Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Në zgrip të problematikës & Artemisa dhe engjëlli bezdisës

 


Në zgrip të problematikës
SG, 2009 (Skicë)

Dhoma sheh në një shesh të vogël me plot drunj dhe kurorash, shesh i bukur është, gjithandej lule, pastërti dhe dritë, aroma e freskia të mbushin jetë, madje dhe dimrave plot zymtësi, të mahnit matematika e rregullit, simetria e saktë e frymimit të tij – por problemi im lind agsholeve, gjithmonë kur thjesht më flihet shumë, kur vdes për një sy gjumë, një milion zogj ia fillojnë bobooo, gjithfarë muzikash grumbullohen vetëm tre metra larg dritares, kakofoni klithmash e cicërimash – sa e lehtë për ta – them mëvete – “ekosistem” i ngrohur, i ngopur, gjithfarë puplash e ngjyrash, laryshi shpirtrash në paqe me lulet, gjethnajë e pafund harmonie, melodi si arie hyjnore – natyrisht, në këtë drejtim më mrekullojnë, ua kam fort zili, aq shume lakmi, merreni me mend… sa dhe i inatosur, qejfprishur e përgjumshëm, i dua.
Mirëpo një mëngjesi dy të tillë bukuroshë-fluturoshë, uuuaa çfarë arrogance, në parmakun tim koncert harabelash, pandehnin se janë vetë Mozarti a Presley, s’dinin të ndalur, nga përtej xhamit ca tinguj e notash m’i bënë sytë kokërr – s’durova dot, brofa si trim nga shtrati, hapa dritaren dhe pa asnjë zë… i tremba burrërisht.
Për një çast mu bë sikur dhe ata të tjerët qeshën me ta, le të jetë – mirë ua bëra, të njëjtën ma bëjnë dhe mua çdo ditë!

Artemisa dhe engjëlli bezdisës
S. Guraziu, 2009 (Skicë…)

(vallë duhet patjetër ta duam një engjëll… vetëm sepse na qenka engjëll !)

[ ngjitur: Artemisa me një drenushë, e njohur si “Diana e Versajës”, vepër arti romake, mendohet të jetë kopje e versionit origjinal të skulptorit grek, Leokaresit – gjetur në Itali (shekujt I-II të e.s.) – Louvre, Paris ]

Të shtrenjtat muza, si duket dikur paskam vrarë një engjëll (ja atë atje, të mërrolurin, kaçurrelin), jo se desha ta vrisja por nuk ndjeva, nuk e desha – tani më vret mua çdo ditë, më ndjek hap pas hapi, s’më le të qetë as në gjueti, çdo gjë e tremb me shigjetat e tij, vallë ka të drejtë, paçka se ai s’kërkonte dhe shumë, thjesht që ta doja – natyrisht, ndjenjë e bukur është, por nëse nuk ndiejmë prapë asgjë, po aq legjitime duhet të jetë, e natyrshme të gjykojë vetë zemra, t’mos e duash një engjëll, kujtoja, fare njëjtë e natyrshme, sikur dhe e kundërta, ndjenjat jokushtimisht zgjohen, dashuria s’mund të imponohet, ju vetë insistoni: madje as poezia – duhet tani patjetër ta duam një engjëll… vetëm sepse na qenka engjëll – unë apo ai kemi të drejtë këtu, sipas tij doli që s’paskam ditur gjë.

Please follow and like us: