Albspirit

Media/News/Publishing

3.500 bluza të bardha në 10 vite! Pse ikin mjekët në Gjermani dhe a burgosen atje, flet Aurora Dollenberg

3.500 bluza të bardha braktisën Shqipërinë për Gjermaninë në 10 vite, arsyet dhe shkaqet, si mund të parandalohet fenomeni, flet Aurora Dollenberg, përfaqësuese e Federatës së Mjekëve shqiptarë të Europës…

Mjekë dhe infermierë që ikin çdo vit drejt Gjermanisë, apo edhe drejt vendeve të tjera të BE-së, edhe pse janë përgatitur dhe është investuar për t’i shërbyer sistemit tonë shëndetësor. Nga ana tjetër mjekë dhe infermierë që arrestohen bujshëm, madje me eskorta policie dhe kamera mediatike, nën akuzë për korrupsion. Ka edhe mjekë dhe infermierë që dhunohen në ambientet e spitalit nga pacientët. Po ashtu, shumë spitale, kryesisht ata të rretheve, kanë mbetur pa mjekë dhe pa personel shëndetësor. Si po e menaxhon Shqipëria sektorin e saj të shëndetësisë, si i trajton shoqëria bluzat e bardha, dhe anasjelltas, si motivohen ata, sidomos të rinjtë, me qëllim që të qëndrojnë dhe ta ndërtojnë karrierën e të ardhmen në vendin e tyre? Për t’i dhënë përgjigje çështjes problematike të sistemit tonë shëndetësor, flet Aurora Dollenberg, përfaqësuese e Federatës së Mjekëve shqiptarë të Europës në një intervistë për “Liberale.al”. Mjekja shqiptare në Gjermani shpjegon numrin në rritje, shkaqet e eksodit masiv të bluzave të bardha si dhe  masat dhe politikat  që duhet të ndërmerren nga shteti shqiptar, për t’iu garantuar një ambient më pasor dhe më të sigurt mjekëve dhe infermierëve tanë, sidomos të rinjve, të cilëve, nga ana tjetër i pret krahëhapur dhe u siguron një ardhme më të mirë Gjermania dhe Perëndimi:     

Nëse keni shifra konkrete, a mund të dimë sa është numri i mjekëve dhe i infermierëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë aktualisht në Gjermani?

 Eksodi i mjekëve shqiptarë drejt Europës dhe sidomos drejt Gjermanisë është një fenomen që nuk paska të ndalur. Sipas arkivave të Dhomës së Mjekëve në Gjermani numërohen rreth 1.200 deri në 1.500 mjekë, të cilët kanë emigruar drejt Gjermanisë në 10 vjeçarin e fundit, ndërkohë që bluzat e bardha në total që janë larguar gjatë kësaj periudhe janë rreth 3.500.

Cila mendoni se është arsyeja e largimit të tyre nga Shqipëria?

Këtu numërohen infermierët në radhë të parë, teksa shihet një eksod masiv i profesionit të infermierisë, si pasojë e kushteve shumë herë më të mira, pagave më të larta dhe sigurisë që kanë këta profesionistë në ushtrimin e profesionit të tyre, kur vijnë në Gjermani. Po ashtu nuk mungojnë edhe farmacistët, dentistët, teknikë laboratori, të shëndetit publik, fizioterapistë, të cilët kanë një tendencë në rritje për të ardhur drejt Gjermanisë. Këto shifra janë vërtet shumë alarmante, nëse llogaritet gjithmonë numri i profesionistëve të emigruar, në proporcion me popullatën.

Cilat mendoni se janë problematikat e sistemit shëndetësor në vendin tonë, që kërkojnë zgjidhje sa më emergjente?

Masat që duhen të ndërmerren për të parandaluar këtë fenomen të emigrimit të bluzave të bardha janë patjetër të ndërthurura me kushtet e punës, janë të lidhura me një pagesë më të lartë, për punën e kryer, ata duhet që të paguhen për orët shtesë, ose për punën që bëjnë në fundjavë, gjë në Gjermani është standarde. Sidomos privatësia e mjekëve dhe e infermierëve, në ushtrimin e profesionit të tyre, si dhe mbrojtja juridike e punës së tyre nga ana e shtetit shqiptar. Fenomeni publik i dënimit të figurës së mjekut dhe baltosja e bluzave të bardha, si pasojë e rasteve sporadike që mund të prekin një ose dy mjekë, ka qenë jo për t’u përgëzuar nga ana e shoqërisë shqiptare. Fakti që për gabimet mjekësore, ose të ndonjë fenomeni lidhur me korrupsionin, si reagim të bëhen gjyqe publike ku faktikisht dëmtohet shëndetësia shqiptare është një fenomen që në vende si Gjermania, ose në vend të tjera evropiane, është të paktën e ndaluar me ligj.

Çfarë mendoni se duhet të bëjë më tepër shteti shqiptar, që mjekët dhe infermierët ta shohin të ardhmen e tyre, aty edhe ku është investuar, pra, në Shqipëri?

Mbrojtja e të dhënave të mjekëve të prekur nga korrupsioni në Shqipëri, gjithashtu edhe  të fenomeneve të tjera, qoftë të korrupsionit, qoftë të gabimeve mjekësore, gjyqet duhet të bëhen me dyer të mbyllura përpara gjykatave përkatëse dhe absolutisht jo sa për “show” mediatik, duke bërë që besimi që ka pacienti shqiptar te mjekët, te shërbimi shëndetësor, të ulet gjithnjë e më tepër. Këto lloj fenomenesh të gjyqeve publike janë thuajse mesjetare, për nga koha dhe aktualiteti që jetojmë. Kjo dëmton patjetër edhe dëshirën e mjekëve të rinj, në Shqipëri, për të qëndruar dhe punuar në vendin e tyre, sepse është humane që edhe gabimet të jenë të tolerueshme. Korrupsioni është i patolerueshëm, por të gjitha këto i takojnë kuadrit njerëzor, prandaj mjekët nuk mund të ndëshkohen të gjithë bashkërisht, vetëm sepse njëri, ndonjë koleg i tyre, ka gabuar në ushtrimin e profesionit. E gjitha kjo krijon një ambient dhe klimë pune agresive, e cila në shumë raste është e padrejtë për të gjithë ata që e ushtrojnë me ndershmëri dhe korrektësi profesionin e tyre.

Së fundmi, dy mjekë dhe një infermiere u prangosën për korrupsion në një prej spitaleve kryesore të vendit tonë. A e keni ndjekur këtë rast dhe cili është dallimi me Gjermaninë në raste të ngjashme?

Këto fenomene të burgosjes së mjekëve pa përfunduar procesi gjyqësor dhe pa u kontrolluar çdo detaj bën që brezi i ri i mjekëve të mendojnë për një edukim më të mirë që e kanë vendet evropiane, por sidomos edhe për më shumë siguri të personit nga ana e tyre. Kështu që unë si përfaqësuese e Federatës së Mjekëve shqiptarë të Europës, iu bëj thirrje me shumë përulësi të gjitha institucioneve përkatëse të sistemit të përkujdesjes shëndetësore, që të jenë  të kujdesshëm në mbrojtjen e intemidimit të mjekut, në mbrojtjen e besimit që pacienti duhet të ketë ndaj mjekëve shqiptarë, sepse unë jam e bindur se cilësia e njohurive që kanë kolegët tanë në Shqipëri dhe mënyra sesi ata e trajtojnë pacientin shqiptar është në nivelet më të larta. Patjetër që edhe ne si diasporë e mjekëve, gjithmonë i plotësojmë dhe i forcojmë ata, me anë të shkëmbimit të vazhdueshëm dhe me eksperiencat që ne kemi. Kështu që ne si federatë evropiane jemi përkrah kolegëve tanë në Shqipëri. Dënojmë çdo lloj forme korrupsioni dhe shfrytëzimi të postit të mjekut dhe nga ana tjetër, kemi shumë mirëkuptim për mbrojtjen dhe privatësinë e të dhënave të figurës së mjekëve, në ushtrimin e detyrës dhe në realizimin e punëve publike .    Intervistoi: Aranit Muraçi /7.10. 2022. Liberale.al/

Please follow and like us: