Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Kujtime me Niko Kanxherin

Me këtë djaloshin njihemi që më 1965. Qysh në takimin e parë kur regjistroheshim në Degën Ushtarake pa filluar shkollën. Në dhjetor të 1969 pasi miqësia ishte konsoliduar, na fton për vitin e Ri në Korçë. Aty në familjen e tij kaluam pushimet dimërore së bashku me Acon dhe Timon! Më kujtohen përkujdesjet e Thomaidhës (së ëmës) që bënte çmos të kënaqte çunat që kishin vajtur me lugë në brez! Nuk kisha shumë që i vija pas Natashës dhe në një përballje te “Ushtari i panjohur” rrëshqita, sigurisht i pamësuar me ngricat, po nuk di nëse më pa apo jo Natasha. Vitet kalojnë, ishim në një film së bashku te “Malet me blerim mbuluar” ku Niko shkëlqen në një episod! Më pas e mora te filmi im i parë ”Korrierët”, ka shumë ngjarje në atë film, por ajo që më ka mbetur në mend , autori i skenarit Anastas Kondo, pasi pa filmin më pyeti për Niko Kanxherin! Më tha interpretimi i tij më ka kujtuar Fedian (‘Kufoma e gjallë’ e Tolstoit). Kalojnë vitet, sukseset e tij shtohen, por sipas meje ka arritur kulmin në interpretim të një monologu te filmi i Joni Shanaj (“Pharmakon” monologu i vetmisë nën interpretimin e Niko Kanxherit, në këtë film do të mbetetet padyshim maja e mjeshtrisë së aktrimit. Askush tjetër nga ne që kemi bërë karaktere në kinema, nuk kemi mundur ta vulosim kaq mjeshtërisht. Nuk nguroj të them se Marlond Brando, Al Paçino, Robert Deniro, Jack Nicholson, Mastrojani dhe së fundi Leonard Dicaprio, na kanë magjepsur me arritje tej të zakonshmes para kamerës. Këtë mendim të guximshëm për Niko Kanxherin po e ilustroj këtu në këtë postim. Ftoj kundërshtuesit për debat!

Please follow and like us: