Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Ardian Elezi: Kryengritja antikomuniste e Postribës -akt gjeopolitik dhe i vokacionit europian të shqiptarëve

Lëvizja kryengritëse e Postribës tregoi se komunizmi ishte diçka e huaj dhe e padëshiruar për shqiptarët, të cilët jetonin krenarë dhe me dinjitet në votrat e tyre, që liria që kemi dhe gëzojmë sot ka një çmim, atë të sakrificës dhe përpjekjet që bënë malsorët trima dhe intelektualë të Postribës ato të Kelmendit, Malsisë së Madhe, Dukagjinit dhe në mbarë vendi për t’u çliruar nga rregjimi dhe kërcënimi komunist. Postriba u pushtua dhe u mbyt me gjak nga komunistët, ku me dhjetra persona u vranë, me qindra u dënuan dhe me mijra të tjerë u internuan dhe dergjën në kampe përqëndrimi.

Kjo kryengritje e para e këtij lloji në Evropën lindore, në të cilën kishtë rënë dhe mbuluar terrin dhe perden e hekurt, është simbol i rezistencës antikomuniste, simbol krenarie dhe dinjiteti njerëzor për të cilët heronjtë e kësaj lëvizje u martirizuan për lirinë dhe demokracinë, pavarësinë kombëtare, orientimin gjeopolitik të vendit kah perëndimi dhe jo nga lindja dogmatike e ndikimit sllavo-komunist.

Mesazhet që na vijnë nga kujtimi i kësaj lëvizje dhe nderimi për heronjtë janë aktuale edhe sot për  kryenaltësi,  për qëndresë, rezistencë dhe  mbrojtje të dinjitetit njerëzor e kombëtar.

Respekt e përulje për heronjtë e martirizuar të kryengritjes së Postribës, protoganistëve të saj Osman Haxhia, Ejup Kazazi e dhjetra e dhjetra djem e burra që u vranë për çlirimin kombëtar nga thundra e regjimit kriminal  komunist, e qindra të burgosurve dhe  e mijrave të tjerë të pafajshëm që u damkosën dhe persekutuan. Kjo ditë homazhi është moment kujtimi, vlerësimi, respekti, përulje dhe  krenarie për veprën dhe sakrificën e tyre, si dhe apel ndërgjegjësimi për dënimin e krimeve të komunizmit, për studimin, analizimin dhe rishikimin e historisë, na frymëzon për bashkim dhe qëndresë në mbrojtje të vlerave të lirisë,  të demokracisë, të drejtave tona politike, ekonomike, shoqërore si dhe të interesave kombëtare.

Please follow and like us: