Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Trishtim vjeshtor…

Sot ndaj të gdhirë më zgjoi një bubullimë e fortë. Në qetësinë që pasoi, zhurma e shiut vinte më e qetë e më nanuritëse. Erdhi dhe vjeshta, mendova, ndërkohë që, pothuajse me lëkurë ndjeja një lloj trishtimi stërpikur me mall.
Për çfarë ndjej mall?, vrava mendjen. Më shumë se mall për diçka konkrete që e pate dhe s’e ke më, është trishtim, plus dhimbje e nostalgji që burojnë nga ndjesia e rrjedhjes së kohës. Me sa duket pragvjeshtave njeriu, si rrallë herë gjatë vitit, ndjen se koha shkon e jeta ikën.
Mbase kjo është arsyeja pse gjithë poetët kanë shkruar e shkruajnë për vjeshtën. Dhe s’di të thuash si është ngjizur brenda nesh trishtimi vjeshtor, ç’është jona, dmth e ardhur nga përjetimet vetiake dhe ç’është e huajtur nga të tjerët, nga leximet, filmat, pikturat, muzika.
“Nuk jam i sigurt se ekzistoj, – thoshte Borges, – në fakt unë jam te të gjithë shkrimtarët që kam lexuar, të gjithë njerëzit që kam takuar, të gjitha gratë që kam dashur, të gjitha qytetet që kam vizituar”.
Parë hollë kjo jetesë e shumfishtë nuk është mohim i ekzistencës, përkundrazi është magjia e saj. Përfytyro ç’do të mbetej prej teje po të hiqje përvojat e të tjerëve, sa i varfër në dije e ndjesi do ishe dhe ç’ferr do qe jeta jote, poqese do mësoje vetëm nëpërmjet pësimeve.
Mes meditimesh të tilla më kishte zënë gjumi përsëri. Më zgjoi Dodoja kur dita kishte zbardhur tërësisht e duhej ta usheqja. Shiu vazhdonte, unë isha po ai, po trishtimi e malli qenë tretur bashkë me errësirën.
Jeta i dashka të gjitha, o Dodo xhani, edhe dritën edhe errësirën, edhe ushqimin edhe përmallimin.
Please follow and like us: