Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Z. Kadiu: Mirela Freni dhe Lukë Kaçaj

Më 9 shkurt 2020 u shua në Modena, në moshën 85-vjeçare sopranoja e famshme italiane Mirela Freni, një nga divat e mëdha të botës operistike.
Freni ka debutuar në Teatro Municipale të Modenës më 3 mars 1955 në rolin e Micaelës në operën ‘Carmen’ të Bizet.
Debutoi në teatrin ‘ La Scala’ në vitin 1963 me rolin e Nannetes në operan ‘Falstaff’ të Verdit.
E famshme për interpretimet në operat ‘Aida’, ‘La Boheme’, ‘Madama Butterfly’, etj.
Freni e përfundoi karrierën profesionale në moshën 70-vjeçare, më 11 prill 2005 me operën “Vajza e Orleanit” në Operën e Washingtonit në rolin e Zhan D’Arc.
Ka kënduar në teatrot e operave më të famshme të botës: La Scala (Milano), Metropolitan (New York), Opera e Parisit, Bolshoj (Moskë), Covent Garden (Londër), Staatsoper (Vienna), Colon (Buenos Aires), Opera e Washington, Teatri Kombëtar ( Tokyo) etj.
Freni ishte e preferuara e dirigjenteve dhe regjizorëve më të famshëm të kohës së saj si: Von Karajan, Giulini, Pretre, Kleiber, Solti, Abbado, Sinopoli, Muti, Osawa, Visconti, Strehler, Zeffirelli, Ronconi, Barrault, Ponnelle.
Nga viti 1978, Mirela Freni ishte e martuar me basin e madh bullgar Nicolai (Kolja) Ghiaurov (1929-2004), që kishte studiuar ne Konservatorin Çajkovski të Moskës (bashkëstudent me ajkën e muzikës shqiptare: Çesk Zadeja, Tish Daija, Avni Mula, Luk Kaëaj, Ibrahim Tukiçi, Mentor Xhemali etj).
Do të ishte miqësia e bashkëshortit të saj bullgar me shqiptarët e mëdhenj të muzikës që sopranoja e madhe italiane të kishte një admirim për Shqipërinë.
Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin mbeten majat e baseve të botës…
Por i tillë do të ishte edhe i përvuajturi ynë Lukë Kaçaj, që i mbylli vitet e punës si punëtor ngarkim-shkarkimi në ndërmarrjen e Fruta-Perimeve në Tiranë.
Në vitet e demokracisë “hamalli” Lukë Kaçaj filloi të lëvizte jashtë Shqipërisë për të takuar edhe miqtë apo kolegët e tij të cilët kishin pasur një fat krejt tjetër.
Midis tyre ai takoi në vitin 1991 shokun bullgar të viteve të rinisë në Moskë, Kolja Giaurov, që italianet e quanin mbreti i basëve…
Kur Kolja kur ishte student me Lukën në Moskë asnjëherë nuk këndonte mbasi këndonte Luka… Por basi bullgar kishte vijuar në Itali e më gjerë karrierën e tij brilante.
Ato ditë kur Luka takoi mikun e tij bullgar në Itali, shfaqej opera ‘La Boheme’ e Puçinit. Kolja me bashkëshorten kishin dy role kryesore; Kolja rolin e filozofit Kolen dhe Mirela në rolin e heroinës Mimi.
Në teatër ishte i ftuar i veçantë i këtyre artisteve, Lukë Kaçaj. Kur përfundoi opera me shumë sukses dhe publiku po duartrokiste, dy artistët e mëdhenj (Kolja e Mirela) u drejtuan nga lozha e porositur ku rrinte Luka dhe me një gjest domethënës i tregojnë publikut për mikun e tyre…
Duartrokitjet e nxehta të publikut italian tashmë ishin për basin e madh shqiptar Lukë Kaçaj (të cilin nuk e njihnin)…
Ketë moment Shaljapini ynë e përjetoi me emocione dhe lot…
Në shkurt 2009, Presidenti i Republikes Bamir Topi dekoroi pas vdekjes me titullin Nderi i Kombit “Shaljapinin” shqiptar Lukë Kaçaj ( 1924-2001) …
Kam patur fatin të isha i pranishëm në atë ceremoni i ftuar nga nipi i tij, Salvator Kaçaj
Për arsye shëndetësore sopranoja Mirela Freni nuk mundi të merrte pjesë në këtë ceremoni, por dërgoi një njeri të afert i cili lexoi letrën e saj…
Në këtë letër emocionuese ajo shprehte edhe ndjenjat, respektin dhe dashurinë e bashkëshortit të saj te ndjere Kolja Ghiaurov për këngëtarin tonë të madh …
“Sipas bashkëshortit tim kur studionin në Konservatorin ‘Çajkovski’ të Moskës, Lukë Kaçaj ishte më i miri…
Kolja u be me i madhi i botes ne gjeneraten e tij, por ai gjithmone me thoshte … bassi me i madh do te ishte shqiptari Lukë Kaçaj…”.
“Shaljapini” i pafat shqiptar, u shua si sot, 21 vjet në parë më 7 shtator 2001 në Shkodër…
Por fatkeqësisht regjimi dhe cmirzinjtë e kishin vdekur shumë kohë më parë…
Pse duhej burgosur basi ynë i madh?
Shqipëria nuk i ka dashur asnjëhere talentet e mëdhenj…
Nuk e kam kuptuar kurrë këtë “ves” historik të kombit tonë…
Please follow and like us: