Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Dilema e Shekspirit

Pashë që citoje Lumo Skëndon për dilemën ‘të shkosh në librari apo në kafene’ dhe thoshje se pas 9 dekadash e kemi zgjidhur këtë mëdyshje në favor të kafenesë, po i largohemi librit e po zdërhallemi me thashetheme kafenesh.
Kështu më shkruan Qaniu, që është mbyllur në shtëpi nga një dhimbje mesi dhe vazhdon:
Gjithë sa thua është e trishtueshme dhe më kujtoi historinë pse Mitat Frashëri zgjodhi të shkruante me pseudonimin Lumo Skëndo. Siç mund ta dish, mori emrin e të vëllait, Skënderit a Skëndos, që vinte i vonuar mendërisht, si për të thënë ‘lum ti, o Skëndo, që nuk ke mënd të kuptosh zullumet që bëhen rreth e rrotull’.
M’u kujtua kjo, vazhdon Qaniu, dhe nisa të dyshoja: a ia vlen të silloisesh e të debatosh për zullumet, që sa vijnë e shtohen, apo të bësh Skëndon, t’i futësh një mëndje të lehtë e të parodizosh Shekspirin: kjo bot’ u shthur o prapësi, o dreq/ po unë s’marr mundimin të të ndreq.
Kështu më shkruan Qaniu dhe unë s’di të them: pezmi i tij buron nga zullumet që na rrethojnë apo ngaqë ashtu i bllokuar në shtrat është mërzitur dhe i sheh gjërat më të muzgëta seç janë. Pastaj solla në mend Hamletin që u shtir si i marrë, jo aq për ta lëshuar gjuhën e për të mprehur ironinë e sarkazmën, sesa për t’iu shmangur veprimit.
Please follow and like us: