Të shumtë janë emrat shqiptarë që kanë arritur në fusha të ndryshme në arenën ndërkombëtare. Populli shqiptar është kryesisht i njohur me emrat nga bota e artit që i përfaqëson në rrafshin global, por në fakt përveç artit ka edhe më tej…

Senada Greca, një shqiptare me prejardhje nga Elbasani e cila është zhvendosur që në adoleshencën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të thuhet lirshëm se ka kapur majat e suksesit në botën e fitnesit – profesion ky të cilin e ushtron tash e sa vite.

E diplomuar dhe shkolluar me Master në Biznes, Greca nuk e gjeti veten për shumë gjatë në fushën të cilës ia besoi investimin e jetës, kështu ajo vendosi që pasionin e saj për fiskulturën ta shndërrojë në profesion, duke u bërë kështu një trajnere globale e fitnesit, me një aplikacion trajnimi që quhet “Crush It By Senada Greca” dhe një linjë rrobash fiskulture, të quajtur “Zentoa”. Fama e Senadës shtrihet në mbi 3.4 milionë njerëz që e ndjekin në rrjetin social Instagram dhe 1.4 milion sosh në Tik-Tok.

Shqiptarja e cila ka punuar me një mori të famshmit për tonifikimin e trupit të tyre si: Eva Longoria, Alex Rodriguez, Bebe Rexha, e shumë të tjera, ka rrëfyer ekskluzivisht në një intervistë për Telegrafin, se si arriti deri në kulmin e karrierës sportive.

Ajo thotë se pavarësisht jetesës shumëvjeçare në ShBA, rrënjët e saj mbesin në Shqipëri, gjersa dëshira për ta vizituar Kosovën dhe trevat tjera shqiptare janë gjithashtu në sirtarin e saj.

Telegrafi: Senada, ju jeni një trajnere e suksesshme e fitnesit në botë me miliona ndjekës në rrjetet sociale. Na trego pak si ka nisur karriera jote në fitnes dhe nutricion?

Senada Greca: Kam qenë gjithnjë person aktiv, që i pëlqente të ngjitej nëpër peme, si çdo shqiptar që kishte qejfin të luante përjashta. Kam qenë gjithmonë e dhënë pas sportit, kam luajtur në disa sporte të them të drejtën: basketboll, futboll, ragbi, tenis. Por për karrierë, u futa në biznes edhe shpenzova disa vite në këtë fushe por nuk isha e lumtur dhe gjithmonë isha e pasionuar pas trainimit fizik sepse më ka ndihmuar shumë nga ana fizike, por më tepër nga ana mendore.

Telegrafi: Si evoluoi gjithçka?

Senada Greca: Siç shumë njerëz që ndërrojnë faza të ndryshme të jetës, kalova një periudhë depresioni e ankthi – kështu që trajnimi fizik më ka ndihmuar shumë nga ai aspekt. Depresioni dhe ankthi janë shumë të përhapur në kohët e sotme, prandaj doja të ndihmoja shumë njerëz në botë jo vetëm nga ana fizike por edhe mendore. Në mënyrën 1-1 nuk mund të ndikosh shumë njerëz në masë, nëpër botë dhe me këtë qellim në vitin 2019 fillova të vë në Instagram të gjitha ushtrimet e mia, duke u zgjuar herët në mëngjes e me pas vazhdoja të shkoja në punën e përditshme. Pas një farë kohe, sidomos në periudhën e COVID-it, njerëzit që ishin të mbyllur gjithë ditën në shtëpi e gjetën faqen time si diçka shumë të vlefshme, sepse mund të mësonin si të bënin ushtrimet ne shtëpi dhe ishte diçka që i ndihmonte po prapë si nga ana fizike, ashtu edhe mendore. Dhe aty ka qenë periudha ku kam kapur njerëz nga çdo skaj i botës edhe që sot e kësaj dite më falënderojnë për ndihmën, sidomos gjatë periudhës së Covid-19. Kjo ishte pak a shumë historia ime, që nga një punë me numra në financa dhe biznes, arrita ta lërë atë mënjanë dhe ta kthej pasionin tim për fitnes në karrierë.

Telegrafi: Sa ka qenë e vështirë të krijoni një ndjekje të tillë në rrjetet sociale dhe si e keni arritur këtë sukses?

Senada Greca: Të krijosh një ndjekje të tillë nuk është e lehtë. Dedikimi kërkon orë të tëra, pa e ditur se një ditë do shpërblehet apo jo. Kjo e bërë pavarësisht nga kërkesat e punës apo jetës ditore. Por pa sakrifica të mëdha, nuk arrihet shumë. Jam shumë e lumtur dhe falënderuese që sakrificat, lotët, djersa e netët pa gjumë nuk shkuan kot. Dhe asnjëherë nuk do shkonin kot, sepse nëse ndihmova edhe veç një njeri, kjo ishte arritje në vetvete.

Telegrafi: Ju keni prejardhje nga Shqipëria, më saktësisht nga Elbasani. Si ka qenë fëmijëria juaj këtu dhe sa ju merr malli për Shqipërinë?

Senada Greca: Po, jam nga Elbasani dhe fëmijëria ime, edhe pse nuk kemi pasur shumë, si çdo fëmijë që ka kaluar komunizmin, nuk kemi pasur shumë gjëra por ato që kemi pasur ka qenë koha që e shpenzonim me shoqërinë përjashta duke kaluar në oborr. Ka qenë periudha më e gëzuar e jetës time kur e mendoj. Më merr shumë malli dhe do të vijë këtë vit në Shqipëri.

Telegrafi: Kohë më parë kemi parë se aktorja e madhe Eva Longoria ka qenë një prej klienteve tuaja që e keni ndihmuar në tonifikimin e trupit. Mund të na tregosh me cilët prej emrave të tjerë të famshëm të Hollywoodit ke pasur rastin të punosh?

Senada Greca: Ajo punon me ushtrimet e mia ne shume raste. Me shumicën e yjeve kemi punuar në mënyrë virtuale, siç e dini ndoshta edhe për Bebe Rexhën në vitin 2020. Beben e kam trainuar edhe ne person kurdo qe shkoja ne Los Angeles. Pastaj ka edhe shumë të tjerë që trajnohen me metodat e mia. Për shembull Dwayne ‘The Rock’ Johnson ka shumë njohuri për trajnnimin fizik, që kështu nuk them se trajnohet me metodat e mia, por është një mik i cili respekton shumë punën time, dhe u ndjeva shumë krenare dhe e respektuar kur nisi të më ndjekë në Instagram. Kohët e fundit kam trajnuar lojtarin e famshëm të bejsbollit, Alex Rodriguez (ish-i fejuari i Jennifer Lopezzit). Alexit i pëlqen shumë mënyra ime e trajnimit. Dhe ne fakt jemi miq të mirë me respekt të ndërsjellë./telegraf