjalla-aktuale e historike, me ngjyra, muzikë dhe mendim adekuat, është realizuar me shumë përkushtim. I ngjet një cope të qiellit me plot flutura e yje, me hënën në sfondin e pafund të imagjinatës, por aty-këtu ndihen dhe ngjyrime të dhembjes, përkrye arritjes së lirisë, kaq shumë të pritur. Autori sjell krijime të formës klasike, siç janë soneti dhe poezitë me strofa katrona, tercina etj. Dialogu i brendshëm i heroit lirik me lirinë,  me lulet, me fluturat, por dhe me ëndrrat, me përditshmërinë, e nxjerr në shesh dhe një herë mjeshtërinë e veçantë të poetit, ndër më të shquarit ndër ne.

 

Dr. Rrustem Berisha shkruan se “Zemra me zog” lidh njerëz e histori. 

Poezia e këtij libri e NexhatHalimit është vepër e arritjeve poetike me sukses të veçantë në aspekte që shpreh artin letrar. Ajo lidh përjetimet e prindit e të fëmijës, mallëngjimet për njerëzit që jetojnë larg njëri tjetrit ose për ata që nuk jetojnë më; i njomë kujtimet e tyre të afërta dhe të largëta, i shton dëshirat për afrime e dashuri të pambarim.

Me këto kujtime vijnë e bashkohen prindërit, vëllezër e motra – qoftë mes hejbeve të kurbetit, qoftë përmes pogaçes që lëshon erën e këndshme ende duke u pjekur në çerep dhe fëmijët e shijojnë akoma pa e marrë në dorë, pa e përtypur me dhëmbë.

 

Nëna ende pjek pogaçen në çerep.

Ne, pesë, presim të heshtur n`dhomë.

Secili tashmë të ngopur me aromë.

Ajo duar – çarë, thyen bukën në cep.

Ndërkaq, historia vjen e shtrohet me grimcat e saj, përmes shtëpive të thjeshta, kasolleve, kujtimeve në robëri, flamurit – Kosovës, iLirisë së copëtuar e deri te sendërtimi i ëndrrës së përhershme,  blerja e abetares për fëmijën, të cilës prindërit nuk ia kishin shijuar fjalët. Këtë rrugë të vështirë të flijimit, të mungesave e të rriskave të dritës, të takimeve  e të ndarjeve i shpërfaq libri i NexhatHalimit “Zemra me zog”. Autori ka shfrytëzuar përvojën e vet të gjatë krijuese dhe e ka ndërthur në vepër ngritjen e njohurive për teknikat e vargut, të strofave e të tërësive poetike… Idetë vluese thuren me figura të bukura  e të plotkuptimta, me epitete, krahasime, simbole, metafora, refrene me figura përsëritëse që e fuqizojnë dinamikën  e ligjërimit dhe  e thellojnë ndjeshmërinë, zgjojnë përjetime të thella, të rralla e të veçanta te lexuesi  fëmijë apo dhe i rritur e me përvojë qoftë.

N.Halimi është krijues  që kompleton intelektualitetin  me vetëngritje në aspektin e diturive. Ai zgjedh e ndërton fjalë, e gdhend vargun me shije e mjeshtri për kuptimin që i jep, zgjedh strofat me të cilat plotëson ligjërimin më bukur, krijon harmoninë e rrjedhës së narracionit në kompleksitetin e tërësisë së poezisë dhe të tërësisë së veprës. Kështu veprat me poezi të tij shpesh të duken se janë poema e jo poezi të veçanta. Këtë strukturë e ka edhe “Zemra me zog”, që po ta zbërthenim vetëm titullin do të hynim në një pyll të bukur e të dendur me plot pemë e zog e flutura të arta, që  vijnë e shkojnë  nga zemra në zemër, nga dega në degë për ta krijuar mrekullinë e hapësirës, e cila herë ka diçka përrallore në vete e herë tjetër diçka të këputur nga e përditshmja me fshehtësitë, lojërat dhe fluturimet mbi harqet e ylberit, nëpër ngjyrat që ai ka, të rikrijuara me afsh brenda fantazisë së fëmijës. E tëra të bind se autori ia pikturon të gjitha preokupimet fëmijës, ia njeh mirë psikologjinë, ia njeh imagjinatën që ka  dhe në këtë mënyrë e bën personazh të poezisë,  të flasë për synimet e  dëshirat e ëndrrat në gjithësinë e librit. Autori angazhohet  ta bëjë poezinë gjallëresë poetike, projektim me kuptim të plotë dhe i jep porositë e qarta t`i përcjell te  lexuesi.

Formohen kështu kroje, rrjedha, udhë… Formohen kujtimet për babanë, për fëmijërinë, për njerëz të vuajtjes së rëndë për mbajtjen e familjes. Tepër thellë-mallëngjyes  përjetohet kujtimi për nënën, e cila fëmijëve mund t`iu sjell kënaqësi me aromën dhe shijen e pogaçes, për ta pikturuar në këtë mënyrë vuajtjen, por edhe  dashurinë në harkun e jetesës, jo gjithherë të lehtë.

Dy figurat kryesore të veprës janë Dea dhe Zana, dy vogëlushe me rrugë, me fate, me buzëqeshje, me dhembje dhe ëndrra të ndryshme. Njëra është afër, në krahët e babait e të atdheut e tjetra – larg, në kurbet. Te Dean çastet çelin me buzëqeshje, shkrepin ngashërim. Te kjo të gjitha kënaqësitë janë më të pranishme-përditshmëri. Te tjetra – Zana, jeta ka rrjedhë tjetër, të rëndë. Ajo në libër e në jetë kujtohet me mall të pambarim-në trajtën ëndërrimtare, me prekje të fantazive  zgjohen  etje e dhembje, përmes të cilave  krijohen kontakte aq të dëshirueshme, takime përmes imagjinatës, por edhe me letra të padërguara, me letra pa shkronja, me copëza vizatimesh. Kështu, në një shtrirje të dhembjes  krijohen hije disponimi dhe herë-herë shpërthim dëshpërimi.

Sa afër Dea:

Ti buzëqesh dhe lule-agu çel

E kuqe, e kaltër, e verdhë – ylber

E harkuar nga kroi në krua

Siç agon dita për ty dhe për mua

 

Zana larg-larg:

Një letër e vogël, e vogël

Sa bota rreth vetes n`udhëtim

Ose pritje në kotësi

Ti larg, unë nën hije plepi vetëm

Këmbime ngushëlluese me Zanën:

Të përqafon yt at, poet

Del i saktë konstatimi se poezitë e librit “Zemra me zog” krijojnë hapësirë të thellë mendimi dhe loje, tematikë të botës së fëmijëve,në të njëjtën rrjedhë janë të pandashme prej botës së të rriturve. Këtë gjë e përforcon sidomos prania e vazhdueshme e autorit, e prindërve,  e heronjve të ndryshëm  të këngëve epike dhe atyre historik të Ilirisë, pastaj e ndonjërit të atyre që ra për atdheun, që u flijua për fjalën e shkruar dhe shkollën shqipe, siç është poeti Migjen, etj.  Secili  në këtë rrjedhë, pa përjashtim, e çdo gjë tjetër, sjellin çështje serioze për t`i medituar.

Libri ushtron ndikim të këndshëm tek të gjitha moshat që e lexojnë, sepse  këto botëra: fëmijë-prindër,janë pjesëza të një trupi, që pikëllohen e buzëqeshin së bashku. Në  tërë këtë zinxhirë të gjallë, me shumëçka interesante  shfaqen gjëra të njohura e të panjohura, ecin të lidhur njerëz e histori; parakalojnë me ëndrrat e dhembjet e ngashërimet.  Lëvizin personazhe  nga gjithësia jonë, në njësh kolonë pas vetjeve kryesore, bartëse të rrjedhës së harmonishëm të librit. Në këtë peizazh, zë vend të hutueshëm edhe relievi i gjerë Kosovë-Ulqin, me një shumësi  bimësh, fruta pemësh dhe lule. Shfaqet një galeri vizatimesh, që poeti ua jep forcën e  dokumentit gjithnjë në komunikim me personazhet lirike të tij. Vizatimet janë dekorime me fuqi dramaticiteti të realitetit dhe  objektivitetit  të sinqertë të poetit, që e deponon në ligjërim një pjesë të gjallë të botës që e rrethon këtu dhe sot.

E lexova në Shtoj, ndërmjet Ulqinit dhe Shkodrës, librin me poezi “Zemra me zog” dhe mbeta  me përshtypje të një vetëtime të degëzuar zjarrtë në qiell e në mua. Për asnjë çast pa e larguar nga parafytyrimi Nexhatin-fillorist, lazdrak dhe trim dhe tani Nexhatin krijues në dramë, poezi dhe prozë, me akribi hulumteuse, krijues flijues-poet, që lazdrimin, revoltën shpërthyese e ka kthyer në protestë të fortë e të përhershme kryengritëse, kundër të pamirës, që e bren si krimbi qenien e popullit tonë të lashtë.

Poezia e librit na vjen me sinqeritet dhe optimizëm.

Për librin “Lulja që qan”,  shkrimtari TahirDesku në shkrimin e emituar në valët e Radio Kosovës thekson, – Vëllimi për fëmijë “Lulja që qan” i NexhatHalimit shquhet për një formë fare të re të shkrimit, të kulturës së shkrimit; ka një tematikë bosht dhe një stil tepër të veçantë. Kjo tematikë është dashuria, dashuria për njeriun që mungon, për lirinë e përgjysmuar dhe kohën e pakohë… Rrjedhja e valëve të kësaj poezie vjen si valët e një lumi të qetë e brenda kësaj qetësie ka një rrëmbim të furishëm

Rregullat e teorisë letrare tradicionale zakonisht bëjnë ndarjen e letërsisë për të rritur dhe të letërsisë që krijohet për më të vegjlit, ndërkaq bashkohorizmi letrar ka bërë  thyerje të disa rregullave që janë përdorur më herët si terma letrare. Bie fjala teoriticientë të ndryshëm të kohës  sonë thonë se ka vetëm një letërsi çfarëdo lloj dedikimi të jetë krijimtaria e secilësdo moshë. Ajo është vetëm krijimtari letrare e asgjë tjetër. Po ashtu periodizimi apo brezat siç jemi mësuar të themi ne për shkrimtarë brezash të ndryshëm, edhe kjo ka rënë tash nga fjalori i përditshëm teorik letrar. Pra ka një letërsi në kontinuitet të përhershëm e jo siç jemi mësuar të themi se këta shkrimtarë u takojnë viteve të `50-ta, `60-ta apo `70-ta. Ajo që bënte këtë ndarje më parë ka të bëjë vetëm me aspektin historik e letrar, është çështje datash, të cilat nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë. Teoritë e sotme letrare thonë se vepra e bukur artistike nuk ka rëndësi kur është shkruar, madje as kush e ka shkruar. Ka një rëndësi të vetme se është shkruar një vepër madhore letrare. Kaq, Ja pse këtë shkrim e fillova me këtë mendim. Sepse libri për të cilin do të flasim në vazhdim i takon një natyre specifike. I dedikohet të vegjëlve e në fakt autori përdorë gjuhën për lexuesit e rritur, madje edhe temat që trajton janë madhore. Poeti NexhatHalimi është një ndër krijuesit më të suksesshëm të letërsisë bashkëkohore. Ai me krijimet e tij paraqitet qysh në vitet e `70. Pas një pauze të gjatë të krijimtarisë ai këto ditë shfaqet me vëllimin “Lulja që qan”, vepër kjo e cila shquhet për një formë fare të re të shkrimit, të kulturës së shkrimit. Një tematikë bosht  dhe një stil tepër të veçantë. Kjo tematikë është dashuria, dashuria për njeriun që mungon, për lirinë e përgjysmuar dhe kohën e pakohë. Në mesin e të gjitha këtyre fenomeneve qëndron Zana, e cila është kult i të gjithë dashurisë. Komunikimi i autorit me Zanën përmes gjuhës poetike është i shlirshëm dhe komunikativ. Lamentacionet e qeta lirike të shprehura me ndjenjën e dhembjes deri diku shqetësuese vijnë si zëra që shënjojnë largësinë me njeriun e dashur, njeriun që mungon, atë njeri për të cilin  shkruhet  e me të cilin komunikohet përmes figurave poetike. Rrjedhja e valëve të kësaj poezie  vjen si valët e një lumi të qetë e brenda kësaj qetësie ka një rrëmbim të furishëm. Libri “Lulja që qan”  hapet me poezinë  “Letra e 31 dhjetorit për Zanën”, pastaj fillon ndarja në dy njësi – Fjala është identiteti ynë, lulja e agut në dritare dhe Aty ku është ai aty është liria. Libri është i organizuar vetëm në këto  dy njësi, ndonëse tërësisht kjo përmbledhje është një poezi ose më mirë të themi një poemë e gjatë, e bukur, që të josh dhe të bën për vete, por kjo nuk është ndonjë befasi kur dihet se kemi të bëjmë me një penë të sprovuar e të dëshmuar, siç është poeti Nexhat Halimi.

Poezi që ofron kënaqësi estetike i shkrimit të Ragip Sylajt, i botuar në gazetën e përditshme “Zëri”  do të vlerësoi lart shkrimin letrar.

“I veçantë në krijimtarinë letrare për të rritur, poeti, prozatori e dramaturgu, NexhatHalimi, është po aq i veçantë edhe në krijimtarinë letrare për fëmijë. Në librin e tij më të ri të këtij lloji të titulluar “Vjedhësit e hënës”, që më tepër mund të konsiderohet një libër për të rinj, NexhatHalimi sjell krijime të formës klasike, siç janë soneti dhe poezitë me strofa katrona, tercina etj.

Poezia e këtij libri, sa ngjan në një libër kujtimesh a reminishencash po aq – në një dialog ndërmjet brezash. Në këtë dialog të brendshëm kulmojnë përsiatjet e subjektit lirik për një sërë çështjesh që ndërlidhen me natyrën e me jetën, me bukuritë e peizazhit, të përshkruara disa herë me jehe ngashërimi. Këto sekuenca poetike jepen herë si lojë e herë, siç u tha në krye të herës, nëpërmjet një bisede të çiltër, respektivisht në formën e një dialogu të drejtpërdrejtë (në afërsi) e herë në njëfarë formë tjetër, të themi, epistolare (në distancë).

Imazhet poetike janë ndërtuar herë si piktura të bukura peizazhiste e herë si tablo rustikale me plot gjallëri e jetë. Ato në vetvete bartin e risjellin sekuenca kujtimesh, mënyrën e dikurshme të jetesës, madje edhe me disa vlera etnologjike etj. të kohës e të vendndodhjes së veprimeve të subjektit lirik. Ky subjekt, këto kujtime sikur nuk do t’i ruajë apo t’i burgosë në vetvete, por i nxjerr nëpërmjet laboratorit të tij krijues, i përpunon, për t’i bërë vlera krijuese letrare e kulturore, sa për vete po aq edhe për të tjerët, veçmas për lexuesit a dashuruesit e poezisë së këtij lloji.

Si për mënyrën e strukturimit, si për mundësitë e receptimit të saj, kësaj poezie i shkon përshtati vlerësimi i estetit të letërsisë, BenedettoCroce (BenedetoKroçe), sipas të cilit, nuk vlen për fëmijë e tërë ajo që është shkruar për të rriturit, mirëpo krejt ajo që është shkruar për fëmijë duhet të vlejë edhe për të rriturit në qoftë se është vepër e artit. Në këtë kontekst do të mund të thuhej, se ky tip poezie, sa për dedikimin, sa për gjuhën po aq për lirizmin e ngjyrimet emocionale lidh a bashkon dy breza lexuesish: të vegjlit e të rriturit. Por, lexuesit e moshave të reja do të mund të ishin ata që do të përbënin shumësinë e recipientëve që edhe i lidhin ndërmjet vete këto mosha (lexuesish).

Ajo që është parësore për lexuesin e vogël do të ilustrohej me një konstatim të studiuesit të letërsisë Anton Nikë Berisha, sipas të cilit, imagjinata e fëmijës më tepër i afrohet përrallës dhe botës së ëndrrës, ku kufijtë e veprimit e të mendimit janë të pakufishëm (Anton Nikë Berisha: “Letërsia për fëmijë si art i fjalës”, fq. 75). Ndërkaq, elementi që e gjejnë lexuesit e rinj dhe të përgatitur për këtë tip poezie është thellësia, që sipas Hofmannsthal-it, fshihet në sipërfaqe. Kjo mund të hetohet e të përjetohet, edhe kur lexojmë vargje që në shikim të parë duken vetëm deskriptive.

Hëna është kryefigura e këtij libri… herë si shenjë bukurie, herë përmallimi e shprese, herën tjetër. Ky trup qiellor, që “me argjendin e vet ëndrrën ndrit”, (fq. 7) ndez fantazinë e poetit e nëpërmjet tij edhe të lexuesit qoftë i vogël a i rritur që të bëhen përsiatje e lojëra të çuditshme. Pastaj janë fenomene të tjera që ndërlidhen me të e që e ngacmojnë imagjinatën e subjektit lirik, diçka që sa duket – zhduket, diçka që sa është në qiell pastaj e sheh të pasqyruar në ujë, një shenjë drite që sa e sheh në një pjesë qielli, më pastaj – në anën tjetër. Është njëherësh diçka si ëndërr e si lodër, një bashkudhëtare në jetën tonë, në gëzime e në hidhërime, në melankoli e shpresa për të ardhmen.

Poeti në fund thotë se “hëna është kthyer prapë, ndritë flakë” (fq. 67) por edhe se “Oh, do e vjedhin sërish hënën. Gjithsesi/ Si s’e kanë të qartë se ajo është për fëmijë” (po aty).

Libri “Vjedhësit e hënës” është i pasur edhe me figura të tjera stilistike dhe me funksion të caktuar në vargun poetik. Ajo janë mbrujtur mjeshtërisht bashkë me sensibilitin lirik dhe notat e lehta meditative. Këso mënyra, ky këngëtim para së gjithash përjetohet si art i fjalës, ndërsa mesazhet plasohen në mënyrë mjaft latente.

Kjo poezi, si çdo poezi e mirë, duhet të lexohet me përqendrim në mënyrë që të arrihet kënaqësia estetike që e ofron ajo, respektivisht autori i saj.

Nga pena e NexhatHalimit (1049) – në poezi, prozë e dramë,  deri tash, ndër të tjerë, kanë dalë edhe këta tituj veprash letrare nga fushat e preokupimeve të tij krijuese: “Parakalimi i etjeve”, “Afërsia e largësisë”, “Dita e daljes”, “Truphija”, “Gjeli i dylltë”, “Molla e fshehur”, “Prania e së dielës”, “Ombrella”,”Vapë”, “Unë me Unë”, “Njeriu me zgjedhë”, “Dega e varur mbi varr”, “Requiem për fluturën”, “Lulja që qan”,”Udhëtimi në vete”, “Iluzioni i fluturimit”, “Rrënjë e kaltër”, “Narcis i gjakosur”, “Vigma e fajkoit”, “E çara në zotin” , “Shelgu somnambul”, “Kotelja e artë”, “Vetëtima e shpatës”, “Trëndafili me zemër”, “Zogu fle në çinar”, etj. Është botuar në libra të veçantë në gjuhë të tjetra dhe është përfaqësuar në antologji për fëmijë dhe për të rritur në shumë gjuhë të botës, natyrisht dhe në gjuhën shqipe.

Krijimtaria letrare e Halimit, nuk do të kaloj pa u hetuar as nga lexuesit e as nga kritika dhe siç Kaltërina Meka, e cila do të shkruaj se lulet duan përkujdes të madh dhe dashuri . Ajo cek ndjenjën e  sinqertë  dhe  përkujdesjen për to, në secilën orë. Gjithsecili duhet t’ia ndiej lules frymëmarrjet, t’ua ndiej valsin e lehtë, të mos harrojë t’i ujisin çdo herë dhe t’ ua pastrojnë gjethet, e të krijohet ritmi i thellë që ato e hetojnë,që ato e  krijojnë domosdoshmërinë e rrjedhës së muzikës së zgjedhur, vetëm të çelin sa më parë dhe të shpërndajnë  aromë të këndshme në ambientet  rreth verës.  K. Meka,  me ndjeshmërinë e vet të shkrimit, ndikon që vargjet janë të  ngjashme me tingujt e muzikës dhe të ngjashme me petalet e lules. Ajo shkruan për vagnimet e mrekullueshme të librit ”Vjedhësit e hënës” , botuar nga Shtëpia Botuese “Fad” e Prishtinës.Poeti i shquar NexhatHalimi  me botimin e njërës nga vjershat më të bukura “Lulet çelin me muzikë”, në shumë rrjedha dallon nga krijimet   paraprake të autorit. Kjo poezi është realizuar me një lirizëm të rrallë, në varg të matur dhe të lirë. Ka vjersha të realizuara në formë të sonetit, gjë që aplikohet shumë rrallë ndër ne, ndoshta pse është ndër më të vështirat për t`u realizuar, apo qëndron një arsye tjetër, e fshehtë, që nuk e kemi të qartë. Sido qoftë, këtë formë – për fëmijë dhe për të rritur,  autori e aplikon dendur dhe e  realizon me shumë sukses. Tematika është e lidhur me tokën e njeriun  e këtushëm. Fëmijët, në secilën vjershë, do të ndihen –  në këtë apo në atë mënyrë, personazhe në këto krijime… Në përgjithësi, krijimet sa janë të qarta po aq dhe të cytin të mendosh, të preokupojnë për gjëra dhe dukuri të ndryshme; ato janë plot ritëm, por edhe  mendim dhe mbahen mend për kohë të gjatë… Me ikjen  nga mesi ynë i disa nga shkrimtarët më të shquar për fëmijë – V. Kikaj, R. Kukaj, A. Deva,  Y. Elshani… letërsia për fëmijë për kohë të gjatë mbeti mjaft e varfëruar me botime cilësore. Shpresën, vite me radhë – megjithatë, e mbajtën dhe e mbajnë gjallë librat e A. Canajt, I. Balajt, G. Xhafollit e të ndonjë tjetri. Në vitet e fundit, këtë gjë e bën me sukses edhe N. Halimi, njëri ndër lirikët më të shquar ndër ne. Ai shkroi edhe më parë për fëmijë, por shquhej sidomos në krijimtarinë për të rritur. Me librin “Molla e fshehur”, “Lulja që qan”, “Zogu fle në çinar” dhe këtë të fundit “Vjedhësit e hënës”, ky autor sjell forma dhe përmbajtje të reja në këtë fushë të letërsisë, poezi që do t`i përballojnë kohës dhe do të prekin ndjeshëm shpirtin e lexuesit, të cilit i dedikohen.  Risi padyshim do të sjellin poezitë, në të cilat vetë lexuesi do të ndihet pjesë përbërëse e vargjeve. Jo rrallë, ndihet mallëngjimi i autorit për fëmijërinë e vet të ikur, të cilën e kujton në vjershat Narcisët, Prapë në Dumnicë, Nëna, Mollë në tojë, etj. Në këtë të fundit, në pyetjen e nipit se a është lojë dashuria, ai përgjigjet, – Jo, është mollë e varur në tojë! Për fund shkëputëm edhe dy vargje nga “Sajat e arta”, ku autori e kujton fëmijërinë… “ Po kështu dhe mua atëherë babai, / me një copë prej lisi më ndërtoi sajë”.  Vargje të tilla, që me nostalgji flasin për të ikurën e autorit, në këtë libër ka mjaft dhe ato, duke iu falënderuar mënyrës së afërt dhe të ngrohtë të shtjellimit të tyre, do të zgjojnë padyshim kërshërinë e lexuesit.

Ndërsa Ibrahim  Kadriu  thotë për librin e shpërblyer me Çmimin “YmerElshani”  nga Karvani i Shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”, se “ Zogu fle në çinar” i NexhatHalimit është libër i rrallë për fëmijë.

I shpërblyer me Çmimin “YmerElshani” për këtë vit nga Karvani i Shkrimtarëve për

Fëmijë “Agim Deva”, libri “ Zogu fle në çinar”iNexhatHalimit  është i rrallë në shumë aspekte;  për nga forma e realizimit, për mjeshtërinë e vargnimit, tematikën mozaik të përditshmërisë e vlerën e pamohueshme artistike. Kështu, letërsinë tonë për fëmijë ta begatojë edhe me një përpjekje serioze të krijimit poetik në një formë dukshëm më rrallë të praktikuar deri tani.

Shkrimtari Nexhat Halimi, i njohur në letrat shqipe me botime librash që nga viti 1969, kur botoi librin e parë, “Parakalimi i etjeve” ka arritur të pasurojë letërsinë shqipe me një fond librash të zhanreve të ndryshme, si për të rritur, ashtu edhe për fëmijë.

Fillimisht ishte i përqendruar në fushën e krijimeve për të rritur, me kontribute të çmueshme në poezi  dhe në prozë, ndërkaq viteve të fundit  i është përkushtuar edhe letërsisë për fëmijë, dashurisë së tij të hershme, duke e pasuruar atë me titujt e librave: “Molla e fshehur”, “Lulja që qan”, “Fyelli i gjallë”, “Kotelja e artë”, “trëndafili me zemër”, “Vetëtima e shpatës”etj. Në këtë vazhdë të angazhimit permanent në këtë fushë të letërsisë, kohë më parë u prezantua para lexuesve me librin më të ri dedikuar fëmijëve, me titull “Zogu fle në çinar”. Dedikimi i përmendur në këtë rast nuk mund të ketë dedikim absolut, për shkak se ky libër ia vlen të lexohet edhe nga të rriturit, të lexohet dhe të analizohet, me ç`rast lexuesi do të përballet ja vetëm me përvojën krijuese dhe mjeshtërinë në vargnim, por edhe me përmbajtjen e veprës, me tërësinë e saj e cila bart më vete mesazhe kuptimplota jo vetëm për mundësitë receptuese dhe për imagjinatën e fëmijëve.

Përmendja e mjeshtërisë në vargnim ka të bëjë me skalitjen e vargjeve që i bën autori në formën e sonetit,  formë kjo e cila kërkon njohuri  estetike dhe disiplinë rrokjesh, rimash dhe vargjesh. Si i tillë, ky libër është i rrallë, që zakonisht shkruhet nga krijues të rrallë, nga të tillë të cilët letërsisë ia kushtojnë tërë qenien. NexhatHalimi e dëshmon këtë me librin “Zogu fle në çinar” pra me zogun e tij, që me vlerën artistike arrin të fluturoj lart dhe të të jap mundësi që, gjatë leximit, të relaksosh shpirtin me imazhe që dalin herë drejtpërdrejt, herë përmes kuptimeve aforistike dhe metaforave të qëlluara, siç janë vargjet, psh: “Udha nga shtatori në qershor të përket dhe  ty/ Udha nëpër pyll të errët, por e  ylbertë…” apo vargjet mbi konceptin e lirisë, etj.

“Zogu fle në çinar”, kurorë sonetike – katërmbëdhjetë vjersha dhe me magjistralin përmbyllës, por edhe me vjershat e tjera të sistemuara në ciklin “Udha deri në zemër”  na vjen me ngjyrime kuptimesh që grishin fantazinë e fëmijës për ta kuptuar botën me të gjitha nuancat, botën që e rrethon dhe shpesh nuk e kupton. Autori e ka gjetur mënyrën më të përshtatshme për grishjen e kureshtjes së lexuesit, duke ia ofruar përditshmërinë si një lloj mozaiku, ku gjejnë vend edhe bleta, edhe geri, edhe mësuesi, edhe plaku, edhe postieri, edhe Skënderbeu; ku në mënyrë të përshtatshme spikaten edhe atmosfera njerëzore, dashuria për të bukurën, lirinë, madje edhe pavarësinë. Në këtë mozaik preokupimesh, të shndërruara në ritme vargjesh, NexhatHalimi krijon optimizëm, dashuri për jetë pas ditëve të ethshme të përjetuara nga trysnitë e luftës.

Sikurse me kurorën sonetike, edhe me poezitë e tjera në vazhdim, që paraqesin një lloj dashurie, respekti e përkushtimi ndaj Karvanit të Shkrimtarëve dhe ndaj themeluesit të tij, autori ka arritur që, me një mjeshtri të rrallë vargnimi dhe me një fjalor të pasur, të na dhuroj një vepër e cila do të pëlqehet nga lexuesit si fëmijë, ashtu edhe më të rritur dhe letërsinë tonë për fëmijë ta begatojë edhe me një përpjekje serioze të krijimit poetik në një formë dukshëm më rrallë të praktikuar deri tani. Libri, përkatësisht çdo poezi e kësaj kurore sonetike, mrekullisht është ilustruar nga SalihLutolli –AGI.

Për librin e radhës “Katana e purpurt”, Kaltërina Meka, e vlerëson me  vlera të veçanta të sjella në krijimtarinë letrare për fëmijë tek ne:

Libri më i ri për fëmijë i NexhatHalimit “Katana e purpurt” (botuar nga Shtëpia Botuese “Fad” në Prishtinë) ngërthen në vete ritmin e jetës e të dritës në udhëtimin e gjatë e të përgjakshëm në truallin e lashtë arbëror, për ta prekur etjen e ëndrrën, për ta mbajtur gjallë dhe të pandarë shpirtin, që në këtë rast është dhe përherë mbetet – atdheu dhe liria. Dhembja, plaga, gjaku ecin bashkë me kohën, bashkë me gjërat që nuk vdesin kurrë dhe gjithherë –për secilin brez, mbesin kuptim dhe synim, mbesin ëndërr për t`ia kthyer trungut degët e këputura. Kjo, sa duket e pamundshme, prapë dhe gjithherë është fjalë dhe betim, është kuptim i jetës.

Libri është realizuar me një kompozim të veçantë, me ngjyra, tone dhe rrjedha origjinale; është tërësisht i lidhur me perin e gjakut, që ik e vjen e ik e vjen nëpër  ajrin, ujin e dheun e shpirtit, nëpër qiellin e shqipes e sfondin e flamurit. Në këtë udhëtim, lexuesi ik nga një akt te akti tjetër historik, nga një plagë te plaga tjetër, nga etja te etja tjetër për liri, gjithnjë duke vdekur e duke u zgjuar prapë nga hiri në  zjarr, në data të reja  e ngjarje, gjithnjë me frymën e trupit e shpirtit, gjithnjë me të prekshmen e ëndrrën e atyre që s` janë më e në  të njëjtën kohë rrezatojnë dritë për brezat. Secila poezi i ngjet një faqeje të veçantë të këputur nga historia. E ka qiellin e atdheut dhe pikën e gjakut të lirisë. Në këtë rrjedhë,  të realizuara me formë, kuptim dhe muzikë brenda vetes, poezitë për flamurin,  atdheun e lirinë, ndoshta nuk i kanë munguar letërsisë te ne, veçse ato vijnë të një ritmi tjetër, të një ngjyre dhe përjetimi tjetër, nga çdo kënd të analizohen, të veçanta. Të këtilla, jo që plotësojnë një hapësirë të lënë zbrazët me kohë, por e pasurojnë shkrimin letrar për fëmijë këtu dhe jo vetëm shkrimin për fëmijë…

Libri hapet  me hartën e gjakut, i cili – edhe në pjesët e këputura nga trungu, ende rrjedh me vetëtima nëpër tërësinë e vet, më pastaj fluturon shqiponja dhe në orët e rënda bashkë me të flijuarit për tokën e qiellin, për kroin  e  atdheut e të dritës, që të hyjë në zemër dhe në flamur.  Në këtë mënyrë, flamuri të  bëhet pjesë e frymës e secili luftëtar, që paepur  ec me  vjet e  vjet udhës ta prek dritën. Ec e nuk ndalet sfondit të përflakur, tokës së lashtë,  me shqiponjën dykrenore lart, gjithherë të jetë i vetvetes, në rrjedhë me  pikën e gjakut dhe ndjenjën e flijimit për ujin, tokën e qiellin e atdheut, në përgjërim, për ta kthyer të humburën… të këputurën, me dhunë, nga trungu.  Këtë  ndjenjë dashurie e dhembshurie të thellë dhe malli të pashuar autori me përkushtim e ka skalitur në vargje, të cilat rrezatojnë kuptim të ri në secilin lexim. Në këtë mënyrë, kënga për gjyshin, për kodrën, për katanën e purpurt e qiellin mbi liqenin, lumin dhe rrapin mbi shtëpinë me kopshtin plot lule dhe pemë, ku cicërojnë zogj përherë, shndërrohet në dashuri, që buron kënaqësie që mund të përjetohet vetëm nën flamurin, i  cili valëvitet për liri dhe paqe, në mbarë atdheun… Ky flamur, në orët e liga të tokës arbërore,  i shpalosur nga Kryetrimi Skënderbe, i cili vjen në vraç bashkë me dritën për t`u bërë vetë drita dhe liria, në të njëjtën kohë, është i vetmi kuptim që ia vlen për ta flijuar kokën.

Ja sesi realizohet kjo:

 

Ti vjen në vraç

Shkrepat ndrisin nën borë e flakë

Atdheu në çdo cep pikë dhe pikë gjak

Ti kthehesh te zemra vetëtimë

Ta zgjosh me shpatë Arbërinë!

E shqipet qiellit ikin-vijnë vërdallë,

Zemra pëlcet në etjet-strall!

Ti vjen në vraç te shpirti yt përsëri

Shpatën ngreh vetëtimë në Arbëri,

Ose vdekje – zgjohen malet, ose liri,

E toka e uji e qielli rrjedhin gjak në ty!

Ti je ëndrra, Skënderbej, je liria

Je besimi, gjithnjë zemra, je Iliria!

Shfletimi i librit i ngjet ecjes nëpër histori, me ngjarje, ornamente e eksponate, me data e çaste, që e bëjnë të pavdekshëm atdheun në secilën orë, në çdo zemër dhe gjithnjë… Lexuesi, në këtë mënyrë, duke ndier ngrohtësi në shpirt, turp dhe frymë, arrin te Simfonia e lules, një kurorë tingëllimash, që i kushtohet  parakalimit të luftëtarëve të UÇK-së nëpër shesh, nën dritën e atyre, që mungojnë, që ranë për të qenë gjithherë në zemrën e secilit dhe në përmendore të kombit. Gjatë parakalimit mes dritës së buzëqeshjes dhe dritës së lotit, zënë të zgjohen edhe plagë, edhe brenga, edhe ëndrra, për gjymtyrët e atdheut  të mbetura ende nën peshën e zinxhirit të robërisë.  Për ndonjë çast, megjithatë, ndonjëri harron çdo gjë, e i afron lulen e gjakut luftëtarit, akt, të cilin nuk ka ëndërruar ta përjetojë kurrë!

“Katana e purpurt” është libër i cili çel  në secilin lexim kuptim të ri, krijon kënaqësi të re. Ja pse, sapo ta përfundosh së lexuari,  ke dëshirë ta lexosh prapë dhe prapë. Një gjë të tillë lexuesi e gjen vetëm te krijimet e rralla, me vlera të veçanta, çfarë padyshim është dhe ky libër.

Për librat  “Zogu sjell lajmin në liman”,  “Shëtitje nën ylber” dhe  “36 yje”  botuesi i këtyre veprave jap vlerësimin në rrjedhën e dritës që i ndrisin librat siç ngjitet nëpër sfera të veçanta vlera e tyre.

 

Zogu sjell lajmin në liman

 

Botimi më i ri i librit për fëmijë të NexhatHalimit, “Zogu sjell lajmin në liman”, është karakteristik për shumë rrjedha, të cilat  shquhen në letërsinë për fëmijë. Brenda faqesh të librit lexuesi do të ballafaqohet me shumë risi, të cilat nuk i ka hasur më parë. Ja pse ky libër është i veçantë.

Brenda shkrimit do të mësoni si i mbron të vegjlit e vet Mjellma, e cila kupton sesi zogjtë ende të pafuqishëm janë pickuar nga gjarpri. Ajo u qëndron pranë dhe vendos ta shpojë trupin e vet mbi gji, nga i cili fillon t’i rrjedh gjaku. Të vegjlit e pinë gjakun e së ëmës dhe këndellen. Sepse mjellma ushqehet me gjarpërinj dhe gjaku është ilaç, përmban atidot.

Libri të shumtën e rasteve ka të bëj me zogjtë.

Sidomos shquhet vjersha për dallëndyshen, për lejlekun e zi, për lejlekun e bardhë.  Në të njëjtën kohë i këndon dhe rrënjëve të Dardanisë, Përgjatë Dumnicës dhe Zogu që sjell lajmin në liman, i prek ndërmjet  qiellit e syprinës së detit, i prek puplat e këputa e rrëshqet, etjes së vet të fortë të digjet prapë, udhëtimit të gjatë të vijnë në kohë e vetmi, mes ëndrrës e zgjimit me Ilirin në gji… dhe ndër ne shpërthen lufta, e autori Bilbilin e artë e sheh në pemë, e sheh dallëndyshen e hutuar  e pret:

 

Dallëndyshja

 

Vjen etur  mbi dritare me largësi dhe mall.

E kërkon Dean e Lean dhe sillet vërdallë.

-Ku është gjyshi ndoshta flet në gjuhë të vet,

Pse ai nuk shfaqet, s’e kam parë ka një vjet!

 

Dallëndyshe, prit pak, or zog i mirë shtegtar.

-Gjyshi, ka vajtur me ag të bëj ndonjë pazar.

– Të blejë shtëpizë  të vogël  e kandrra për ty,

Ja tek vjen me torbë në dorë e me dashuri!

 

Dea dhe Lea kanë vajtur të etura në mësim.

-Qe luftë këtu. Në gratë e fëmijët u bë krim,

Të moshuarit ndihmuan UÇK-në, të sjellin lirinë,

Të rindërtojnë fshatin, ta vrasin vetminë!

 

Gjyshi tash vjen e të bën me fyell muzikë.

-Qe luftë këtu, zemra u dogj për së gjalli.

Ti qe larg në shtegtim, diku ndoshta në Afrikë,

Oh, sa na ka marrë për ty malli.

 

Libri përfundon me luftën e luftëtarit të UÇK-ë, i cili nga komandanti i vet e humb Çakorrin, dhe qan për këtë gjë! Siç qan Rugova dhe mbarë Kosova.

 Librit për fëmijë i Nexhat Halimit, “Zogu sjell lajmin në liman”, botoi , Fad, Prishtinë, 2021

 

“SHËTITJE NËN YLBER”
Njëri ndër letrarët e shquar , i cili vite me radhë ka lënë gjurmë në publicistikë, në poezinë e dramën për fëmijë, në prozën e dramën për të rritur, NexhatHalimi para lexuesit këtë herë vjen me librin me vjersha për fëmijë “Shëtitje nën ylber”. Me motive të llojllojshme, duke i latuar vargjet me përkushtim, autori ia ka dal të krijoj një libër shumë joshës për lexuesin. Në këtë libër sjell dhe një kurorë tingëllimash, të punuar me mjeshtri të rrallë, duke pasuruar në këtë mënyrë shkrimin e sonetit në letërsinë për fëmijë. Kjo kurorë sonetike në të vërtetë është dhe ndër poezitë më të suksesshme. Kaq më shumë, që i njëjti autor është dhe i pari që lexuesit i sjell kurorë sonetike, të botuar vjet më parë në librin “Zogu fle në çinar”, për të cilën i qe ndarë dhe shpërblimi i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”. Ai këtë herë këndon me tone të lehta e të qeta për fëmijë. Me shumë pasion shkruan për ambientin që e rrethon për fëmijët në atë ambient por edhe për sutën, shqiponjën, trishtilin, për kecat e yjet, gjithnjë në përpjekje që fëmijët të mësojnë më shumë për ata që ranë për lirinë, të cilën e gëzojmë, për detyrat që i presin në të përditshmen, për mësimin e tyre në shkollë, për lodrat e tyre dhe lojërat. Vjershat dhe këtë herë janë të hartuara herë me rimë e herë tjetër në vargje të lira, por gjithherë të hartuara me stil të veçantë, e cila gjë këtë autor e shquan dhe e dallon në letërsinë për fëmijë.

Libri me poezi për fëmijë “Shëtitje nën ylber” është i nënti me radhë i autorit.
Botoi Shtëpia Botuese “FAD” në Prishtinë, 2018 dhe ka 64 faqe.

 

 

36 yje

 

Shtëpia Botuese “Fad” e Prishtinës botoi  librin e ri për fëmijë “36 yje” të NexhatHalimit. Autori i njohur,  me një përkushtim të veçantë, për secilin tingull të Alfabetit të gjuhës shqipe ka shkruar nga një vjershë. Secili varg i secilës vjershë në këtë publikim fillon me shkronjën e caktuar, secili krijim është sajuar nga dymbëdhjetë vargje, për ta harmonizuar në këtë mënyrë gjithë veç e veç gjithë librin, i cili sado i shkruar për të vegjlit kërkon përkushtim të jo të vogël për ta lexuar. Secila vjershë, secili tingull është ilustruar me nga një insert të zgjedhur, në të cilat janë derdhur dhe shkronjat  adekuate.

Libri, për hir të leksikut të përdorur, për hir të  çasteve e ngjarjeve poetike që reflektojnë, është me interes ta lexojnë dhe lexuesit me përvojë.

Librit i prin vjersha “ABC”, ndërsa përmbyllet me një shkrim me interes për fëmijët, ku bëhet fjalë lidhur me Kongresin e Manastirit dhe Alfabetin e Gjuhës Shqipe.

Për të ikur pak nga poezia e mrekullueshme dhe e veçantë për nga stili dhe figurat artistike, për nga thellësia dhe tematika që shtjellon, për të dalim në prozën për fëmijë –gjegjësisht në tregimet për fëmijë në të cilat NexhatHalimi shfaq talentin e tij prej një tregimtari të paktë në letërsinë tonë për fëmijë. Janë pikërisht tregimet për fëmijë që i solli autorit shpërblimin më të lartë që e ndan Repubëika e Kosovës, çmimin  “Vehbi Kikaj” të Ministrisë së Kulturës së Republikës  Kosovës, për librin më të mirë me tregime për fëmijë, “I vetëm në mal” (2020).

*

Libri i sapo botuar me tregime për fëmijë “I vetëm në mal”,i autorit tashmë të shquar NexhatHalimi, kompozohet nga disa tregime, të cilat shfletohen përmes një të moshuari dhe rrëfejnë për inserte të ndryshme të jetës në fshatin Duminicë të Llapit. Fjala është për pasardhësin e një të ikuri nga Toplica, nga toka shqiptare e pushtuar nga forcat serbe dhe për ëndrrën e kthimit një ditë në truallin e vet, ku i kanë mbetur të gjitha, bashkë me varret e të parëve të vet. Ai, vite më parë shpërngulet nga vendlindja e vet Dumnica dhe për gjashtëdhjetë vjet nuk shihet më ne tokën në të cilën e ka kaluar fëmijërinë. Ndërkohë niset me një ekip të Televizionit të Kosovës nga Prishtina për të xhiruar një dokumentar lidhur me disa inserte nga fëmijëria e tij. Gjatë xhirimit të emisionet hasë në shumë befasi. Gjëja e parë e cila i lë përshtypje befasuese është takimi me njeriun, i cili krasit disa degë pemësh me sharrë. Kjo gjë e pengon xhirimin dhe personazhi i tregimit mësyn nga burri me sharrë, t`i kërkojë të hesht për pak kohë. Ecin të dy nga njëri tjetri dhe ndërkohë zgjohet kujtimi i tyre i hershëm…

-A ti je Guri, më thuaj?

-Po, unë… E ti?

Njihen me njëri tjetrin të njohurit e vjetër dhe zgjojnë mallin kaq vjet të mbetur në korniza të harrimit. Natyrisht, kjo ngjet gjashtëdhjetë vjet prej kohës që nuk janë parë. Ai e njeh dhe me habinë e krijuar aty, personazhi xhiron insertin e shtëpisë së vet të mbetur aty gërmadhë, që pastaj të niset të shkojë në shkollën e fshatit, ku ka mësuar me kohanikët e vet. Natyrisht, shokët e shoqet e atëhershme nuk janë më dhe nuk është as mësuesi, patrioti i shquar, i cili përkundër vështirësive ua ka mësuar Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Me nxënësit, që tashmë mësojnë në atë shkollë, ai lidhet me hijen e mësuesit të vet, përmes një poezie që i ka kushtuar…

Leximi i vargjeve të tij përcillet me lot

 

 

Yjet

 

(Mësuesit tim të parë, patriotit,

AzemBeqiraj)

 

Ende te dritarja e klasës i ndrit syri lot.

-Ç`i dhemb mësuesit, – shikojmë me habi.

Jashtë bën ftohtë, kojrrilat ikin në largësi.

Ai ec mes nesh, çel udhë të reja në botë.

 

Këmishë-blu, në rroba të zeza e kravatë.

– Dijen s` mund t`ua rrëmbejë askush dot,

As me zinxhirë, as me shpatë. Është Kot.

Ec mes nesh, kaq i ri, i pashëm e i gjatë

 

Prapë nga dritarja shikon diku, harrohet.

Unë nga shoku i vjedh detyrat e shtëpisë.

– Halimi, – më përmend zëri nga afrohet.

 

– Asgjë s`të ndrit po s`qe aty dhe truri yt!

Pa kokë e gjak nuk ecet te pema e diturisë.

Qielli do të qe veç një skëterrë pa yj`t.

Kryepersonazhi pas leximit të poezisë del i përlotur nga oborri i shkollës. Kalon përbri varreve te vjetra dhe ndalet në urë. Përpara e kishte atëherë e tash tërë gjatësinë e mbushur me lule të xhenetit, të cilat i ecte në fëmijëri e lodhej duke kaluar në kërcim të plotë me  kënaqësinë, nga njëra lule te tjetra. Natyrisht dhe tash do të bëj përpjekje të krijojë një tufë, siç ngjante në fëmijëri, e t`ia dërgoja nënës në shtëpi. Ajo i fuste në një gotë me ujë dhe ato e ruanin për njëjavë aromën e këndshme të Dumnicës .  “Ja, tashmë, zot,  nuk është as nëna dhe as qe koha e luleve të xhenetit, vetëm unë në mall të pashuar i paramendoj dhe fluturoj mbi to, mbi secilën veç e veç. Fluturoja, fluturoja, fluturoja dhe arrija te kënaqësia e paparë udhës së gjatë të jetës”, thotë në një fragment të tregimit autori.

Një libër me tregime te realizuara në mënyrë mjeshtërore është kënaqësi të bie në duart e lexuesve të vegjël dhe të rinjve, të mësojnë më shumë për historinë e pashkruar të të ikurve nga Toplica dhe mallin e përhershëm që kanë për të, për tokën dhe varret që i kanë gjithnjë atje.

Libri i ka 68 faqe dhe është i ilustruar.

(Nexhat Halimi, “I vetëm në mal”, botoi Shtëpia Botuese “Fad”  Prishtinë, 2020)

 

Please follow and like us: