Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Ndriçon

 

Ndriçon kjo vesë e brishtë mëngjesi,

Ndriçon një yll atje pas malit,

Ndriçon dhe syri i një vajze,

Saherë shikon tek sytë e djalit.

 

Ndriçon kjo vjeshtë që sapo erdhi,

Ky diell që perëndon në mbrëmje,

Ndriçon kjo gotë qelqi me verë,

Që pi yt at në dasmën tënde.

 

Ndriçon ky floku yt i bukur,

Si në pranverë një fletë qershie,

Ndriçon kjo pikë e vogël loti,

Kur përmbi gushën tënde bie…

 

Ndriçon kjo rrugë ku shkon një vajzë,

Sa herë djaloshi pas e ndjek,

Ndriçon ky xham përmbi dritare,

Kur shkon një zog troket me sqep.

 

Ndriçojnë dhe një unazë në gisht,

Ndriçojnë krahët tek një flutur,

Ndriçon kjo natë dhe shenjtërohet,

Ti pe një ëndërr shumë të bukur.

 

Ndriçon dhe uji i një lumi,

Tek ecën shtratit dalë ngadalë,

Ndriçon kjo hënë që zbret në mbrëmje,

Një shelg lotues  puth me mall.

Please follow and like us: