Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Nuk do vijë më motorri i Pano Taçit në kafe “Europa”

Kaluan përsëri tre muaj pa e kujtuar poetin e burgosur Pano Taçi, ish partizanin e vjetër! Po ja që, unë e kam atë në kujtimet e mia dhe në shpirtin tim dhe nuk më rrihet pa e përmendur rishtazi poetin nëpërmjet faqeve të librit tim “Shpirti artistik”
* * *
Tani e di mirë: nuk do ta shoh më motorrin e vjetër të Pano Taçit në trotuarin e Kafe “Europës”. Unë do të bëj përsëri njëmijë km. rrugë, nga Athina në Tiranë dhe nuk do të më bëjë më zemra të ulem në tavolinat e trotuarit të kafe “Europës” në Tiranë… Aty sikur më ikte e tërë lodhja e rrugës. Një kafe me Panon, një bisedë e shtruar me të dhe dy-tri shaka që ai bënte, sikur mbushnin boshllëkun e një jete të tërë. Atë e gjeja gjithmonë aty, me kapelën e vjetër të rrasur në kokë, me cigaren “Winston” në buzë, me mjekrën e parruar… Te shtylla ku rrinte cigareshitësi mbështeste motorrin karakatinë, një sajesë e çuditshme hekurishtesh të hedhura e mbledhur gjithandej, për ta sjellë e shpurë Panon gjer në Breg të Lumit….
Aty e kishte dhe shtëpizën… D.m.th barakën!…Afër arixhinjve. Dhe ai, i tëri, ngjasonte me banorët e tjerë të Breglumit, cigan i dashuruar me hapësirën, me gurgullimën e përroit, me erën e ndotur që sillnin djegiet e mbeturinave të periferisë së metropolit, me zënkat, fjalët e pista e këngët e shthurura të arixhinjve… Dhe me dashurinë njerëzore të shfaqur sheshit në ditënetët e tij të gjata. Njëra nga poezitë e tij qe për këta njerëz-bohemë, të harruar edhe nga vetë Perëndia, qe ai i donte dhe i vërente gjer vonë në mbrëmjet e veta të vetmuara e të trishta. Ky poet i varfër, që kishte qenë dikur në luftë e që ishte burgosur më pas po nga ata njerëz që ai u kishte përkushtuar djalërinë e tij, ky njeri i fortë e i paepur, poet i mëvetshëm, po e ngryste jetën këtu, në Breg të Lumit, mënjanë shokëve e miqve dhe do të mbaronte po këtu, i harruar nga e gjithë bota dhe nga Ai që është në qiell!…
Qe njeriu më i çuditshëm që kam njohur ky Pano Taçi. Qe më i miri i më të mirëve… Qe më i varfëri i më të varfërve. Qe romantiku i burgjeve! Shkruante edhe në burg i ziu Pano, po i shkruante vetëm në mendje, duke sfilitur shpirtin… Dhe, si doli nga burgu, jeta iu bë përsëri burg! Jetonte, si të thuash, në një “burg të hapët”! E tërë “katandia e pasuria“ e këtij njeriu të papërfillur nga askush ishte baraka e gjetur në Breg të Lumit, ku flinte me gjithë rroba në një krevat prej druri, një tavolinë e sajuar po prej dërrasash të buhavitura (nga ato që i “ villte” lumi në dimër) dhe një motor i vjetër, që ia kishin falur dhe ia kishte sekuestruar policia gjatë një kundravajtjeje, kur (përsëri të themi ”i ziu” Pano), nuk kishte asnjë grosh në xhep për të paguar gjobën. Dhe ç’bëri… Ua la policëve si dhuratë. Merreni, ua kam falur… Nuk e dua më… Shkoj me këmbë gjer në Breg të Lumit! Bohem hesapi… Njeri i lirë!
Ky që shihja unë tek pija kafen me Panon, ishte motori i tij i dytë. I vinte dorësh, të ujdiste gjëra të tilla të vjetra që “gjëmonin“ Rrugën e Barrikadave kur afrohej. Unë zija karrigen time dhe përgjoja skapamenton e njohur. E ndalonte me tërsellim përbri trotuarit, e zvarriste gjer tek cigareshitësi, e mbështeste te shtylla (pa e lidhur) dhe vinte drejt meje, pa e hequr cigaren nga buza. Gëzohesha kur e shihja si një fëmijë. Që të dy ishim burgaxhinj të vjetër. Ai më shumë e unë më pak. Dhe biseda jonë do të vërtitej në dilemën “do të na i japin, apo jo, paratë e burgut?!”, si të bënim monologun e Hamletit të kthyer në dialog! Herën e fundit që u takuam, ishte më optimist se vetë Hamleti dhe më shpalosi përpara syve një faqe gazete të zhubrosur që e mbante në xhepin e brendshëm të xhaketës së vjetër…”. E paskan korrigjuar monologun tonë-tha ai, nuk do na i japin pas moshës 85 vjeç, pas vdekjes, po që tani… Do Zoti e nuk na gënjejnë përsëri…Dhe pritmë në Athinë… Sa ta shoh Akropolin dhe pastaj le të vdes”! Në këto e sipër, kamarieri e kishte pikasur dhe i solli kafen që avullonte. E dija që ai nuk paguante këtu asnjëherë, sipas porosisë së pronarit të Kafe “Europa” që ia dinte brengat e vuajtjet mbinjerëzore. E dija gjithashtu se ishte gjendur edhe një sponsor që ia pëlqente vjershat e i botonte librat. Kujtoja se këto gjëra i kishte peshqesh nga “Taçi Oil”, por jo, qe vetëm një rastësi e afërsisë së mbiemrave! Aty, në atë tavolinë, do të na gjente edhe Xhevoja me Pirron.
Xhevahir Spahiu, edhe kur u kthye nga Turqia gjysmë i shëruar (me ndërprerje të shpeshta të logjikës), aty do të vinte. Na shihte që nga larg e tundte krahët. Do të thoshte “si jeni” dhe pastaj vëmendja e tij do të shkëputej jashtë nesh. Fjalët do t’i ngatërroheshin si një lëmsh i këputur dhe miku i tij i zemrës Pano do të ulte kokën, si të ishte ai fajtori i sëmundjes së këtij njeriu të madh të poezisë shqiptare. Panoja donte t’ia kthjellonte mendjen mikut të tij se, së shpejti do t’i merrte paratë e burgut, po Xhevoja do të fliste për tjetër gjë e do të nxirrte nga xhepi ca lutje qe kishte bërë për të vajtur në Amerikë, si në një stacion ndërplanetar për shërimin e tij nga kjo e keqe që e kishte zënë e s’gjente dot derman. Ai që do të ulej me ne, miku im i emigracionit, po edhe i Panos e i Xhevos, Pirro Loli (romancier, poet dhe eseist), edhe pse optimist më i madh se ne, ishte operuar në grykë dhe fliste nëpërmjet një mikroamplifikatori të montuar në gurmaz, që i trashte zërin. Kështu që në e merrnim dhe nuk e merrnim vesh njëri-tjetrin, si njerëz të çakorduar nga koha e nga vetëdija jonë, që na afronte aq shumë me ata të tjerët e buzëlumit. Dhe kishim nderin të pinim kafe në kafenenë me prestigjioze të Tiranës që mbante emrin e Europës. Na dukej vetja se kishim mbërritur në Evropë, duke qenë në Evropë! Ironia qe e madhe. Gjer në absurdin e gjërave të thëna e të pathëna! Mirëpo, ja që Panoja, shkëputej befas nga hallet që na kishin zënë këmbët dhe nisi të na fliste për ca vjersha të reja qe kishte shkruar dhe që donte t’i botonte te Pegasi ynë, nga xhepi tjetër nxori disa foto personale që donte t’i fshihte nga syri ynë, por që syri ynë “vigjilent” do t’i kapte, gjersa të zbulonim edhe të fshehtën e tij, ( të dashurën e poetit 70-vjeçar, strukur mbi shpinë të tij, mbi një motor fringo të ri, diku gjetkë prej këndej, që ai s’donte ta thoshte dhe ne nuk donim qe t’ia kërkonim…). Përse jo?! Pano Taçi qe një poet lirik dhe kishte frymëzimet e veta erotike. Fjala e tij qe e zgjuar dhe e ëmbël. Vetëm kur donte që të recitonte vetë poezitë e tij zëri i dilte i ngjirur, më i amplifikuar se i Pirros. Bënte edhe shaka. Shaka të hidhura, si në komeditë e zeza që qarkullojnë sot. Fliste edhe për ngërçin e politikanëve dhe, i revoltuar nga mosmarrëveshjet e politikanëve të vendit, shkroi poemën satirike “Futja Pordhës”, të cilën, njëri nga deputetët tanë e riprodhoi aq sa janë deputetët tanë dhe i vendosi në të gjitha karriget e sallës së deputetëve…
Mirëpo ky njeri i mirë, poet-bohem, burgaxhi dje e gjysmë burgaxhi sot, s’është më. Në karrigen e tij në Kafe “Europa” nuk ulet më njeri. Në karriget e tjera do të ulen, Xhevoja, si gjithmonë, me fjalët e tij të shkëputura nga njëra-tjetra dhe me dorën zgjatur nga AMERIKA, Pirroja me mikrofonin në grykë dhe unë, emigranti i përjetshëm që mezi dola në pension si punëtor krahu! Për shumë kohë motori i tij i vjetër mbeti i shuar, i shuar përjetë, si i zoti që e kishte dhe e zvarriste nëpër jetën e tij të çuditshme. As cigareshitësi nuk e preku, as policët. Kafen e tij kamarieri e solli edhe atë ditë kur Pano Taçi do të nisej për në BOTËN TJETËR. E dinte që do të ftohej aty, në tavolinën e trishtuar të poetit të breglumit…
“SHPIRTI ARTISTIK” – Tiranë, 2014.
Please follow and like us: