Albspirit

Media/News/Publishing

Gëzim Basha: ‘Heraldikët e Borës’ si sublimim dilemash

Përmbledhja Heraldikët e Borës, përveç poezisë së zgjedhur, përfshin dhe një pjesë të poezive ende të pabotuara të Niko Kacalidhës – një zë letrar i rëndësishëm me kontribut të shquar në dy letërsi.

Prej pesë dekadash, Niko Kacalidha i krijon efektet dhe kuptimet e tij poetike përmes eksplorimit të kapaciteteve shprehëse të dy gjuhëve, shqipes dhe greqishtes, duke lënë pas një tremë lehtësisht të dallueshme në atë që historikisht konsiderohet njëra nga orvatjet estetike më të vështira – perceptimin e botës dhe meditimin mbi të përmes imazhesh lirike.

Heraldikët e Borës kompozohet sipas kriterit kronologjik, prej debutimit të parë te lirikat e pabotuara, duke ia sjellë lexuesit integritetin e personalitetit poetik të autorit në mënyrë integrale.

Si poet dygjuhësh, Kacalidha jeton në marrëdhënie me dy kultura, sa të afërta për nga psikologjia, po aq të ndryshme për nga relievet e tyre historike. Ndryshe nga sa thonë ekzaltuesit e pop-kritikës së cekët, shpesh me klishe të tipit “poeti dygjuhësh është urë komunikimi midis dy kulturash etj., etj.”, një fat apo zgjidhje e tillë, po aq sa avantazh, mund të konsiderohet barrë e vështirë dhe rrethanë komplekse me ndikim në formë dhe përmbajtje, ngaqë gjuhët janë sisteme josimetrike, kurse kulturat – në rrafsh sinkronik – përftesa prej kontekstesh politike të ndryshme.

Diakronia e shkrimit shqip, i cili nisi vetëm pesë shekuj më parë me tekste liturgjike, pavarësisht Kanonit të tij plot spërndritje të befasishme, për nga evoluimi dhe larmia e koleksionit bie në kontrast me traditën e shkrimit greqisht, ku poezia lirike kultivohet prej më shumë se 25 shekujsh pa ndërprerje, duke numëruar një sërë tekstesh themelore – fundamental texts – jo vetëm të Kanonit perëndimor, por të krejt kulturës njerëzore në përgjithësi.

Paragrafi i mësipërm, më shumë sesa konstatim, shërben si parantezë për të thënë se dilemat e një poeti bilingual, i cili shkruan paralelisht në dy gjuhë dhe konfrontohet me dy tradita, e komplikojnë kërkimin e koordinatave të tij estetike. “Poeti i vërtetë hyn në një marrëdhënie xhentëlmeni me traditën letrare të gjuhës (apo gjuhëve) në të cilën shkruan”, – nënvizonte dikur Auden. Por përfytyroni dilemat, mëdyshjet dhe ankthet e një ndërmarrjeje të tillë në një gjuhë si greqishtja kur vetë nobelisti Odisea Elitis, në leksionin e tij përpara Akademisë Suedeze, pranonte se “të shkruash poezi lirike me po ato fjalë që përdornin Safo dhe Pindari është sfidë ndër më të vështirat”.

Duke mbajtur në duar Heraldikët e Borës, konstatohet lehtësisht se Kacalidha ka një trajektore të qartë suksesi dhe se ai hyn ndër poetët modernë më kompleksë në të dyja kulturat, përveç të tjerash edhe nga hapja dhe ekspozimi i tij ndaj dy traditash të ndryshme letrare. Me idiomën e vet shqipe, ai herë reflekton sensibilitetin gjuhësor të Lasgush Poradecit dhe herë ekzigjencën spontane – të pakërkuar, por të përkorë – të Fatos Arapit, veçanërisht në lirikën e shkurtër. Ai ia del ta pasurojë ndjeshëm telajon e vizioneve të veta duke prurë me finesë atë fuzionin fluid të ëndrrës me realitetin aq të hasur në surealizmin sui generis të poezisë së madhe greke të shekullit të njëzetë, të pranishëm veçanërisht tek Elitis, në përshkrimet enumerative të dritës dhe efekteve të saj.

Një tendencë e tillë vërehet mprehtësish nga Ismail Kadare i cili shprehet se Niko Kacalidha shkruan “një poezi metaforike surrealiste brilante, përqasur herë me zymtësinë e Seferis, herë me dritësinë e Elitisit… dhe herë me detaje shqiptare të gurit, të malit, të dritës dhe të detit, të pranishme këto në pjesën më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, gjë që e bën poezinë e tij ballkanike, me ngjyra mesdhetare, pranuar edhe nga lexuesit e kualifikuar europianë”. Suksesin e autorit për të qenë një individualitet i dallueshëm poetik e mendje moderne me emancipim multikulturor e vë në pah edhe Dritëro Agolli, i cili shprehet: “Niko Kacalidha është jo vetëm poeti më i plotë i minoritetit grek, por edhe një ndër poetët e shquar në Shqipëri. Ai nuk është poet vetëm i Shqipërisë apo i Greqisë, është një poet ballkanas dhe më gjerë, një poet europian, një poet modern me kuptimin e gjerë të kësaj fjale”.

Koncepti Letërsi e Minoritetit Grek është koncept politik dhe kulturor. Ai dallon shkrimtarët me origjinë etnike greke brenda kufijve politikë të shtetit shqiptar, por në studimet e pakta letrare për të ky koncept përdoret rëndom vetëm si emërtesë grupi pa e përfillur shumë dramën identitete të atyre krijuesve, tensionin e të jetuarit në një botë me dy gravitete – gjendjen kulturalisht në një tug of war – ku mundësia e shprehjes kalonte, dhe ende kalon, në zgrip rreziqesh të ndryshme: dje me marrjen si të pandehur, sot me prirjen për etiketime jo thjesht pezhorative.

Minoriteti etnik grek në Shqipërinë e djeshme – vend kampion i shtypjes politike – ka qenë për pasojë minoriteti më i shtypur i Europës. Si pjesëtar i këtij komuniteti, Niko Kacalidha mbetet një zë i shquar që e siluetoi zhdërvjelltas profilin e tij prej liriku impresiv qysh me poezitë e tij të para, duke refuzuar estetikisht të folmen e drunjtë të sloganeve. Ai i kërkoi epifanitë e befta poetike duke manifestuar një ndjeshmëri gjuhësore të admirueshme e cila e bën atë stilist virtuoz në të dyja gjuhët. Në psikikën e tij poetike rëndon substanca e vuajtjeve tragjike të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Të gjitha këto janë konservuar në koshiencën e tij, ndaj poezia e Kacalidhës vjen me një frymë të dukshme elegjiake. Shpeshherë atmosfera e lirikave të tij është atmosferë varrezash, kishash të vjetra, shtëpish në bokërima, grash që bartin bucela uji mbi shpinë dhe njerëzish që mundohen të negociojnë dhembjen e tyre. Ndër lirikat e këtij lloji vlen të veçohet Krishti u kryqëzua në Leshnicë, ngaqë është e vështirë të imagjinosh një antologji të poezisë lirike në gjuhën shqipe pa të.

Perceptimi figurativ precipiton thellë në qenien e tij për të vetuar pastaj në vargje të jashtëzakonshme, shpesh epigramatike, të cilat, jo rrallë, prezantojnë një un lirik i cili rrezaton atë lëbyrjen e përzishme të lirikës klasike elegjiake greke. Për t’ia kuptuar më lehtësisht dramën unit lirik të Kacalidhës konsideroni vargun e mëposhtëm, jo vetëm atë që shpreh, por edhe atë çfarë lë pa thënë:

Unë jam pus i thellë si syri i Ciklopit. 

Evokimi i detajeve nga e përditshmja ndjek te Kacalidha një qasjeje të ndërgjegjshme estetike e cila të ndërmend poezitë e shkurtra të Ricosit ku përshkrimi transparent – lucid – e gati me ton reporteri bashkëjeton me mistifikimin, kompleksitetin kuptimor e madje tmerrin. E kësaj natyre është poezia Vaj për djaloshin e vrarë, vargjet e së cilës të bëjnë të besosh se shkrimi i poezisë mbetet para së gjithash ushtrim i empatisë, mënyrë për ta menduar veten në lëkurën e tjetrit, veçanërisht kur tjetrin e viktimizojnë:

Pashë një djalosh të vrarë që e zvarrisnin

Anëdetit, në mes të ditës, rrugëve e të qytetit

Për të matur durimin, dhe me krisi zemra,

E nga rezonanca e zemrës sime krisi guri…

…krisën kraharorët e zogjve baladeskë.

Për të arritur një kompleksitet kuptimor maksimal, lirika e Niko Kacalidhës adapton shpeshherë edhe teknikën alegorike duke shmangur me elegancë retorikën patetike veçanërisht në tema qendrore si degradimi i njeriut në mungesë të lirisë apo dilemat e ekzistencës në kushtet e pashpresa të mizerjes njerëzore.

Peshqit në akuarium mendojnë se s’ka për ta

    tufan.

Vetëm, sa herë, ndërrohet uji, me sy lëmoshë

   kërkojnë në xham.

Heraldikët e Borës, si çdo përmbledhje poetike serioze, mbetet në esencë një synim estetik drejt sublimes, negociuar prej një heroi lirik që e gjen daljen nga qerthulli i dilemave përmes zgjerimit të hapësirës së ndjeshmërive. Sublimimi në poetikën e Niko Kacalidhës – ngjashëm me këshillën e filozofit grek të shekullit të tretë, Cassius Longinus – shfaqet si strategji e purifikimit shpirtëror përmes finesës së ndjesive. Leximi i Heraldikët e Borës, si gjithë poezia e emancipuar, kërkon dhe pritet të gjejë përkushtimin e një audience në lartësinë e synimit të autorit.

Please follow and like us: